Biblioteka
Mësimi 26: Zbulesa mbi Priftërinë


26

Zbulesa mbi Priftërinë

Gjatë shekullit të 20-të, ndërkohë që puna misionare u përhap anembanë tokës, udhëheqësit e Kishës u lutën për udhërrëfim lidhur me kufizimet e shugurimit në priftëri dhe të ordinancave të tempullit për anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane. Një zbulesë përfundimtare u erdhi Presidentit Spenser W. Kimball, këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në Tempullin e Solt-Lejkut më 1 qershor 1978. Teksa studentët marrin pjesë në këtë mësim, ata do ta kuptojnë më mirë se si t’u drejtohen pyetjeve të ungjillit në një mënyrë besnike dhe gjithashtu do të mësojnë rrethanat dhe të vërtetat që lidhen me këtë zbulesë përfundimtare.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Hyrje në Deklaratën Zyrtare 2

Diskutimi i pyetjeve të ungjillit në një mënyrë besnike

Paraqitini klasës suaj skenarin vijues:

Mbas shkollës një ditë, Skotit iu afrua një anëtar tjetër i Kishës, të cilit kohët e fundit i kishin lindur disa pyetje rreth doktrinës së Kishës. Skoti ndjeu se ishte në gjendje t’i jepte njëfarë ndihme shokut të tij, por më pas ai pyeti veten se çfarë mund ta bënte ndryshe herën tjetër kur një anëtar i Kishës në një situatë të ngjashme t’i drejtohej atij.

Pyetini studentët se çfarë kanë bërë ata për të ndihmuar anëtarët e Kishës, të cilët iu drejtohen atyre me pyetje të sinqerta rreth Kishës ose doktrinës së saj.

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kërkimi është vendlindja e dëshmisë. Disa mund të ndihen në siklet ose të padenjë, sepse kanë pyetje kërkuese në lidhje me ungjillin, por ata nuk duhet të ndihen ashtu. Bërja e pyetjeve nuk është shenjë dobësie; ajo është pararendëse e rritjes.

Perëndia na urdhëron të kërkojmë përgjigje për pyetjet tona dhe lyp vetëm që të kërkojmë ‘me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht’ [Moroni 10:4]. Kur bëjmë kështu, e vërteta e të gjitha gjërave mund të na shfaqet ‘nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë’ [Moroni 10:5].

Mos kini frikë; bëni pyetje. Jini kureshtarë, por mos dyshoni! Gjithmonë kapuni fort te besimi dhe te drita që tashmë keni marrë” (“Pasqyrimi në Ujë” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 1 nëntor 2009], f. 7, ldschurchnewsarchive.com).

  • Çfarë na mësoi Presidenti Uhtdorf që mund ta ndihmojë dikë, i cili ka pyetje rreth çështjeve doktrinore, historike ose shoqërore lidhur me Kishën? (Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Nëse do të ushtrojmë besim te Jezu Krishti, atëherë pyetjet e sinqerta më së fundi mund të sjellin përgjigje nga Ati ynë në Qiell.)

Shpjegoni se një nga çështjet historike rreth së cilës disa anëtarë të Kishës kanë pyetje, buron nga një rregullore e Kishës që ishte në fuqi nga mesi i viteve 1800 deri në vitin 1978, që i kufizonte meshkujt zezakë me origjinë afrikane nga të qenit të shuguruar në priftëri. Gjithashtu i ndalonte gratë dhe burrat zezakë që të merrnin pjesë në ordinancën e dhurimit [indaumentit] ose në ceremonitë e vulosjes në tempull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë deklaratën vijuese, e cila është një pjesë e hyrjes së Deklaratës Zyrtare 2 (që gjendet në Doktrinën e Besëlidhjet). Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth mënyrës se si ky informacion mund t’i ndihmojë ata që kanë shqetësime rreth kësaj çështjeje historike.

“Libri i Mormonit na mëson se ‘të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ duke përfshirë ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33). Gjatë historisë së Kishës, njerëz të çdo race dhe etnie në shumë vende janë pagëzuar dhe kanë jetuar si anëtarë besnikë të Kishës. Gjatë kohës që jetoi Jozef Smithi, disa anëtarë meshkuj zezakë të Kishës u shuguruan në priftëri. Herët në historinë e saj, udhëheqësit e Kishës e ndaluan dhënien e priftërisë meshkujve zezakë me prejardhje afrikane. Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me zanafillat e kësaj praktike” (hyrja për Deklaratën Zyrtare 2).

  • Çfarë të vërtetash të rëndësishme përmban kjo thënie për ata që mund të hasin shqetësim për këtë çështje?

Vini në dukje rreshtin që thotë: “Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me zanafillat e kësaj praktike”. Ndërkohë që disa njerëz mund të sugjerojnë arsye përse meshkujt me prejardhje afrikane nuk u shuguruan në priftëri për njëfarë kohe, ato arsye mund të mos jenë të sakta. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese, nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Nëse i lexoni shkrimet e shenjta me këtë pyetje në mendje: ‘Përse e urdhëroi Zoti këtë ose përse e urdhëroi atë’, ju gjeni që në më pak se një urdhër në njëqind urdhra, u dha ndonjë arsye. Nuk është modeli i Zotit për të dhënë arsye. Ne [të vdekshmit] mund t’i japim arsye zbulesës. Ne mund t’u japim arsye urdhërimeve. Kur e bëjmë këtë, ne lihemi vetëm. Disa njerëz i dhanë arsye zbulesës për të cilën po flasim këtu [racës dhe priftërisë] dhe në mënyrë të bujshme ato dolën të ishin të gabuara. …

… Le të mos e bëjmë gabimin që është bërë në të shkuarën, këtu dhe në fusha të tjera, duke u përpjekur t’i japim arsye zbulesës. Arsyet në një shkallë të gjerë na dalin se janë të krijuara nga njerëzit” (Life’s Lessons Learned [2011], f. 68–69).

  • Përse është e urtë ta shmangim spekulimin mbi arsyet përse individëve të prejardhjes afrikane nuk iu dha priftëria ose nuk iu lejua kryerja e ordinancave të tempullit përpara vitit 1978? (Njeriu flet nga një këndvështrim i kufizuar dhe Perëndia nuk na i ka thënë arsyet.)

Theksoni se sot Kisha i mohon teoritë e përhapura në të shkuarën mbi këtë çështje: lëkura e zezë është një shenjë e mospëlqimit ose mallkimit hyjnor; lëkura e zezë pasqyron veprime të padrejta në jetën para lindjes; martesat me raca të përziera janë mëkat; ose zezakët apo njerëzit e ndonjë race ose etnie tjetër janë më të ulët në njëfarë mënyre nga njerëzit e tjerë. Udhëheqësit e Kishës sot pa asnjë mëdyshje e dënojnë të gjithë racizmin, të shkuar dhe të tanishëm, në çfarëdo forme. (Shih “Race and the Priesthood”, Gospel Topics, lds.org/topics.)

  • Si mund t’i ndihmojë njerëzit besimi i tyre te Jezu Krishti që t’i zgjidhin pyetjet ose shqetësimet e tyre rreth kufizimit të priftërisë që ekzistoi përpara vitit 1978?

Deklarata Zyrtare 2

Bekimet e priftërisë dhe të tempullit iu shtrinë çdo anëtari të denjë të Kishës

Shpjegoni se përpara vitit 1978, mijëra njerëz me prejardhje afrikane në kombe të ndryshme kishin arritur ta dinin vërtetësinë e ungjillit të rivendosur. Udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti morën shumë letra nga të kthyer në besim të papagëzuar në Nigeri dhe Gana, të cilët kërkonin që misionarët të dërgoheshin në Afrikë. Për vite, udhëheqësit e Kishës plot lutje e morën parasysh çështjen, por e ndien se koha nuk kishte ardhur ende për të dërguar misionarë në Afrikë. Në Brazil, anëtarët besnikë zezakë ndihmuan për ta ndërtuar Tempullin e San-Paolos, të shpallur në vitin 1975, edhe pse ata e dinin se nuk do të ishin në gjendje të hynin në tempull.

Informojini studentët se Deklarata Zyrtare 2 përmban shpalljen zyrtare të një zbulese të marrë nga Presidenti Spenser W. Kimball, këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe dhjetë anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Zbulesa u mor më 1 qershor 1978. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin e parë nën fjalët “Të Dashur Vëllezër”. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që udhëheqësit e Kishës thanë se kishin dëshmuar.

  • Çfarë kishin dëshmuar udhëheqësit e Kishës anembanë tokës?

  • Me çfarë u frymëzuan udhëheqësit e Kishës, ndërkohë që dëshmonin zgjerimin e punës së Zotit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë paragrafin pasues, i cili fillon me fjalët “Të ndërgjegjshëm për premtimet”. Ftojeni klasën të kërkojë se si vepruan udhëheqësit e Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara. Pyetni:

  • Si vepruan Presidenti Spenser W. Kimball dhe udhëheqës të tjerë të Kishës lidhur me dëshirat e tyre të frymëzuara?

  • Sipas tre rreshtave të parë të këtij paragrafi, çfarë dinin udhëheqësit e Kishës rreth kufizimit të priftërisë? (Ata e dinin se një ditë, të gjithë meshkujt e denjë do të kishin mundësinë për ta marrë priftërinë.)

Shpjegoni se, për shumë vjet përpara vitit 1978, duke e ditur se një zbulesë nevojitej me qëllim që të ndodhte ndryshimi, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e kishin diskutuar kufizimin e priftërisë dhe ishin lutur rreth tij. Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Çdo ditë unë shkova vetëm dhe me solemnitet e seriozitet të madh në dhomat e sipërme të tempullit dhe atje unë ofrova shpirtin tim dhe ofrova përpjekjet e mia për të ecur përpara me programin. Unë doja të bëja atë çfarë donte Ai. Unë i fola për këtë Atij dhe i thashë: ‘Zot, unë dëshiroj vetëm atë që është e drejtë. Ne nuk po bëjmë ndonjë plan që të jetë emocionues në mënyrë të bujshme. Ne duam vetëm gjënë që Ti vërtet e do dhe ne e duam atë kur Ti e do atë dhe jo deri në atë kohë’” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 238).

  • Çfarë na mësojnë fjalët e Presidentit Kimball rreth mënyrës sipas së cilës profetët kërkojnë zbulesë? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Profetët kërkojnë vullnetin e Zotit në drejtimin e Kishës.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafet pasuese te Deklarata Zyrtare 2, duke filluar me “Ai i ka dëgjuar lutjet tona”. Vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Zotit ndaj lutjeve të Presidentit Kimball, të këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe të anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

  • Cila ishte përgjigjja e Zotit ndaj lutjeve të profetit të Tij? (Theksoni mesazhin e Zotit të marrë në këtë zbulesë: Bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë të vlefshme për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.)

Që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se si u mor zbulesa e shënuar te Deklarata Zyrtare 2, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008), i cili ishte i pranishëm në ditën kur zbulesa u mor në tempull:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Pati një atmosferë të shenjtë dhe të shenjtëruar në dhomë. Për mua, u ndie sikur një shteg u hap midis fronit qiellor dhe profetit të gjunjëzuar, të përgjëruar të Perëndisë, me të cilin u bashkuan Vëllezërit e tij. Shpirti i Perëndisë ishte atje. Dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, atje, atij profeti i erdhi një siguri se gjëja për të cilën ishte lutur, ishte e drejtë, se koha kishte ardhur dhe se tani bekimet e mrekullueshme të priftërisë duhej t’u shtriheshin burrave të denjë anembanë pavarësisht nga prejardhja. …

Ne të gjithë e dinim se koha kishte ardhur për një ndryshim dhe se vendimi kishte ardhur nga qiejt. Përgjigjja ishte e qartë. Pati një unitet të përsosur mes nesh në përvojën tonë dhe në kuptueshmërinë tonë” (“Priesthood Restoration”, Ensign, tetor 1988, f. 70).

Shpjegoni se, pak kohë pasi u mor zbulesa që i dha fund kufizimit të priftërisë, misionarët u dërguan në Afrikë. Që atëherë tempuj janë ndërtuar në atë kontinent, mbi njëqind kunje janë organizuar dhe qindra mijëra njerëz i kanë marrë ordinancat e ungjillit për veten e tyre dhe për paraardhësit e tyre të vdekur. (Shih, për shembull, “Mormons in Africa: A Bright Land of Hope”, mormonnewsroom.org; “Emerging with Faith in Africa”, pjesët 1–3, lds.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Në çdo kontinent dhe përmes ishujve të detit, njerëzit besnikë po mblidhen në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dallimet në prejardhjet kulturore, gjuhë, gjini dhe tipare të fytyrës veniten në kotësi kur anëtarët e humbasin veten në shërbim të Shpëtimtarit të tyre të dashur. Shpallja e Palit po përmbushet: ‘Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.

Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin’ [Galatasve 3:27–28].

Vetëm të kuptuarit e Atësisë së vërtetë të Perëndisë mund të sjellë vlerësim tërësor të vëllazërisë së vërtetë të njerëzimit. Ajo kuptueshmëri frymëzon dëshirën për të ndërtuar ura bashkëpunimi në vend të mureve të veçimit” (“Teach Us Tolerance and Love”, Ensign, maj 1994, f. 70).

  • Si na përgatit ungjilli që të bëhemi të bashkuar me njerëz nga prejardhje të ndryshme?

  • Çfarë shembujsh keni parë të anëtarëve të Kishës nga prejardhje të ndryshme duke u rritur së bashku në unitet e bashkëpunim?

Në mbyllje, ftojini studentët të marrin parasysh se si mund të përgjigjeshin nëse ata pyeteshin përse Kisha nuk i shuguroi në priftëri për njëfarë kohe burrat me prejardhje afrikane. Pohoni se është e përshtatshme t’iu shpjegoni të tjerëve se ne nuk e dimë përse filloi kufizimi i priftërisë dhe ne duhet të tregojmë për të vërtetat që vërtet i dimë dhe të dëshmojmë për to.

Materiale Leximi për Studentin