Biblioteka
Mësimi 23: Vijueshmëria në Presidencë


23

Vijueshmëria në Presidencë

Pranë fundit të jetës së tij, Jozef Smithi ua dha çelësat e priftërisë së kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pas martirizimit të Profetit, në një mbledhje të mbajtur më 8 gusht 1844, shumë shenjtorë morën një manifestim shpirtëror që u pohoi atyre se Brigam Jangu, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duhej të udhëhiqte Kishën. Teksa studentët arrijnë të kuptojnë parimet e shoqëruara me vijueshmërinë në Presidencën e Kishës, ata do të kenë vetëbesim se Zoti e ka zgjedhur dhe përgatitur secilin individ që bëhet President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Lexim Konteksti

  • “Succession in the Presidency”, kapitulli 3 te Teachings of the Living Prophets Student Manual (Church Educational System manual, 2010), f. 28–41.

  • “The Twelve to Bear Off the Kingdom”, kapitulli 23 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 286–296.

  • Brent L. Top dhe Lawrence R. Flake, “‘The Kingdom of God Will Roll On’: Succession in the Presidency”, Ensign, gusht 1996, f. 22–35.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 107:33; 112:30–32

Apostujt mbajnë çelësat e kësaj periudhe ungjillore

Bëni pyetjen vijuese:

  • Si ndryshon procesi i përzgjedhjes së një Presidenti të ri të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga mënyra se si mund të zgjidhen udhëheqësit në organizata të tjera?

Informojini studentët se ky mësim do të shqyrtojë transferimin e udhëheqjes së Kishës pas vdekjes së Profetit Jozef Smith. Shpjegoni se, disa vite përpara vdekjes së tij, Profeti kishte marrë zbulesa lidhur me Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 107:33 dhe 112:30–32 duke kërkuar përshkrimin e Zotit për autoritetin e priftërisë të mbajtur nga anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

  • Si e përshkroi Zoti autoritetin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë parimin vijues: Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mbajnë çelësat e priftërisë të kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore dhe Të Dymbëdhjetët funksionojnë nën drejtimin e Presidencës së Parë.)

Pamja
fletushkë, Vijueshmëria në Presidencë

Shpërndajini secilit student një kopje të fletushkës që gjendet në fund të mësimit. Shpjegoni se Jozef Smithi i harxhoi muajt e fundit të jetës së tij duke u mbledhur shpesh me anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për t’i përgatitur ata që ta udhëhiqnin Kishën. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Mbledhja me Dymbëdhjetë Apostujt, mars 1844”. Thuajuni studentëve se ky është një rrëfim i shkurtër i një mbledhjeje të mbajtur nga Profeti Jozef Smith me Apostujt dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, siç u tregua nga Presidenti Uillford Udraf, i cili ishte një Apostull në atë kohë. Pas leximit, pyetni:

  • Si ndihmoi kjo dhënie e çelësave mbi anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve që t’i përgatiste ata për kohën kur Profeti Jozef Smith nuk do të ishte më me ta? (Ata morën të njëjtët çelësa të priftërisë që u mbajtën nga Profeti Jozef.)

  • Përse ishte e rëndësishme për Jozef Smithin që t’ua jepte këto çelësa të priftërisë Apostujve përpara vdekjes së tij? (Në atë kohë, Jozef Smithi ishte i vetmi që i mbante të gjithë çelësat e priftërisë së kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore. Nëse ai nuk do t’ua kishte dhënë këto çelësa të tjerëve, atëherë engjëjve do t’iu ishte dashur të vinin sërish në tokë për t’i rivendosur ato.)

Doktrina e Besëlidhje 124:127–128

Brigam Jangu e pasoi Jozef Smithin si President i Kishës

Shpjegoni se, kur Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u organizua fillimisht në vitin 1835, rendi i vjetërsisë u përcaktua me anë të moshës. Tomas B. Marshi, i cili besohej në atë kohë të ishte Apostulli më i moshuar, u konsiderua si Apostulli më me vjetërsi në detyrë (që atëherë është mësuar se Dejvid W. Pateni ishte në të vërtetë Apostulli më i moshuar).

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:127–128. Shpjegoni se, në tetor të vitit 1838, Presidenti Marsh e braktisi Kishën dhe u largua prej saj dhe Dejvid W. Pateni vdiq. Brigam Jangu atëherë u bë Apostulli më i vjetër në detyrë, sikurse u shpjegua në këto vargje. Pas përzgjedhjes fillestare të Apostujve dhe duke vazhduar deri në të tashmen, vjetërsia në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve është përcaktuar nga data e shugurimit.

Shpjegoni se, kur Jozef e Hajrëm Smithi u martirizuan më 27 qershor 1844, Të Dymbëdhjetët, përveç Xhon Tejlorit dhe Uillard Riçardsit, ishin në Shtetet e Bashkuara lindore duke shërbyer misione. Brenda tri javësh, megjithatë, të gjithë Apostujt e kishin mësuar lajmin tragjik dhe me nxitim u kthyen për në Navu. Kur Apostujt mbërritën, ata gjetën pështjellim mes anëtarëve të Kishës se kush do ta udhëhiqte Kishën. Disa anëtarë të Kishës besonin se udhëheqja i ra me të drejtë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjatë muajve të ardhshëm, disa burra shpallën pretendime se ata kishin të drejtën ta udhëhiqnin Kishën. Kërkojuni dy studentëve të lexojnë me zë të lartë pjesët në fletushkë të titulluara “Pretendimi i Sidni Rigdonit” dhe “Pretendimi i Xhejms Strengut”. Teksa klasa dëgjon, ftojini ata të mendojnë për shqetësimet që mund të kishin pasur rreth këtyre pretendimeve nëse ata do të kishin qenë në Navu në atë kohë.

Ndiqeni ecurinë duke i pyetur studentët:

  • Përse nuk ishin pretendimet e bëra nga këta njerëz të ligjshme? (Mund t’ju nevojitet të vini në dukje se, edhe pse Sidni Rigdoni ishte një anëtar i Presidencës së Parë, Jozefi nuk ia kishte dhënë atij çelësat e priftërisë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “7 gusht 1844”. Diskutoni me klasën pyetjen vijuese:

  • Përse ishte e rëndësishme dëshmia e Brigam Jangut për çelësat e apostullimit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë doktrinën vijuese: Apostujt i mbajnë të gjitha çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar mbi Kishën.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “8 gusht 1844, ora 10:00 e mëngjesit”.

  • Si i bekoi Zoti shenjtorët që të dinin se cilin kishte caktuar Ai për ta udhëhequr Kishën?

  • Si mund ta dimë se udhëheqësit e Kishës sot thirren nga Perëndia? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën, janë thirrur nga Perëndia.)

  • Kur e keni ndier Shpirtin t’ju dëshmojë juve se Presidenti i Kishës sot thirret nga Perëndia?

Shpjegoni se gjatë mbledhjes së mbajtur në orën 14:00 më 8 gusht, folën Brigam Jangu dhe Apostuj të tjerë. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “8 gusht 1844, ora 14:00”.

Shpjegoni se, kur Jozef Smithi vdiq, Brigam Jangu, si Apostulli më i vjetër, menjëherë ishte në gjendje t’i ushtronte të gjithë çelësat e priftërisë. Për më shumë se tre vjet pas martirizimit të Profetit, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kryesoi mbi Kishën, nën drejtimin e Brigam Jangut. Më pas, më 5 dhjetor 1847, Brigam Jangu u mbështet si Presidenti i Kishës dhe Presidenca e Parë u riorganizua.

Sidni Rigdoni u vendos në Pitsburg të Pensilvanisë dhe organizoi një Kishë të Krishtit me apostuj, profetë, priftërinj e mbretër. Kjo kishë u shkatërrua në vitin 1847. Dhe, edhe pse pretendimet e Xhejms Strengut për presidencën ishin të rreme, tre nga Dymbëdhjetë Apostujt e mëparshëm – Uilliam E. Mek-Lelini, Xhon E. Pejxhi dhe Uilliam Smithi – e mbështetën atë. Strengu u vra në vitin 1856 nga pasuesit e pakënaqur.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë procesin e vijueshmërisë në Presidencën e Kishës sot, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth asaj që ndodhi pas vdekjes së Presidentit Gordon B. Hinkli. Kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Nuk kishte pyetje për atë që do të duhej të bëhej, as mëdyshje. E dinim se Apostulli më i vjetër në detyrë ishte Presidenti i Kishës. Dhe në atë mbledhje të shenjtë, Tomas Spenser Monsoni u mbështet nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve si Presidenti i Kishës. … Tani, siç e jep shkrimi i shenjtë, ai është i vetmi burrë në tokë që ka të drejtën të ushtrojë të gjithë ata çelësa. Por ne i mbajmë të gjithë ata si Apostuj. Ka një burrë midis nesh të thirrur e të shuguruar dhe ai bëhet President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Të Dymbëdhjetët”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 83).

  • Pas vdekjes së Presidentit të Kishës, kush do të bëhet gjithmonë Presidenti pasues i Kishës? (Apostulli më i vjetër në detyrë, i cili është Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.)

Disa studentë mund të pyesin veten se kur i merr Presidenti i Kishës çelësat e nevojshëm për ta kryesuar Kishën. Shpjegoni se çdo Apostulli i jepen të gjitha çelësat kur ai fillimisht shugurohet si Apostull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Por autoriteti për t’i ushtruar ato çelësa kufizohet te Presidenti i Kishës. Me vdekjen e tij, ai autoritet bëhet veprues në Apostullin më të vjetër në detyrë, i cili më pas emërohet, veçohet dhe shugurohet një profet dhe President nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve” (“Come and Partake”, Ensign, maj 1986, f. 47).

  • Çfarë ndjenjash keni kur e kuptoni se mbretëria e Zotit mbi tokë do të lëvizë përpara me pak ndërprerje pas vdekjes së një Presidenti të Kishës?

Ju mund të doni ta mbyllni këtë mësim duke dëshmuar se të njëjtat çelësa dhe fuqi të priftërisë, që Jozef Smithi ua dha Brigam Jangut dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mbahen sot nga Presidenti i Kishës, Këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju gjithashtu mund të tregoni se si ju e fituat dëshminë tuaj që udhëheqësit e Kishës thirren nga Perëndia. Ftojini studentët të kërkojnë me lutje që të fitojnë ose të forcojnë dëshmitë e tyre për të vërtetat që i kanë diskutuar sot.

Materiale Leximi për Studentin

  • Doktrina e Besëlidhje 107:33; 112:30–32; 124:127–128.

  • Bojd K. Paker, “Të Dymbëdhjetët”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 83–87.

  • “The Twelve to Bear Off the Kingdom”, kapitulli 23 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 286–296.

Vijueshmëria në Presidencën e Kishës

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 23

Mbledhja me Dymbëdhjetë Apostujt, mars 1844

Presidenti Uillford Udraf (1807–1898) tregoi:

Pamja
Presidenti Uillford Udraf

“Më kujtohet fjalimi i fundit fare që na mbajti [Jozef Smithi] përpara vdekjes së tij. … Ai qëndroi në këmbë për rreth tre orë. Dhoma ishte e mbushur si me një zjarr që konsumon, fytyra e tij qe e kthjellët si qelibar dhe ai qe veshur me fuqinë e Perëndisë. Ai na shpjegoi detyrën tonë. Ai na shpjegoi plotësinë e kësaj pune të madhe të Perëndisë; dhe në vërejtjet e tij për ne ai tha: ‘Unë kam pasur të vulosur mbi kokën time çdo çelës, çdo fuqi, çdo parim të jetës dhe shpëtimit që Perëndia i ka dhënë ndonjëherë ndonjë njeriu që ka jetuar ndonjëherë në faqen e tokës. Dhe këto parime dhe kjo Priftëri e fuqi i përkasin kësaj periudhe të shkëlqyer e të fundit ungjillore, të cilën Perëndia i Qiellit ka zgjatur dorën e Tij që ta vendosë në tokë. Tani’, tha ai, duke iu drejtuar Të Dymbëdhjetëve, ‘unë kam vulosur mbi kokën tuaj çdo çelës, çdo fuqi dhe çdo parim që Zoti ka vulosur mbi kokën time.’ …

Pasi na u drejtua në këtë mënyrë ai tha: ‘Po ju them, barra e kësaj mbretërie tani qëndron mbi supet tuaja; juve ju duhet ta mbani atë në të gjithë botën’” (cituar në Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 567).

Pretendimi i Sidni Rigdonit

Sidni Rigdoni, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, mbërriti në Navu nga Pitsburgu i Pensilvanisë, më 3 gusht 1844. Ai thirri një mbledhje të veçantë që të mbahej të martën më 6 gusht, me qëllim që anëtarët e Kishës të mund të zgjidhnin një kujdestar për Kishën. U duk sikur Sidni Rigdoni u përpoq ta mbante këtë mbledhje që anëtarët e Kishës të mund ta miratonin pozitën e tij si kujdestar i Kishës përpara se të Dymbëdhjetë Apostujt, që të gjithë, të ktheheshin nga misionet e tyre në Shtetet e Bashkuara lindore. Për fat të mirë, për shkak të përpjekjeve të Plakut Uillard Riçards dhe Plakut Parli P. Prat, mbledhja u shty për të enjten, më 8 gusht 1844, dhe deri në atë kohë shumica e Apostujve ishin kthyer në Navu.

Sidni Rigdoni shpalli se, ngaqë ai ishte thirrur dhe shuguruar më parë si një zëdhënës për Jozef Smithin (shih DeB 100:9), ishte përgjegjësia e tij që të “kujdesej që kisha po qeveriset në një mënyrë të duhur” (në History of the Church, 7:229).

Pretendimi i Xhejms Strengut

Pas vdekjes së Jozef Smithit, Xhejms Strengu, i cili ishte pagëzuar në shkurt të vitit 1844, shpalli se kishte marrë një letër nga Jozef Smithi, që thoshte se Jozefi e kishte caktuar Strengun si pasuesin e tij. Letra ishte një falsifikim, por dukej se përfshinte nënshkrimin e Jozef Smithit dhe ajo i mashtroi disa anëtarë të Kishës kur Strengu ua tregoi atyre. Strengu gjithashtu tha se ai ishte vizituar nga një engjëll, i cili i kishte dhënë atij çelësa.

7 gusht 1844

Pleqtë Xhon Tejlor, Uillard Riçards, Parli P. Prat dhe Xhorxh A. Smith ishin tashmë në Navu kur Sidni Rigdoni mbërriti. Shumica e pjesës së mbetur të Apostujve, duke përfshirë Brigam Jangun, u kthyen në Navu mbrëmjen e 6 gushtit 1844. Të nesërmen, më 7 gusht, Apostujt u mblodhën në këshill në shtëpinë e Xhon Tejlorit. Më vonë atë mbrëmje, Dymbëdhjetë Apostujt, këshilli i lartë dhe priftërinjtë e lartë u mblodhën së bashku. Presidenti Jang i kërkoi Sidni Rigdonit që t’ua thoshte mesazhin e tij shenjtorëve. Sidni Rigdoni haptazi shpalli se ai kishte parë një vegim dhe se askush nuk mund ta pasonte Jozef Smithin si President të Kishës. Ai më pas propozoi që ai të caktohej si kujdestari i njerëzve.

Pasi Sidni Rigdoni i përfundoi vërejtjet e tij, Brigam Jangu (1801–1877) tha:

Pamja
Presidenti Brigam Jang

“Unë nuk shqetësohem se kush e udhëheq kishën, … por një gjë duhet ta di dhe ajo është çfarë Perëndia thotë rreth saj. Unë i kam çelësat dhe mjetet për ta fituar mendjen e Perëndisë për çështjen. …

Jozefi dhuroi mbi kokat tona gjithë çelësat dhe fuqitë që i përkasin Apostullimit, të cilat i mbante ai vetë përpara se të merrej dhe asnjë njeri apo grup njerëzish nuk mund të hyjnë midis Jozefit dhe Të Dymbëdhjetëve në këtë botë apo në botën që do të vijë.

Sa shpesh u ka thënë Jozefi Të Dymbëdhjetëve: ‘Unë kam hedhur themelin dhe ju duhet të ndërtoni mbi të, sepse mbi shpatullat tuaja qëndron mbretëria’” (në History of the Church, 7:230).

8 gusht 1844, ora 10:00 e mëngjesit

Më 8 gusht 1844, shenjtorët në Navu u mblodhën në orën 10:00 për ta dëgjuar Sidni Rigdonin të bënte shpalljet e tij si kujdestar i Kishës. Ai u foli mijëra shenjtorëve të mbledhur për një orë e gjysmë, duke shpjeguar përse ai duhej të ishte kujdestari i Kishës. Disa njerëz e përshkruan fjalimin e tij si jofrymëzues.

Presidenti Brigam Jang foli shkurtimisht dhe tha se ai do të kishte parapëlqyer të kthehej në Navu për të vajtuar për Profetin, sesa për të caktuar një udhëheqës të ri. Ai shpalli se një kuvend i udhëheqësve dhe anëtarëve do të mbahej më vonë atë ditë në orën 14:00. Disa anëtarë të Kishës më vonë dëshmuan se, kur Brigam Jangu foli, ata e panë pamjen e tij të ndryshonte dhe e dëgjuan zërin e tij të ndryshonte, dhe ai mori mbi vete pamjen dhe zërin e Profetit Jozef Smith.

Emili Smith Hojti kujtoi: “Mënyra e arsyetimit, shprehja e fytyrës, tingëllimi i zërit ma emocionuan tërë shpirtin tim. … E dija se Jozefi ishte i vdekur. Dhe prapëseprapë, unë shpesh u befasova dhe pa dashje hodha vështrimin te podiumi që të shihja nëse nuk ishte Jozefi. Nuk ishte, ishte Brigam Jangu” (cituar te Lynne Watkins Jorgensen, “The Mantle of the Prophet Joseph Passes to Brother Brigham: A Collective Spiritual Witness”, BYU Studies, vëll. 36, nr. 4 [1996–1997], f. 142).

Uillford Udrafi shkroi: “Nëse nuk do ta kisha parë me vetë sytë e mi, nuk do të mund të më kishte bindur askush se nuk ishte Jozef Smithi dhe cilido që i njihte këta dy burra, mund të dëshmojë për këtë” (në History of the Church, 7:236).

8 gusht 1844, ora 14:00

Në orën 14:00, mijëra shenjtorë u mblodhën për atë që e dinin se do të ishte një mbledhje e rëndësishme. Brigam Jangu foli haptazi rreth kujdestarisë së propozuar nga Sidni Rigdoni dhe ftohjes së tij kundrejt Jozef Smithit gjatë dy viteve të mëparshme dhe më pas tha:

“Nëse njerëzit duan që Presidenti Rigdon t’i udhëheqë, ata mund ta kenë atë; por unë ju them se Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve i ka çelësat e mbretërisë së Perëndisë në të gjithë botën.

Të Dymbëdhjetët caktohen nga gishti i Perëndisë. Ja ku është Brigami, a janë lëkundur ndonjëherë gjunjët e tij? A janë dridhur ndonjëherë buzët e tij? Ja ku është Hibër [C. Kimballi] dhe pjesa tjetër e Të Dymbëdhjetëve, një trup i pavarur që i kanë çelësat e priftërisë – çelësat e mbretërisë së Perëndisë për t’ia dorëzuar të gjithë botës; kjo është e vërtetë, prandaj Perëndia më ndihmoftë. Ata qëndrojnë pranë Jozefit dhe janë si Presidenca e Parë e Kishës” (në History of the Church, 7:233).

Shumë shenjtorë vërejtën se Brigam Jangu u duk dhe u foli si Jozef Smithi, teksa foli atë pasdite. Përveç kësaj mrekullie, shumë shenjtorë gjithashtu e ndien Frymën e Shenjtë t’iu dëshmonte atyre se Brigam Jangu dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve u thirrën nga Perëndia për ta drejtuar Kishën. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, shenjtorët në Navu votuan njëzëri për ta mbështetur Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, me Brigam Jangun si drejtuesin e tyre, për ta udhëhequr Kishën. Megjithatë, jo të gjithë anëtarët e Kishës më së fundi zgjodhën t’i ndiqnin Apostujt. Disa nga njerëzit zgjodhën të ndiqnin në vend të tyre, individë të tillë si Sidni Rigdoni dhe Xhejms Strengu, të cilët formuan kishat e tyre.