Manualet e Fillores
Mars: Jezu Krishti Është Shpëtimtari Ynë


Mars

Jezu Krishti Është Shpëtimtari Ynë

“Vëruni ju vesh këtyre fjalëve. Vini re, unë jam Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës” (DeB 43:34).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Jezu Krishti dha mësim ungjillin dhe vendosi një shembull për ne.

Dalloni doktrinën (duke kënduar një këngë): Këndoni së bashku disa herë këngën “Do As I’m Doing” [“Bëni Siç Bëj Unë”] (CS, f. 276), duke ftuar fëmijë të ndryshëm që të zgjedhin një veprim për ta kryer. Shpjegoni se kur ne ndjekim veprimet e dikujt tjetër, ne po ndjekim shembullin e tij apo të saj. Pyesni se kush dha shembullin e përkryer për t’u ndjekur nga ne (Jezu Krishti). Ftojini fëmijët të thonë njëzëri: “Jezu Krishti vendosi një shembull për ne”.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Vendosni në tabelë figura të ngjarjeve të mëposhtme: Krishti duke u pagëzuar, Krishti me fëmijët, Krishti duke u lutur dhe Krishti duke dhënë mësim. Lexoni një nga shkrimet e shenjta vijuese së bashku dhe kërkojuni fëmijëve që të shpjegojnë se çfarë po jep mësim Krishti në atë shkrim të shenjtë: Marku 16:15; Gjoni 13:34–35; 3 Nefi 11:37; 3 Nefi 18:19. Tregoni me gisht ngadalë drejt çdo figure dhe ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë kur ju tregoni me gisht për nga figura që e tregon më së miri Krishtin duke bërë atë që Ai na ka mësuar ne të bëjmë në shkrimet që lexuat. Përsëriteni me shkrimet e shenjta të mbetura.

Pamja
mësuese duke treguar me gisht për nga figurat

Ka më shumë gjasa që fëmijët të tregojnë nderim kur ata janë të përfshirë në nxënie. Në këtë veprimtari, vënia e fëmijëve që të ngrihen në këmbë e të ulen me nderim do të ndihmojë për t’ua tërhequr vëmendjen.

Nxitni zbatimin (duke vizatuar një figurë): Jepini secilit fëmijë një copë letre dhe ftojini ata që të vizatojnë një figurë të vetes duke ndjekur shembullin e Krishtit. Për shembull, një fëmijë mund të vizatojë veten e tij duke u pagëzuar, duke i mësuar ungjillin një shoku/shoqeje apo duke ndihmuar dikë. Ftojini disa fëmijë që t’ua tregojnë vizatimet e tyre fëmijëve të tjerë dhe nxitini ata që t’ua tregojnë vizatimet familjeve të tyre.

Java 2: Për shkak të Shlyerjes së Krishtit, unë mund të pendohem dhe të jetoj sërish me Perëndinë.

Dalloni doktrinën (duke plotësuar vendet bosh): Përpara mësimit të Fillores, shkruani në tabelë: “Për shkak të ________ së Krishtit, unë mund të _________ dhe të jetoj sërish me _________”. Shkruani fjalët Shlyerjes, pendohem dhe Perëndinë në shirita të shkruar të veçantë dhe ngjitini ata në pjesën e poshtme të tri karrigeve në klasë. Ftojini fëmijët që t’i gjejnë shiritat e shkruar dhe t’i vendosin ata në vendin e duhur në tabelë. Lexojeni fjalinë së bashku.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta dhe duke iu përgjigjur pyetjeve): Vendosni në tabelë figurat e Krishtit në Gjetseman dhe të Kryqëzimit. Mbulojini figurat me disa copa të vogla letre. Mbi çdo copë letre shkruani një pyetje për ngjarjen në figurë dhe një referencë shkrimi të shenjtë nga Mateu 26–27 ose Lluka 22–23 ku mund të gjendet përgjigjja. (Për shembull: Si quhej vendi ku shkoi të lutej Jezusi? Mateu 26:36.) Ndajini fëmijët në grupe dhe kërkojini çdo grupi që të kërkojë një nga shkrimet e shenjta dhe të gjejë përgjigjen për pyetjen. Vërini grupet të thonë përgjigjet e pyetjeve të tyre dhe t’i heqin copat përkatëse të letrës për të zbuluar figurat.

Pamja
fëmijë duke lexuar shkrimet e shenjta

Për t’i përshtatur veprimtaritë e leximit të shkrimeve të shenjta për fëmijët më të vegjël, kërkojuni atyre që të dëgjojnë ndërsa ju lexoni dhe më pas të ngrihen në këmbë kur dëgjojnë një fjalë apo frazë të caktuar.

Nxitni zbatimin (duke parë një mësim me sende): Diskutoni me fëmijët për kuptimin e fjalëve Shlyerje e pendim dhe shpjegoni se si mund të na bekojë Shlyerja (shih Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin [2004], f. 14–20, 132–135). Tregojuni fëmijëve një dhuratë. Kërkojini një fëmije që të provojë t’ia japë dhuratën një fëmije tjetër dhe kërkojini fëmijës së dytë që të mos pranojë ta marrë atë. Shpjegoni se kur ne nuk e marrim një dhuratë që na jepet, ne nuk mund t’i gëzojmë bekimet e dhuratës. Vërini fëmijët të dëgjojnë atë që duhet të bëjnë që të marrin dhuratën e Shlyerjes ndërsa lexoni së bashku Doktrina e Besëlidhje 19:16.

Java 3: Për shkak se Jezusi u ringjall, edhe unë do të ringjallem.

Dalloni doktrinën (duke dëgjuar një histori): Përdorni ilustrimin e faqes 123 te manuali i çerdhes (shih udhëzimet në faqen 121) për të treguar historinë e Ringjalljes (shih Gjoni 19:41–42; 20:1, 11–18). Shpjegoni se kur Jezu Krishti u ringjall, trupi dhe shpirti i Tij u bashkuan; kjo e bëri të mundur ringjalljen e çdokujt. Bëjini fëmijët të thonë: “Për shkak se Jezu Krishti u ringjall, edhe unë do të ringjallem”.

Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për ndjenjat): Rendisni në tabelë fjalë që përshkruajnë se si mund të jenë ndier dishepujt ditën kur vdiq Jezusi (të tilla si hidhërim, pikëllim, trishtim e dëshpërim). Bëjini fëmijët të sugjerojnë të kundërtat e atyre fjalëve (të tilla si lumturi, gëzim, shpresë e besim) dhe shkruajini ato në tabelë. Shpjegoni se këto ndjenja janë ato që ndien dishepujt kur Jezusi u ringjall. Diskutoni për disa nga bekimet që vijnë nga njohuria se ne do të ringjallemi (shih Isaia 25:8; Alma 22:14).

Nxitni zbatimin (duke shprehur ndjenja): Shkruani në tabelë: “Unë jam mirënjohës/e që Jezusi u ringjall sepse …” Ftojeni një anëtar të lagjes, të cilit i ka vdekur një njeri i dashur, që të vijë në Fillore dhe të tregojë shkurtimisht përse ai apo ajo është mirënjohës/e për Ringjalljen. Pyetini fëmijët nëse njohin ndokënd që ka vdekur, dhe ftojini ata t’i mbyllin sytë dhe të mendojnë për atë njeri. Ftojini disa prej fëmijëve që të ngrihen në këmbë e të përfundojnë fjalinë në tabelë dhe të tregojnë se çfarë do të thotë Ringjallja për ta.

Java 4: Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë.

Dalloni doktrinën (duke diskutuar për fjalën “Shpëtimtar”): Paraqitni disa sende ose figura që përfaqësojnë njerëz që mund të na shpëtojnë jetën (të tillë si një doktor, një polic ose një truprojë), dhe diskutoni për mënyrën se si mund të na shpëtojnë ata. Paraqitni një figurë të Jezusit dhe shpjegoni se Ai është i vetmi që e ka fuqinë për të na shpëtuar nga pasojat e përjetshme të vdekjes dhe mëkatit. Shkruani në tabelë: “Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë” dhe lexojeni atë me fëmijët duke theksuar fjalën “Shpëtimtari”.

Nxitni të kuptuarit dhe zbatimin (duke dëgjuar ngjarje nga shkrimet e shenjta): Tregojuni fëmijëve disa ngjarje nga shkrimet e shenjta rreth njerëzve që u shpëtuan nga mëkati prej Shpëtimtarit (për shembull, Alma i Riu [shih Alma 36:6–24], Enosi [shih Enosi 1:1–8], Zizromi [shih Alma 15:3–12], babai i Lamonit [shih Alma 22:1–26], ose njeriu që u soll përpara Jezusit [shih Lluka 5:17–26]). Shpjegoni se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë ne mund të shpëtohemi nga mëkati. Dëshmoni se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe ftojini disa fëmijë që të japin dëshmitë e tyre për Të.