Manualet e Fillores
Dhjetor: E di se Jezu Krishti do të Vijë Përsëri


Dhjetor

E di se Jezu Krishti do të Vijë Përsëri

“Unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë” (Jobi 19:25).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Profetët e parashikuan që Jezu Krishti do të vinte në tokë.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Paraqitni figura të Isaias, Nefit, Mbretit Beniamin, Abinadit, Almës dhe Samuel Lamanitit nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit dhe paketa me figura për Filloren 4. Ndajini fëmijët në grupe dhe jepini secilit grup të gjejë nga shkrimet vijuese: 1) Isaia 7:14; 9:6; 2) 1 Nefi 11:14–15, 20–21; 3) Mosia 3:5–8; 4) Mosia 15:1; 5) Alma 7:10–12; dhe 6) Helamani 14:1–3. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë se cili profet po flet dhe për kë po profetizon ai. Kërkojini secilit grup që të paraqesë figurën e profetit dhe t’u tregojë fëmijëve të tjerë kush është dhe çfarë ka thënë ai. (Për fëmijët më të vegjël, ndihmoni gjashtë fëmijë të veshin veshje të thjeshta teatrale për të portretizuar gjashtë profetët. Tregoni shkurtimisht rreth secilit profet dhe asaj që tha çdonjëri lidhur me lindjen dhe misionin e Jezu Krishtit.) Shpjegoni se secili nga këta profetë e parashikoi që Jezu Krishti do të vinte në tokë. Këndoni “Samuel Tells of the Baby Jesus” [“Samueli Tregon për Jezusin Foshnjë”] (CS, f. 36). Dëshmoni se Jezu Krishti erdhi në tokë ashtu siç parashikuan profetët.

Java 2: Jezu Krishti do të vijë përsëri në tokë.

Dalloni doktrinën: Paraqitni një figurë të Ardhjes së Dytë (LFAU, nr. 66). Kujtojuni fëmijëve se Jezu Krishti në fillim erdhi në tokë si një foshnjë në Bethlehem. Shpjegoni se ne mësojmë në shkrimet e shenjta që Ai do të vijë përsëri në tokë.

Nxitni të kuptuarit (duke luajtur një lojë bashkërenditjeje): Bëni dy çifte të njëjta të referencave të shkrimeve të shenjta vijuese, me secilën referencë në një copë të veçantë letre: Mateu 16:27; Mateu 24:30, 36, 42; Veprat e Apostujve 1:9–11; DeB 36:8; DeB 45:57–59; DeB 88:95–98. Vendosini letrat në tabelë të kthyera mbrapsht. Bëjini fëmijët të zgjedhin me radhë dy copa letre. Kthejini letrat për të parë nëse janë njësoj. Nëse nuk janë njësoj, kthejini sërish mbrapsht. Nëse janë njësoj, lëreni të shfaqur shkrimin e shenjtë dhe kërkojuni fëmijëve të lexojnë referencën për të zbuluar se çfarë na mëson ajo për ardhjen e Dytë të Krishtit. Përsëriteni derisa të jenë gjetur të gjitha çiftet e njëjta.

Java 3: Unë do të përgatitem për të jetuar sërish me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Dalloni doktrinën (duke luajtur lojën e gjetjes): Ftoni dy ose tre fëmijë që të interpretojnë me gjeste sikur po përgatiten për të shkuar në shtrat, në Kishë ose në një udhëtim të gjatë. Kërkojuni fëmijëve të tjerë të gjejnë se çfarë po bëjnë ata. Diskutoni me fëmijët për atë që do të ndodhte nëse ne nuk do të përgatiteshim për t’i bërë këto gjëra. Shpjegoni se një gjë e rëndësishme për të cilën duhet të përgatitemi është të jetuarit sërish me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Pamja
një fëmijë duke interpretuar me gjeste përgatitjen për të fjetur

Veprimtaritë e vëmendjes, të tilla si interpretimi me gjeste, mund të përdoren për të krijuar interesim dhe për t’i ndihmuar fëmijët ta përqendrojnë vëmendjen e tyre te tema e mësimit. Ata që nuk marrin pjesë, do të përfshihen ndërsa shikojnë fëmijët e tjerë.

Nxitni të kuptuarit (duke kënduar këngë): Këndoni strofën e tretë të këngës “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (HKF, f. 58) dhe ftojini fëmijët të dëgjojnë për të gjetur se si mund të përgatitemi për të jetuar sërish me Atin Qiellor. Ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë dhe të këndojnë përsëri frazën “Po të mësoj të bëj siç thot’”. Shpjegoni se disa këngë të Fillores na kujtojnë gjërat që mund të bëjmë për t’u përgatitur që të jetojmë sërish me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin (për shembull, “I Will Follow God’s Plan” [“Unë do ta Ndjek Planin e Perëndisë”] [CS, f. 164–165], “Keep the Commandments” [“Mbani Urdhërimet”] [CS, f. 146–147], “Mirësia Fillon tek Unë” [HKF, f. 63] dhe “When I Am Baptized” [“Kur të Pagëzohem”] [CS, f. 103]). Kërkojini pianistes të luajë disa nota të njërës prej këtyre këngëve dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë se cila këngë është. Ftojini fëmijët ta këndojnë këngën dhe të ngrihen në këmbë kur këndojnë rreth një mënyre se si ata mund të përgatiten për të jetuar me Atin Qiellor. Përsëriteni me këngët e tjera.

Nxitni zbatimin (duke vizatuar): Bëjini fëmijët të mendojnë mënyra se si mund të përgatiten për të jetuar me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Jepini çdo fëmije një copë letre dhe ftojini ata të vizatojnë një skicë të dorës së tyre. Pastaj kërkojuni atyre të shkruajnë ose të vizatojnë në çdo gisht të skicës një gjë që mund të bëjnë për t’u përgatitur. Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin një nga ato gjëra për të punuar me të gjatë javës. Thuajuni atyre se të dielën tjetër do t’u kërkoni t’jua tregojnë çfarë bënë.

Pamja
fëmijë duke kënduar të mbledhur rreth një pianoje

Java 4: Unë kam një dëshmi se jam fëmijë i Perëndisë.

Dalloni doktrinën (duke luajtur lojën e gjetjes): Shkruani në tabelë: “Unë kam një ___________”. Thuajuni fëmijëve t’i dëgjojnë të dhënat vijuese dhe t’i përthyejnë krahët e të ngrihen në këmbë kur mendojnë se mund ta plotësojnë vendin bosh:

  • Kjo na bën të ndihemi mirë, të lumtur ose ngrohtë brenda.

  • Fryma e Shenjtë na e shkakton këtë.

  • Kjo na ndihmon të dëshirojmë që të bëjmë zgjedhje të drejta.

  • Ne mund ta ndajmë këtë me të tjerët kur bëjmë biseda në Fillore, në mbrëmjen familjare dhe në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive.

Pyesni: “Çfarë është kjo gjë e mrekullueshme?” Plotësojeni vendin bosh me fjalën dëshmi dhe thuajuni fëmijëve se ata mund të marrin një dëshmi se janë fëmijë të Perëndisë.

Shkrimi i një parimi të ungjillit do t’i ndihmojë fëmijët ta mbajnë mend atë.

Nxitni të kuptuarit (duke kënduar një këngë): Ftojini fëmijët të këndojnë këngën “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (HKF, f. 58) dhe kërkojuni atyre të mendojnë rreth mënyrës se si ndihen së brendshmi ndërsa këndojnë. Kërkojuni disa fëmijëve që të tregojnë si u ndien. Shpjegoni se ndjenjat e mira që mund të kenë ndier, ishin nga Fryma e Shenjtë, duke u thënë atyre se janë vërtet fëmijë të Perëndisë. Shpjegoni se të dish që kjo është e vërtetë do të thotë të kesh një dëshmi. Shpjegoni se ka shumë mënyra për të ditur se jemi fëmijë të Perëndisë. Pyesni: “Si e di që je fëmijë i Perëndisë?”

Nxitni zbatimin (duke dëgjuar dëshmi): Pyetini fëmijët: “Përse është e rëndësishme të kemi një dëshmi se jemi fëmijë të Perëndisë? Si na ndihmon të pasurit e një dëshmie për të bërë zgjedhje të drejta?” Jepni dëshminë tuaj dhe ftoni disa fëmijë e të rritur që të japin dëshmitë e tyre se ne jemi të gjithë fëmijët e Perëndisë.