Lajme të Mira për Ju dhe për Botën
Ju mund të merrni lajme të mira dashurie dhe gëzimi për shkak se Jezu Krishti e ka rivendosur Kishën e Tij për të bekuar të gjithë fëmijët e Perëndisë.
Sacred Grove [Korija e Shenjtë], nga Al Rounds
Mesazhi ynë i shpresës dhe paqes për të gjithë është që Jezu Krishti jeton dhe se e ka rivendosur ungjillin dhe Kishën e Tij në këto ditë të mëvonshme. “Sa papërshkrueshmërisht të lavdishme janë këto gjëra për njerëzimin!”, – shpalli Profeti Jozef Smith. Ato janë “lajme gëzimi të madh për të gjithë popullin … që duhet të mbushin tokën dhe të gëzojnë zemrat e gjithkujt kur i dëgjon ato”.
Këto lajme të mira janë një shfaqje e thellë e dashurisë pa mbarim të Atit tonë në Qiell dhe Shpëtimtarit tonë. Ata do t’i bekojnë të gjithë njerëzit dhe do ta përgatitin botën për ditën kur të kthehet Jezu Krishti. Gëzohem që mund ta kaloj jetën duke ia shpallur këto të vërteta gjithë botës.
Resurrection Morning [Mëngjesi i Ringjalljes], nga Sarah Hatch
Ndodhia në Dukje e Pagjasë dhe Mbresëlënëse
Në një korije pemësh, Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën dhe i folën Jozef Smithit në përgjigje të lutjes së Jozefit rreth faktit se cilës kishë duhej t’i bashkohej (shih te Joseph Smith – Historia 1:16–20). Jezusi i tha Jozefit të mos i bashkohej asnjërës nga kishat. Ai premtoi se plotësia e ungjillit të Tij do t’i zbulohej Jozefit në të ardhmen.
Për shumë njerëz, Jozefi dukej si njeriu më me pak gjasa për t’u thirrur në një vepër kaq me rëndësi. Në sytë e tyre, ai qe vetëm një djalosh i pashkolluar nga një fermë e vogël. Por nëpërmjet Jozefit, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të bënin vërtet gjënë më mbresëlënëse. Jozefit do t’i jepeshin urdhërime, zbulesa të çmuara dhe doktrina thelbësore rreth planit plot dashuri të Atit Qiellor dhe dashurisë shëlbuese dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit për të na bekuar dhe për të na ndihmuar të dimë se si mund të kthehemi në shtëpi.
Një Dëshmi e Fuqishme e Dashurisë së Perëndisë
Engjëlli Moroni iu shfaq Jozef Smithit dhe i tregoi Jozefit për një anal, të shkruar në fletë të arta, që qe groposur aty afër (shih te Joseph Smith – Historia 1:33–34). Përfundimisht, Jozefi e përktheu atë anal që më vonë do të bëhej Libri i Mormonit, i cili qëndron përkrah Biblës si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit.
Në të gjithë Librin e Mormonit, njerëzit, qindra vjet para Krishtit, e dinin dhe e parathanë ardhjen e Tij dhe qenë të dëshiruar për të. Ne gjithashtu lexojmë se si Shpëtimtari iu shfaq dhe iu dha shërbesë nefitëve. Ai i ftoi të gjithë të vinin tek Ai. Ai shëroi të sëmurët, sakatët, të verbrit dhe të gjithë ata që ishin të pikëlluar. Më pas, Ai i bekoi fëmijët e vegjël dhe u lut për ta (shih tek 3 Nefi 11:14–15; 3 Nefi 17:7–9; 3 Nefi 17:21).
Libri i Mormonit na mëson shumë për dashurinë dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit. Ai dëshmon vërtet se “Jezusi është Krishti”. Ai përmban bukurinë e ungjillit të Tij të përjetshëm. Libri i Mormonit jep një tablo të qartë të mënyrës se Ati Ynë në Qiell dhe Shpëtimtari ynë na duan përtej gjithçkaje që mund të imagjinojmë.
Gold Plates [Fletët e Arta], nga Robert Theodore Barrett
Bekimet e Priftërisë dhe Kishës
Jozef Smithit i erdhën lajmëtarë të tjerë qiellorë. Gjon Pagëzori erdhi që të rivendoste autoritetin për të pagëzuar. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni rivendosën detyrën e Apostullit dhe çelësat e autoritetit të priftërisë. “Erdhën dhe të tjerë gjithashtu, përfshirë Elijan, që rivendosi autoritetin për t’i bashkuar familjet së bashku [përgjithmonë] në marrëdhënie të përjetshme që e kapërcejnë vdekjen.”
Jezu Krishti pastaj themeloi nëpërmjet Profetit Jozef një Kishë të modeluar sipas asaj që Ai organizoi në kohën e Dhiatës së Re (shih te Nenet e Besimit 1:6). Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe apostujve e profetëve të Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i vë bekimet e fuqisë së rivendosur të priftërisë në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë.
Do të thosha se nëse ndiheni i/e rënë moralisht dhe ndiheni se nuk jeni në lartësinë e duhur ose se nuk i përkitni asaj, jini më dashamirës/e ndaj vetes dhe kuptojeni se sa ju duan Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Shpëtimtari ynë, më shumë nga sa mund të imagjinoni. Të gjithë janë të ftuar të vijnë te Krishti dhe te Kisha e Tij. Kisha nuk është për të përsosurit. Është si një spital ku gjejmë shërim. Në kishë ne e kthejmë vëmendjen jashtë vetes, u shërbejmë të tjerëve me dashuri dhe shpërndajmë ungjillin. Ne mund të “kujtohe[mi] dhe … ushqehe[mi] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4). Mund të gjejmë paqe dhe shërim. Çfarë bekimi i pamasë!
Një Arsye për Gëzim të Madh
Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, ju duan dhe dëshirojnë, mbi gjithçka, t’ju çojnë në shtëpi dhe të keni përgjithmonë atë lloj jete që bëjnë Ata. Rivendosja zbulon se Ata kanë bërë gjithçka për ta bërë këtë një mundësi të lavdishme për ju. Nganjëherë, mund të përjetoni sprova dhe vështirësi, por ju jeni që “të mund të ken[i] gëzim” (2 Nefi 2:25) në këtë jetë dhe në tjetrën. Profeti Jozef e dinte këtë më mirë nga të gjithë. Do të zbuloni se mund të keni gëzim ndërsa pendoheni vazhdimisht dhe i drejtoheni Atit tuaj në Qiell dhe Shpëtimtarit tuaj.
Jozefi u përball me kundërshtim dhe përndjekje të shpeshta, prapëseprapë e ruajti “temperamentin [e tij] të lindur, të hareshëm” (Joseph Smith – Historia 1:28). Ai mbeti i gëzueshëm, i fortë dhe i paepur dhe e kreu veprën që i ishte dhënë të bënte. E njëjta gjë është e vërtetë për të gjithë ata që kanë ardhur pas tij.
Kishte pengesa në ditët e hershme të Kishës dhe mund të ketë pengesa edhe sot, por Rivendosja vazhdoi në atë kohë dhe vazhdon ende sot. Jezu Krishti e udhëheq Kishën e Tij. Profetët e gjallë vazhdojnë të na udhërrëfejnë. Shtëpitë e Zotit do të vazhdojnë të ndërtohen. Dashuria e Perëndisë dhe Jezu Krishtit do të shtrihet në të gjithë botën teksa e zbatojmë urdhrin e Shpëtimtarit për t’u kujdesur për delet e Tij dhe për të shpërndarë ungjillin e Tij. Të vërtetat e Rivendosjes do të shkojnë përpara në mënyra dhe vende që zor se do të ishin të imagjinueshme në kohën e Jozefit. Ne do të përpiqemi fort për ta bërë botën paksa më dashamirëse dhe më pak përçarëse.
Ndërsa e studioni rregullisht ungjillin, luteni shpesh dhe u shërbeni të tjerëve, mesazhi i Rivendosjes do t’jua prekë zemrën dhe do t’jua ndryshojë jetën. Mund të mos ndodhë menjëherë, por do t’ju sjellë gëzim, sikurse i solli Profetit Jozef.
Ju bekofshin dhe jua prifshin jetën lajmet e mira të dashurisë dhe gëzimit që sjell Rivendosja, tani e përgjithmonë!