Shkrimet e Shenjta
Helamani 12


Kapitulli 12

Njerëzit janë të paqëndrueshëm dhe të marrë, dhe të shpejtë për të bërë keq—Zoti ndëshkon popullin e tij—Asgjësia e njerëzve krahasohet me pushtetin e Perëndisë—Në ditën e gjykimit, njerëzit do të fitojnë jetën e përjetshme ose mallkimin e përjetshëm. Rreth 6 para K.

1 Dhe kështu ne mund të shohim sa të rreme dhe gjithashtu paqëndrueshmërinë e zemrave të fëmijëve të njerëzve; po, ne mund të shohim se Zoti në mirësinë e tij të madhe e të pafund, bekon dhe i përparon ata që e vendosin besimin e tyre në të.

2 Po, dhe ne mund të shohim që pikërisht, në kohën kur ai begaton popullin e tij, po, në shtimin e arave të tyre, të grigjave të tyre dhe të kopeve të tyre dhe në ar, dhe në argjend, dhe në të gjitha gjërat e çmueshme të çfarëdo lloji dhe mjeshtërie; duke u kursyer jetën dhe duke i çliruar nga duart e armiqve të tyre; duke zbutur zemrat e armiqve të tyre, që ata të mos shpallin luftë kundër tyre; po, dhe në fund, duke bërë të gjitha gjërat për mirëqenien dhe për lumturinë e popullit të tij; po, atëherë është koha që ata ngurtësojnë zemrat e tyre dhe harrojnë Zotin, Perëndinë e tyre dhe shkelin nën këmbët e tyre të Shenjtin—po, dhe këtë gjë e bëjnë për shkak të rehatisë së tyre dhe begatisë së tyre jashtëzakonisht të madhe.

3 Dhe kështu ne shohim se në qoftë se Zoti nuk e ndëshkon popullin e tij me shumë fatkeqësi, po, vetëm në qoftë se ai nuk i viziton me vdekje dhe me tmerr dhe me zi buke, dhe me çdo lloj epidemie, ata nuk do ta kujtojnë atë.

4 O, sa të marrë dhe sa të kotë dhe sa të ligj, dhe djallëzorë, dhe sa të shpejtë për të bërë paudhësi, dhe sa të ngadalshëm për të bërë mirë, janë fëmijët e njeriut; po, sa të shpejtë të dëgjojnë fjalët e të ligut dhe të vënë zemrat e tyre mbi gjërat e kota të botës.

5 Po, sa të shpejtë që të ngrihen në kryelartësi; po, sa të shpejtë që të mburren dhe të bëjnë çdo gjë nga ajo që është paudhësi; dhe sa të ngadalshëm që janë të kujtojnë Zotin, Perëndinë e tyre dhe t’u vënë veshin këshillave të tij, po, sa të ngadalshëm që të ecin në shtigjet e urtësisë!

6 Vini re, ata nuk dëshirojnë që Zoti, Perëndia i tyre i cili i ka krijuar, të sundojë dhe të mbretërojë mbi ta; me gjithë mirësinë dhe mëshirën e tij të madhe ndaj tyre, ata nuk i çmojnë fare këshillat e tij dhe nuk duan që ai të jetë udhërrëfyesi i tyre.

7 O, sa e madhe është asgjësia e fëmijëve të njerëzve; po, ata janë madje edhe më pak se pluhuri i tokës.

8 Pasi vini re, pluhuri i tokës lëviz sa andej këtej e ndahet veç e veç, sipas urdhrit të Perëndisë sonë të madh dhe të përhershëm.

9 Po, vini re, nga zëri i tij dridhen dhe tunden kodra dhe male.

10 Dhe nga fuqia e zërit të tij ato çahen dhe sheshohen dhe bëhen rrafsh, po, madje sikurse një luginë.

11 Po, nga fuqia e zërit të tij, e gjithë toka dridhet;

12 Po, nga fuqia e zërit të tij, themelet tunden, madje mu në qendër.

13 Po, dhe në qoftë se ai i thotë tokës,—Lëviz—ajo lëviz.

14 Po, në qoftë se ai i thotë tokësShko prapa që të zgjatet dita për shumë orë—bëhet;

15 Dhe kështu, sipas fjalës së tij, toka shkon prapa dhe njeriut i duket se dielli nuk lëviz; po, dhe vini re, ashtu është; pasi me siguri është toka që lëviz dhe jo dielli.

16 Dhe vini re, në qoftë se ai u thotë gjithashtu ujërave të thellësisë së madhe—Shteruni—bëhet.

17 Vini re, në qoftë se ai i thotë këtij mali—Ngrihu lart dhe eja këtu dhe bjer mbi atë qytet, që të varroset—vini re, bëhet.

18 Dhe vini re, në qoftë se një njeri fsheh një thesar në tokë dhe Zoti i thotë—Qoftë i mallkuar për shkak të paudhësisë së atij që e ka fshehur—vini re, ai mallkohet.

19 Dhe në qoftë se Zoti do të thotë—Qofsh mallkuar, që askush mos të të gjejë tani e tutje e përgjithnjë—vini re, askush nuk do ta gjejë tani e tutje e përgjithnjë.

20 Dhe vini re, në qoftë se Zoti do t’i thotë një njeriu—Për shkak të paudhësive të tua, ti do të mallkohesh përgjithnjë—do të bëhet.

21 Dhe në qoftë se Zoti do të thotë—Për shkak të paudhësive të tua, ti nuk do të dalësh kurrë në praninë time—ai do të bëjë që të ndodhë kështu.

22 Dhe mjerë ai, të cilit do t’ia thotë këtë, pasi do t’ia thotë atij që do të bëjë paudhësi dhe ai nuk mund të shpëtohet; prandaj, për këtë shkak, që njerëzit të mund të shpëtohen, është shpallur pendimi.

23 Prandaj, të bekuar janë ata që do të pendohen dhe do t’i vënë veshin zërit të Zotit, Perëndisë së tyre; pasi këta janë ata që do të shpëtohen.

24 Dhe dhëntë Perëndia, në tërësinë e tij të madhe, që njerëzit të çohen në pendim dhe në vepra të mira, që ata të kthehen në hirësi për hirësi, sipas veprave të tyre.

25 Dhe unë do të doja që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Por, ne lexojmë që në ditën e madhe dhe të fundit, ka disa që do të flaken, po, nuk do të lejohen të dalin në praninë e Zotit;

26 Po, do të caktohen në një gjendje mjerimi të përhershëm, duke përmbushur fjalët që thonë: Ata që kanë bërë mirë, do të kenë jetë të përjetshme; dhe ata që kanë bërë keq, do të kenë mallkim të përjetshëm. Dhe kështu është. Amen.