Manualet e Fillores
Korrik: Familjet Janë Pjesë e Planit të Atit Qiellor


Korrik

Familjet Janë Pjesë e Planit të Atit Qiellor

“Familja shugurohet nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, paragrafi 7).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

Java 1: Ati Qiellor e planifikoi që unë të vija në një familje.

Dalloni doktrinën: Tregojuni fëmijëve dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” dhe shpjegoni që ai jep mësim se Plani i Atit Qiellor është që fëmijët e Tij të vijnë në tokë nëpër familje.

Nxitni të kuptuarit (duke parë figura): Ndajini fëmijët në grupe dhe jepini secilit grup figurën e një familjeje (për shembull, Adamin dhe Evën duke u dhënë mësim fëmijëve të tyre [LFAU, nr. 5], Krishti duke ngjallur të bijën e Jairit [LFAU, nr. 41], arritja e familjes së Lehit në tokën e premtuar [LFAU, nr. 71] dhe një lutje familjare [LFAU, nr. 112]). Ftojeni secilin grup që të gjejë pjesëtarët e familjes në figurën e tij. Bëjeni çdo grup që t’ua tregojë figurën e tij fëmijëve të tjerë dhe të tregojnë me gisht babain, nënën dhe fëmijët. Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë me gishtërinj sa njerëz ka në familjet e tyre. Thuajuni se familjet e tyre janë pjesë e planit të Atit Qiellor.

Nxitni zbatimin: Kërkojuni djemve të ngrihen në këmbë. Shpjegoni se secili prej tyre mund të jetë babai i një familjeje të drejtë një ditë. Ftojini disa nga djemtë që të thonë diçka që mund të bëjnë për të qenë baballarë të mirë. Kërkojuni vajzave të ngrihen në këmbë dhe shpjegoni se secila prej tyre mund të jetë nëna e një familjeje të drejtë. Kërkojuni disave prej tyre që të thonë diçka që mund të bëjnë për të qenë nëna të mira. Ftojini të gjithë fëmijët që të thonë diçka që ata mund të bëjnë për t’iu sjellë lumturi familjeve që kanë tani.

Pamja
fëmijë duke mbajtur figura

Fëmijët do të mësojnë më mirë dhe do të mbajnë mend më gjatë nëse ju i paraqitni idetë duke përdorur figura dhe sende të tjera ilustruese.

Java 2: Lutja familjare, studimi familjar i shkrimeve të shenjta dhe mbrëmja familjare mund ta forcojë familjen time.

Pamja
fëmijë duke mbajtur një grumbull shkopinjsh

Mësimet me sende mund të përdoren për të krijuar interesim, për të përqendruar vëmendjen e fëmijëve dhe për të paraqitur një parim të ungjillit.

Dalloni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke parë një mësim me sende): Bëjeni një fëmijë të mbajë një grumbull shkopinjsh. Shpjegoni se shkopinjtë përfaqësojnë pjesëtarët e një familjeje. Shkruani “lutja familjare”, “studimi familjar i shkrimeve të shenjta” dhe “mbrëmja familjare” në tri shirita letre. Pyetini fëmijët se si mund t’i forcojnë apo të ndihmojnë këto veprimtari për t’i mbajtur të bashkuara familjet. Ftojini fëmijët t’i mbështjellin shkopinjtë me letrat. Shpjegoni se këto veprimtari ftojnë Shpirtin në shtëpitë dhe jetën tonë e na afrojnë më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, gjë që i bën familjet tona më të forta.

Nxitni zbatimin (duke vizatuar figura): Jepuni fëmijëve copa letre dhe ftojini ata të bëjnë vizatime të veprimtarive që kanë bërë me familjet e tyre, që i kanë forcuar ato. Ftojini ata t’ua tregojnë në shtëpi familjeve të tyre atë që vizatuan.

Java 3: Priftëria mund ta bekojë e forcojë familjen time.

Dalloni doktrinën (duke luajtur lojën e gjetjes): Thuajuni fëmijëve se do t’u jepni atyre disa të dhëna rreth diçkaje që i bekon e i forcon familjet. Kërkojuni të ngrenë duart kur ta dinë përgjigjen. Jepni disa të dhëna rreth priftërisë, të tilla si “Baballarët mund t’i bekojnë familjet me këtë” dhe “Djemtë që janë 12 vjeç mund ta marrin këtë”. Pasi fëmijët ta kenë gjetur saktë, thoni së bashku: “Priftëria mund ta bekojë e forcojë familjen time”.

Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për doktrinën): Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që mund t’i bëjnë mbajtësit e priftërisë (për shembull: të pagëzojnë, të japin dhuratën e Frymës së Shenjtë, të bekojnë të sëmurët dhe të shpërndajnë sakramentin). Paraqitni figura të këtyre ordinancave dhe bekimeve ndërsa diskutoni për to dhe ndihmojini fëmijët që të kuptojnë se si i bekojnë e forcojnë ata familjet. Paraqitni fotografinë e një tempulli. Shpjegoni se një nga bekimet më të mëdha të priftërisë është se ajo e bën të mundur vajtjen në tempull dhe vulosjen së bashku si një familje përgjithmonë.

Nxitni zbatimin (duke shkëmbyer ide): Ftojini disa fëmijë që të ngrihen në këmbë dhe të tregojnë një apo dy mënyra se si i ka bekuar e forcuar priftëria familjet e tyre. Nxitini ata që t’ua tregojnë familjeve të tyre këto ide në shtëpi.

Java 4: Ati Qiellor dëshiron që unë të martohem në tempull dhe të kem një familje të përjetshme.

Dalloni doktrinën (duke parë një figurë): Paraqitni figurën e një çifti duke qëndruar para tempullit me veshje dasme. Pyetini fëmijët se përse Ati Qiellor dëshiron që ne të martohemi në tempull. Shpjegoni se kur martohemi në tempull, familjet tona mund të jenë të përjetshme.

Pamja
një çift duke mbajtur një fotografi të martesës së tyre

Nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar dëshmi): Ftoni disa mësues, përfshirë çifte të martuarish, që të tregojnë bekimet që kanë marrë për shkak të tempullit dhe martesës në tempull. Kërkojuni fëmijëve që të dëgjojnë për të gjetur bekime të caktuara ndërkohë që mësueset thonë mendimet e tyre. Bëni një listë të këtyre bekimeve në tabelë.

Nxitni zbatimin: Kërkojuni disa fëmijëve që të ngrihen në këmbë dhe të thonë përse do të dëshironin të martoheshin në tempull dhe atë që ata mund të bëjnë tani për t’u përgatitur për atë bekim.