2020
Çfarë Duhet që të Na Plotësohen Dëshirat e Drejta
Korrik 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Çfarë Duhet që të Na Plotësohen Dëshirat e Drejta

Kur familjen time e pllakosi varfëria, isha i pasigurt për faktin a do të isha ndonjëherë në gjendje të shërbeja në një mision.

Dëshiroja t’i shërbeja Zotit shumë kohë përpara se të pagëzohesha në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. I thosha gjithnjë vetes se do t’ia përkushtoja gjithë kohën time Atij pavarësisht gjithçkaje. E kisha ëndërr t’i shërbeja Atij gjatë gjithë jetës. Dhe bashkimi me Kishën e Jezu Krishtit më dha një mundësi shumë më të mirë për të ndjekur ëndrrën time.

U pagëzova në dhjetor të vitit 2017. Ajo ishte dita më e bukur e jetës sime. Ungjilli më mësoi si të mendoja ndryshe, si t’i frymëzoja të tjerët, si ta mposhtja frikën dhe si t’i përforcoja talentet e mia e të zbuloja talente të reja. Me kohën, mësova edhe rreth mundësisë për të shërbyer në një mision kohëplotë. E kuptova menjëherë se kjo ishte diçka që dëshiroja ta bëja. Ndaj ditë pas dite, punoja për t’u përgatitur. Lexoja shkrimet e shenjta, ndiqja institutin dhe lartësoja thirrjen time. Megjithatë, kishte një problem në familjen time që më bënte shumë të pasigurt për të ardhmen.

Varfëria.

Kur mbusha 18 vjeç, familjen time e pllakosi varfëria. Mezi ia dilnim të hanim, të shkonim në shkollë ose madje të paguanim transportin për në kishë. E vetmja gjë që na kishte mbetur pas së cilës të mbaheshim ishte besimi ynë. Kjo situatë e ngadalësoi vërtet procesin e shërbimit në një mision. Iu hapa mamit rreth dëshirës sime, por ajo përsëriti diçka që më kishte thënë shpesh: “Mbaro shkollën, pastaj ndiqi ëndrrat e tua”. Për shkak të situatës sonë financiare, nuk kisha shumë zgjedhje. Ndaj punova fort për të vazhduar shkollën.

Përfundimisht u diplomova dhe isha gati më në fund që të shkoja e t’i shërbeja Zotit. Por varfëria ende po ndikonte te ne.

Isha i acaruar.

Mendoja: “E kam mbaruar shkollën dhe kam bërë gjithçka që mundesha. Pse prapëseprapë nuk po zgjidhet kjo?” Nuk doja të prisja më gjatë për ëndrrën time, por pavarësisht se isha i shkurajuar, mirëbesova se gjërat do të zgjidheshin me kalimin e kohës.

Vendosa të punoj më fort për të fituar të gjithë sasinë e parave për shpenzimet e misionit tim. Lutesha çdo ditë, takohesha me misionarët sa më shumë të ishte e mundur dhe e forcoja dëshminë time duke studiuar materialet e Kishës.

Shumë të afërm të mi ishin kundër ëndrrës sime për të shërbyer në një mision. Më thoshin se shërbimi në mision nuk do të bënte gjë tjetër përveçse t’i përkeqësonte gjërat për mua dhe familjen time. Por unë ngula këmbë. E dija se dëshiroja të shërbeja në një mision dhe se Ati Qiellor do të siguronte një mënyrë.

Pas një kohe të gjatë duke punuar e duke kursyer para, më në fund i dorëzova dokumentet për misionin tim. Kur më telefonoi peshkopi e më tregoi se më kishte ardhur thirrja, bërtita e u hodha nga gëzimi! Shkova menjëherë në zyrën e kunjit dhe e mora letrën. Atë mbrëmje e hapa thirrjen time të misionit dhe i njoftova familjes sime se isha thirrur të shërbeja në Misionin e Kabanatuanit në Filipine.

Derdha lot gëzimi atë natë. Pavarësisht nga gjithçka që kishte ndodhur, me besim dhe shumë punë e mirëbesim te Zoti, e përfundova çdo gjë që më nevojitej për të shërbyer në një mision e për të realizuar ëndrrën time. E kuptova se po të mos e kisha përjetuar atë vështirësi përpara misionit tim, mund të mos kisha qenë tërësisht i përgatitur nga ana fizike, emocionale, shpirtërore, mendore e financiare. Por për shkak të rrethanave të mia, pata mundësi të rritesha në mënyra të shumta.

E di se Ati Qiellor ka një plan për të gjithë ne. Çdo gjë që po kaloni mund të mos ketë kuptim ndonjëherë dhe mund të dëshironi që gjërat të ndodhin shpejt e jo vonë, por mirëbesojini kohës së duhur të Tij, në vend të tuajës. Nëse i mirëbesojmë Atij dhe ushtrojmë besim e punojmë fort, Ai do të na udhëheqë drejt dëshirave tona të drejta në kohën e duhur dhe do të na ndihmojë të rritemi përgjatë udhës (shih Enosi 1:12 dhe Alma 29:4).