Biblioteka
Mësimi 27: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit


27

Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Shpëtimtari një ditë do të kthehet në tokë me fuqi dhe lavdi të madhe. Në përgatitjen për atë ditë të madhërishme, shenjtorëve u mësohet të studiojnë shenjat e ardhjes së Tij dhe të përgatiten për këtë duke qëndruar në vende të shenjta dhe duke e marrë “Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre” (DeB 45:57). Zoti ka shpallur se Kisha dhe anëtarët e saj kanë përgjegjësi për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Lexim Konteksti

  • Nil L. Andersen, “Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 49–52.

  • Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 7–10.

  • “Preparing for the Second Coming of Christ,” kapitulli 44 te Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 389–397.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 45:15–46, 56–57

Shenjat që do ta paraprijnë Ardhjen e Dytë

Bëjuni studentëve pyetjen vijuese:

  • Si mund ta dalloni se kur është gati për të rënë shi?

Shpjegoni se, ashtu siç ka tregues që na ndihmojnë të dimë se kur do të bjerë shi, ka edhe tregues ose shenja, që na ndihmojnë të dimë se kur do të ndodhë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Tregojuni studentëve se, siç shënohet te Mateu 24, Shpëtimtari u takua me dishepujt e Tij në Malin e Ullinjve pak kohë para vdekjes së Tij dhe përshkroi shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë. Ai ia përsëriti disa nga këto mësime Jozef Smithit në kohën tonë, siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 45. Theksojuni studentëve se përgatitja për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit është një temë e rëndësishme përgjatë gjithë Doktrinës e Besëlidhjeve. Ftojini studentët të harxhojnë kohë teksa studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet, që të shënojnë mësime rreth Ardhjes së Dytë dhe të përsiatin mënyrën se si mund të përgatiten ata për të.

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 45:15–17, duke kërkuar atë që dishepujt e Shpëtimtarit i kërkuan Atij dhe se si u përgjigj Ai.

  • Çfarë kërkuan dishepujt nga Jezusi?

  • Cila ishte përgjigjja e Tij?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë shenjat që do ta paraprinin Ardhjen e Dytë, shkruani referencat vijuese në tabelë:

DeB 45:25–27

DeB 45:28–31, 33

DeB 45:40–43

Ndajini studentët në dyshe dhe i caktoni secilës dyshe një nga fragmentet e shkruara në tabelë. Kërkojuni atyre t’i lexojnë vargjet së bashku, duke kërkuar shenjat e përmendura në ato vargje. Vini në dukje se disa nga shenjat janë plotësuar tashmë ose janë në procesin e plotësimit. Ju mund të doni të jepni informacionin vijues në lidhje me vargun 30: “Epoka në të cilën johebrenjtë kanë përparësi në marrjen e ungjillit, quhet kohët e johebrenjve. Në të, njerëzit që nuk janë judenj, … kanë mundësinë ta pranojnë ungjillin dhe të fitojnë shpëtim përpara se ajo e drejtë duhet t’u jepet, në ndonjë shkallë të konsiderueshme, të paktën, judenjve” (Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 721–722).

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni dysheve t’ia raportojnë klasës gjetjet e tyre. Ju mund të sugjeroni që studentët t’i vënë në dukje shenjat në shkrimet e tyre të shenjta.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:34, ndërkohë që klasa e ndjek. Më pas pyetni:

  • Kur lexoni ose dëgjoni rreth ngjarjeve ose shenjave që do ta paraprijnë Ardhjen e Dytë, a shqetësoheni ndonjëherë? Përse po ose përse jo?

  • Në çfarë mënyrash të mësuarit rreth shenjave të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit na ndihmon ta mposhtim frikën dhe ankthin në jetën tonë?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 45:35–38 që të mësojnë përse Shpëtimtari i zbuloi shenjat që do ta paraprijnë Ardhjen e Tij të Dytë.

  • Përse është e rëndësishme të dallojmë se kur po përmbushen shenjat e ardhjes së Shpëtimtarit?

Vërini studentët të kërkojnë mënyra për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë të Krishtit teksa lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 45:32, 39, 56–57. Më pas diskutoni sa vijon:

  • Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si të përgatiteni për Ardhjen e Dytë? (Teksa studentët japin idetë e tyre, theksoni parimin vijues: Qëndrimi në vende të shenjta dhe marrja e Shpirtit të Shenjtë si udhëzuesin tonë, janë thelbësore kur ne përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

  • Çfarë duhet të bëjmë me qëllim që ta kemi Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin tonë?

  • Si mendoni se një pasues i Jezu Krishtit mund të “qëndroj[ë] në vende të shenjta”? (Vendet e shenjta përfshijnë tempujt, ndërtesat kishtare dhe shtëpitë. Një shtëpi mund të bëhet e shenjtë nëpërmjet lutjes së vazhdueshme personale dhe familjare, studimit të shkrimeve të shenjta, shërbimit dhe mbrëmjes familjare të shtëpisë. Qëndrimi në vende të shenjta shpesh ka të bëjë edhe me mënyrën se si jetojmë. Nëse jetojmë të denjë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, atëherë ne qëndrojmë në një vend të shenjtë. Merrni parasysh të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë disa nga këto ide në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta te Doktrina e Besëlidhje 45:32.

  • Si keni qenë në gjendje të qëndroni në vende të shenjta pavarësisht nga të jetuarit në një botë të ligë?

  • Cilat janë disa nga arsyet pse po e prisni me dëshirë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit? Përse jeni mirënjohës që Shpëtimtari do të vijë përsëri?

Doktrina e Besëlidhje 29:7–9; 34:5–7; 39:19–23

Përgatitja e botës për Ardhjen e Dytë

Kujtojini studentët se titulli i këtij kursi është Themelet e Rivendosjes. Pyetini studentët:

  • Çfarë lidhjeje ose marrëdhënieje shihni midis Rivendosjes së ungjillit dhe Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit?

Shkruani referencat vijuese në tabelë. Vërini studentët t’i studiojnë ato duke kërkuar një temë të përbashkët:

Doktrina e Besëlidhje 29:7–9

Doktrina e Besëlidhje 34:5–7

Doktrina e Besëlidhje 39:19–23

Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të kthehen drejt personit të ulur pranë tyre dhe të diskutojnë atë që këto fragmente të shkrimeve të shenjta kanë të përbashkët. Pyetini disa studentë se si do ta përmblidhnin mesazhin në këto shkrime të shenjta. (Teksa studentët japin idetë e tyre, ndihmojini ata të përcaktojnë e kuptojnë këtë parim: Kur ua predikojmë ungjillin të tjerëve, ne po ndihmojmë ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

Kërkojuni studentëve të kthehen te seksioni 29, 34 dhe 39 në Doktrinën e Besëlidhjet dhe të vërejnë datat kur u dhanë zbulesat. Pyetni:

  • Sa shpejt pasi u organizua Kisha filloi Zoti ta jepte mësim këtë parim të sapopërcaktuar?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Që nga ditët e hershme të Rivendosjes, Vëllezërit kanë qenë shumë seriozë rreth detyrimit të tyre për ta shpallur ungjillin. Në vitin 1837, vetëm shtatë vjet pas organizimit të Kishës, në një periudhë varfërie e përndjekjeje, misionarët u dërguan ta jepnin mësim ungjillin në Angli. Brenda pak viteve në vijim, misionarët ishin duke predikuar në vende kaq të ndryshme si Austri, Polinezinë Franceze, Indi, Barbados, Kili dhe Kinë.

Zoti e ka bekuar këtë punë dhe Kisha po themelohet nëpër botë. … Dielli nuk perëndon kurrë për misionarët e drejtë që dëshmojnë për Shpëtimtarin. Mendoni për fuqinë shpirtërore të 52.000 misionarëve, të pajisur me Shpirtin e Zotit, që shpallin me guxim se nuk ka ‘asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë … vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit’ [Mosia 3:17]. … Bota, në masë të madhe, po përgatitet për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit për shkak të punës së Zotit nëpërmjet misionarëve të Tij” (“Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 51).

Diskutoni sa vijon:

  • Si i ndihmon njerëzit mesazhi që jepet mësim nga misionarët e Kishës për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?

  • Përse ishte Rivendosja e ungjillit e domosdoshme përpara se Shpëtimtari të mund të vinte sërish në tokë?

Paraqitni thëniet vijuese nga Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918) dhe kërkojini një studenti t’i lexojë me zë të lartë:

Pamja
Presidenti Jozef F. Smith

“Ungjilli i mëson njerëzit të jenë të përulur, besnikë, të ndershëm dhe të drejtë përpara Zotit e me njëri-tjetrin dhe në përpjesëtim me sa zbatohen parimet e tij, po ashtu paqe e drejtësi do të përhapen dhe do të vendosen mbi tokë, dhe mëkati, grindja, gjakderdhja e korruptimi i të gjitha llojeve do të ndalojnë së ekzistuari, dhe toka do të bëhet e pastruar dhe do të bëhet një banesë e përshtatshme për qenie qiellore; dhe për Zotin, Perëndinë tonë, që të vijë e të banojë në të, gjë të cilën Ai do ta bëjë gjatë Mijëvjeçarit” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 394–395).

“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … e sheh si pjesë të misionit të saj për ta përgatitur udhën për ardhjen e mirëfilltë dhe të lavdishme të Birit të Perëndisë në tokë, për të mbretëruar mbi të dhe për të banuar me popullin e Tij” (Teachings: Joseph F. Smith, f. 395).

Pyetni sa vijon:

  • Gjatë zhvillimit të këtij mësimi, çfarë mendimesh ose mbresash shpirtërore keni pasur rreth përgjegjësisë së Kishës dhe të anëtarëve të saj për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë?

  • Si mendoni se të ndihmuarit e të tjerëve që të përgatiten për Ardhjen e Dytë, do t’ju ndihmojë po ashtu edhe ju të përgatiteni?

Për ta mbyllur mësimin, ftojini disa studentë të tregojnë çfarë kanë bërë për ta shpërndarë mesazhin e Rivendosjes me ata njerëz që nuk janë të besimit tonë.

Materiale Leximi për Studentin