Biblioteka
Mësimi 25: Lufta e Jutas dhe Masakra e Livadheve Malore


25

Lufta e Jutas dhe Masakra e Livadheve Malore

Gjatë viteve 1850, tensioni dhe keqkomunikimi midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara çuan drejt Luftës së Jutas të viteve 1857–1858. Në shtator të vitit 1857, disa shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Territorin e Jutas jugore dhe anëtarëve të një vargu me karro emigrantësh në udhë e sipër drejt Kalifornisë, iu lindi një mosmarrëveshje dhe shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të nxitur nga zemërimi e frika, planifikuan dhe kryen masakrën e rreth 120 emigrantëve. Kjo mizori tani njihet si Masakra e Livadheve Malore.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjendje e tensionuar krijohet midis shenjtorëve të hershëm të ditëve të mëvonshme dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara

Shpërndajini një kopje të fletushkës në fund të mësimit secilit student. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Rritja e Tensionit Çoi drejt Luftës së Jutas”.

Pamja
fletushkë, Lufta e Jutas dhe Masakra e Livadheve Malore
  • Nëse ju do të kishit qenë një shenjtor i ditëve të mëvonshme në vitin 1857 dhe do të kishit dëgjuar se një ushtri e madhe po i afrohej qytetit tuaj, çfarë shqetësimesh mund të kishit pasur? (Studentët mund të përmendin se shenjtorët ishin dëbuar dhunshëm nga Ohajo, Misuri dhe Ilinoisi; shumë njerëz kishin humbur zotërime të vlefshme dhe tokë; dhe disa shenjtorë ishin vrarë ose kishin vdekur gjatë këtyre përndjekjeve. Lajmi i afrimit të ushtrisë shkaktoi që disa shenjtorë të shqetësoheshin se ngjarje të tilla mund të ndodhnin edhe në Juta.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Përgatitja për ta Mbrojtur Territorin”.

Mosmarrëveshje lindi midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe anëtarëve të një vargu me karro emigrantësh

Pamja
hartë, udha e vargut me karroca

Paraqitni një hartë të ngjashme me atë që tregohet këtu, ose vizatoni një hartë në tabelë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Mosmarrëveshje me Vargun e Karrove të Emigrantëve”.

Ftojini studentët të mendojnë për raste kur kanë përjetuar mosmarrëveshje me një njeri tjetër apo me një grup njerëzish. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 12:25. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar një parim që Jezu Krishti e dha mësim, i cili mund të na udhëzojë kur përjetojmë gjendje të tensionuar me të tjerët.

  • Çfarë mendoni se do të thotë “merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd”?

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë frazë, ju mund të doni ta vini një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve:

Pamja
Elder David E. Sorensen

“Shpëtimtari tha: ‘Merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd …’, në këtë mënyrë duke na urdhëruar që t’i zgjidhim herët mosmarrëveshjet tona, përndryshe pasionet e çastit rriten deri në egërsi fizike ose emocionale dhe ne bëhemi robër të zemërimit tonë” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 11).

  • Si do ta përmblidhnit mësimin e dhënë nga Shpëtimtari te 3 Nefi 12:25? (Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani në tabelë një parim të ngjashëm me sa vijon: Nëse e zgjidhim mosmarrëveshjen me të tjerët sipas mënyrës së Zotit, atëherë ne mund t’i shmangim pasojat e dëmshme të grindjes.)

  • Si mund ta kishin vënë në zbatim këtë parim ata që komplotuan për t’i dëmtuar anëtarët e vargut të karrove?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Rritja e Kundërvënies”.

  • Çfarë duhej të kishin bërë udhëheqësit e Kishës në Sidër-Siti kur Uilliam Dejmi i këshilloi të mos e përdornin milicinë? Në çfarë i çoi të bënin më pas mospranimi i këshillës? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëse e shpërfillim këshillën për të bërë atë që është e drejtë, atëherë ne bëhemi më të cenueshëm që të bëjmë zgjedhje të gabuara dhe madje mëkatare. Ju mund të vini në dukje që ka urtësi të madhe në sistemin e këshillëve me anë të të cilit qeveriset Kisha.)

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Sulmi mbi Emigrantët” dhe ftojini studentët të kërkojnë mënyrën se si udhëheqësit e Sidër-Sitit vazhduan të bënin zgjedhje mëkatare pasi e shpërfillën këshillën që kishin marrë.

  • Çfarë erdhi si pasojë e vendimit të udhëheqësve të Sidër-Sitit për të mos iu bindur këshillës së Uilliam Dejmit, komandantit të milicisë?

  • Në këtë pikë, çfarë zgjedhjesh kishin ata që ishin përgjegjës për sulmet? (Ata mund të rrëfenin se ç’kishin bërë dhe të pranonin pasojat ose ata mund të përpiqeshin t’i fshihnin krimet dhe mëkatet e tyre.)

Ftojini studentët të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Çfarë bëni ju kur bëni diçka të gabuar? A rrëfeni se ç’keni bërë gabim dhe i pranoni pasojat, apo përpiqeni ta fshihni mëkatin nëpërmjet mashtrimit?

Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme planifikuan dhe kryen Masakrën e Livadheve Malore

Shpjegoni se anëtarët e Kishës, të përfshirë në sulmet kundër emigrantëve, zgjodhën të përpiqeshin t’i fshihnin mëkatet e tyre. Ftojeni klasën të dëgjojë se çfarë ndodhi si rrjedhim i këtij vendimi, ndërkohë që studentët e bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë pjesët në fletushkë të titulluara “Masakra e Livadheve Malore” dhe “Pasojat Tragjike”.

Shpjegoni se zgjedhjet e disa prej udhëheqësve dhe kolonëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Territorin jugor të Jutas, çuan në Masakrën tragjike të Livadheve Malore. Në dallim nga kjo, udhëheqësit e Kishës dhe të territorit në Solt-Lejk-Siti e zgjidhën mosmarrëveshjen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet bisedimeve paqësore dhe negociatave në vitin 1858. Gjatë kësaj mosmarrëveshjeje – më vonë e quajtur Lufta e Jutas – trupat e Shteteve të Bashkuara dhe milicët e Jutas u përfshinë në veprime ndeshjeje, por kurrë në betejë.

  • Si do t’i përmblidhnit zgjedhjet që çuan drejt Masakrës së Livadheve Malore?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga kjo tragjedi? (Studentët mund të përcaktojnë parime të ndryshme, duke përfshirë sa vijon: Të zgjedhurit e fshehjes së mëkateve tona mund të na çojë drejt kryerjes së mëkateve të mëtejshme. Të zgjedhurit e fshehjes së mëkateve tona mund të sjellë keqardhje dhe vuajtje.)

Sigurojini studentët që, në qoftë se kanë filluar të ecin përgjatë një shtegu gabimesh dhe mëkati, ata mund t’i parandalojnë dhembjen dhe keqardhjen e ardhshme duke u kthyer te Zoti dhe duke u penduar për mëkatet e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Udhëheqësit e Kishës Mësuan për Masakrën”.

Shpjegoni se, ngaqë një numër shenjtorësh vendorë të ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e Masakrës së Livadheve Malore, disa njerëz e kanë lejuar këtë ngjarje ta ndikojë për keq pikëpamjen e tyre për të gjithë Kishën.

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë se veprimet e gabuara të disa anëtarëve të Kishës nuk e përcaktojnë vërtetësinë e ungjillit?

Ftojeni një student të lexojë thënien nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, që gjendet në pjesën e fletushkës të titulluar “150-Vjetori i Masakrës së Livadheve Malore”.

  • Si duhet të përgjigjemi kur mësojmë për raste kur anëtarët e Kishës nuk kanë arritur të jetojnë sipas mësimeve të Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Helamanin 5:12. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që mund të bëjmë ne për t’i zhvilluar e ruajtur dëshmitë tona, me qëllim që gjatë kohëve të vështira, të tilla si ato kur mësojmë për raste kur anëtarë të Kishës nuk kanë arritur që të jetojnë sipas mësimeve të Jezu Krishtit, besimi ynë nuk do të lëkundet.

  • Sipas Helamanit 5:12, çfarë mund të bëjmë për t’i zhvilluar dhe ruajtur dëshmitë tona? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund të doni të shkruani në tabelë parimin vijues: Ne mund të zhvillojmë dëshmi të forta duke e ngritur besimin tonë mbi themelin e Jezu Krishtit.)

Për ta ilustruar këtë parim, paraqitni përkufizimin vijues dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Xhejms Sandersi është stërnipi i … një prej fëmijëve që i mbijetuan masakrës [dhe është gjithashtu anëtar i Kishës]. … Vëllai Sanders … tha se të mësuarit që paraardhësi i tij ishte vrarë në masakrën ‘nuk e ndikoi besimin tim, sepse ai bazohet te Jezu Krishti, jo te ndonjë njeri në Kishë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 21).

  • Si mund të na forcojë besimi ynë te Jezu Krishti kur mësojmë për raste kur anëtarë të Kishës nuk kanë arritur të jetojnë sipas mësimeve të Shpëtimtarit?

  • Çfarë bëni që ju ndihmon për ta ngritur besimin tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit?

Dëshmoni për rëndësinë e të jetuarit të mësimeve të Shpëtimtarit dhe të bazuarit të besimit tonë tek Ai dhe tek ungjilli i Tij. Ftojini studentët të përsiatin se si ata mund ta ngrenë më mirë besimin e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe të caktojnë një synim për ta bërë këtë.

Materiale Leximi për Studentin

Lufta e Jutas dhe Masakra e Livadheve Malore

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 25

Rritja e Tensionit Çoi drejt Luftës së Jutas

Tre vjet pasi pionierët e parë shenjtorë të ditëve të mëvonshme mbërritën në Luginën e Solt-Lejkut, qeveria e Shteteve të Bashkuara organizoi Territorin e Jutas dhe e caktoi Brigam Jangun si guvernatorin e parë të territorit. Në mes të vitit 1857, udhëheqës të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dëgjuan thashetheme se qeveria federale mund ta zëvendësonte Brigam Jangun me një guvernator të ri të Territorit të Jutas, i cili do të mbështetej nga një numër i madh trupash federale. Më 24 korrik 1857 Presidenti Brigam Jang ishte me një grup shenjtorësh duke festuar përvjetorin e 10-të të mbërritjes së tyre në Luginën e Solt-Lejkut, kur mori vërtetimin e lajmit të mëparshëm se një ushtri po vinte drejt Solt-Lejk-Sitit.

Në vitet e shkuara, mosmarrëveshjet dhe keqkomunikimet kishin çuar në një gjendje të tensionuar në rritje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Shenjtorët dëshironin të qeveriseshin nga udhëheqës që do t’i zgjidhnin vetë dhe i kishin hedhur poshtë udhëheqësit e caktuar federalë, të cilët nuk kishin të njëjtat vlera me ta, disa prej të cilëve ishin të pandershëm, të korruptuar dhe të pamoralshëm. Disa nga zyrtarët federalë besonin se veprimet dhe sjelljet e shenjtorëve nënkuptonin që ata ishin në kryengritje ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhejms Bjukenën, dërgoi afërsisht 2.500 trupa drejt Solt-Lejk-Sitit për ta shoqëruar guvernatorin e ri në mënyrë të sigurt për në Juta dhe për ta shtypur atë që ai mendoi se ishte një kryengritje mes shenjtorëve. Ky vendim u mor pa informacionin e duhur rreth situatës në Juta (shih Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 368–371).

Përgatitja për të Mbrojtur Territorin

Në predikime drejtuar shenjtorëve, Presidenti Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i përshkruan trupat që po afroheshin si armiq. Ata patën frikë që trupat mund t’i dëbonin shenjtorët nga Juta, siç ishin larguar më parë nga Ohajo, Misuri dhe Ilinoisi. Presidenti Jang, i cili prej vitesh u kishte kërkuar shenjtorëve të kursenin drithëra, i ripërtëriu udhëzimet e tij me qëllim që ata të kishin ushqime për të ngrënë nëse do të nevojitej të iknin prej trupave. Si guvernator i Territorit të Jutas, ai gjithashtu e udhëzoi milicinë e territorit që të përgatitej për ta mbrojtur territorin.

Mosmarrëveshja me Vargun e Karrove të Emigrantëve

Një varg me karro emigrantësh duke udhëtuar drejt perëndimit nga Arkanzasi për në Kaliforni, hyri në Juta ndërkohë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme po përgatiteshin për ta mbrojtur territorin nga trupat në ardhje të Shteteve të Bashkuara. Disa anëtarë të vargut me karro u mërzitën ngaqë hasën një kohë të vështirë për të blerë drithërat kaq të nevojshme nga shenjtorët, të cilët ishin udhëzuar ta vinin në ruajtje drithin e tyre. Emigrantët gjithashtu patën mosmarrëveshje me shenjtorët të cilët nuk donin që numri i madh i kuajve dhe qeve të vargut të karrove të përdornin burimet e ushqimit dhe të ujit që shenjtorëve u nevojiteshin për vetë kafshët e tyre.

Gjendja e tensionuar shpërtheu në Sidër-Siti, kolonia e fundit në Juta në rrugën për në Kaliforni. Ndodhën përplasje ndërmjet disa prej anëtarëve të vargut të karrove dhe disa prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Disa anëtarë të vargut të karrove kërcënuan se do të bashkoheshin me trupat në ardhje të qeverisë kundër shenjtorëve. Edhe pse kapiteni i vargut të karrove i qortoi shokët e tij që i bënë këto kërcënime, disa udhëheqës dhe kolonë në Sidër-Siti i panë emigrantët si armiq. Kompania e karrove u largua nga qyteti vetëm gati një orë pasi mbërriti, por disa nga kolonët dhe udhëheqësit në Sidër-Siti deshën t’i përndiqnin dhe t’i ndëshkonin burrat që i kishin fyer ata.

Përshpejtimi i Kundërvënies

Ngaqë këta shenjtorë nuk e zgjidhën mosmarrëveshjen e tyre me emigrantët sipas mënyrës së Zotit, gjendja u bë shumë më e rëndë. Isak Heiti, kryetari i bashkisë së Sidër-Sitit, majori i milicisë dhe presidenti i kunjit, kërkoi leje nga komandanti i milicisë, i cili jetonte në koloninë aty pranë, në Parouan, që të thërriste milicinë për t’u ballafaquar me njerëzit që i kishin fyer nga vargu i karrove. Komandanti i milicisë, Uilliam Dejmi, një anëtar i Kishës, e këshilloi Isak Heitin që të mos i përfillte kërcënimet e emigrantëve. Në vend që t’ia vinte veshin kësaj këshille, Isak Heiti dhe udhëheqës të tjerë të Sidër-Sitit vendosën t’ua mbushnin mendjen disa indianëve vendas që ta sulmonin vargun e karrove dhe t’ua vidhnin gjedhët, si një mënyrë ndëshkimi për emigrantët. Isak Heiti i kërkoi Xhon D. Lisë, një anëtari vendor të Kishës dhe major i milicisë, që ta udhëhiqte këtë sulm dhe që të dy planifikuan t’ua hidhnin fajin indianëve për veprimin.

Sulmi mbi Emigrantët

Isak Heiti ia paraqiti planin për ta sulmuar vargun e karrove një këshilli të udhëheqësve vendorë në Kishë, komunitet dhe milici. Disa anëtarë të këshillit nuk ishin aspak dakord me planin dhe i kërkuan Heitit nëse ishte këshilluar me Presidentin Brigam Jang lidhur me çështjen. Duke thënë se nuk ishte këshilluar, Heiti ra dakord të dërgonte një lajmëtar, Xhejms Haslamin, për në Solt-Lejk-Siti me një letër që shpjegonte gjendjen dhe që kërkonte se çfarë duhej të bëhej. Megjithatë, ngaqë Solt-Lejk-Siti ishte rreth 400 km larg nga Sidër-Siti, do të duhej për lajmëtarin rreth një javë vrapimi të shpejtë me kalë për të arritur në Solt-Lejk-Siti dhe për t’u kthyer në Sidër-Siti me udhëzimet e Presidentit Jang.

Pak kohë përpara se Isak Heiti të dërgonte letrën e tij me lajmëtarin, Xhon D. Lija dhe një grup indianësh e sulmuan kampin e emigrantëve në një vend të quajtur Livadhet Malore. Lija e udhëhoqi sulmin, por e fshehu identitetin e tij, që të dukej se u përfshinë vetëm indianët. Disa prej emigrantëve u vranë ose u plagosën dhe pjesa e mbetur i luftuan sulmuesit e tyre, duke i detyruar Linë dhe indianët të tërhiqeshin. Emigrantët shpejt i tërhoqën karrot e tyre në një rreth të ngushtë, ose një vathë, për mbrojtje. Dy sulme shtesë pasuan gjatë një rrethimi pesëditor mbi vargun e karrove.

Në një rast, milicët e Sidër-Sitit mësuan për dy burra emigrantë që ishin jashtë vathës së karrove. Milicët qëlluan mbi ta, duke e vrarë njërin. Burri tjetër shpëtoi dhe ia solli lajmin kampit të karrove që burra të bardhë ishin të përfshirë në sulmet kundër tyre. Ata që i planifikuan sulmet, u zunë tani në mashtrimin e tyre. Nëse emigrantët lejoheshin të shkonin në Kaliforni, lajmi do të shpërndahej që shenjtorët e ditëve të mëvonshme ishin përgjegjës për sulmin ndaj vargut të karrove. Komplotuesit patën frikë se ky lajm do të sillte pasoja të këqija mbi ta dhe njerëzit e tyre.

Masakra e Livadheve Malore

Në përpjekje për të ndalur përhapjen e lajmit që shenjtorë të ditëve të mëvonshme u përfshinë në sulmet ndaj vargut të karrove, Isak Heiti, Xhon D. Lija dhe udhëheqës të tjerë vendorë të Kishës e të milicisë bënë plan që t’i vrisnin të gjithë emigrantët e mbetur, me përjashtim të fëmijëve të vegjël. Duke e vënë në jetë këtë plan, Xhon D. Lija iu afrua emigrantëve dhe u tha se milicia do t’i mbronte nga sulmet e mëtejshme, duke i drejtuar ata që të ktheheshin përsëri të sigurt drejt Sidër-Sitit. Ndërsa emigrantët po ecnin drejt Sidër-Sitit, milicët u kthyen dhe qëlluan mbi ta. Disa indianë, të rekrutuar nga kolonët, u vërsulën nga vendet e fshehjes për t’u bashkuar me sulmin. Nga rreth 140 emigrantë që ishin pjesë e vargut të karrove, u kursyen vetëm 17 fëmijë të vegjël.

Dy ditë pas masakrës, Xhejms Haslami mbërriti në Sidër-Siti me mesazhin e përgjigjes nga Presidenti Jang, që i udhëzonte udhëheqësit vendorë ta lejonin vargun e karrove të largohej në paqe. Kur Heiti i lexoi fjalët e [Presidentit] Jang, ai derdhi lot si fëmijë dhe mundi të thoshte vetëm fjalët: ‘Shumë vonë, shumë vonë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

Pasojat Tragjike

Masakra e Livadheve Malore jo vetëm që shkaktoi vdekjen e rreth 120 viktimave, por shkaktoi edhe vuajtje të madhe për fëmijët që mbijetuan dhe për të afërmit e tjerë të viktimave. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme i morën në shtëpitë e tyre dhe u përkujdesën për fëmijët emigrantë që i mbijetuan masakrës. Në vitin 1859, zyrtarë federalë morën kujdestarinë për këta fëmijë dhe i kthyen tek të afërmit në Arkanzas. Indianët pajutë gjithashtu vuajtën ngaqë u fajësuan padrejtësisht për krimin.

Udhëheqësit e Kishës Mësuan për Masakrën

“Edhe pse Brigam Jangu dhe udhëheqës të tjerë të Kishës në Solt-Lejk-Siti mësuan për masakrën pak kohë pasi ndodhi, kuptueshmëria e tyre lidhur me gjerësinë e përfshirjes së kolonëve dhe hollësitë e tmerrshme të krimit erdhën pjesë-pjesë me kalimin e kohës. Në vitin 1859 ata i liruan nga thirrjet e tyre presidentin e kunjit, Isak Heitin, dhe udhëheqës të tjerë të njohur të Kishës në Sidër-Siti, të cilët patën rol në masakër. Në vitin 1870 ata i shkishëruan Isak Heitin dhe Xhon D. Linë nga Kisha.

Në vitin 1874 një juri gjyqësore territoriale akuzoi nëntë burra për rolin e tyre në masakër. Shumica prej tyre më së fundi u arrestuan, edhe pse vetëm Xhon D. Lija u gjykua, dënua dhe u ekzekutua për krimin. Një tjetër burrë i akuzuar që u kthye në dëshmitar për shtetin, [në mënyrë vullnetare dëshmoi dhe dha prova kundër të pandehurve të tjerë] dhe burra të tjerë kaluan shumë vjet duke iu shmangur ligjit. Milicë të tjerë, të cilët e kryen masakrën, vepruan gjatë pjesës së mbetur të jetës së tyre me ndjenjën e tmerrshme të fajit dhe të ëndrrave të këqija, të herëpashershme, për atë që kishin bërë dhe parë” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

150-Vjetori i Masakrës së Livadheve Malore

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha:

“Përgjegjësia për [Masakrën e Livadheve Malore] qëndron me udhëheqësit vendorë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në krahinat pranë Livadheve Malore, të cilët mbanin edhe detyra civile e ushtarake, dhe me anëtarët e Kishës që vepruan nën drejtimin e tyre. …

… Ungjilli i Jezu Krishtit që ne përkrahim, e urren vrasjen gjakftohtë të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të vërtetë, ai përkrah paqen dhe faljen. Çfarë u bë [te Livadhet Malore] shumë kohë më parë nga anëtarë të Kishës sonë përfaqëson një largim të tmerrshëm dhe të pajustifikueshëm nga mësimet dhe sjellja e krishterë. … Pa asnjë dyshim Drejtësia Hyjnore do ta ngarkojë ndëshkimin e duhur mbi ata që ishin përgjegjës për masakrën. …

… Na bekoftë Perëndia i Qiellit, bijtë dhe bijat e të cilit ne të gjithë jemi, që t’i nderojmë ata që vdiqën këtu duke shtrirë drejt njëri-tjetrit dashurinë e pastër dhe shpirtin e faljes, të cilat i përfaqëson Biri i Tij i Vetëmlindur” (“150th Anniversary of Mountain Meadows Massacre”, 11 shtator 2007, mormonnewsroom.org/article/150th-anniversary-of-mountain-meadows-massacre).