2020
Zgjedhja e Shtegut të Ngushtë e të Ngushtuar në vend të Udhës së Gjerë
Korrik 2020


Zgjedhja e Shtegut të Ngushtë e të Ngushtuar në vend të Udhës së Gjerë

Kishte dy shtigje përpara meje dhe e dija se kishte vetëm një mënyrë për ta ditur se cilin shteg të zgjidhja.

Pamja
illustration of family standing in the street

Ilustrimet nga Chris Ede

Unë u rrita në Nagano, Japoni, me prindërit e mi. Feja ishte pjesë e gjithçkaje që bënte familja ime. Im atë gjunjëzohej para altarit budist çdo mëngjes e çdo mbrëmje. Nuk e mendoja budizmin si fe – ishte mënyra jonë e jetesës. Do të kishte qenë e lehtë për mua që të mbetesha budist pjesën e mbetur të jetës, por Perëndia ma ka vërtetuar shumë herë se mënyra më e lehtë ose më e përhapur nuk është gjithmonë mënyra më e mirë.

Libër Mësimor apo Libër i Shenjtë?

Kur isha adoleshent, hasa shumë vështirësi me identitetin tim. Vrisja mendjen se përse isha në këtë tokë dhe kush supozohej të bëhesha. Kur isha rreth 13 vjeç, drejtori i shkollës i dha çdo nxënësi një kopje të Dhiatës së Re paralelisht në anglisht dhe japonisht. “Nuk është për qëllime fetare”, tha ai. “Është një përkthim shumë i mirë, prandaj, përdoreni për të studiuar gjuhën angleze.” Gjithsesi, kur e hapa, ai përmbante referenca të shkrimeve të shenjta për rastet kur ndiheshe i vetmuar, kishe nevojë për përgjigje të pyetjeve ose ishe i munduar. Unë mund ta gjeja veten tek të gjitha ato situata!

Lexova rreth Jezu Krishtit. “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28). “[Merreni] kryqin [tuaj], dhe më… nd[iqni]” (Mateu 16:24). Fjalët më kumbuan në mendje edhe pse nuk i kuptoja ato plotësisht. Vrisja mendjen se kush është Jezu Krishti dhe çfarë do të thotë ta kesh Atë si Shpëtimtar. Vrisja mendjen a isha i vetmi që po ndieja një lidhje të tillë me atë që supozohej të ishte një libër mësimor.

Pamja
building and a book

T’ia Mbathësh apo të Qëndrosh dhe të Dëgjosh?

Disa vjet më vonë, takova disa misionarë për herë të parë. Prindërit më kishin lajmëruar për të krishterët e rinj në moshë që po qarkullonin duke predikuar. Ndërsa po shkoja në shtëpi, më ndaloi një misionar i gjatë amerikan me një buzëqeshje të këndshme. Nuk dija se çfarë të bëja. Druaja se do të më fliste rreth kishës së tij. Nëse do ta bënte, mund t’ia mbathja nga ana tjetër e rrugës! E vetmja pyetje që bëri ishte se si ta gjente zyrën postare. Ia tregova dhe më pas vazhdova për në shtëpi.

Ndërsa largohesha, ndjeva diçka. Nëse do t’i shoh prapë misionarët, mendova, do t’u flas.

Nuk kaloi shumë kohë dhe hasa një çift tjetër misionarësh. Isha i tronditur që Perëndia i përgjigjej dhe i dëgjonte lutjet e një djaloshi si unë, derisa lexova rreth Jozef Smithit. Kisha lexuar në Dhiatën e Re që të lutesha gjithmonë, por që Perëndia t’i shfaqej një njeriu? M’u duk edhe diçka radikale, edhe e drejtë. Në vend që të ikja, caktova një takim për të bërë mësim me ta.

Pamja
meeting with missionaries

Të Nxjerrësh Justifikime apo të Zbulosh të Vërtetën?

Pas një muaji takimesh me misionarët, ata më ftuan të pagëzohesha. Nuk doja që t’ua ktheja fjalën, por ngurroja të hiqja dorë nga tradita e prindërve të mi dhe njerëzve të tjerë përreth meje. Kishte dy shtigje përpara meje dhe e dija se kishte vetëm një mënyrë për ta ditur se cilin shteg të zgjidhja – kisha nevojë të lutesha si Jozef Smithi. E pyeta Atin Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit, a ishin të vërteta gjërat që më kishin mësuar misionarët.

Ajo qe pika e kthesës sime. Nga ai çast e tutje, e dija personalisht që ungjilli i rivendosur është i vërtetë. Askush nuk mund të ma merrte atë njohuri. E dija se ç’shteg duhej të ndiqja dhe asgjë nuk mund ta ndryshonte këtë.

Kisha shumë pyetje kur isha më i ri. Mësova se jam një fëmijë i Perëndisë, Ai më do, Ai ka një plan për mua dhe Ai dëshiron t’u përgjigjet lutjeve të mia. Kjo njohuri ma ndryshoi tërësisht këndvështrimin për jetën. Unë mësova se, ai që jam dhe ajo që bëj është domethënëse.

Pamja
praying

Të Përshtatesh me të Tjerët apo të Dallohesh?

Përpara se të mësoja se isha një fëmijë i Perëndisë, doja të përshtatesha me këdo. Kisha frikë të dallohesha nga të tjerët. Por, pasi mësova se jam një fëmijë i Perëndisë, e kuptova se mund të dallohesha nga të tjerët, mund të isha ndryshe.

Lutja dhe të kuptuarit se jam një bir i Perëndisë më dha guximin për t’ua shpjeguar ndjenjat e mia prindërve të mi, por ata nuk më kuptuan fare. Ata mendonin se isha rebel dhe shumë i papjekur për të marrë vendimin për t’u pagëzuar. Ata i druheshin faktit se mos djali i tyre po ndiqte këtë fe të çuditshme në vend të traditave të tyre. E dija se kush isha dhe se çfarë doja, por dëshiroja gjithashtu të nderoja prindërit e mi dhe shpresoja që ata ta respektonin fenë time.

Pamja
people standing in a line

T’i Nderosh Prindërit apo t’i Shpërfillësh Shqetësimet e Tyre?

Ua shpjegova situatën time motrave misionare. Ato patën një ide – ato mund të vinin e të flisnin me prindërit e mi që ata të ndiheshin më mirë rreth kësaj feje. U thashë që kisha frikë se prindërit e mi nuk do të donin të flisnin me ta. Pastaj një nga motrat sugjeroi që të agjëronim së bashku.

Kur nuk hëngra mëngjes, nëna ime u shqetësua. “Përse nuk hëngre?”, pyeti ajo. Ia shpjegova se po agjëroja dhe kjo gjë e shqetësoi edhe më shumë.

“Së pari po hyn në këtë fe të panjohur dhe tani as nuk ha! Jam e shqetësuar. Jam e tronditur! Do t’u telefonoj atyre misionareve.”

Pamja
worried mother

Ajo u telefonoi vërtet motrave dhe nuk e di se si ia dolën që nëna t’i ftonte për darkë në shtëpinë tonë!

Ia kaluam shumë bukur. Misionaret u mësuan prindërve të mi himnin “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Himne, nr. 196) dhe e kënduam së bashku. Babait tim i pëlqeu shumë. Pas darkës me motrat, asnjëri nga prindërit nuk ishte më i shqetësuar për faktin që shkoja në kishë. Dhe ndjeva se mund t’i nderoja ata duke e jetuar ungjillin për shkak se ai përmblidhte gjithçka që më kishin mësuar ata. Mendova se po t’i doja ata mjaftueshëm dhe po t’i trajtoja me dashamirësi të mjaftueshme, do ta kuptonin si përfundim. U deshën 35 vjet pas pagëzimit tim, por nëna ime u pagëzua dhe hyri në tempull vetëm disa vjet më parë!

Dijenia se jam një fëmijë i Perëndisë ka ndikuar në shumë vendime për jetën time. Unë e di gjithashtu se ndërsa e ndjekim Shpirtin dhe bëjmë atë që Ati Qiellor kërkon nga ne, edhe kur duket e vështirë, Ai do të na bekojë. Kjo është gjithmonë zgjedhja më e mirë.