Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8: Çuarja e Ungjillit në të Gjithë Botën


Kapitulli 8

Çuarja e Ungjillit në të Gjithë Botën

“Ne jemi në punën e shpëtimit të shpirtrave, të ftimit të njerëzve që të vijnë te Krishti.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Në vitin 1979, Plaku Hauard W. Hanter, atëherë anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Unë besoj plotësisht se në të ardhmen e afërt ne do të shohim disa nga përparimet më të mëdha në përhapjen e ungjillit në të gjitha kombet, që kanë ndodhur ndonjëherë në këtë periudhë ungjillore apo në çfarëdo periudhe ungjillore të mëparshme. Unë jam i sigurt se ne do të jemi në gjendje të shohim prapa … dhe të shënojmë siç bëri Lluka: ‘Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej’ (Veprat e Apostujve 6:7).”1

Kur Plaku Hanter tha këto fjalë, kufizimet politike i ndalonin misionarët të jepnin mësim ungjillin në shumicën e vendeve të Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik. Brenda 10 vjetësh, shumë nga ato kufizime filluan të hiqen. Në vitet 1989 dhe 1990 Muri i Berlinit, që pati ndarë Gjermaninë Perëndimore dhe Gjermaninë Lindore për afro 30 vjet, u rrëzua. Presidenti Hanter po shërbente si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve asaj kohe dhe ai shprehu mendimet vijuese rreth asaj ngjarjeje historike dhe ndryshimeve të tjera që po ndodhnin në botë:

“Shumë vëmendje i është kushtuar së fundi Murit të Berlinit. Sigurisht, ne të gjithë jemi të kënaqur që ai mur ra, duke përfaqësuar liri të gjetura rishtas. … Ndërsa përpiqemi të kuptojmë shpirtin e pajtimit që po përfshin globin dhe për t’i dhënë kuptim brenda kontekstit të ungjillit, neve na duhet të pyetim veten: ‘A nuk është kjo dora e Zotit që heq pengesat politike dhe hap shtigje në mure deri tani të pakalueshëm për dhënien mësim të ungjillit, e gjitha në përputhje me një plan të shenjtë dhe një program të shenjtë?’”2

Presidenti Hanter e ndjeu se këto ndryshime u ngarkuan një përgjegjësi të rëndësishme anëtarëve të Kishës. Ndërsa më shumë kombe u hapën ndaj punës misionare, tha ai, më shumë misionarë do të nevojiten për të plotësuar porosinë për ta çuar ungjillin në të gjithë botën.3

Etja e Presidentit Hanter për të ndihmuar të gjithë fëmijët e Perëndisë, pavarësisht nga kombësia apo besimi, ishte e dukshme në punën e tij në Lindjen e Mesme. Presidenca e Parë i dha atij detyra të rëndësishme në Jerusalem, përfshirë mbikëqyrjen e ndërtimit të Kopshtit Përkujtimor të Orson Hajdit dhe Qendrës së Universitetit “Brigam Jang” në Jerusalem për Studime të Lindjes së Afërme. Edhe pse kthimi në besim nuk lejohej në atë rajon, Presidenti Hanter ndërtoi miqësi të përhershme midis atyre me të cilët punoi, edhe hebrenj edhe arabë. “Qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit është të sjellë dashuri, unitet dhe vëllazëri të nivelit më të lartë”, tha ai.4

Në punën e tij me fëmijët e Perëndisë përreth botës, mesazhi i Presidentit Hanter ishte i njëjtë: “Ne jemi vëllezërit tuaj – ne nuk e shohim asnjë komb apo kombësi si qytetarë të klasit të dytë. Ne i ftojmë të gjithë … që ta shqyrtojnë mesazhin tonë dhe të marrin anëtarësinë tonë”5.

Pamja
misionarë në Afrikë

“Ungjilli i Jezu Krishtit … është një besim global me një mesazh gjithëpërfshirës.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ungjilli i rivendosur është për të gjithë njerëzit, bazuar në bindjen se të gjithë janë fëmijë të të njëjtit Perëndi.

Ungjilli i Jezu Krishtit, ungjill që ne e japim mësim dhe ordinancat e të cilit kryejmë, është një besim global me një mesazh gjithëpërfshirës. Ai nuk është as i kufizuar, as i pjesshëm, as çështje historie apo mode. Thelbi i tij është botërisht dhe përjetësisht i vërtetë. Mesazhi i tij është për gjithë botën, i rivendosur në këto ditë të mëvonshme për t’iu përgjigjur nevojave themelore të çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli në tokë. Ai ka qenë krijuar përsëri siç ishte në fillim – për të ndërtuar vëllazëri, për të ruajtur të vërtetën dhe për të shpëtuar shpirtra. …

Në mesazhin e ungjillit, e gjithë raca njerëzore është një familje që vjen nga një Perëndi i vetëm. Të gjithë burrat dhe gratë nuk kanë vetëm një prejardhje fizike që të çon pas tek Adami dhe Eva, prindërit e tyre të parë tokësorë, por gjithashtu një trashëgimi shpirtërore që të çon pas te Perëndia, Ati i Përjetshëm. Kështu, të gjithë njerëzit në tokë janë mirëfilli vëllezër dhe motra në familjen e Perëndisë.

Është te kuptimi dhe pranimi i kësaj atësie universale të Perëndisë që të gjitha qeniet njerëzore mund ta vlerësojnë më mirë shqetësimin e Perëndisë për ta dhe lidhjen e tyre me njëri‑tjetrin. Ky është një mesazh për jetën dhe dashurinë që godet saktësisht kundër të gjitha traditave mbytëse bazuar te raca, gjuha, pozita ekonomike apo politike, niveli arsimor apo tradita kulturore, sepse ne jemi të gjithë nga e njëjta prejardhje shpirtërore. Ne kemi një prejardhje familjare të shenjtë; çdo person është një fëmijë shpirtëror i Perëndisë.

Në këtë këndvështrim ungjillor nuk ka vend për këndvështrim të tkurrur, të ngushtë apo paragjykues. Profeti Jozef Smith tha: “Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë dhe duhet të shfaqet prej atyre që dëshirojnë të jenë bij të Perëndisë. Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 353]. …

Ungjilli i rivendosur është një mesazh për dashurinë hyjnore për të gjithë njerëzit, bazuar në bindjen se të gjithë njerëzit janë fëmijë të të njëjtit Perëndi. Ky mesazh kryesor fetar ishte shprehur shumë bukur në deklaratën e Presidencës së Parë më 15 shkurt 1978, si më poshtë:

“Bazuar në zbulesën e lashtë dhe të re, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep me gëzim mësim dhe deklaron doktrinën e krishterë se të gjithë burrat dhe gratë janë vëllezër dhe motra, jo vetëm nga marrëdhënia e gjakut nga paraardhës të përbashkët të vdekshëm, por gjithashtu si fëmijë të njëmendtë shpirtërorë të një Ati të Përjetshëm” [Statement of the First Presidency Regarding God’s Love for All Mankind, 15 shkurt 1978].

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë një qasje pozitive dhe përfshirëse ndaj të tjerëve që nuk janë të fesë sonë. Ne besojmë se ata janë me tërë kuptimin e fjalës vëllezërit dhe motrat, se ata janë bijtë dhe bijat e të njëjtit Atë Qiellor. Ne kemi një gjenealogji të përbashkët që të çon pas te Perëndia.6

2

Kisha ka një mision që të japë mësim ungjillin tek të gjitha kombet.

Kisha, duke qenë mbretëria e Perëndisë mbi tokë, ka një mision ndaj të gjitha kombeve. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19–20). Këto fjalë nga buzët e Mësuesit nuk njohin kufij shtetërorë; ato nuk kufizohen te ndonjë racë apo kulturë. Një komb nuk favorizohet ndaj një tjetri. Këshilla është e qartë – “bëni dishepuj nga të gjithë popujt”. …

Si anëtarë të kishës së Zotit, ne duhet ta ngremë vështrimin tonë përtej paragjykimeve vetjake. Ne duhet të zbulojmë të vërtetën supreme që vërtet Ati ynë nuk tregohet i anshëm. Ndonjëherë ne padrejtësisht fyejmë vëllezër dhe motra të kombeve të tjera duke i dhënë veçori përjashtuese njerëzve të një populli ndaj atyre të një tjetri. …

Përfytyroni një atë me shumë bij, secili duke pasur temperament, dhunti dhe prirje shpirtërore të ndryshme. A e do ai një bir më pak se një tjetër? Ndoshta biri që është më pak i prirur shpirtërisht ka vëmendjen, lutjet dhe dëshirat e babait më shumë se të tjerët. A do të thotë kjo se ai i do më pak të tjerët? A e përfytyroni Atin tonë Qiellor të dojë një kombësi të filizave të Tij përjashtimisht më shumë se të tjerët? Si anëtarë të Kishës, ne duhet të na kujtohet pyetja sfiduese e Nefit: “A nuk e dini se ka më shumë kombe se një?” (2 Nefi 29:7). …

Për vëllezërit dhe motrat e të gjitha kombeve: Ne japim dëshmi solemne dhe dëshmojmë se Perëndia ka folur në ditën dhe kohën tonë, se lajmëtarë qiellorë kanë qenë dërguar, se Perëndia ia ka zbuluar mendjen dhe vullnetin e Tij një profeti, Jozef Smithit. …

Ndërsa Ati ynë i do të gjithë fëmijët e Tij, ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit – të çdo race, kulture dhe kombësie – dhe t’u mësojmë atyre parimet e ungjillit që ata të mund ta përqafojnë atë dhe të vijnë në njohurinë e shenjtërisë së Shpëtimtarit.7

Në përpjekjet tona të përulura për të ndërtuar vëllazërinë dhe për të dhënë mësim të vërtetën e zbuluar, ne u themi popujve të botës atë që Presidenti Xhorxh Albert Smith sugjeroi me aq dashuri:

“Ne nuk kemi ardhur që t’ua marrim të vërtetën e virtytin që keni. Ne nuk kemi ardhur për të gjetur gabim në ju apo për t’ju kritikuar. … Ruajeni gjithë të mirën që keni dhe na lejoni t’ju sjellim më shumë të mirë, në mënyrë që të mund të jeni më të lumtur dhe në mënyrë që të mund të përgatiteni për të hyrë në praninë e Atit tonë Qiellor.”8

Ne jemi në punën e shpëtimit të shpirtrave, të ftimit të njerëzve që të vijnë te Krishti, të sjelljes së tyre në ujërat e pagëzimit në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë të përparojnë në udhën që të çon drejt jetës së përjetshme. Kjo botë ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit. Ungjilli siguron të vetmen mënyrë me të cilën bota do të njohë ndonjëherë paqe.9

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne kërkojmë ta sjellim të gjithë të vërtetën së bashku. Ne përpiqemi ta zmadhojmë rrethin e dashurisë dhe të kuptimit midis të gjithë njerëzve të tokës. Kështu ne përpiqemi të krijojmë paqe dhe lumturi, jo vetëm brenda krishterimit, por midis të gjithë njerëzimit. …

Ajo për krijimin e së cilës Jozef [Smithi] ishte instrument, madje i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, tani është një fe botërore, jo thjesht sepse anëtarët e saj gjenden tani kudo në botë, por kryesisht për shkak se ajo ka një mesazh gjithëpërfshirës dhe për të gjithë bazuar në pranimin e gjithë së vërtetës, rivendosur për t’iu përgjigjur nevojave të të gjithë njerëzimit.

… Ne ia dërgojmë këtë mesazh dashurie dhe shprese gjithë botës. Ejani te Perëndia i gjithë së vërtetës, që vijon t’u flasë fëmijëve të Vet nëpërmjet profetëve. Mbani vesh mesazhin për Të që vijon t’i dërgojë shërbëtorët e Vet të predikojnë ungjillin e përhershëm te çdo komb, fis, gjuhë dhe popull. Ejani dhe gostituni në tryezën e shtruar përpara jush nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Bashkohuni me ne ndërsa kërkojmë të ndjekim Bariun e Mirë që e ka siguruar atë.10

Pamja
misionarë duke studiuar

“Ne jemi në punën e shpëtimit të shpirtrave.”

3

Ata që kanë përjetuar bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit janë nën detyrimin për të dhënë dëshmi për Të.

Çfarë lidhje ka Shlyerja me punën misionare? Kurdo që përjetojmë bekimet e Shlyerjes në jetën tonë, ne nuk mund veçse të shqetësohemi për mirëqenien e [të tjerëve].

Shembujt janë të bollshëm në Librin e Mormonit që e ilustrojnë këtë parim. Kur Lehi mori nga fruti i pemës, simbol i marrjes së Shlyerjes, ai tha: “Fillova të dëshiroja që familja ime të hante nga ai gjithashtu” (1 Nefi 8:12). Kur Enosi përjetoi kthimin e tij në besim dhe mori falje për mëkatet e tij, për shkak të besimit të tij te Jezu Krishti, ai tha: “Unë fillova të ndjeja dëshirë për mirëqenien e vëllezërve të mi, Nefitëve” (Enosi 1:9). Atëherë ai u lut për lamanitët, armiqtë e pamëshirshëm të nefitëve. Pastaj është shembulli i katër bijve të Mosias – Amonit, Aaronit, Omnerit dhe Himnit – që morën falje të mëkateve nëpërmjet Shlyerjes dhe pastaj punuan vite midis lamanitëve për t’i sjellë ata te Krishti. Anali thotë se ata nuk mund ta duronin mendimin që ndonjë shpirt të mbaronte (Mosia 28:3).

Ky shembull hyjnor i një të besëlidhuri që dëshiron ta ndajë ungjillin me të tjerët ilustrohet në mënyrën më të mirë me shembullin e Alma të Riut. Do të doja t’jua lexoja dëshminë e tij. …

“… Që atëherë madje deri tani, unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova; që edhe ata të lindin nga Perëndia dhe të mbushen me Frymën e Shenjtë” [Alma 36:24; shih edhe Alma 36:12–23].

Një tregues i madh i kthimit vetjak në besim të dikujt është dëshira për ta ndarë ungjillin me të tjerët. Për këtë arsye Zoti dha një detyrim që çdo anëtar i Kishës të jetë misionar.

Mbani vesh besëlidhjen që njeriu merr përsipër kur pagëzohet në Kishë:

“Pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrët e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta—

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlboheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme” (Mosia 18:8–9).

Ne qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat [dhe] në të gjitha vendet, madje deri në vdekje. Ne e ripërtërijmë atë besëlidhje gjatë sakramentit kur besëlidhim të marrim mbi vete emrin e Krishtit.

Shërbimi misionar është një mënyrë e rëndësishme që ne marrim mbi vete emrin e Tij. Shpëtimtari ka thënë se nëse dëshirojmë të marrim përsipër emrin e Tij, me qëllim të plotë të zemrës, ne jemi thirrur të shkojmë në të gjithë botën dhe t’ia predikojmë ungjillin e Tij çdo krijese (shih DeB 18:28). …

Ata prej nesh që kanë marrë nga Shlyerja janë nën detyrimin për të sjellë dëshmi besnike për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë. … Thirrja për të ndarë ungjillin me të tjerët përfaqëson dashurinë tonë të madhe për fëmijët e Atit tonë Qiellor si dhe për Shpëtimtarin dhe atë që Ai bëri për ne.11

4

Me ndihmën e Zotit, ne mund të kapërcejmë të gjitha pengesat për të ndarë ungjillin.

Ndërsa muret e Europës Lindore … dhe të shumë pjesëve të tjera të botës gremisen poshtë, nevoja përkatëse për më shumë misionarë që të përmbushin porosinë hyjnore për ta çuar ungjillin në të gjithë tokën sigurisht që do të rritet! A jemi gati t’i përgjigjemi asaj nevoje?

Për të kënaqur kërkesat e reja që na shtrohen në këtë punë të madhe misionare të ditëve të fundit, ndoshta disa prej nesh (veçanërisht brezi më i vjetër, familjet e të cilit janë rritur) duhet të bëjnë një vlerësim serioz dhe të ndershëm për të përcaktuar nëse “muret” që kemi ndërtuar në vetë mendjen tonë duhet të gremisen.

Për shembull, ç’mund të themi për “murin e rehatisë” që duket se ndalon shumë çifte dhe beqarë të shkojnë në mision? Ç’mund të themi për “murin financiar” të borxhit që ndërhyn tek aftësia e disa anëtarëve për të shkuar, ose “murin e nipërve dhe mbesave”, ose “murin e shëndetit”, apo “murin e mungesës së vetëbesimit”, ose “murin e vetëkënaqjes”, ose “murin e shkeljes”, apo muret e frikës, dyshimit ose vetëkënaqësisë? A dyshon vërtet ndokush për një minutë se me ndihmën e Zotit ai ose ajo mund t’i bëjnë ato mure që të bien?

Ne kemi qenë të privilegjuar të lindemi në këto ditë të fundit, ndryshe nga disa periudha ungjillore më të hershme, për të ndihmuar ta çojmë ungjillin në të gjithë tokën. Nuk ka thirrje më të madhe në këtë jetë. Nëse jemi të kënaqur të fshihemi pas mureve që i bëjmë vetë, ne me vullnet heqim dorë nga bekimet që ndryshe do të ishin tonat. Zoti në zbulesën e ditëve tona shpjegon nevojën e madhe:

“Sepse vini re, fusha është e bardhë gati për t’u korrur; dhe shihni, ai që e shtyn draprin e tij me fuqi, njësoj vendos në ruajtje, që ai të mos mbarojë, por t’i sjellë shpëtim shpirtit të tij”. (DeB 4:4.)

Zoti vazhdon të shpjegojë në po atë zbulesë cilësitë që na duhen për të qenë misionarë të mirë. Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për dobësitë tona dhe për ngurrimet tona ndërsa qëndrojmë përpara portës gjigante të murit tonë të bërë prej nesh, Ai na garanton se ndihma hyjnore për t’i kapërcyer të gjitha pengesat do të jetë e shpejtë vetëm nëse ne do të bëjmë pjesën tonë, me premtimin e thjeshtë: “Kërkoni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”. (DeB 4:7.)

Zoti na bekoftë që muret e mendjes sonë të mos na ndalojnë nga bekimet që mund të jenë tonat.12

Përsëri dhe përsëri gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Zoti ynë bëri një thirrje që ishte njëherësh ftesë dhe sfidë. Pjetrit dhe Andreas, Krishti u tha: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19). …

Profetë të mëparshëm na kanë mësuar se çdo i ri i aftë, i denjë duhet të shërbejë një mision kohëplotë. Unë e theksoj këtë nevojë sot. Ne gjithashtu kemi nevojë të madhe për çiftet tona të afta, të pjekura që të shërbejnë në fushën e misionit. Jezusi u tha dishepujve të Tij: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet” (Lluka 10:2).13

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth ungjillit që është për të gjithë njerëzit, bazuar në të vërtetën se ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë (shih pjesën 1). Ndërsa ndajmë ungjillin, si mund të na ndihmojë ai të mbajmë në mendje se çdo person është mirëfilli vëllai ose motra jonë?

  • Çfarë mësojmë ne nga mësimet e Presidentit Hanter në pjesën 2 rreth mënyrës se si ndihet Ati Qiellor për fëmijët e Tij? Çfarë mund të bëni ju për t’i dashur më shumë të gjithë njerëzit dhe për ta ndarë ungjillin me ta?

  • Si do t’i përgjigjeshit pyetjes së Presidentit Hanter “Çfarë lidhje ka Shlyerja me punën misionare?” (Shih pjesën 3.) Si mund ta rritni dëshirën tuaj për ta ndarë ungjillin me të tjerët? Çfarë bekimesh ju kanë ardhur ndërsa keni ndarë ungjillin me dikë – ose kur dikush e ka ndarë atë me ju?

  • Pas studimit të pjesës 4, shqyrtoni “muret” që ju ndalojnë të merrni bekimet e punës misionare. Diskutoni rreth mënyrave për t’i kapërcyer ato pengesa.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Amos 9:9; 2 Nefi 2:6–8; Mosia 28:1–3; Alma 26:37; DeB 18:10–16; 58:64; 68:8; 88:81; 90:11; 123:12; Joseph Smith – Mateu 1:31

Ndihmë për Mësimdhënien

“Fryma e Shenjtë mund të nxitë një ose më shumë nga njerëzit që u jepni mësim që të ndihmojnë me ide që të tjerët kanë nevojë t’i dëgjojnë. Jini të hapur ndaj nxitjeve që merrni për të ftuar njerëz të veçantë. Ju madje mund të keni ndjesinë të pyetni një person që nuk ka dalë vullnetarisht për të shprehur pikëpamjen e tij apo të saj” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 63).

Shënime

  1. “All Are Alike unto God”, Ensign, qershor 1979, f. 74.

  2. “Walls of the Mind”, Ensign, shtator 1990, f. 9–10.

  3. Shih “Walls of the Mind”, f. 10.

  4. “All Are Alike unto God”, f. 74.

  5. “All Are Alike unto God”, f. 74.

  6. “The Gospel—A Global Faith”, Ensign, nëntor 1991, f. 18–19.

  7. “All Are Alike unto God”, f. 72–74.

  8. “The Gospel—A Global Faith”, f. 19; deklarata nga Xhorxh Albert Smithi gjendet te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smith (2011), f. 151.

  9. “Follow the Son of God”, Ensign, nëntor 1994, f. 88.

  10. “Come to the God of All Truth”, Ensign, shtator 1994, f. 73.

  11. “The Atonement of Jesus Christ” (bisedë dhënë në seminarin e presidentëve të misioneve, 24 qershor 1988), f. 4–7, Church History Library, Salt Lake City; shih edhe The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 248–249.

  12. “Walls of the Mind”, f. 10.

  13. “Follow the Son of God”, f. 88.