Manualet e Fillores
Nëntor: Ne Duhet ta Falënderojmë Perëndinë për të Gjitha Gjërat


Nëntor

Ne Duhet ta Falënderojmë Perëndinë për të Gjitha Gjërat

“Dhe ai i urdhëroi ata … [që] çdo ditë duhej t’i jepnin falënderime Zotit, Perëndisë së tyre” (Mosia 18:23).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Unë jam mirënjohës për trupin tim dhe e di se ai është një tempull.

Dalloni doktrinën (duke parë figura dhe duke lexuar një shkrim të shenjtë): Paraqitni figurën e një fëmije dhe figurën e një tempulli. Lexoni 1 Korintasve 3:16 me zë të lartë së bashku. Pyesni: “Çfarë mësojmë për trupat tanë nga ky shkrim i shenjtë?” Shkruani në tabelë “Trupi im është një tempull”.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Diskutoni për mënyrat me të cilat ne i tregojmë Atit Qiellor se jemi mirënjohës për trupat tanë; për shembull, ne kujdesemi për ta dhe i mbajmë të pastër. Shpjegoni se profetët na kanë këshilluar që të kujdesemi për trupat tanë duke mos pirë duhan, duke mos përdorur alkool apo droga të paligjshme dhe duke mos bërë tatuazhe. Ndajini fëmijët në grupe dhe kërkojini secilit grup të lexojë e të diskutojë për një ose më shumë nga shkrimet vijuese: Doktrina e Besëlidhje 88:124; 89:7, 8, 9, 10–11, 12, 16–17. Ftojini pjesëtarët e secilit grup të tregojnë atë që mësuan nga këto shkrime të shenjta rreth mënyrës se si mund të kujdesen për trupat e tyre.

Nxitni zbatimin (duke vendosur një synim): Bëjini fëmijët të shkruajnë apo të vizatojnë diçka që do të bëjnë gjatë javës për t’u kujdesur për trupat e tyre.

Java 2: Unë jam mirënjohës për bekimet materiale.

Dalloni doktrinën: Shkruani në tabelë: “Unë mirënjohës për bekimet materiale”. Kërkojuni fëmijëve ta përsërisin fjalinë. Shpjegoni se bekimet materiale janë bekime që ne mund t’i shohim, t’i prekim, t’i dëgjojmë, t’i shijojmë apo t’i nuhasim.

Nxitni të kuptuarit (duke luajtur lojën e gjetjes): Paraqitni sende ose figura që përfaqësojnë disa nga bekimet materiale (për shembull, trupat, shtëpitë, ushqimi, uji, veshjet, shëndeti, dielli, hëna, yjet, toka, kafshët, bimët, familja, miqtë, lodrat, librat dhe shkolla). Jepni të dhëna që përshkruajnë një prej bekimeve dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë cilin bekim po përshkruani. Për fëmijët më të rritur, shkruajeni secilin nga bekimet në një copë të veçantë letre dhe vendosini letrat në një enë. Ftoni një fëmijë që të zgjedhë një dhe t’u japë fëmijëve të tjerë të dhëna për të. Kur fëmijët gjejnë një bekim, shkruajeni atë në tabelë dhe kërkojini një fëmije të thotë përse ai apo ajo është mirënjohës/e për të.

Nxitni zbatimin (duke shkëmbyer ide): Kërkojuni fëmijëve të mendojnë rreth asaj që mund të bëjnë për të treguar mirënjohje për një nga bekimet për të cilat diskutuat. Kërkojuni disa fëmijëve të shkëmbejnë ide me njëri-tjetrin.

Pamja
fëmijë duke luajtur një lojë

Fëmijët do të mësojnë më me efektshmëri kur përdoren një mori metodash mësimdhënieje. Zgjidhni aktivitete dhe metoda mësimdhënieje që i angazhojnë të gjithë fëmijët.

Java 3: Unë jam mirënjohës për bekimet shpirtërore.

Dalloni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Përgatitni një dhuratë me figurën e Shpëtimtarit dhe referencën vijuese të shkrimit të shenjtë brenda saj: Moroni 10:8–17. Shkruani në tabelë, “Unë jam mirënjohës për bekimet shpirtërore”. Shpjegoni se ka shumë bekime shpirtërore që Zoti mund të na japë; Ai na i jep këto bekime me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Bëjeni një fëmijë ta hapë dhuratën dhe të tregojë përmbajtjen e saj. Kërkojuni fëmijëve të shikojnë shkrimin e shenjtë dhe të gjejnë bekimet shpirtërore që Zoti mund të na i japë dhe shkruajini ato në tabelë. Diskutoni për disa nga bekimet dhe shpjegoni se ne duhet t’i përdorim ato për t’i ndihmuar të tjerët.

Pamja
një fëmijë duke hapur një dhuratë

Java 4: Ne duhet ta falënderojmë Atin Qiellor për të gjitha bekimet tona.

Dalloni doktrinën: Tregojuni fëmijëve një apo dy gjëra që jua ka dhuruar dikush. Shpjegoni se këto dhurata janë të rëndësishme për ju dhe që ju keni thënë “Faleminderit” për to. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë mënyra të tjera se si mund ta shprehim mirënjohjen tonë për dhuratat që marrim. Pyetinifëmijët se kë duhet të falënderojmë për të gjitha bekimet tona. Diskutoni rreth arsyeve përse ne duhet ta falënderojmë Atin Qiellor për të gjitha bekimet tona.

Pamja
grupe të vogla

Kur i ftoni fëmijët të flasin në grupe të vogla u jepni mundësi më shumë fëmijëve për të marrë pjesë. Mësuesit mund të ndihmojnë për të siguruar pjesëmarrjen dhe për të ruajtur nderimin.

Nxitni të kuptuarit (duke bërë lista): Në pesë qese të veçanta, vendosni një copë letre, një stilolaps dhe një nga sendet vijuese: fotografinë e një shtëpie mbledhjeje të Kishës, një artikull veshmbathjeje, shkrime të shenjta, fotografinë e një familjeje dhe një figurë të Shpëtimtarit. Ndajini fëmijët në grupe dhe jepini secilit grup një nga qeset. Vërini fëmijët ta shikojnë sendin në qesen e tyre dhe të shkruajnë në letër një mënyrë se si ata mund të tregojnë mirënjohje për të. Më pas, kërkojuni atyre ta vendosin sendin, letrën dhe stilolapsin sërish brenda qeses dhe t’ia kalojnë një grupi tjetër. Lëreni secilin grup ta marrë njëherë secilën qese dhe pastaj ftojeni çdo grup të tregojë çfarë është shkruar në listën e qeses së tyre.

Nxitni zbatimin (duke shkëmbyer ide): Kërkojuni disa fëmijëve të thonë atë që kanë mësuar nga ky aktivitet dhe atë që do të bëjnë për ta zbatuar në jetën e tyre.