Biblioteka
Mësimi 15: Forca mes Kundërshtimit


15

Forca mes Kundërshtimit

Gjatë viteve 1837 dhe 1838, një shpirt ankimi, grindjeje dhe braktisjeje u përhap mes disa prej udhëheqësve të Kishës dhe anëtarëve në Kirtland të Ohajos dhe në Misurin verior. Problemet u acaruan kur disa njerëz iu kundërvunë haptazi Profetit Jozef Smith. Nga përvojat e shenjtorëve të hershëm, mund të mësojmë se, ndërkohë që hasim kundërshtim, ne marrim forcë shpirtërore kur jetojmë me drejtësi dhe i mbështetim shërbëtorët e Zotit.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 112:10–15

Braktisja në Kirtland të Ohajos

Shkruani fjalët vijuese në tabelë: i zemëruar, i fyer, xheloz. Ftojini studentët të mendojnë për raste kur mund t’i kenë përjetuar këto ndjenja.

Paraqitni tregimin vijues dhe ftojeni një student që ta lexojë atë me zë të lartë. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë situatën që e bëri Tomas B. Marshin të përjetonte ndjenjat e shkruara në tabelë.

Pak kohë pasi Tomas B. Marshi u thirr të ishte një Apostull në vitin 1835, ai u caktua President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në pranverën e vitit 1837, Presidenti Marsh mësoi se një nga Dymbëdhjetë Apostujt, Plaku Parli P. Prat, kishte planifikuar një mision për në Angli pa udhëzimin e Presidentit Marsh. Presidenti Marsh, i cili ishte në Misuri, u shkroi Plakut Prat dhe anëtarëve të tjerë të Të Dymbëdhjetëve dhe i ftoi ata të takoheshin me të në Kirtland të Ohajos më 24 korrik 1837, që të mund të bashkërendonin planet e tyre për misionet. Megjithatë, një muaj përpara se të ndodhte mbledhja, dy anëtarë të tjerë të Të Dymbëdhjetëve, Pleqtë Hibër C. Kimball dhe Orson Hajd, u nisën për në Angli pasi morën thirrje misioni nga Profeti Jozef Smith. Presidenti Marsh me sa duket ishte i shqetësuar që anëtarët e Të Dymbëdhjetëve po vazhdonin ta predikonin ungjillin në Angli pa përfshirjen e tij.

  • Në këtë gjendje, çfarë mund të kishte bërë Presidenti Marsh që t’i shmangte ndjenjat e renditura në tabelë?

  • Cilat janë disa rreziqe të lejimit të këtyre ndjenjave që t’i drejtojnë mendimet dhe veprimet tona? (Tregojuni studentëve se ndjenja të tilla janë fyese ndaj Frymës së Shenjtë dhe shpesh çojnë drejt një mëkati më të rëndë.)

Kërkojini studentit të vazhdojë të lexojë sa vijon:

Presidenti Marsh ia tregoi shqetësimet e tij Profetit Jozef Smith dhe kërkoi këshillën e tij. Në përgjigje, Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 112.

Në korrik të vitit 1837, kur Zoti e dha këtë zbulesë, Kisha po përjetonte përçarje, grindje dhe braktisje. Krenaria dhe lakmia i bëri disa anëtarë të Kishës ta kritikonin haptazi Profetin Jozef Smith dhe të vinin në dyshim autoritetin e tij. Disa anëtarë të Kishës, duke përfshirë Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, madje kërkuan ta hiqnin Jozef Smithin si Presidentin e Kishës.

  • Çfarë ndjenjash i bënë disa anëtarë të Kishës që t’i shpërfillnin dëshmitë e tyre për të vërtetën dhe t’i kundërviheshin haptazi Profetit Jozef Smith?

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 112:10–12, 15, duke kërkuar këshillën që i dha Zoti Presidentit Marsh dhe anëtarëve të tjerë të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, e cila mund t’i ndihmojë anëtarët e Kishës që ta shmangin bërjen kritikues ndaj udhëheqësve të tyre.

Kërkojuni studentëve të raportojnë atë që gjejnë. Më pas pyetini:

  • Si mund t’i ndihmojë këshilla në këto vargje anëtarët e Kishës që ta shmangin bërjen kritikues ndaj udhëheqësve të Kishës? (Teksa studentët i japin përgjigjet e tyre, ndihmojini të kuptojnë parimet vijuese: Në qoftë se jemi të përulur, Zoti do të na udhëheqë dhe do të na japë përgjigje për lutjet tona. Zoti kërkon që ne t’i mbështetim ata udhëheqës, të cilët mbajnë çelësat për ta kryesuar Kishën. Ju mund të sugjeroni që studentët të bëjnë një referencë kryq të vargut 15 me Doktrinën e Besëlidhjet 84:35–38. Ju gjithashtu mund të vini në dukje se këshilla për t’i këshilluar anëtarët e Të Dymbëdhjetëve iu dha Presidentit të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe nuk gjen zbatim për anëtarët individualë të Kishës.)

Pamja
fletushkë, Të Qëndruarit të Fortë

Jepini secilit student një kopje të fletushkës që gjendet në fund të këtij mësimi. Merrni parasysh ta ndani klasën në grupe të vogla dhe ta ftoni secilin grup që të lexojë së bashku pjesën e titulluar “Braktisja në Kirtland: Nevoja për t’i Ndjekur me Besnikëri Udhëheqësit e Kishës”. Kërkojuni studentëve të diskutojnë pyetjet në fund të pjesës, me grupet e tyre.

Ju mund ta mbyllni këtë pjesë të mësimit duke paraqitur dhe diskutuar thënien vijuese nga Presidenti Hibër C. Kimball (1801–1868), i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Hibër C. Kimball

“Do t’ju jap një çelës që Vëllai Jozef Smith ishte mësuar ta jepte në Navu. Ai tha se hapi i parë drejt braktisjes fillonte me humbjen e besimit tek udhëheqësit e kësaj kishe dhe mbretërie dhe se, kurdoherë që ta dallonit atë shpirt, ju mund ta dinit se ai do ta çonte zotëruesin e tij në rrugën drejt braktisjes” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 339).

Për ta theksuar rëndësinë e ndjekjes me besnikëri të profetit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës, lexoni përvojën vijuese nga jeta e Brigam Jangut (1801–1877), i cili ishte në atë kohë një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Ndërkohë që ishin në Kirtland, Presidenti Brigam Jang u takua me një grup të braktisësve, të cilët po komplotonin kundër Profetit Jozef Smith brenda vetë mureve të tempullit. Ai shpalli: ‘Unë u ngrita dhe në një mënyrë të qartë e bindëse u thashë atyre se Jozefi ishte një Profet dhe unë e dija atë, dhe ata mund ta shanin e përgojonin atë sa të donin, ata nuk mund ta shkatërronin caktimin e Profetit nga Perëndia; ata vetëm mund të shkatërronin vetë autoritetin e tyre, të prisnin lidhjen që i mbante ata të lidhur me Profetin dhe me Perëndinë dhe ta fundosnin veten në ferr’” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 79).

Doktrina e Besëlidhje 121:1–10, 16–17; 122:1–9

Kundërshtimi në Misurin Verior

Merrni parasysh t’i mbani studentët në grupe të vogla dhe ta ftoni secilin grup që të lexojë pjesën e dytë në fletushkë të titulluar “Konflikti në Misurin Verior: Mësimi për ta Duruar Mirë Kundërshtimin”. Shpjegoni se kjo pjesë përshkruan disa nga veprimet që i çuan shenjtorët drejt dëbimit nga Misuri verior dhe Profetin drejt mbylljes në Burgun Liberti. Kërkojuni studentëve të diskutojnë pyetjet në fund të kësaj pjese me grupet e tyre.

Pasi studentët ta plotësojnë fletushkën, shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 121–123 përmban përzgjedhje nga një letër që Profeti Jozef Smith ua shkroi shenjtorëve pranë fundit të burgimit të tij në Burgun Liberti.

Kërkojuni studentëve që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 121:1–6. Vërini studentët të kërkojnë pyetjet që Profeti ia shprehu Zotit.

  • Çfarë pyetjesh gjetët?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 121:7–10, 16–17; 122:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të mendojë rreth mënyrës se si përgjigjet e Zotit për përgjërimet e Jozef Smithit mund ta kenë forcuar Jozefin për t’i bërë ballë kundërshtimit të vazhdueshëm nga armiqtë e tij.

Kërkojuni studentëve të shprehin doktrinat dhe parimet që i mësojnë nga vargjet që lexojnë. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Nëse e durojmë kundërshtimin mirë në vdekshmëri, Perëndia do të na bekojë tani dhe në përjetësi. Ata që i akuzojnë shërbëtorët e Zotit, janë shërbëtorë të mëkatit. Ne mund të forcohemi në sprovat tona kur mbështetemi te Shlyerja e Shpëtimtarit dhe e kujtojmë shembullin e Tij të durimit me besnikëri.)

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Parimisht, provat do të jenë të vështira. Mund të ketë ankth, pështjellim, netë pa gjumë dhe jastëkë të lagur me lotë. Por nuk lypset që provat tona të jenë shpirtërisht fatale. Nuk lypset të na largojnë nga besëlidhjet tona dhe nga familja e Perëndisë. …

Sikurse zjarri i fortë që e shndërron hekurin në çelik, kur ne qëndrojmë besnikë gjatë provave të zjarrta të besimit tonë, ne përpunohemi dhe forcohemi shpirtërisht” (“Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 41–42).

Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj që kanë bërë ose do të bëjnë për ta mbajtur mend që Perëndia mund t’i forcojë ata kur përjetojnë sprova ose kundërshtim ndaj besimit të tyre. U lejoni kohë studentëve që të tregojnë përvojat ose mendimet e tyre rreth mbështetjes te Perëndia gjatë kohëve të vështira.

Materiale Leximi për Studentin

Të Qëndruarit të Fortë në Kohë Kundërshtimi

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 15

Braktisja në Kirtland: Nevoja për t’i Ndjekur me Besnikëri Udhëheqësit e Kishës

Në vitin 1837, shenjtorët në Kirtland të Ohajos përjetuan disa probleme financiare. Për t’i ndihmuar shenjtorët që të ishin më të mbështetur te vetja lidhur me financat e tyre, Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës themeluan një kompani të ngjashme me një bankë dhe e quajtën atë Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit. Për shkak të një depresioni ekonomik mjaft të përhapur gjatë kësaj kohe, shumë banka dështuan anembanë Shteteve të Bashkuara. Edhe Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit dështoi në vjeshtën e vitit 1837. Dyqind investues në bankë humbën pothuajse gjithçka, me Jozef Smithin duke pësuar humbjet më të mëdha. Edhe pse Shoqëria e Sigurisë së Kirtlandit nuk u financua nga Kisha, disa prej shenjtorëve e shihnin atë si një bankë të Kishës ose si bankën e Profetit dhe e fajësuan Jozef Smithin për problemet e tyre financiare. Disa madje filluan ta quanin atë një profet të rënë. Por pavarësisht nga dështimi i bankës, shumë të tjerë, të cilët i humbën paratë, vazhduan me besim dhe qëndruan të vërtetë ndaj Profetit.

Një shpirt i braktisjes dhe ankimit filloi të përhapej mes shumë prej shenjtorëve. Deri në qershor të vitit 1838, përafërsisht 200 ose 300 njerëz braktisës e kishin lënë Kishën, duke përfshirë katër Apostuj, Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit dhe një anëtar të Presidencës së Parë. Megjithatë, shumica e shenjtorëve iu përgjigj kësaj periudhe të vënies në provë me besim, po ashtu siç bëri Brigam Jangu. Ata u forcuan nga Zoti dhe mbetën të vërtetë ndaj dëshmive të tyre. Shumë prej atyre që u larguan nga Kisha gjatë kësaj periudhe të braktisjes, më vonë u kthyen dhe kërkuan që të bashkoheshin sërish me Kishën e Zotit. Mes tyre ishin Oliver Kaudëri, Martin Harrisi, Luk Xhonsoni dhe Frederik G. Uilliamsi.

Në mes të këtyre vështirësive në Kirtland, disa braktisës kërkuan ta vrisnin Jozef Smithin. I paralajmëruar nga Shpirti, ai dhe Sidni Rigdoni u larguan gjatë natës më 12 janar 1838. Armiqtë e tyre i ndoqën për disa ditë, por Zoti i mbrojti. Ata mbërritën me familjet e tyre në Far-Uest të Misurit më 14 mars 1838.

Diskutoni si grup pyetjet vijuese:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto ngjarje rreth mënyrës se si t’i përgjigjemi kundërshtimit në jetën tonë? Çfarë mund të mësojmë nga këto ngjarje rreth mënyrës se si t’i përgjigjemi kundërshtimit kundër Kishës?

  • Çfarë mund të bëjmë që të mbetemi besnikë ndaj udhëheqësve të Kishës edhe pse ne mund të dëgjojmë njerëz të tjerë t’i kritikojnë ata?

  • Në çfarë mënyrash jeni bekuar ngaqë ju e keni ndjekur profetin?

Konflikti në Misurin Verior: Mësimi për ta Duruar Mirë Kundërshtimin

Në vitet 1837 dhe 1838, disa anëtarë të pakënaqur dhe të shkishëruar të Kishës, që jetonin mes shenjtorëve në Far-Uest, filluan të ngrinin padi gjyqësore kundër Kishës e udhëheqësve të saj dhe ta ngacmonin Kishën. Në qershor të vitit 1838, Sidni Ridgoni foli me gjaknxehtësi në atë që është bërë e njohur si “Predikimi i Kripës”. Ai përdori Mateun 5:13 dhe tha se, në qoftë se kripa e humbet shijen e saj, ajo nuk shërben më për asgjë dhe duhet të flaket tej, duke nënkuptuar se ata që ishin larguar nga Kisha, duhej të flakeshin nga mesi i shenjtorëve. Dy javë më vonë, më 4 korrik, Sidni Rigdoni dha një fjalim në të cilin ai premtoi se shenjtorët do ta mbronin vetveten edhe sikur të arrinte te një “luftë e shfarosjes”. Edhe pse të dy këto fjalime dukej se kundërshtonin udhëzimin e Zotit që të “bëni[n] apel për paqe” (DeB 105:38), që të dy fjalimet u botuan dhe shkaktuan panik të madh mes njerëzve që nuk ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme.

Gjatë kësaj kohe, një i kthyer në besim i quajtur Sampson Avardi, administroi betime të fshehta ndaj atyre që do të bashkoheshin me të në formimin e një grupi plaçkitësish, të quajtur danitë. Avardi i udhëzoi ata që të vidhnin e plaçkitnin njerëzit e Misurit, duke thënë se kjo do të ndihmonte për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Avardi i bindi pasuesit e tij që udhëzimet e tij po vinin nga Presidenca e Parë. E vërteta u zbulua më vonë dhe Avardi u shkishërua. Veprimet e Avardit shkaktuan dëm të rëndësishëm ndaj idesë për Kishën dhe ndihmuan që të çonin drejt burgimit të Profetit në Burgun Liberti.

Në tetor të vitit 1838, një betejë midis disa anëtarëve të Kishës dhe milicisë së Misurit i la disa njerëz të vdekur nga secila palë. Raporte të tepruara të betejës mbërritën te guvernatori Liburn W. Bogsi, guvernatori i shtetit të Misurit, i cili më pas nxori atë që është bërë i njohur si urdhri i shfarosjes: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen ose të nxirren jashtë nga shteti, nëse është e domosdoshme, për të mirën e përgjithshme” (cituar te History of the Church, 3:175). Shpejt, qyteti i Far-Uestit u rrethua nga një milici që i tejkaloi pesëfish forcat e shenjtorëve. Jozef Smithi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u burgosën në Burgun Liberti, ku ata qëndruan gjithë dimrin. Pjesa tjetër e shenjtorëve u detyruan të largoheshin nga shteti.

Diskutoni si grup pyetjet vijuese:

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto ngjarje për të na ndihmuar që ta durojmë më mirë kundërshtimin?

  • Përse është e rëndësishme për secilin prej nesh që ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit në kohët e krizës ose të kundërshtimit? Çfarë ndodhi në Misurin verior ngaqë disa prej shenjtorëve nuk e bënë këtë?

  • Kur i keni parë fjalët ose veprimet e një njeriu që ta ndikojnë dikë tjetër për të pasur një pikëpamje pozitive për Kishën?