Manualet e Fillores
Maj: Profetët na Mësojnë që ta Jetojmë Ungjillin e Rivendosur


Maj

Profetët na Mësojnë që ta Jetojmë Ungjillin e Rivendosur

“Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Javët 1 dhe 2: Profeti i gjallë e udhëheq Kishën nën drejtimin e Jezu Krishtit.

Dalloni doktrinën (duke parë figura dhe duke luajtur një lojë): Paraqitni një fotografi të profetit të gjallë. Kërkojuni disa fëmijëve që ta udhëheqin me radhë klasën e Fillores në bërjen e veprimeve të thjeshta të tilla si kërcimi pupthi ose duartrokitja. Tregojeni me gisht fotografinë e profetit dhe shpjegoni se ai është Presidenti i Kishës dhe ne duhet ta zbatojmë atë që ai na kërkon të bëjmë. Pyesni: “Kë ndjek profeti?” Paraqitni një figurë të Jezu krishtit dhe shpjegoni se profeti punon nën drejtimin e Tij.

Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për mësimet e profetit): Tregojuni fëmijëve botimin më të fundit të konferencës të revistës Ensign ose Liahona. Shpjegoni se në konferencën e përgjithshme, profeti na mëson atë që Jezu Krishti dëshiron që ne të bëjmë. Zgjidhni fjali nga bisedat e profetit dhe ftojini fëmijët që t’i lexojnë me zë të lartë. Së bashku, bëni një listë të gjërave që mund të bëjnë fëmijët për të ndjekur profetin.

Nxitni zbatimin (duke vizatuar një figurë): Jepini çdo fëmije një copë letre. Ftojini ata që ta palosin në gjysmë. Kërkojuni atyre që të bëjnë një vizatim të profetit në njërën gjysmë të letrës dhe që të shkruajnë apo të vizatojnë një mënyrë se si do ta ndjekin profetin në gjysmën tjetër. Ftojini fëmijët që të ngrihen në këmbë e të mbajnë vizatimet e tyre ndërkohë që këndojnë refrenin e këngës “Follow the Prophet” [“Ndiq Profetin”] (CS, f. 110–111).

Për javën 2, jepuni mësim fëmijëve rreth diçkaje që profeti ka dhënë mësim në një konferencë të fundit të përgjithshme. Ndërsa i planifikoni veprimtaritë që do të përdorni, mendoni rreth mënyrës se si do ta identifikoni mësimin e profetit dhe si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë dhe ta zbatojnë në jetën e tyre.

Java 3: Profetët më mësojnë të paguaj të dhjetën.

Dalloni doktrinën (duke lexuar një shkrim të shenjtë dhe duke dëgjuar një histori): Shpjegoni se Malakia qe një profet i Dhiatës së Vjetër që i mësoi njerëzit të paguanin të dhjetën. Kërkojini një fëmije që të lexojë Malakia 3:10 ndërkohë që fëmijët e tjerë dëgjojnë për atë që na premton Zoti nëse paguajmë të dhjetën. Shpjegoni se fraza “do t’i hap pragjet e qiellit” u referohet bekimeve që marrim kur paguajmë të dhjetën.

Nxitni të kuptuarit (duke parë një mësim me sende): Ftoni 10 fëmijë përpara klasës. Jepini secilit një mollë (ose frut tjetër) dhe kërkojuni atyre që t’i ngrenë lart mollët e tyre dhe të bëjnë sikur janë pemë mollësh. Vëreni një fëmijë tjetër që “t’i vjelë” mollët dhe t’i vendosë në një shportë. Shpjegoni se e dhjeta është një e dhjeta e asaj që ne fitojmë dhe që zakonisht paguhet me para, por ka pasur kohë kur njerëzit paguanin me çfarëdo që të kishin. Pyesni se sa mollë duhet t’i japë fëmija peshkopit për të dhjetën.

Pamja
fëmijë duke bërë sikur po vjelin mollët

Nxitni zbatimin (duke diskutuar për të dhjetën): Paraqitni një dëftesë dhe zarf të dhjete. Diskutoni për procesin e pagimit të së dhjetës. Ftojini fëmijët që të tregojnë se si janë bekuar familjet e tyre prej pagimit të së dhjetës. Jepni dëshmi për bekimet që vijnë nga bindja ndaj këshillës së profetit për të paguar të dhjetën.

Java 4: Profetët më mësojnë të jetoj Fjalën e Urtësisë.

Dalloni doktrinën (duke lexuar një shkrim të shenjtë): Kërkojuni fëmijëve të tregojnë rreth një kohe kur prindërit e tyre i paralajmëruan ata për ndonjë rrezik. Pyetini ata se për çfarë do të paralajmëroheshin nga prindërit. Shpjegoni se Ati Qiellor na do dhe na paralajmëron për rrezikun përmes profetëve të Tij. Kërkojini një fëmije që të lexojë Doktrina e Besëlidhje 89:4 dhe bëjini fëmijët të dëgjojnë se si quhet paralajmërimi. Shpjegoni se Profeti Jozef Smith e mori këtë paralajmërim, Fjalën e Urtësisë, si një zbulesë nga Perëndia.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Përpara mësimit të Fillores, ngjitini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta poshtë karrigeve të ndryshme: DeB 89:7, DeB 89:8, DeB 89:9, DeB 89:10, DeB 89:12, DeB 89:16. Shpjegoni se trupat tanë fizikë na i dha Ati Qiellor dhe Ai dëshiron që ne të kujdesemi për ta; Ai na ka dhënë Fjalën e Urtësisë për të na ndihmuar që të dimë se cilat gjëra do t’i ndihmojnë trupat tanë dhe cilat gjëra do t’i dëmtojnë ata. Kërkojuni fëmijëve të shikojnë poshtë karrigeve për të gjetur referencat e shkrimeve të shenjta. Ftojeni çdo fëmijë që gjen një referencë që ta lexojë shkrimin e shenjtë me zë të lartë. Diskutoni për kuptimin e çdo vargu. Sqaroni se “pije të forta” janë ato alkoolike dhe “pije të nxehta” janë kafeja dhe çaji.

Nxitni zbatimin (duke luajtur një lojë): Vendosni brenda një çante disa figura ushqimesh, pijesh të ndryshme dhe artikuj të tjerë që i bëjnë mirë ose keq trupit. Ftojeni një fëmijë që të zgjedhë një figurë nga çanta dhe t’ua tregojë fëmijëve të tjerë. Kërkojuni fëmijëve të hapin gojën nëse artikulli është i mirë ose ta mbulojnë gojën nëse artikulli është i keq. Lexoni Doktrina e Besëlidhje 89:18–21 dhe diskutoni për bekimet që marrim ne kur ndjekim këshillën e profetit për ta jetuar Fjalën e Urtësisë.

Pamja
fëmijë duke parë figura

Fëmijët mund të mësojnë nëpërmjet veprimtarive zbavitëse e lëvizjes dhe prapëseprapë të mbajnë një qëndrim nderimi.

Ndihmë për udhëheqësen e muzikës

Kënga për këtë muaj mund të jetë “Të Falemi, Zot, për Profetin” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 36). Në vijim ka disa ide që mund të përdoren për t’u mësuar fëmijëve çfarëdolloj kënge. Megjithëse në këtë shembull përdoren shirita të shkruar, me disa figura për fjalët e këngës, ato mund të përdoren për t’ua mësuar edhe fëmijëve më të vegjël.

Shkruajeni çdo frazë të këngës në një shirit me ngjyrë të ndryshme (ose shkruajeni çdo frazë me një ngjyrë të ndryshme). Ndajeni çdo frazë në dy pjesë. Përdorni cilëndo nga metodat vijuese për t’ua mësuar këngën fëmijëve:

  1. Shpërndajini në mënyrë rastësore shiritat e shkruar nëpër klasë. Lejojini disa fëmijë që t’i radhisin frazat sipas rendit të duhur ndërkohë që ju dhe fëmijët e këndoni këngën gjatë gjithë kohës. Këndoni dhe diskutoni për çdo frazë dhe më pas këndojeni këngën të plotë.

  2. Filloni duke i vendosur në tabelë shiritat e shkruar sipas radhës. Këndojeni këngën me fëmijët. Kërkojini një fëmije të heqë një shirit të shkruar dhe këndojeni përsëri këngën. Përsëriteni derisa të jenë hequr të gjithë shiritat e shkruar.

  3. Vendoseni pjesën e parë të çdo fraze sipas rendit të duhur në tabelë dhe vendosini pjesët e dyta në tabelë sipas një rendi rastësor. Këndojeni pjesën e parë të çdo fraze dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë pjesën e dytë të frazës dhe shpjegoni se ç’do të thotë ajo.

  4. Ndajini fëmijët në dy grupe. Vëreni një grup të këndojë pjesën e parë të çdo fraze dhe grupin tjetër të këndojë pjesën e dytë. Ndërrojuni pjesët grupeve dhe përsëriteni.

Pamja
shirita të shkruar

Shiritat e shkruar mund të merren tek adresa sharingtime.lds.org