2020
“Kush e Përplasi Birin Tim?”
Korrik 2020


“Kush e Përplasi Birin Tim?”

E përfytyrova veten duke i bërtitur personit që e kishte goditur birin tim, por më pas u ndodha ballë për ballë me shoferen.

Pamja
women hugging

Ilustrimi nga Ellerie Arnold

Sapo e kisha çuar bijën time në shtëpinë e një shoqeje kur mora një telefonatë nga bashkëshorti im, Xhonatani. Ai më tha se djalin tonë 11-vjeçar, Eidenin, e kishte përplasur një makinë ndërkohë që ai dhe Xhonatani po kalonin në anën tjetër të rrugës.

Shoferja kishte bërë një kthesë majtas përpara Xhonatanit dhe nuk e kishte parë Eidenin në biçikletë. Shoferja e goditi pjesën ballore të biçikletës së Eidenit. Ai fluturoi lart në ajër, duke u mbajtur ende te biçikleta, dhe goditi kokën në anë të makinës, kur ra poshtë. Më pas ai ra në rrugë me biçikletën sipër. Fatmirësisht kishte vënë një helmetë. Shoferja dhe disa njerëz të tjerë ndaluan për të ndihmuar ndërsa Xhonatani thirri një ambulancë.

Mendja dhe ndjenjat e mia papritur kaluan në një gjendje furie. Unë shpejtova drejt kryqëzimit ku kishte ndodhur aksidenti, duke shpresuar të kapja ambulancën që të mund të isha me Eidenin.

Më vinin vrullshëm mendime për t’iu hakërryer shoferes. “Çfarë po mendonte se po bënte shoferja vallë?” mendova. “Ishte gjë e dehur? Po fliste në telefon?” Isha e tërbuar dhe tej mase e shqetësuar. Nuk e kisha idenë se sa shumë ishte lënduar Eideni.

Kur mbërrita në vendngjarje, ambulanca ishte larguar tashmë. Në vendngjarje kishin mbetur vetëm disa makina policie dhe një makinë e parkuar në anë të rrugës. Pranë makinës qëndronte një grua që dukej se ishte në ankth.

Iu afrova dhe e pyeta: “A e patë se kush e përplasi birin tim?”

Ajo qetësisht tha: “E bëra unë”.

E përfytyrova veten duke i bërtitur personit të pakujdesshëm që kishte përplasur birin tim, por kur u ndodha ballë për ballë me shoferen, negativiteti u zhduk. E gjeta veten duke qarë dhe duke e përqafuar atë. Ajo kërkoi ndjesë dhe unë i thashë se gjithçka do të shkonte mirë. Mësova më vonë se ato ishin me saktësi fjalët që Eideni i kishte thënë asaj përpara se të mbërrinte policia. Në fund, Eideni ia doli me vetëm disa gërvishtje dhe mavijosje.

Jam mirënjohëse që në atë çast shumë të rëndësishëm, Ati ynë i dashur Qiellor më bekoi me fuqinë për të dhënë falje në vend të urrejtjes, edhe kur nuk ia kërkova Atij ta bënte këtë gjë. Unë e di se Ai është në dijeni për ne dhe gjithmonë na ofron ndihmën e Tij.