Biblioteka
Mësimi 24: Largimi nga Navuja dhe Udhëtimi drejt Perëndimit


24

Largimi nga Navuja dhe Udhëtimi drejt Perëndimit

Nën udhëheqjen e frymëzuar të Brigam Jangut, shenjtorët e mbaruan ndërtimin e Tempullit të Navusë, ku ata bënë besëlidhje të shenjta përpara se të fillonin udhëtimin e tyre të mundimshëm drejt shtëpisë së tyre të re në Malet Shkëmbore. Këto besëlidhje të tempullit iu dhanë shenjtorëve forcë e frymëzim teksa përballeshin me vështirësi përgjatë udhës. Si trashëgues të trashëgimisë së këtyre shenjtorëve besnikë, ne mund të mësojmë nga shembujt e tyre dhe ta përgatitim udhën për të tjerët që t’i gëzojnë bekimet e ungjillit.

Lexim Konteksti

  • Gordon B. Hinckley, “True to the Faith”, Ensign, maj 1997, f. 65–67.

  • M. Russell Ballard, “You Have Nothing to Fear from the Journey”, Ensign, maj 1997, f. 59–61.

  • Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 302–314, 329–336.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përfundimi i Tempullit të Navusë

Pamja
Tempulli i Navusë
Pamja
Tempulli i Navusë, Ilinois

Paraqitni një figurë të Tempullit origjinal të Navusë ose përdorni një figurë të Tempullit të ri të Navusë në Ilinois (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 118). U thoni studentëve se, pasi shenjtorët e ditëve të mëvonshme u larguan nga Navuja, tempulli që kishin ndërtuar, u shkatërrua nga zjarri në vitin 1848 dhe më pas u rrafshua pothuajse plotësisht nga një tornado në vitin 1850. Rreth 150 vjet më vonë, u ndërtua një tempull i ri, i cili dukej mjaft i ngjashëm me origjinalin dhe u përkushtua në qershor të vitit 2002.

Shpjegoni se, pas martirizimit të Jozef Smithit, shenjtorët punuan nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për ta përfunduar Tempullin origjinal të Navusë sa më shpejt që të ishte e mundur. Paraqitni thëniet vijuese dhe ftojeni një student t’i lexojë ato me zë të lartë. Ftojeni klasën të vërë në dukje sakrificat që bënë shenjtorët për ta ndërtuar Tempullin e Navusë:

“Më shumë se 1.000 burra dhuruan çdo ditë të dhjetë pune. Luiza Dekerit, një vajze të re, i bëri përshtypje që nëna shiti pjatat e saj prej porcelani dhe një jorgan të bukur, si kontributin e saj për tempullin. Shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme dhanë kuaj, karro, lopë, mish derri dhe grurë për të ndihmuar në ndërtimin e tempullit. Grave të Navusë iu kërkua të kontribuonin me dhjetëqindarkëshet dhe qindarkat e tyre për fondin e tempullit” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2010], f. 59).

Elisabet Teri Kërbi Hejuardi dha të vetmen pasuri që e kishte për ta dhënë – orën që e pati burri i saj, i cili kishte vdekur kohët e fundit. “E dhashë atë për të ndihmuar Tempullin e Navusë dhe gjithçka tjetër që mund të kurseja, dhe disa dollarë të fundit që i kisha në botë, të cilat së bashku përbënin shumën e gati 50 dollarëve” (cituar te Carol Cornwall Madsen, In Their Own Words: Women and the Story of Nauvoo [1994], f. 180).

Shpjegoni se, për shkak të përndjekjes në rritje ndaj shenjtorëve dhe kërcënimeve nga armiqtë e Kishës, udhëheqësit e Kishës shpallën më 24 shtator 1845 se shenjtorët do të largoheshin nga Navuja në pranverën e ardhshme. Pyetini studentët:

  • Si mendoni se vendimi për t’u larguar nga Navuja mund t’i kishte ndikuar përpjekjet e shenjtorëve për ta përfunduar tempullin?

Shpjegojuni studentëve që, edhe pse shenjtorët e dinin se do t’iu duhej të largoheshin nga Ilinoisi, ata i shtuan përpjekjet e tyre për ta përfunduar tempullin përpara se të largoheshin. Dhomat në tempull u përkushtuan ndërkohë që mbaroheshin, me qëllim që ordinancat të mund të kryheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Përpara vdekjes së tij, Profeti Jozef Smith kishte administruar në ceremoninë e dhurimit [indaumentit] të tempullit për një grup të vogël burrash e grash. Më 10 dhjetor 1845, këta burra e gra filluan të administronin ordinancat e tempullit për anëtarë të tjerë në dhomat e përkushtuara të tempullit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafët vijues, të cilët përshkruajnë përpjekjet e shenjtorëve dhe të udhëheqësve të tyre për të siguruar që sa më shumë njerëz që të ishte e mundur, t’i merrnin ordinancat e tempullit përpara se të largoheshin nga Navuja:

Nga viti 1844 deri në vitin 1846, Presidenti Brigam Jang dhe Dymbëdhjetë Apostujt e bënë përfundimin e Tempullit të Navusë një përparësi të ngutshme. Dhurimet [indaumentet] dhe vulosjet u kryen atje edhe përpara se të përfundohej ndërtimi. Brigam Jangu (1801–1877) shënoi: “Kaq i madh ka qenë ankthi i shfaqur nga shenjtorët për të marrë ordinancat [e Tempullit] dhe kaq i madh ankthi nga ana jonë për t’u administruar atyre, sa unë jam dhënë tërësisht pas punës së Zotit në Tempull natë e ditë, duke mos pasur më shumë se katër orë gjumë në ditë, si një mesatare, dhe duke shkuar në shtëpi vetëm një herë në javë” (në History of the Church, 7:567).

Përveç burrave që punonin në tempull, “tridhjetë e gjashtë gra u bënë punonjëse ordinance në Tempullin e Navusë, duke punuar njëzet e katër orë gjatë dimrit të viteve 1845–1846 për të administruar sa më shumë ordinanca që të mundeshin përpara eksodit. ‘Punova në Tempull çdo ditë pa pushim derisa ai mbyllej’, kujtoi Elisabet En Uitni, një nga të tridhjetë e gjashtë gratë. ‘Ia kushtova veten time, kohën dhe vëmendjen time atij misioni.’ Duzina grash të tjera lanin rrobat dhe përgatitnin ushqime që ta mbështetnin fizikisht atë ndërmarrje të mrekullueshme” (Carol Cornwall Madsen, “Faith and Community: Women of Nauvoo”, te Joseph Smith: The Prophet, The Man, bot. Susan Easton Black dhe Charles D. Tate Jr. [1993], f. 233–234).

Shpjegoni se midis 10 dhjetorit 1845 dhe 2 shkurtit 1846 – data kur shenjtorët filluan të niseshin për udhëtimin e tyre drejt perëndimit – afërsisht 5.615 shenjtorë i morën ordinancat e dhurimit [indaumentit] në Tempullin e Navusë dhe familje të shumta u vulosën atje.

  • Çfarë mund të mësojmë nga sakrificat e shenjtorëve për ta përfunduar tempullin, edhe kur e dinin se së shpejti ata do të largoheshin nga Navuja? (Studentët mund të përcaktojnë një larmi parimesh, të tilla si parimi që vijon: Marrja e ordinancave të tempullit ia vlen gjithë përpjekjen dhe sakrificën tonë të drejtë. Merreni parasysh ta shkruani këtë në tabelë për ta theksuar.)

  • Në çfarë mënyrash mendoni se marrja e ordinancave të tempullit mund t’i kishte përgatitur ata që largoheshin nga Navuja për udhëtimin e tyre për më shumë se 1.600 kilometra që të gjenin strehim në Shtetet e Bashkuara perëndimore?

Për t’ju ndihmuar që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje, paraqitni thëniet vijuese nga Motra Sara Riç dhe Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti t’i lexojë ato me zë të lartë:

Pamja
Sara Riç

“Nëse nuk do të kishte qenë për besimin dhe diturinë që na u dha neve në atë tempull, me anë të ndikimit dhe ndihmës së Shpirtit të Zotit, udhëtimi ynë do të kishte qenë si një njeri duke hedhur një hap në errësirë” (Sarah Rich, cituar në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 30).

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Paraardhësit tanë pionierë u vulosën së bashku si familje në Navu. Besëlidhjet e tyre me Zotin në Tempullin e Navusë ishin një mbrojtje për ta gjatë udhëtimit të tyre drejt perëndimit, sikurse është për secilin prej nesh sot dhe gjatë gjithë jetës sonë. …

Për këta shenjtorë të hershëm, pjesëmarrja e tyre në ordinancat e tempullit ishte thelbësore për dëshmitë e tyre, ndërkohë që ata përballeshin me vështirësi, turma të egërsuara, dëbimin nga shtëpitë e rehatshme në Navu dhe udhëtimin e gjatë e të vështirë përpara tyre. Atyre u qe dhuruar fuqi në tempullin e shenjtë. Bashkëshorti e bashkëshortja u vulosën me njëri-tjetrin. Fëmijët u vulosën me prindërit e tyre. Shumë njerëz humbën pjesëtarë të familjes që vdiqën përgjatë rrugës, por ata e dinin se ky nuk ishte fundi për ta. Ata ishin vulosur në tempull për gjithë përjetësinë” (Robert D. Hales, “Temple Blessings”, New Era, shkurt 2014, f. 4).

Pyetini studentët:

  • Çfarë ndikimi pati marrja e ordinancave të tempullit mbi shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme, të cilët u detyruan të bënin udhëtimin e gjatë drejt perëndimit? (Teksa studentët japin përgjigjet e tyre, ndihmojini të kuptojnë parimin vijues: Ordinancat e tempullit mund të na sigurojnë mbrojtje e forcë kur përballemi me kohë të vështirësisë dhe të fatkeqësisë.)

  • Si ju ka mbrojtur dhe forcuar adhurimi në tempull juve ose ata që njihni gjatë periudhave të sprovës?

Nxitini studentët të përsiatin rreth asaj që mund të bëjnë për të gjetur mbrojtje dhe forcë më të madhe shpirtërore nëpërmjet adhurimit në shtëpinë e Zotit.

Doktrina e Besëlidhje 136

Udhëzimet e Zotit për ata që udhëtonin drejt perëndimit

Pamja
harta, Lëvizja e Kishës drejt Perëndimit

Ftojini studentët të kthehen te Hartat e Historisë së Kishës, nr. 6, “Lëvizja e Kishës Drejt Perëndimit” dhe kërkojuni atyre të gjejnë Navunë dhe Lagjet Dimërore. Shpjegoni se për shkak të shiut të shumtë dhe pajisjeve të pamjaftueshme, shenjtorët që u larguan nga Navuja në shkurt të vitit 1846, harxhuan katër muaj për të bërë udhëtimin prej 480 kilometrash përmes Ajouas. Gjatë kësaj kohe, më shumë se 500 burra shenjtorë të ditëve të mëvonshme – të cilët u bënë të njohur si Batalioni Mormon – ia vunë veshin thirrjes së Presidentit Brigam Jang që të përfshiheshin në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer gjatë luftës së Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Disa prej burrave u shoqëruan nga gratë dhe fëmijët e tyre. Shërbimi i tyre do të siguronte para për të ndihmuar anëtarët e varfër të Kishës që ta bënin udhëtimin drejt perëndimit, por shumë familje u lanë pa bashkëshortët dhe etërit për një pjesë të udhëtimit të tyre drejt perëndimit. Për këto arsye, udhëheqësit e Kishës vendosën të mos vazhdonin për në perëndim drejt Maleve Shkëmbore deri në pranverën e vitit 1847. Shenjtorët u vendosën në një vend të quajtur Lagjet Dimërore. Ishte atje që Brigam Jangu e mori zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 136.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 136:1–5. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi shenjtorët të bënin që të përgatiteshin për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt perëndimit.

  • Si duhej të organizoheshin kompanitë? Si mendoni se ky organizim do t’i kishte ndihmuar shenjtorët në udhëtimin e tyre?

  • Si është ky organizim i ngjashëm me mënyrën se si organizohet Kisha sot? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni ta shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Zoti i organizon shenjtorët e Tij në grupe, me qëllim që çdo njeri të mund të marrë udhërrëfim e përkujdesje.)

  • Çfarë sugjeron vargu 4 rreth mënyrës se si shenjtorët do të merrnin forcë në përpjekjet e tyre që ta përmbushnin vullnetin e Perëndisë?

Caktojini studentët të studiojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 136:6–11, duke kërkuar mënyra se si shenjtorët duhej të organizoheshin që të përkujdeseshin për nevojat e njëri-tjetrit dhe që t’i ndihmonin të varfrit e nevojtarët gjatë udhëtimit drejt perëndimit. Pas një kohe të mjaftueshme, merrni parasysh të bëni pyetjet vijuese për ta udhëhequr diskutimin:

  • Cilat fjalë ose fraza te vargjet 6–11 tregojnë se si shenjtorët duhej të kujdeseshin për njëri-tjetrin dhe për nevojtarët? (Ju mund të theksoni fjalët “përgatitur” dhe “përgatisë” te vargjet 6, 7 dhe 9. Kjo do ta tërheqë vëmendjen tek aftësia e studimit të shkrimeve të shenjta për të mësuar se si të dallohet përsëritja.)

  • Sipas vargut 11, cilat janë premtimet e Zotit ndaj atyre që përpiqen t’i ndihmojnë të tjerët dhe të përgatitin udhën për ta? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Zoti do të na bekojë kur i ndihmojmë të tjerët dhe e përgatitim udhën për ta.)

  • Kush e ka përgatitur udhën për ju që t’i gëzoni bekimet e ungjillit? Çfarë bënë ata që ta përgatitnin udhën për ju?

Ju mund të doni të shpjegoni se fjala pionier mund të përcaktohet si një njeri që shkon përpara për të përgatitur ose hapur udhën për të tjerët që ta ndjekin, domethënë që të gjithë ne mund të jemi pionierë në shumë mënyra. Jepuni studentëve një çast që të përsiatin atë që mund të bëjnë për t’i ndihmuar të tjerët dhe për ta përgatitur udhën për ta që t’i gëzojnë bekimet e ungjillit. Ftojini disa studentë të japin mendimet e tyre. Jepni dëshmi se Zoti dëshiron që ne të përpiqemi gjatë gjithë jetës sonë për të ndihmuar që ta përgatitim udhën për secilin prej fëmijëve të Tij për ta marrë ungjillin dhe për t’u kthyer që të jetojë me Të.

Shpjegoni se shenjtorët iu bindën urdhrave të Zotit duke e ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke e përgatitur udhën për ata që vinin pas tyre. Grupi i parë i pionierëve u largua nga Lagjet Dimërore më 5 prill 1847. Ata udhëtuan më shumë se 1.600 kilometra dhe mbërritën në luginën e Solt-Lejkut në fund të korrikut të vitit 1847. Më 24 korrik 1847, Presidenti Brigam Jang hyri në luginë dhe mori pohimin që shenjtorët e kishin gjetur shtëpinë e tyre të re.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Uilliam R. Uolker, një ish-anëtar i Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Uilliam R. Uolker

“Nëse jeni apo jo pasardhës i pionierëve, trashëgimia e besimit dhe sakrificës së pionierëve mormonë është trashëgimia juaj. Ajo është trashëgimia fisnike e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Jeto i Vërtetë ndaj Besimit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 97).

  • Si mendoni, përse është e rëndësishme për çdo anëtar të Kishës që të kuptojë se “trashëgimia e besimit dhe sakrificës së pionierëve mormonë” është trashëgimia e tyre, pavarësisht nga prejardhja e tyre?

  • Në çfarë mënyrash të mësuarit rreth udhëtimit të pionierëve mormonë mund t’i frymëzojë anëtarët e Kishës sot në përpjekjet e tyre për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’i ndihmuar ata në udhëtimin e tyre për t’u kthyer tek Ati Qiellor?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ne qëndrojmë sot si marrësit e përpjekjes së madhërishme të [pionierëve]. Shpresoj të jemi falënderues. Shpresoj se ne mbartim në zemrat tona një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për të gjitha gjërat që ata kanë bërë për ne. …

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, sa të bekuar jemi! Ç’trashëgimi të mrekullueshme që kemi! Ajo përfshiu sakrificën, vuajtjen, vdekjen, vegimin, besimin e diturinë dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Amshuar dhe Birin e Tij, Zotin e ringjallur, Jezu Krishtin. …

Ne i nderojmë më mirë ata që kanë shkuar përpara nesh, kur shërbejmë mirë në kauzën e së vërtetës” (“True to the Faith”, Ensign, maj 1997, f. 66–67).

Kujtojini studentët se çdo anëtar i Kishës është bekuar nga të tjerët, të cilët e përgatitën udhën për ta që t’i gëzonin bekimet e ungjillit. Nxitini studentët të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për t’i përgatitur të tjerët, duke përfshirë pasardhësit e tyre, që të jetojnë me besim e bindje ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Materiale Leximi për Studentin

  • Doktrina e Besëlidhje 136.

  • Gordon B. Hinckley, “True to the Faith”, Ensign, maj 1997, f. 65–67.

  • “Besim në Çdo Hap”, kapitulli 6 te Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2010), f. 69–80.