Biblioteka
Mësimi 19: Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme


19

Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme

Ungjilli i Jezu Krishtit thekson doktrinën që martesa dhe familja shugurohen nga Perëndia. Profeti Jozef Smith dha mësim se çiftet e martuara mund të vazhdojnë si bashkëshort e bashkëshorte pas Ringjalljes. Zbulesa nga Zoti shpjegon se “besëlidhja e re dhe e përjetshme e martesës” (DeB 131:2) është e domosdoshme me qëllim që të merret ekzaltimi. Ky mësim do t’ua bëjë të qartë studentëve se, që një martesë të zgjatë për përjetësinë, një çift duhet të vuloset nga dikush që mban çelësat e priftërisë dhe më pas të jetojnë me drejtësi.

Lexim Konteksti

  • Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–95.

  • David A. Bednar, “Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 82–87.

  • Joshua J. Perkey, “Why Temple Marriage?” New Era, gusht 2013, f. 30–32.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 49:15–17; 131:1–4

“Besëlidhja e re dhe e përjetshme e martesës”

Shënim: Kur e jepni këtë mësim, jini të vëmendshëm që ju mund të keni studentë të cilët kanë pasur një jetë familjare të vështirë ose kanë përjetuar ligështim apo dhembje në lidhje me martesën dhe pasjen e fëmijëve. Mbani parasysh nevojat e këtyre studentëve teksa përgatiteni dhe e jepni mësimin tuaj.

Thuajuni studentëve se, në vitin 1831 në Kirtland të Ohajos, Liman Kopli u bashkua me Kishën. Ai kishte qenë anëtar i Shoqatës së Bashkuar të Besimtarëve në Shfaqjen e Dytë të Krishtit, zakonisht të quajtur shejkëra për shkak të mënyrës së tyre të adhurimit, e cila përfshinte tundjen e trupave të tyre teksa këndonin, kërcenin dhe përplasnin duart sipas muzikës. Ndërkohë që Liman Kopli e besoi ungjillin, ai gjithashtu i besonte akoma disa prej mësimeve të shejkërve. Ai e vizitoi Jozef Smithin dhe, si rrjedhim i vizitës, Zoti i dha Jozefit zbulesën tani të njohur si Doktrina e Besëlidhje 49 më 7 maj 1831. (Krerët e seksioneve në botimet më të hershme të Doktrinës e Besëlidhjeve e dhanë këtë datë si mars 1831. Historianët kanë vërtetuar kohën e fundit se një datë më e saktë është 7 maj 1831.)

Shejkërat e mohonin martesën dhe besonin në të jetuarin e një jete të beqarisë së plotë (duke hequr dorë tërësisht nga marrëdhëniet seksuale). Zoti e korrigjoi këtë doktrinë të rreme në zbulesën dhe gjithashtu i urdhëroi Liman Koplin dhe të tjerë t’ua predikonin ungjillin shejkërve.

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 49:15–17, duke kërkuar atë që Zoti tha rreth rëndësisë së martesës e familjes. Pyetni:

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë na mëson Zoti rreth martesës? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që martesa shugurohet nga Perëndia “që toka të mund të përmbushë qëllimin e krijimit të saj”? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë të vërtetat vijuese: Bashkëshortët e bashkëshortet urdhërohen të kenë fëmijë. Toka u krijua që të siguronte një vend ku fëmijët e Perëndisë të mund të jetonin si familje.)

  • Si mund të na ndihmonte një kuptueshmëri e të vërtetave të dhëna mësim në këto vargje që të shpjegojmë mësimet e Kishës rreth martesës?

Shpjegoni se vite më pas, kuptueshmëria e shenjtorëve për rëndësinë e doktrinës së martesës dhe familjes së përjetshme u rrit në mënyrë të rëndësishme. Më 16 maj 1843, Jozef Smithi udhëtoi drejt Ramusit në Ilinois. Teksa qëndronin në shtëpinë e Beniamin dhe Melisa Xhonsonit, Profeti u dha mësim atyre rreth martesës së përjetshme. Disa nga udhëzimet e profetit të dhëna në Ramus shënohen te Doktrina e Besëlidhje 131. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 131:1–4 dhe më pas pyetni:

  • Çfarë duhet të bëjmë me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Me qëllim që të fitojmë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, ne duhet të hyjmë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës. Shpjegoni se fjala e re në këtë kontekst do të thotë që kjo zbulesë u rivendos sërish në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore. Termi e përjetshme do të thotë që kjo besëlidhje gjithmonë ka ekzistuar dhe do të vazhdojë të durojë përmes përjetësisë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë këto përkufizime në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta.)

  • Në kohën tonë, si hyjnë një burrë e një grua në këtë “besëlidhje [të] re dhe [të] përjetshme të martesës”?

Theksoni se burrat dhe gratë mund të hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës vetëm brenda tempujve të shenjtë. Individët që martohen jashtë tempullit, mund të përfshijnë terma të tillë si “të martuar për kohën e përjetësinë” në betimet e tyre të martesës, por Perëndia nuk do t’i nderojë këto martesa në përjetësi.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë. Nxitini studentët të kërkojnë atë që Plaku Nelson na mësoi rreth arsyes përse martesa e përjetshme është kaq e rëndësishme:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Tema e martesës debatohet anembanë botës, ku mënyra të ndryshme ekzistojnë për jetën bashkëshortore. Qëllimi im që të flas për këtë temë, është të shpall, si një Apostull i Zotit, se martesa midis një burri dhe një gruaje është e shenjtë – ajo shugurohet nga Perëndia. Unë gjithashtu ripohoj virtytin e një martese në tempull. Ajo është lloji më i lartë dhe më i durueshëm i një martese që Krijuesi ynë mund t’ua ofrojë fëmijëve të Tij.

Ndërsa shpëtimi është një çështje individuale, ekzaltimi është një çështje familjare. …

… Që të kualifikohemi për jetë të përjetshme, ne duhet të bëjmë një besëlidhje të përjetshme dhe të përhershme me Atin tonë Qiellor [shih DeB 132:19]. Kjo do të thotë që një martesë tempulli nuk është vetëm midis bashkëshortit e bashkëshortes; ajo përqafon një bashkëpunim me Perëndinë [shih Mateu 19:6]” (“Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–93).

  • Çfarë mendoni se do të thotë kjo fjali: “Ndërkohë që shpëtimi është një çështje individuale, ekzaltimi është një çështje familjare”?

  • Çfarë do të thotë të përqafosh “një bashkëpunim me Perëndinë” në një martesë të përjetshme? Si mendoni, përse pasja e një bashkëpunimi me Perëndinë në martesë është e rëndësishme? (Vetëm në martesë bën një individ një besëlidhje me një njeri tjetër dhe me Perëndinë. Të gjitha besëlidhjet e tjera të ungjillit bëhen midis një individi dhe Perëndisë.)

  • Si mund ta lartësojë doktrina e rivendosur e martesës dhe familjes së përjetshme dëshirën e një njeriu për të ndërtuar një martesë të dashur dhe afatgjatë?

Plaku Parli P. Prat (1807–1857), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi ndikimin që njohuria e kësaj doktrine të rivendosur pati tek ai. Ftojeni një student të lexojë sa vijon:

Pamja
Plaku Parli P. Prat

“Ishte prej [Jozef Smithit] që mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë. … Ishte prej tij që mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për tërë përjetësinë; ndërsa përfundimi i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose sa rëra në bregdet. … Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 297–298).

Përpara se të vazhdoni me mësimin, mund të jetë e nevojshme të diskutoni shkurtimisht sa vijon:

“Disa anëtarë të Kishës mbeten beqarë jo për faj të tyre, megjithëse ata dëshirojnë të martohen. Në rast se e shihni veten kështu, jini të sigurt se ‘të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë’ (Romakëve 8:28). Kur qëndroni i denjë, në një ditë të ardhshme, në këtë jetë ose në tjetrën, do t’ju jepen të gjitha bekimet e një marrëdhënieje të përjetshme familjare” (Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 86).

Doktrina e Besëlidhje 132:1–21

Martesa çelestiale është thelbësore për ekzaltimin

Shpjegoni se rreth dy muaj pasi Jozef Smithi e dha udhëzimin e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 131, ai diktoi zbulesën tani të njohur si Doktrina e Besëlidhje 132. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 132. Shpjegoni se praktika e martesës me shumë gra do të diskutohet në mësimin e ardhshëm. Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:3–6. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë fjalë e fraza që sugjerojnë rëndësinë e hyrjes në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës. Diskutoni pyetjet vijuese:

  • Cilat fjalë e fraza në këto vargje qartësojnë rëndësinë e martesës së përjetshme?

  • Cilat janë pasojat e mospranimit të kësaj doktrine? (Ju mund të doni të shpjegoni se fjala i mallkuar do të thotë që një njeri ndalohet në përparimin e tij ose të saj të përjetshëm.)

Shënim: Përdorni disa minuta që të vini në dukje rëndësinë e aftësisë së studimit të shkrimeve të shenjta për të dalluar fjalë e fraza kyçe, aftësi të cilën sapo e kanë përdorur me Doktrinën e Besëlidhjet 132:3–6. Është e rëndësishme që të vini në dukje dhe të kuptoni fjalë e fraza kur i studioni shkrimet e shenjta. Te vargjet 3–6, frazat vijuese janë të rëndësishme për t’u kuptuar: “për të pranuar dhe për t’iu bindur”, “duhet t’i binden”, “nëse nuk i bindeni asaj besëlidhjeje, atëherë jini ju të mallkuar”, “askush nuk mund ta mohojë”, “duhet dhe do t’i”. Disa nga këto fraza janë edhe shembuj të lidhjeve midis ideve në shkrimet e shenjta. Lidhja tregon një marrëdhënie ose një hallkë midis ideve. Për shembull, vargu 3, tregon kushtet midis ideve të përgatitjes, marrjes e bindjes.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:7–8, duke kërkuar kushtet e ligjit të Zotit që bën të mundur për një bashkëshort e një bashkëshorte të jetojnë si një çift i martuar pas kësaj jete.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë kushtesh janë të domosdoshme për një martesë që të durojë përjetësisht? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kur një besëlidhje bëhet nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë dhe vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, ajo do të zgjatë përgjithmonë.)

Jepuni studentëve përkufizimin vijues për Shpirtin e Shenjtë të Premtimit: “Fryma e Shenjtë është Shpirti i Shenjtë i Premtimit (Veprat e Apostujve 2:33). Ai konfirmon si të pranueshme për Perëndinë veprimet, ordinancat dhe besëlidhjet e drejta të njerëzve. Shpirti i Shenjtë i Premtimit i dëshmon Atit se ordinancat shpëtuese janë kryer siç duhet dhe se besëlidhjet që i shoqërojnë ato, janë mbajtur” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpirt i Shenjtë i Premtimit”, f. 185; ose scriptures.lds.org).

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, merrni parasysh të paraqitni thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Të vulosësh është të miratosh,justifikosh, ose të aprovosh. Prandaj një veprim që vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, është një veprim që miratohet nga Fryma e Shenjtë; është një veprim që aprovohet nga Zoti; dhe njeriu i cili e ka marrë detyrimin mbi vete, justifikohet nga Shpirti në gjënë që ka bërë. Vula miratuese e aprovimit vendoset mbi një veprim vetëm nëse ata që e bëjnë kontratën, janë të denjë si rezultat i drejtësisë vetjake, për të marrë miratimin hyjnor” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 361–362).

Zoti vazhdoi të përvijojë kushtet e domosdoshme për martesën e përjetshme dhe bekimet e saj, siç shënohen te Doktrina e Besëlidhje 132:19–21. Caktojini studentët që të punojnë në dyshe për ta studiuar këtë fragment. Kërkojuni dysheve që të bëjnë dy lista: 1) kushtet për një martesë që të jetë e përjetshme dhe 2) bekimet e marra kur këto kushte përmbushen. Kur të plotësohen, listat mund të përfshijnë sa vijon:

Kushtet për një martesë që të jetë e përjetshme

  • Martesa duhet të kryhet sipas ligjit të Zotit dhe “besëlidhj[es së] re dhe [të] përjetshme [të] martesës”.

  • Martesa duhet të vuloset me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit.

  • Martesa duhet të kryhet nga një njeri i cili mban çelësat e priftërisë.

  • Çifti i martuar duhet t’i bindet besëlidhjes së Perëndisë.

Bekimet që do të merren

  • Çifti i martuar do të ngrihet në Ringjalljen e Parë.

  • Çifti i martuar do të trashëgojë frone, mbretëri, principata, fuqi, sundime dhe të gjitha lartësitë e thellësitë.

  • Martesa do të jetë e një force të plotë pas vdekjes fizike.

  • Çifti i martuar do të kalojë pranë engjëjve.

  • Çifti i martuar do të ekzaltohet dhe do të ketë lavdi në të gjitha gjërat.

  • Çifti i martuar do të ketë një “vazhdimësi [të] farës përherë” (familja dhe pasardhësit e tyre do të vazhdojnë gjatë gjithë përjetësisë; ata do të kenë rritje të përjetshme).

  • Çifti i martuar do të jetë që të dy perëndi dhe nuk do të ketë fund.

  • Çifti i martuar do të jetë mbi të gjitha gjërat dhe do të ketë gjithë fuqinë dhe të gjitha gjërat do t’iu nënshtrohen atyre.

Diskutoni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej kushtet e nevojshme dhe bekimet e premtuara për një martesë të përjetshme:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “duroni” në besëlidhjen e martesës? (Ju mund të doni të shpjegoni se një kuptim i fjalës duroni është të qëndroni ose vazhdoni. Ajo gjithashtu do të thotë të jetoni në përputhje me besëlidhjen.)

  • Përse vetëm të qenit të vulosur në tempull nuk është i mjaftueshëm për të arritur një martesë të përjetshme?

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni kur merrni parasysh atë që Ati Qiellor po ju premton juve?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Martesa çelestiale është një pjesë thelbësore e përgatitjes për jetën e përjetshme. Ajo kërkon që një njeri të martohet me personin e duhur, në vendin e duhur, nga autoriteti i duhur dhe t’i bindet asaj besëlidhjeje të shenjtë besnikërisht. Atëherë një njeriu mund t’i jepet siguri për ekzaltimin në mbretërinë çelestiale të Perëndisë” (“Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 94).

  • Si do t’ia shpjegonit dikujt që nuk është anëtar i Kishës, rëndësinë e të qenit të martuar “në vendin e duhur, nga autoriteti i duhur”?

  • Bazuar në rëndësinë e doktrinës së martesës dhe familjes së përjetshme, çfarë mund të bëni tani që të përgatiteni për një martesë të përjetshme dhe të ndërtoni marrëdhënie të forta?

Ftojini studentët të marrin parasysh atë që mund të kenë nevojë ta ndryshojnë në jetën e tyre që të përgatiten më mirë për një vulosje në tempull ose për t’i mbajtur besëlidhjet që shoqërohen me atë vulosje. Jepni dëshminë tuaj se të kërkuarit e një martese të përjetshme ia vlen sakrificën dhe përpjekjen tonë.

Materiale Leximi për Studentin