2020
Hapësira Jonë
Korrik 2020


Hapësira Jonë

Një Nxitje e Vazhdueshme

Pamja
woman talking with missionaries

Ilustrimet nga Toby Newsome

Një ditë, ndërkohë që po bëja punë misionare në rrugët me pluhur të Kenias, unë dhe shoqja ime e misionit folëm me një zonjë. Ajo e pranoi broshurën që i dhamë, por na tha që të mos ktheheshim sërish.

Disa ditë më vonë, e gjetëm veten në të njëjtën rrugë dhe kishim një nxitje që të vazhdonim ta takonim. E pyesja veten: “Përse po shkojmë prapë kur ajo na tha të mos ktheheshim sërish?” Por iu bindëm nxitjes.

Ajo u habit kur shkuam atje, por tha se ishte e lumtur që na shihte. Ne filluam të bënim një mësim, por shpejt u kthye në një debat. Unë dhe shoqja ime e misionit e mbyllëm mësimin me një lutje dhe u larguam, duke rënë menjëherë dakord për të mos u kthyer sërish. Por ditën tjetër, ne patëm sërish një shtytje të fortë që të ktheheshim. Nuk doja të kthehesha sërish, por shoqja ime e misionit më tha se duhej ta dëgjonim Shpirtin. Kështu që e kapërdiva krenarinë time dhe shkuam sërish. Kur mbërritëm, u trondita. Gruaja dukej si një tjetër njeri. Pamja e saj kishte ndryshuar dhe ajo ishte e gatshme ta dëgjonte atë që kishim për t’i thënë. Gjatë vizitës sonë të radhës, ajo na pyeti se kur mund të pagëzohej.

Pas katër javësh, ajo u pagëzua si një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pas konfirmimit të saj, ajo na përqafoi dhe na tha se do të ishte përherë mirënjohëse që u kthyem sërish. Kam mësuar se duhet t’i dëgjojmë e të veprojmë gjithnjë sipas nxitjeve. Ati Qiellor i përgatit fëmijët e Tij për ta marrë ungjillin dhe Ai na përdor të gjithëve për t’i gjetur ata nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Leaha M., KuaZulu-Natal, Afrikë e Jugut

Kur Mund të Bashkohem me Kishën?

Pamja
woman getting baptized

Kur isha rreth moshës pesë vjeçe, babai e humbi besimin dhe vendosi të largohej nga Kisha. Ishte shumë e vështirë, veçanërisht kur mbusha tetë vjeçe. Isha aq e emocionuar për t’u pagëzuar, por pastaj babai më tha jo. Ai donte që unë të prisja derisa të rritesha që ta dija vërtet a dëshiroja të zotohesha. Dhe kështu shihja miqtë e mi teksa pagëzoheshin.

Mbaj mend se isha e pështjelluar – nëse Kisha ishte e vërtetë, përse po më ndalonin të pagëzohesha? Si adoleshente, ishte shumë e vështirë që t’i shihja të gjithë të rinjtë e të rejat të shkonin në tempull për shkak se dëshiroja tej mase të shkoja. Ishte e vështirë të mos kishe mundësi të merrje pjesë, por gjithmonë e dija se do të më vinte mundësia!

Në maj të vitit 2019, më në fund u pagëzova në moshën 16-vjeçare. M’u kujtuan përvojat e shumta që kam pasur kur kam ndier gëzimin e pastër të ungjillit dhe marrjen e një dëshmie. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe përmes të gjitha shqetësimeve që pata derisa ia arrita asaj dite, e dija me gjithë zemër se ungjilli është dhe ka qenë gjithmonë i vërtetë.

Triniti C., Kolorado, SHBA

Arsyeja për Rregullat

Pamja
classroom

Isha i emocionuar që do të shkoja në konferencën e të rinjve e të rejave, por pastaj zbulova se kishte shumë rregulla, për shembull, nuk lejoheshin celularët dhe të dilje jashtë vetëm. Dukej sikur të rriturit na mbikëqyrnin në mënyrë të vazhdueshme. Por ia kalova shumë bukur, zura shumë miq, punuam me një projekt shërbimi dhe mësuam rreth ungjillit.

Gjatë një mbledhjeje dëshmish ditën e fundit të konferencës së të rinjve e të rejave, njëri nga udhëheqësit foli që na donte shumë ne, të rinjtë e të rejat e kunjit.

Nëse na doni, përse keni kaq shumë rregulla kufizuese këtu?, mendova. Pikërisht në atë çast, sikur po më lexonte mendjen, ai iu përgjigj pyetjes sime.

Udhëheqësit vendosin rregulla, tha ai, jo që të na mërzisin, por për sigurinë tonë. Në çastin që ai e tha këtë, mua më preku Shpirti. E kuptova se Ati Qiellor na jep urdhërime për të njëjtën arsye. Ato nuk janë për të na mërzitur; ato janë që të na ndihmojnë të kthehemi të sigurt tek Ai (shih Doktrina e Besëlidhje 82:2–9).

Fryma e Shenjtë më preku dhe më ndihmoi të dija se kjo është e vërtetë.

Serzh P., Il-dë-Frans, Francë