Mbështetjate Vetja
Mësoni


“10: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020)

“10: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale

Mësoni – Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Të Kuptuarit e Përparimit Tonë

Lexoni:

Me forcën e Zotit dhe nëpërmjet hirit të Tij, ne mund të bekohemi për t’i bërë, duruar dhe kapërcyer të gjitha gjërat. Gjatë disa javëve të fundit, ne kemi gjetur forcë te Zoti dhe kemi mësuar shumë zotësi për ta përmirësuar ripërtëritjen tonë emocionale.

Diskutoni:

Me grupin, jepni disa mendime që i shkruat te veprimtaria më lart. Çfarë shkoi mirë?

Me çfarë sfidash u përballët gjatë përpjekjeve tuaja për të ndryshuar dhe si përparuat gjatë atyre sfidave?

2. Të Mësuarit nga Pengesat Tona

Lexoni:

Pengesat janë pjesë normale e jetës dhe një pjesë e pritshme e çfarëdo përpjekjeje për ndryshim. Pengesat tuaja mund t’ju mësojnë mënyra se si ta vazhdoni përparimin tuaj. Kur përballeni me pengesa, është e dobishme që të përqendroheni te përmirësimi dhe jo përsosja. Plaku Kim B. Klark dha mësim: “Askush prej nesh nuk është i përsosur. Nganjëherë ngelemi në vend. Shpërqendrohemi ose shkurajohemi. Pengohemi. Por nëse shohim te Jezu Krishti me një zemër të penduar, Ai do të na ngrejë moralisht, do të na pastrojë nga mëkati, do të na falë dhe do ta shërojë zemrën tonë. Ai është i duruar dhe plot mirësi; dashuria e Tij shëlbuese nuk mbaron kurrë dhe nuk dështon kurrë” (“Shihni te Jezu Krishti”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 56).

Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmeve 34:19).

Duke u drejtuar te Shpëtimtari kur përjetoni pengesa, ju mund të zhvilloni një perspektivë përparimi në vend të një perspektive përsosjeje. Një mënyrë për t’u përballur me pengesat është t’i krahasoni ato me bërjen e një udhëtimi. Për shembull, përfytyroni sikur po udhëtoni drejt një qyteti të afërt. Gjatë udhës, ju shfryhet një gomë e makinës. A e nisni udhëtimin tuaj që nga fillimi për ta rregulluar gomën? Jo. Ju gjeni një mënyrë për ta rregulluar atë aty ku jeni dhe të vazhdoni rrugëtimin. Në mënyrë të ngjashme, kur përjetoni një pengesë, ju mund të ndiheni sikur i gjithë përparimi juaj është fshirë dhe ju duhet t’ia nisni nga fillimi, mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Ju mund të gjeni mënyra për ta rregulluar problemin aty ku jeni dhe të vazhdoni përpara. Për më tepër, pengesat mund t’ju tregojnë madje aspektet se ku mund të keni nevojë për përmirësim.

Diskutoni:

Çfarë keni mësuar nga vetë pengesat tuaja?

3. Përballimi i Mirë i Sfidave Tona

Lexoni:

Në vdekshmëri ne duhet të mësojmë të jetojmë me sfidat dhe vuajtjet. Mund të dëshirojmë fort që të jemi të lirë nga sfidat emocionale dhe të përpiqemi fort për përsosjen, mirëpo edhe me përpjekjet tona më të mira, simptomat e sfidave emocionale mbeten. Por nuk kemi përse të dorëzohemi. Ne duhet të mësojmë të jetojmë me këto sfida teksa ecim përpara me besim. Bërja e kësaj do të na ndihmojë të ndiejmë paqe dhe të jemi më të përtëritur.

Plaku Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Ka një koncept të rëndësishëm këtu: durimi nuk është dorëheqje pasive as nuk është të mos veprosh për shkak të druajtjeve tona. Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrës sonë vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 57).

Shikoni:

Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [03:31].

Diskutoni:

Çfarë këshille mund të vini në zbatim në jetën tuaj nga ky material filmik?

4. Vendosja e Synimeve Vetjake për Ndryshim

Lexoni:

Gjatë këtij kursi mësuat zotësi që ju ndihmojnë të bëni ndryshime në jetën tuaj. Ju i keni vendosur këto zotësi, keni punuar me to dhe keni raportuar synime për t’i ushtruar ato. Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Vendosni synime afatshkurtra të cilat mund t’i arrini. Vendosni synime që janë të baraspeshuara mirë – jo më shumë se ç’duhet, as më pak se ç’duhet dhe jo tepër të larta, por as edhe tepër të ulëta. Shkruajini synimet tuaja të arritshme dhe punoni për to sipas rëndësisë së tyre. Lutuni për udhërrëfim hyjnor kur t’i vendosni synimet tuaja” (“Keeping Life’s Demands in Balance”, Ensign, maj 1987, f. 14).

Presidenti Hibër J. Grant shpesh ka thënë: “Ajo që këmbëngulim të bëjmë bëhet më e lehtë për t’u bërë; jo se natyra e asaj gjëje ka ndryshuar, por se fuqia jonë për ta bërë atë është rritur” (autori dhe burimi nuk dihen).

Lexoni:

“Detyra jonë në jetë nuk është që t’ua kalojmë të tjerëve, por që të kalojmë vetveten. Të thyejmë rekordin tonë vetjak, të arrijmë sot më shumë se dje, të përballojmë sprovat tona më bukur nga ç’mund ta ëndërronim, të japim siç nuk kemi dhënë kurrë më parë, ta bëjmë punën tonë më me fuqi dhe të arrijmë një rezultat përfundimtar më të mirë se kurrë më parë – ky është qëllimi i vërtetë” (Thomas S. Monson, “The Lighthouse of the Lord: A Message to the Youth of the Church”, Ensign, shkurt 2001, f. 5).

Diskutoni:

Si është vendosja e synimeve një pjesë e planit të Perëndisë për ne?

5. Kërkimi i Ndihmës nëpërmjet Shpëtimtarit

Lexoni:

Vëllai Ted R. Kalister dha mësim sa vijon rreth Zotit:

“Shlyerja e Shpëtimtarit na jep jetë në vend të vdekjes, ‘diademë në vend të hirit’, shërim në vend të lëndimit dhe përsosuri në vend të dobësisë. Është kundërhelmi i qiellit ndaj pengesave dhe vështirësive të kësaj bote.

Në javën e fundit të Shpëtimtarit në vdekshmëri, Ai tha: ‘Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën’ [Gjoni 16:33]. Për shkak se Shpëtimtari e kreu Shlyerjen e Tij, nuk ka forcë të jashtme ose ngjarje apo person – nuk ka mëkat ose vdekje apo shkurorëzim – që mund të na pengojë ta arrijmë ekzaltimin, me kusht që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Me këtë njohuri, ne mund të shkojmë përpara duke marrë zemër dhe me sigurinë absolute se Perëndia është me ne në këtë synim qiellor” (“Shlyerja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 87).

Zoti dëshiron që të na ngushëllojë dhe të na përkrahë. Ai ka premtuar: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (Doktrina e Besëlidhje 112:10). Sa vijon janë disa mënyra se si ju mund të kërkoni ndihmë hyjnore:

  • Faleni veten dhe të tjerët.

  • Lutuni me besim, përulësi dhe mirënjohje.

  • Ushqehuni me bollëk me shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të gjallë.

  • Frekuentoni tempullin.

  • Kujtoni ditën e Shabatit, dhe mbajeni të shenjtë atë.

  • Merreni sakramentin dhe kujtojeni gjithmonë Shpëtimtarin.

  • Kuptoni se pasja dhe bërja e pyetjeve janë pjesë të rëndësishme për marrjen e zbulesës.

  • Kujtoni se Shpëtimtari dëshiron që t’ju ndihmojë me synimet tuaja.

Diskutoni:

Si keni gjetur forcë te Zoti gjatë këtij kursi?

6. Kërkimi i Ndihmës së të Tjerëve

Lexoni:

Perëndia nuk dëshiron që ne të ecim të vetëm përmes sprovave tona. Ai shpesh i plotëson nevojat tona nëpërmjet një personi tjetër. Perëndia ka vënë dhe do të vërë njerëz në jetën tonë për të na ndihmuar dhe përkrahur gjatë sprovave tona. Vendet ku mund të drejtohemi për ndihmë përfshijnë:

  • Familjen dhe miqtë e besuar.

  • Udhëheqësit e Kishës dhe motrat e vëllezërit shërbestarë.

  • Burimet e komunitetit.

  • Ndihmën profesionale.

Diskutoni:

Si ju kanë ndihmuar të tjerët gjatë këtij kursi?

Kërkimi i Ndihmës Profesionale

Lexoni:

Është e vështirë të dish se kur të kërkosh ndihmë profesionale ose jo. Situatat vijuese janë shenja paralajmëruese që mund të tregojnë një nevojë për ndihmë profesionale.

  • Vuani nga ndjenja të vazhdueshme zemërimi mbytës, trishtimi, frike, dhembjeje emocionale ose të qenit të pashpresë. Pavarësisht nga ajo që bëni, këto ndjenja mbeten dhe shpesh janë ligështuese mendërisht dhe fizikisht.

  • Pavarësisht nga ndjenjat që nganjëherë vijnë dhe ikin, problemet kanë vazhduar për shumë muaj.

  • Ndiheni fizikisht të paaftë dhe sistemi juaj i oreksit dhe i gjumit ndryshon.

  • Keni një ndjenjë të pakontrollueshme shqetësimi dhe ankthi.

  • Bluani në mendje që të lëndoni veten ose të tjerët.

  • Ndikohet aftësia juaj për të funksionuar sipas një sistemi ditë pas dite, duke e kufizuar rendimentin tuaj.

Nëse po përjetoni disa nga këto shenja paralajmëruese dhe jeni të shqetësuar rreth shëndetit tuaj, bisedoni me një profesionist të kujdesit shëndetësor ose me dikë që e mirëbesoni.

Shënim: Informacione shtesë mbi zgjedhjen e një profesionisti të duhur të kujdesit shëndetësor për veten, mund të gjendet te pjesa “Burimet” në fund të këtij kapitulli.

7. Përfundimi

Lexoni:

Përgëzime për përfundimin e këtij kursi! Shumë nga gjërat që kemi diskutuar nuk mund të arrihen brenda 10 javëve. Megjithatë, ju mund të keni zhvilluar disa zakone që mund t’ju ndihmojnë të përparoni në aspektin e një ripërtëritjeje më të madhe emocionale. Rishikojini shpesh kapitujt në këtë fletë pune për t’i mbajtur mend dhe ushtruar këto parime dhe zotësi.

Diskutoni:

Si grup, tregojini vullnetarisht përvojat tuaja nga ky kurs. Merrni parasysh të tregoni zotësitë më të dobishme që keni mësuar, përvojat shpirtërore që keni pasur, mënyrat se si keni ndryshuar ose se si Zoti ju ka bekuar gjatë këtij kursi.

Lexoni:

Pas përfundimit të këtij kursi, disa grupe zgjedhin që të vazhdojnë të takohen së bashku më rrallë. Disave u duket me vlerë të mësuarit vazhdimisht së bashku, përkrahja e njëri‑tjetrit dhe puna për të kapërcyer sfidat. Të tjerë kanë përdorur mesazhe me tekst ose në mediat shoqërore për të ofruar rregullisht nxitje dhe për të shpërndarë artikuj, materiale filmike dhe përmbajtje tjetër frymëzuese.

Diskutoni:

Si grup, diskutoni nëse do t’ju pëlqente të qëndronit në kontakt me njëri-tjetrin. Nëse po, si do të parapëlqenit ta bëni këtë?