2020
Dëshmia dhe Kthimi në Besim
Korrik 2020


Përgjigje nga Udhëheqësit e Kishës

Dëshmia dhe Kthimi në Besim

Nga një fjalim në konferencën e përgjithshme të tetorit 2012.

Një mësim i rëndësishëm rreth lidhjes mes dëshmisë dhe kthimit në besim është i dukshëm në punët misionare të bijve të Mosias.

“Të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë, që bën mrekulli në ta–po, … sikurse Zoti jeton, po kështu të gjithë Lamanitët që besuan në predikimin e tyre dhe që u kthyen në besim te Zoti, nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre.

Pasi ata u bënë një popull i drejtë; ata ulën armët e rebelimit të tyre dhe nuk luftuan më kundër Perëndisë. …

Tani, këta ishin ata që u kthyen në besim te Zoti” (Alma 23:6–8).

Në këto vargje përshkruhen dy elemente kryesore: 1) njohuria e së vërtetës, që mund të kuptohet se është një dëshmi, dhe 2) të kthyerit në besim te Zoti, që unë e kuptoj se është kthimi në besim te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kështu, kombinimi i fuqishëm i dëshmisë ashtu edhe i kthimit në besim te Zoti solli vendosmërinë dhe palëkundshmërinë dhe siguroi mbrojtje shpirtërore.

Një dëshmi është njohuri shpirtërore e së vërtetës fituar nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kthimi i vazhdueshëm në besim është përkushtim i qëndrueshëm ndaj të vërtetës së zbuluar që kemi marrë – me një zemër të gatshme dhe për arsye të drejta. Të diturit se ungjilli është i vërtetë është thelbi i një dëshmie. Të qenit vazhdimisht i vërtetë ndaj ungjillit është thelbi i kthimit në besim. Ne duhet ta dimë se ungjilli është i vërtetë dhe të jemi të vërtetë ndaj ungjillit.

Mënjanimi i “armëve” të dashura të “rebelimit” të tilla si egoizmi, krenaria dhe mosbindja kërkon më shumë sesa thjesht të besosh e të dish. Bindja e patundur, përulësia, pendimi dhe nënshtrimi u paraprijnë armëve tona të rebelimit. A zotërojmë ende ju dhe unë armë rebelimi që na pengojnë të kthehemi në besim te Zoti? Nëse po, atëherë duhet të pendohemi tani.

Unë ju premtoj se, ndërsa vijmë te njohuria e së vërtetës dhe kthehemi në besim te Zoti, ne do të mbetemi të vendosur e të paepur dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga besimi ynë.