Manualet e Fillores
Prill: Jezu Krishti e Rivendosi Kishën e Tij në Ditët e Mëvonshme


Prill

Jezu Krishti e Rivendosi Kishën e Tij në Ditët e Mëvonshme

“Dhe unë kam dërguar plotësinë e ungjillit tim nëpërmjet dorës së shërbëtorit tim Joseph” (DeB 35:17).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Pasi vdiqën Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij, të vërtetat e ungjillit humbën.

Dalloni doktrinën (duke diskutuar): Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që Jezu Krishti dha mësim kur Ai qe në tokë. Paraqitni një figurë të Krishtit duke shuguruar Apostujt. Shpjegoni se, pasi Krishti vdiq e u ringjall, Apostujt e Tij dhanë mësim ungjillin, por shumë njerëz nuk i dëgjuan ata; shpejt apostujt vdiqën dhe disa të vërteta të rëndësishme për ungjillin nuk u dhanë më mësim. Shkruani në tabelë: “Pasi vdiqën Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij, të vërtetat e ungjillit humbën” dhe bëjini fëmijët ta thonë me ju.

Pamja
fëmijë duke vizatuar

Vizatimi u lejon fëmijëve të shprehin si i kanë kuptuar ata parimet e ungjillit. Fëmijëve u pëlqen shumë t’i shohin vizatimet e tyre vetjake që të përdoren si sende ilustruese.

Nxitni të kuptuarit (duke vizatuar figura): Shkruani në tabelë disa parime të ungjillit që humbën ose u ndryshuan gjatë Braktisjes (për shembull, pagëzimi, priftëria, tempujt, profetët e gjallë dhe sakramenti). Ndajini fëmijët në grupe të vogla. Jepini çdo grupi një copë letre me një nga parimet e ungjillit të shkruar në të dhe kërkojuni fëmijëve të vizatojnë një figurë që të përfaqësojë atë parim. Ftojeni një fëmijë nga secili grup që ta vendosë vizatimin e tij në tabelë. Shpjegoni se, kur Krishti qe në tokë, Ai i dha mësim të gjitha këto të vërteta të rëndësishme të ungjillit. Kërkojuni fëmijëve të mbyllin sytë. Hiqini të gjitha vizatimet dhe fshihini. Pastaj kërkojuni fëmijëve të hapin sytë. Shpjegoni se, pasi vdiqën Jezu Krishti dhe Apostujt e Tij, të vërtetat e ungjillit humbën. Thuajuni fëmijëve se ungjilli u rivendos nëpërmjet Jozef Smithit. Rivendosini vizatimet dhe dëshmoni se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i ka të gjitha të vërtetat që humbën dikur. (Mbajini vizatimet që t’i përdorni në javën 4.)

Java 2: Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit.

Dalloni doktrinën (duke parë një figurë): Mbuloni një figurë të Vegimit të Parë me disa copa të vogla letre. Ftojini fëmijët që t’i heqin copat e letrave një e nga një. Kërkojuni fëmijëve t’i ngrenë duart pa zhurmë kur ta dinë se cila figurë është. Pasi të jenë hequr të gjitha copat e letrës, kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se çfarë po ndodh në figurë.

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Tregojuni fëmijëve se në ç’vend të shkrimeve të shenjta mund ta lexojmë përshkrimin e Jozef Smithit për përvojën e tij në Korijen e Shenjtë (Joseph Smith – Historia 1:14–19). Lexoni ose kërkojuni disa fëmijëve të lexojnë disa vargje që përshkruajnë atë që ndodhi. Ju mund të dëshironi t’u kërkoni fëmijëve më të vegjël të bëjnë veprime të thjeshta, të tilla si të ngrihen në këmbë dhe t’i zgjasin krahët e tyre si pemë apo t’i përthyejnë krahët sikur po luten. Pyetini fëmijët se si mund të ishin ndier ata nëse do t’i kishin parë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që t’i shfaqeshin dhe t’i flisnin Jozef Smithit. Diskutoni mbi rëndësinë e kësaj ngjarjeje.

Nxitni zbatimin (duke dhënë dëshmi): Vërini fëmijët të këndojnë këngën “The Sacred Grove” [“Korija e Shenjtë”] (CS, f. 87). Pastaj jepni dëshmi se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit. Ftojini disa fëmijë që të ndajnë dëshmitë e tyre për Vegimin e Parë.

Java 3: Autoriteti i priftërisë u rivendos nga lajmëtarë qiellorë.

Dalloni doktrinën (duke kënduar një këngë): Pyetini fëmijët se si mund ta bënin ata lajmërimin për diçka shumë të rëndësishme. Shpjegoni se kohë më parë, u bihej borive kur lajmërohej për diçka të rëndësishme. Kërkojuni fëmijëve t’i mbyllin sytë dhe të përfytyrojnë se po dëgjojnë bori ndërsa pianisti luan këngën “The Priesthood Is Restored” [“Priftëria Është Rivendosur”] (CS, f. 89). Kërkojuni fëmijëve ta këndojnë këngën dhe të zbulojnë se ç’mesazh të rëndësishëm lajmëron ajo. Kërkojuni disa fëmijëve të shpjegojnë se çfarë do të thotë kënga.

Nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar folës të ftuar): Tregojuni fëmijëve figurat e rivendosjes së Priftërisë Aarone dhe të rivendosjes së Priftërisë Melkizedeke. Ftojeni një mbajtës të Priftërisë Aarone që të tregojë shkurtimisht historinë e rivendosjes së Priftërisë Aarone (shih DeB 13; Joseph Smith – Historia 1:68–72). Më pas, ftoni një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke që t’u tregojë fëmijëve për rivendosjen e Priftërisë Melkizedeke (shih DeB 27:12–13; Joseph Smith – Historia 1:72). Paraqitini sërish figurat dhe kërkojuni fëmijëve të thonë emrat e njerëzve në figurë.

Pamja
mbajtës të Priftërisë Melkizedeke dhe Aarone

Folësit e ftuar mund të sjellin larmi dhe interes në Fillore.

Nxitni zbatimin (duke dhënë dëshmi): Vëreni çdo klasë të shkruajë në një copë letër diçka që ne e kemi sot për shkak se u rivendos Priftëria Aarone (për shembull, pagëzimi dhe sakramenti) dhe diçka që e kemi për shkak se u rivendos Priftëria Melkizedeke (për shembull, konfirmimi dhe bekimet për të sëmurët). Kërkojuni disa prej fëmijëve që të tregojnë atë që shkruan. Shprehni mirënjohjen tuaj për bekimet që vijnë nga Ati ynë Qiellor falë rivendosjes së priftërisë.

Java 4: Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit dhe rivendosi të vërtetat e ungjillit.

Dalloni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke diskutuar): Përpara mësimit të Fillores, shkruani në një fletë letre: “Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit dhe rivendosi të vërtetat e ungjillit” dhe priteni fletën në copa figurëformueseje. Në anën e prapme të secilës copë, shkruani emrin e një njeriu apo sendi që lidhet me përkthimin e Librit të Mormonit (për shembull: Jozef Smithi, Urimi dhe Thumimi, engjëlli Moroni, fletët e arta, fuqia e Perëndisë dhe Oliver Kaudri). Jepini çdo klase një nga pjesët e figurëformueses dhe kërkojuni atyre që të diskutojnë se si lidhet sendi apo njeriu në anën e prapme të letrës me përkthimin e Librit të Mormonit. Ftojeni çdo klasë që të dalë përpara, të tregojë për çfarë diskutuan dhe ta vendosë pjesën e vet të figurëformueses në tabelë. Kur të plotësohet figurëformuesja, lexojeni fjalinë njëzëri.

Pamja
figurëformuese

Figurëformuesen mund ta gjeni te sharingtime.lds.org

Nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar një folës të ftuar): Ftojeni një mbajtës priftërie të përshkruajë Jozef Smithin dhe të tregojë historinë për mënyrën se si e përktheu ai Librin e Mormonit. Jepini atij disa prej vizatimeve që bënë fëmijët në javën 1 dhe kërkojini atij të thotë se si u rivendosën parimet e ungjillit nëpërmjet Jozef Smithit. Ai mund të vendosë një aksesor të thjeshtë, të tillë si një papion të zi. Ftojeni atë ta heqë aksesorin dhe të japë dëshminë e tij për Jozef Smithin.

Nxitni zbatimin (duke shkëmbyer ide): Kërkojuni fëmijëve të qëndrojnë në këmbë nëse mund të përmendin një të vërtetë të ungjillit që pati humbur dhe u rivendos nëpërmjet Jozef Smithit. Ftojini disa fëmijë që të thonë mendimet e tyre. Ndani dëshminë tuaj për ungjillin e rivendosur dhe Librin e Mormonit.