2020
Ata i Lanë Mënjanë Sprovat e Tyre
Korrik 2020


Ata i Lanë Mënjanë Sprovat e Tyre

Atë ditë, Kendra, Brenti dhe Tajsoni qenë shembuj të vërtetë për dhënien e shërbesës si të Krishtit.

Pamja
people at the door

Ilustrimi nga Trent Gudmundsen

Ne të gjithë përjetojmë ngritje dhe ulje në jetë, por 2013-ta ishte një vit veçanërisht i vështirë për familjen tonë. Ne përjetuam shumë riparime të papritura dhe të kushtueshme të shtëpisë dhe automjeteve. Bashkëshorti im, Rajani, e humbi punën e tij dhe djali ynë më i vogël lindi me ndërlikime dhe iu desh të kalonte disa javë në pavionin e reanimacionit të të porsalindurve. Unë gjithashtu pata vështirësi me depresionin pas lindjes. Këto rrethana, të ndërthurura me të qenit prindër të katër fëmijëve të vegjël, na vunë në vështirësi financiarisht dhe emocionalisht.

Rajani gjeti punësim të ri, por ai punonte me orë të zgjatura dhe disa herë ndodhej jashtë qytetit për javë të tëra. Djali ynë pesëvjeçar, Uesli, filloi të kishte ankth për babanë e tij, i cili largohej kaq shpesh. Ai vazhdimisht zgjohej gjatë natës nga makthet.

Të afërmit tanë më përkrahnin kur mundeshin, por prapëseprapë shumicën e kohës ndihesha e rraskapitur dhe vetëm. Unë e dija se Ati Qiellor e donte dhe ishte në dijeni për familjen time, por ndihesha sikur ne po mbyteshim.

Një pasdite, kur Rajani ishte jashtë qytetit për punë, i çova me makinë fëmijët e mi në shtëpi nga shkolla dhe me dëshpërim u luta për ndihmë. Më vonë atë natë, fqinja ime Kendra trokiti në derën tonë. Ajo e dinte gjendjen tonë dhe më pyeti se si isha. Nuk kisha për qëllim që t’i ankohesha asaj dhe ajo ishte personi i fundit që do t’i kisha kërkuar ndihmë. Bashkëshorti i saj, Brenti, po luftonte me kancerin gjatë katër viteve të fundit.

I thashë Kendrës që isha mirë, por ajo më pyeti përsëri me sinqeritet. Me lot në sy iu hapa asaj rreth mundimeve te mia. Kur i tregova rreth ankthit dhe maktheve të Ueslit ajo pyeti a do të doja që Brenti t’i jepte Ueslit një bekim.

Pak kohë më vonë, Kendra, Brenti dhe djali i tyre më i madh, Tajsoni, trokitën në derën tonë të veshur me rroba të kishës. Brenti qe i brishtë. Jam e sigurt se ai përdori të gjithë fuqinë që kishte për të ardhur në shtëpinë tonë. Ai i dha Ueslit një bekim dhe Tajsoni më dha mua një bekim.

Atë ditë, Kendra, Brenti dhe Tajsoni qenë shembuj të vërtetë për dhënien e shërbesës si të Krishtit. Ata i lanë mënjanë sprovat e tyre që me sinqeritet të na ofronin dashuri dhe dhembshuri. Unë u ndjeva e bekuar që Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve të mia në këtë mënyrë të tillë të dhembshur. Brenti vdiq dy javë më vonë.

Atë ditë në shtëpinë tonë, Brenti qëndroi si dëshmitar i Perëndisë duke e ushtruar priftërinë me drejtësi (shih Mosia 18:9). Për mua, është diçka e shenjtë që dhënia e shërbesës ndaj familjes sonë ishte një nga veprat e tij të fundit në tokë.