2025
Të Nxjerrim Kuptimin e Rrëfimeve për Vegimin e Parë të Jozef Smithit
Janar 2025


Eja, Më Ndiq

Joseph Smith – Historia 1:1–20

Të Nxjerrim Kuptimin e Rrëfimeve për Vegimin e Parë të Jozef Smithit

Çfarë ka ndryshe te katër rrëfimet e Vegimit të Parë të Jozef Smithit? Përse janë ndryshe ato? Çfarë mund të na mësojnë ato?

Jozef Smithi

A je përpjekur ndonjëherë t’i tregosh dikujt rreth një përvoje shpirtërore? Çfarë hollësish përfshive? Çfarë hollësish le pa përfshirë? A mendon se do ta tregoje historinë ndryshe po t’ia tregoje një shoku ose shoqeje, në një mbledhje sakramenti ose dikujt që nuk është anëtar/e i/e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Këto pyetje janë të rëndësishme kur mendon rreth mënyrës se si Jozef Smithi e shpjegoi vegimin me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që pati në Nju‑Jork në vitin 1820. Jozefi e tregoi këtë përvojë disa herë. Sot ne kemi katër rrëfime të drejtpërdrejta të Jozefit:

  1. Një histori personale që Jozefi e shkroi nga vera e vitit 1832. Jozefi shpjegoi se shkoi në pyll për t’u lutur ngaqë ishte i pështjelluar rreth gjërave shpirtërore. Ai gjithashtu donte që t’i faleshin mëkatet.

    djaloshi Jozef Smith
  2. Ditari i Jozefit në vitin 1835. Një predikues me emrin Robert Methjus erdhi në Kirtland, Ohajo. Ai donte të bisedonte me Jozefin rreth çështjeve fetare, ndaj Jozefi i tregoi atij rreth vegimit. Uoren Perishi, i cili po mbante ditarin e Jozefit, shkroi atë që tha Jozefi.

    Jozef Smithi duke mbajtur shkrimet e shenjta
  3. Një histori zyrtare e Kishës që Jozefi e nisi në vitin 1838. Ai foli për Vegimin e Parë si pjesë të mënyrës se si u rivendos Kisha. Ky rrëfim është botuar te Perla me Vlerë të Madhe.

    Jozef Smithi duke shkruar
  4. Një letër që Jozefi e shkroi në vitin 1842. Një gazetar, i quajtur Xhon Uentuorthi, i kërkoi Jozefit t’i shpjegonte se si lindi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Jozefi iu përgjigj në një letër dhe përfshiu informacion rreth Vegimit të Parë.

    shkrim dore

Çdo rrëfim u bë në një kohë të ndryshme për dëgjues të ndryshëm. Jozefi kishte objektiva të ndryshëm në mendje për secilin. Por ku i lexojmë ato së bashku, kemi një tablo më të gjerë e më të qartë të përvojës së Jozefit në Korijen e Shenjtë.

Çfarë Ka Ndryshe?

Këto rrëfime kanë të gjitha disa hollësi të ndryshme. Në rrëfimin e vitit 1832, Jozefi përqendrohet te dëshira e tij për të marrë falje për mëkatet e veta. Ai nuk përmend në mënyrë specifike dëshirën për të ditur se cila kishë është e vërtetë. Ai flet rreth mënyrës se si “Zoti” iu shfaq atij, nuk i identifikon veçmas Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Rrëfimet e viteve 1835 dhe 1838 përmendin një forcë të ligë që përpiqet ta pengojë Jozefin të lutet. Rrëfimi i Jozefit në vitin 1835 thotë se atë e vizituan dy qenie, si dhe engjëj. Rrëfimet e viteve 1838 dhe 1842 përmendin gjithashtu dy qenie, njëra prej të cilave identifikohet në mënyrë specifike si Jezu Krishti. Këto dy rrëfime theksojnë kërkimin e Jozefit për kishën e vërtetë.

Pse Ka Ndryshime?

Ka disa arsye prapa ndryshimeve te rrëfimet.

Natyra e Kujtesës

Nganjëherë ne mendojmë se kujtimet mbeten gjithmonë njësoj. Por kujtesa nuk funksionon ashtu. Teksa rritemi në moshë, i kujtojmë gjërat ndryshe. Diçka që ndodhi më herët, mund të marrë një kuptim ndryshe për shkak të përvojave të tjera jetësore. Thelbi i kujtimit mbetet, por disa hollësi mund të ndryshojnë. Kjo nuk do të thotë që kujtesa jonë nuk është e vërtetë ose e saktë, thjesht që pjesë të saj spikatin më shumë në kohë të ndryshme.

Qëllime të Ndryshme

Jozefi pati arsye të ndryshme për ta thënë historinë e tij. Në vitin 1832, ai po bënte një rrëfim personal, ndaj ai u përqendrua më shumë te kuptimi që Vegimi i Parë kishte për të personalisht. Në vitin 1838 dhe 1842, ai foli rreth Vegimit të Parë si pjesë e mënyrës se si lindi Kisha. Ndaj ai theksoi dëshirën e vet për të ditur se cila kishë qe e vërtetë.

Dëgjues të Ndryshëm

Robert Methjusi dhe Xhon Uentuorthi nuk ishin anëtarë të Kishës. Jozefit i duhej t’ua përshkruante gjërat ndryshe atyre. Rrëfimin e vitit 1838 ua drejtoi më shumë anëtarëve të Kishës. Ai mund të ketë menduar se rrëfimi i vitit 1832 do të lexohej vetëm nga miqtë e ngushtë dhe pjesëtarët e familjes.

Çfarë Ka Njësoj?

Në të katra rrëfimet, hollësitë kryesore janë njësoj. Jozefi qe i pështjelluar për shpëtimin e vet dhe për shpëtimin e botës. Ai lexoi te Jakob [Bibël] 1:5–6 se mund të merrte përgjigje për lutjet e tij. Ai shkoi në pyll dhe u lut. Qenie qiellore iu shfaqën. E thirrën në emër. I thanë se kishat e asaj kohe nuk po jepnin mësim doktrinat e sakta.

Vegimi i Parë

Çfarë Mësoj Unë nga Rrëfimet

Më pëlqen t’i lexoj rrëfimet e ndryshme sepse më ndihmojnë ta kuptoj më mirë Vegimin e Parë. Mund ta shoh më qartë se pse Jozefi qe i pështjelluar dhe donte të lutej. Mund ta ndiej Shpirtin më fort teksa lexoj rreth kuptimit që pati Vegimi i Parë për Jozefin në kohë të ndryshme të jetës së tij. Së bashku, rrëfimet më ndihmojnë të di se Jozefi po thoshte të vërtetën. Ai pa Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin në Korijen e Shenjtë. Kjo ma shton shpresën se edhe unë mund të marr përgjigje për lutjet.

Rrëfimi

Arsyeja pse Jozefi tha se u lut

Kush tha Jozefi se u shfaq

1832

Për falje të mëkateve të veta

Zoti

1835

Për të zbuluar se kush kishte të drejtë dhe kush e kishte gabim në lidhje me çështjet e fesë

Dy personazhe, i pari, i pasuar nga një tjetër dhe engjëj

1838

Për të ditur se cila ishte Kisha e vërtetë e Krishtit

Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti

1842

Për të ditur se cila ishte Kisha e vërtetë e Krishtit

“Dy personazhe të lavdishme”