Manualet e Fillores
Shtator: Unë do t’i Shërbej Perëndisë me Gjithë Zemrën, Fuqinë, Mendjen dhe Forcën Time


Shtator

Unë do t’i Shërbej Perëndisë me Gjithë Zemrën, Fuqinë, Mendjen dhe Forcën Time

“Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij” (DeB 59:5).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Jezu Krishti na mësoi se si t’u shërbejmë të tjerëve.

Dalloni doktrinën (duke parë figurat): Paraqitni disa figura të Jezu Krishtit duke u shërbyer të tjerëve. Për shembull, përdorni figurat 41, 42, 46, 47 dhe 55 LFAU. Kërkojuni fëmijëve që të përshkruajnë atë që po ndodh në secilën figurë. Vini në dukje se në çdo figurë, Jezusi po u shërben të tjerëve. Shkruani në tabelë: “Jezu Krishti na mësoi se si t’u shërbejmë të tjerëve”.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta dhe duke interpretuar role): Kërkojuni fëmijëve të interpretojnë me radhë një nga nevojat që përshkruhen te Mateu 25:35–36. Për shembull, një fëmijë mund të bëjë sikur është i uritur, i etur, i huaj apo i sëmurë. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të gjejnë ç’nevojë është dhe më pas të interpretojnë mënyrën se si mund t’i shërbejnë dikujt që ka atë nevojë. Lexoni së bashku Mateu 25:35–40 dhe kërkojuni fëmijëve të shikojnë se kujt thotë Jezu Krishti se po i shërbejmë kur u shërbejmë të tjerëve.

Pamja
fëmijë duke interpretuar me gjeste urinë

Nxitni zbatimin: Jepuni fëmijëve një copë letre dhe kërkojuni atyre të rendisin emra ose të bëjnë vizatime të njerëzve të cilëve mund t’u shërbejnë dhe veprat e shërbimit që mund të kryejnë për këta njerëz. Kërkojuni atyre t’ua tregojnë letrat familjeve të tyre në shtëpi.

Java 2: Profetët dhe apostujt na tregojnë si të shërbejmë.

Dalloni doktrinën: Paraqitni figura të Moisiut, Mbretit Beniamin, Jozef Smithit dhe Tomas S. Monsonit. Thuajuni fëmijëve se këta profetë, ashtu sikurse të gjithë profetët dhe apostujt, na tregojnë si t’u shërbejmë të tjerëve.

Nxitni të kuptuarit (duke luajtur lojën e gjetjes): Përgatitni të dhëna rreth mënyrës se si na e tregojnë Moisiu, Mbreti Beniamin, Jozef Smithi dhe Tomas S. Monsoni si të shërbejmë. Për shembull, disa të dhëna rreth Presidentit Monson mund të jenë: “Unë i vizitoja të vejat e lagjes sime rregullisht”, “Kur isha djalë i vogël i dhashë një djali tjetër një nga lodrat e mia të preferuara” dhe “Unë i vizitoj shpesh njerëzit që janë në spitale”. Ju mund të dëshironi të përdorni referencat vijuese për të përgatitur të dhënat. Moisiu: Eksodi 2:16–17; 1 Nefi 17:24–29. Mbreti Beniamin: Mosia 2:12–19. Jozef Smithi: Joseph Smith – Historia 1:62, 67; DeB 135:3. Tomas S. Monson: Ensign, shtator 1994, f. 12–17; dhjetor 1995, f. 2–4; nëntor 2006, f. 56–59.

Zgjidhni katër fëmijë që t’i përfaqësojnë këta profetë dhe ftoni një prej tyre që të lexojë të dhënat që keni përgatitur. Ftojini fëmijët e tjerë që të ngrenë duart kur të mendojnë se e dinë se cili profet është. Pastaj vërini ata të gjejnë figurën e atij profeti. Përsëriteni me profetët e tjerë.

Pamja
fëmijë me veshje teatrale duke përfaqësuar profetët

Veshje të thjeshta teatrale të tilla si mantelet dhe kapelet mund t’i bëjnë dramatizimet më interesante. Dramatizimet i ndihmojnë fëmijët të fitojnë një kuptueshmëri më të madhe për parimet e ungjillit dhe për tregimet nga shkrimet e shenjta.

Nxitni zbatimin (duke dëgjuar konferencën): Ftojini fëmijët ta shikojnë ose ta dëgjojnë konferencën e përgjithshme muajin vijues. Nxitini ata të dëgjojnë histori rreth mënyrës si t’u shërbejmë të tjerëve. Jepuni atyre mundësi për të treguar atë që mësojnë.

Javët 3 dhe 4: Kur u shërbej të tjerëve, i shërbej Perëndisë.

Pamja
një fëmijë duke shkruar në tabelë

Dalloni doktrinën (duke mësuar përmendsh një shkrim të shenjtë): Ndihmojini fëmijët që të mësojnë përmendsh pjesën e fundit të vargut te Mosia 2:17 duke shkruar në tabelë: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”. Ftojini fëmijët ta përsërisin frazën dy apo tri herë. Kërkojini një fëmije të fshijë një ose dy fjalë dhe bëjini fëmijët ta përsërisin frazën përsëri. Përsëriteni derisa të mos mbetet asnjë fjalë në tabelë.

Nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar raste për studim): Gjatë përgatitjes, studioni me lutje bisedën e Presidentit Diter F. Uhtdorf në konferencën e prillit 2010, “Ju Jeni Duart e Mia” (shih Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 68–70, 75). Pyetini fëmijët si i shërbejmë ne Perëndisë kur u shërbejmë atyre që na rrethojnë (ne po bëjmë atë që Ai do të bënte po të ishte këtu). Tregoni një histori ose një përvojë vetjake shërbimi dhe shpjegoni se si i bekoi shërbimi si dhënësin ashtu edhe marrësin. (Ju mund të gjeni histori rreth shërbimit te revistat Friend [Miku] ose Liahona. ) Përgatitni disa raste për studim që tregojnë se si fëmijët mund t’u shërbejnë të tjerëve. Për shembull: “Eni u pengua dhe u rrëzua rrugës për në shkollë dhe librat e fletët e saj u shpërndanë në tokë. Dejvidi u ndal për ta ndihmuar atë të ngrihej dhe mblodhi librat e saj.” “Fqinja e Merit po mundohej duke mbajtur ushqimet deri në shtëpi ndërkohë që foshnja e saj po qante. Meri e ndihmoi atë që të mbante ushqimet.” Kërkojuni fëmijëve t’i interpretojnë rastet për studim dhe të thonë se kujt iu bë shërbim (si marrësit të shërbimit ashtu edhe Perëndisë).

Nxitni të kuptuarit dhe zbatimin (duke luajtur një lojë bashkërenditjeje): Gjeni ose bëni vizatime të njerëzve të cilëve mund t’u shërbejnë fëmijët, të tillë si një prind, një motre ose vëllai, një gjyshi ose gjysheje, një shoku ose shoqeje dhe një fqinji ose fqinjeje. Bëni një kopje të dytë të këtyre figurave dhe luani një lojë bashkërenditjeje me ta. Kur një fëmijë gjen një çift të njëjtë, ftojeni atë të thotë një mënyrë për t’i shërbyer njeriut në figurë. Renditini idetë e fëmijëve në tabelë. Për disa ide se si të shërbejmë, shih Fillorja 4, f. 166.

Pamja
lojë bashkërenditjeje

Lojërat u japin larmi mësimeve dhe u lejojnë fëmijëve të ndërveprojnë me njëri-tjetrin si dhe të përforcojnë parimin e ungjillit që po u jepet mësim në një mënyrë zbavitëse.