2020
Kur u Ndjeva i Mashtruar rreth Kishës
Korrik 2020


Kur u Ndjeva i Mashtruar rreth Kishës

Pse u largova. Dhe pse u ktheva.

Pamja
man coming and going from church

Ilustrimet nga Mark Smith

Disa vjet më parë, po ndiqja një bashkëbisedim në mjetet shoqërore të komunikimit midis dy prej ish‑shokëve të mi të misionit. Këta ishin burra që i doja dhe i respektoja.

Ata po diskutonin pyetje që ata kishin rreth Kishës dhe doktrinës së saj. Shpejt u bë e qartë se të dy ishin larguar nga Kisha. Kjo më shtangu dhe më shqetësoi. Nuk kisha dëgjuar kurrë për disa nga gjërat për të cilat ata po diskutonin. Ndjeva se duhet të dija a ishin sadopak të vërteta këto gjëra. Kështu që fillova të kërkoj rreth argumenteve të atyre që kishin shqetësime rreth Kishës.

Disa nga gjërat që lexova gjatë dy viteve pasuese, më shtynë të vë në pikëpyetje gjithçka rreth Kishës. Disa njerëz që e kalojnë këtë, ndihen të trishtuar. Ata vajtojnë për humbjen e besimit të tyre. Unë u inatosa. Ndjeva se Kisha më pati mashtruar. Nuk isha i sigurt se çfarë ishte e vërtetë apo kujt mund t’i mirëbesoja.

E pata të vështirë të shkoja në kishë. Kërkova të lirohesha nga thirrja ime. Marrëdhënia ime me bashkëshorten time Sheri dhe me familjen time ishte e nderë. Vazhdova të shkoja në kishë, por ishte vërtet thjesht sa për sy e faqe dhe për t’u përpjekur ta mbaja familjen time së bashku. Jeta ime ishte rrëmujë. Nuk mund ta ndieja Shpirtin dhe fillova të dyshoj nëse e kisha ndier ndonjëherë me të vërtetë Frymën e Shenjtë.

Kur fëmija im më i madh, Kajsoni, po largohej për në misionin e tij, unë hodha një re të zymtë mbi atë që duhej të kishte qenë një ngjarje e gëzueshme. Pas dy vjetësh, pjesa më e madhe e familjes sime e dinte se çfarë po kaloja. Kur të gjithë ata shkuan në tempull me Kajsonin për herën e tij të parë, unë nuk isha aty.

Gjatë gjithë kësaj, u ndjeva shumë i vetmuar.

Përkrahje Kudo rreth Meje

Një ditë, vëllezërit e mi u mblodhën për të folur me mua rreth asaj që po kaloja. Nuk e mbaj mend vërtet se çfarë thanë ata, por e dija që u bë nga dashuria. Ndërsa folëm, fillova të kuptoj se çfarë më mungonte. Kjo u bë katalizatori për ndryshim. Duhet ta kisha shuguruar unë Kajsonin si plak në priftëri. Duhet ta kisha shoqëruar unë atë nëpër tempull. Duhet t’ia kisha dhënë unë bekimin e një ati para se të largohej. Ato çaste më të rëndësishme në jetën e tij kishin si qëllim që të isha unë aty, jo dikush tjetër. Mbaj mend që e pyeta veten: “Çfarë po bëj?”

Pak kohë më pas, një mik i mirë u ndje i frymëzuar që të më njihte me një anëtar të presidencës së kunjit të tij. Ky burrë i mirë e dëgjoi me kujdes historinë time dhe dukej se e dinte se çfarë do të thoja përpara se ta thoja. Biseduam për orë të tëra. Historia ime, pyetjet e mia, logjika ndaj së cilës isha ekspozuar, ishin kaq të ngjashme me atë që të tjerë i kishin treguar atij. Unë fillova të kuptoj se kishte përgjigje të arsyeshme për shumë prej shqetësimeve të mia dhe se shumë prej pyetjeve të mia, edhe pse ishin të sinqerta, qenë mbjellë nga njerëz që kishin për qëllim të dëmtonin besimin.

A u zgjidhën menjëherë të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e mia? Jo, sigurisht që jo. Por zemra ime u zbut mjaftueshëm që të kuptoja një të vërtetë të madhërishme: pyetjet janë një gjë e mirë, por disa pyetje janë më të rëndësishme sesa të tjerat.1 A ia vlente të humbisja familjen time dhe qëndrimin tim para Perëndisë për disa pyetje pa përgjigje? Kur u përqendrova së pari te pyetjet që ishin më të rëndësishme, dhe kur e vura Perëndinë sërish në vend të parë në zemrën time, fillova të gjej përgjigje që më siguruan se po kthehesha në shtegun e duhur.

Presidenti i kunjit dhe peshkopi im më erdhën gjithashtu në ndihmë. Ata qenë një ndihmë e madhe për mua dhe Sherin gjatë disa çasteve të errëta. Ata kurrë nuk hoqën dorë. Ata dhe familja ime në të dyja anët e velit qenë mjete për të më ndihmuar. Unë e di se Ati Qiellor na njeh dhe na do. Ai vë njerëz në shtegun tonë kur ne kemi nevojë për ta. Ne thjesht duhet të jemi të gatshëm që ta pranojmë ndihmën e tyre.

Çfarë të Bësh nëse Je Ti

E di se ka të tjerë në botë që mund të jenë duke kaluar diçka të ngjashme. Mund të jeni ju ose dikush që e njihni.

E di se Shpëtimtari e themeloi Kishën e Tij me autoritetin për të siguruar ordinancat dhe besëlidhjet për të cilat kemi nevojë që të rikthehemi tek Ai. Satani është duke punuar me orar të zgjatur për ta diskredituar Kishën e Zotit, duke përdorur çfarëdo mjeti të mundshëm. Ngritja e pyetjeve dhe krijimi i dyshimeve është e lehtë. Kujtdo mund t’i ndodhë që të bjerë në kurthet e tij. Mbështetja tek informacioni dhe përgjigjet që japin të tjerët, mund të jetë shumë më e lehtë sesa të bëjmë punën dhe ta zbulojmë të vërtetën vetë “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118; theksimi i shtuar). Por përfundimisht, kjo është ajo që Perëndia kërkon.

Nëse po mundoheni me pyetje ose dyshime rreth Kishës ose rreth besimit tuaj, ju nuk do ta gjeni të vërtetën duke lexuar ditarë në rrjet ose duke dëgjuar transmetime nga ata që nuk bien dakord me Kishën ose janë larguar prej saj. Por ju gjithashtu me shumë gjasë nuk do të kënaqeni nga përgjigje të cekëta dhe mund të mos ju pëlqejë sugjerimi për t’i shtyrë përgjigjet për pyetjet tuaja për më vonë.

Unë mësova se nuk mund të jetojmë përherë me dritë të marrë hua, por në vend të kësaj ne duhet të kthehemi te Perëndia, që është burimi i gjithë dritës dhe së vërtetës (shih Doktrina e Besëlidhje 93:26). Ne duhet ta studiojmë atë tërësisht në vetë mendjen tonë, por ne gjithashtu duhet ta pyetim Perëndinë a është e drejtë ajo që po mendojmë (shih Doktrina e Besëlidhje 9:8). Ne duhet të mësojmë vetë, ashtu siç bëri Jozef Smithi (shih Joseph Smith – Historia 1:20) dhe të jemi të duruar në kërkimet tona (shih Alma 32:41). Por të mësuarit me anë të besimit do të thotë që ne duhet ta vërtetojmë të vërtetën duke e jetuar atë (shih Gjoni 7:17; 1 Thesalonikasve 5:21).

Kur po studioja gjëra antagoniste ndaj Kishës, ndjeva sikur isha vërtet në mes të mjegullave të errësirës (shih 1 Nefi 8:23–24; 12:17). Kur u kapa pas fjalës së Perëndisë dhe e bëra hapin e parë drejt Tij, ajo ishte gjithçka që i nevojitej Atij për të dërguar Shpirtin e Tij që të ma prekte zemrën.

Pamja
man holding light

A Mjafton Shpresa?

Pak javë pasi Kajsoni u largua për në misionin e tij, më vizitoi presidenti im i kunjit. I tregova se çfarë kishte ndodhur gjatë atyre javëve pasi vëllezërit e mi kishin folur me mua. I thashë se do të doja të merrja një rekomandim të ri tempulli. Ai më pyeti a mund t’u përgjigjesha siç duhet pyetjeve të rekomandimit. Unë rrëfeva: “President, nuk mendoj ende se mund të them që unë e di se Kisha është e vërtetë, por me të vërtetë shpresoj me gjithë zemrën time që të jetë. Dhe do ta jetoj jetën time në përputhje me atë shpresë. A mjafton kjo?”

Ai ndaloi për një çast dhe pastaj tha: “Trevis, ajo gjithmonë do të mjaftojë”.

Ka disa gjëra që ende po pres që t’i kuptoj, por disa gjëra më janë bërë shumë të qarta. E di që Ati Qiellor më do. E di se mund të endemi dhe të mundohemi për njëfarë kohe. Por e di se nëpërmjet Krishtit, Shlyerjes së Tij dhe shpresës që ajo sjell, është e mundur që të rikthehemi në shtegun që na çon sërish tek Ai.

Autori jeton në Jutë, SHBA.

Shënim

  1. Shih Lawrence E. Corbridge, “Stand Forever” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 22 janar 2019), speeches.byu.edu