2008
Miqtë e mi dhe unë kemi një problem me përgojimin. Çfarë mund të bëj për ta ndalur dhe t’i ndihmoj ata gjithashtu?
Tetor 2008


Pyetje e Përgjigje

“Miqtë e mi dhe unë kemi një problem me përgojimin. Çfarë mund të bëj për ta ndalur dhe t’i ndihmoj ata gjithashtu?”

Mund ta mposhtësh përgojimin duke ndjekur këshillën në broshurën Për Forcën e Rinisë lidhur me mposhtjen e fjalorit të ulët: “I ndihmoni ata rreth jush të përdorin fjalor të pastër nëpërmjet shembullit tuaj dhe duke i nxitur ata përzemërsisht të zgjedhin fjalë të mira. Me mirësjellje largohuni apo ndërroni temë kur të tjerët rreth jush përdorin fjalor jo të mirë.

Nëse ju është bëre ves përdorimi i një fjalori të ulët [ose përgojimi], ju mund ta mposhtni atë. Filloni duke marrë vendimin se do të ndryshoni. Lutuni për ndihmë. Në qoftë se filloni të përdorni fjalë që ju e dini se janë të gabuara, heshtni apo e thoni atë që keni për të thënë në një mënyrë tjetër.”

Pamfleti gjithashtu shpjegon pse është e rën-dësishme të flitet mirë për të tjerët: “Flisni mirë dhe pozitivisht për të tjerët, në mënyrë që të përmbushni urdhërimin e Zotit për ta dashur njëri-tjetrin. Kur përdorni një gjuhë të mirë, ju e ftoni Shpirtin të jetë me ju” (“Fjalori” [2001], f. 22–23).

Të jesh dashamirës në komunikim, është cilësi e Krishtit dhe do të të ndihmojë të kesh marrëdhënie më të mira e të ndihesh mirë ndaj vetes.

Rregulli i Artë

Përgojimi ndodh kudo rreth nesh, përditë dhe është jashtëzakonisht lëndues. Mund të duket e modës t’u shpërndash “të rejat më të fundit” miqve tuaj, por mendo personin për të cilin po flet. A do ta thoje atë gjë, po të ishte aty ai ose ajo? A të tha ai person se mund t’ua thuash njerëzve? Mendo si do të ndiheshe ti, në rast se dikush të të përgojonte. “Të gjitha gjërat që do të dëshironi që t’jua bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre” (3 Nefi 14:12). Nëse miqtë e tu përgojojnë, me mirësjellje ndërro temë.

Xhesika J., 16 vjeçe, Arizona, ShBA

Mjekimi për Kurimin e Përgojimit

Ka tre palë që përfshihen në përgojim: ne, ata që dëgjojnë dhe njerëzit për të cilët flasim. Merrni zotim të ndaloni së përgojuari dhe pastaj zbatojeni. Ja pak mjekim për të kuruar sëmundjen e përgojimit: 1) Ndërro temë kur miqtë e tu fillojnë të përgojojnë. 2) Hesht, që ata të mos kenë njeri që t’i flasin. 3) U thuaj hapur të “mos [flasin] keq për njeri-tjetrin” (Jakobi 4:11 [Bibla])

But A., 22 vjeç, Fnom Pen, Kamboxhia

Mënjano Komentet Negative

Përgojimi ka fuqi shkatërrimtare dhe mund të plagosë ndjenjat e njeriut. Kur përgojojmë, i hapim derën kundërshtarit që të shkatërrojë emrin e dikujt. Për të mposhtur këtë zakon të keq, duhet shmangur çdo koment negativ rreth jetës së dikujt. Kur dëgjojmë të tilla gjëra, qofshin ose jo të vërteta, duhet të përpiqemi t’i ndalim ata që i thonë. Në rast se ata, sidoqoftë, vazhdojnë, ne duhet të largohemi (shih Mateu 12:36).

Ne mund t’i ndihmojmë miqtë tanë duke i këshilluar të mos marrin asnjëherë pjesë në biseda të tilla dhe t’i nxisim që, si anëtarë të Kishës dhe vazhdues besnikë të Krishtit, të kërkojnë përherë të mbrojnë të vërtetën dhe drejtësinë, të jenë përherë një shembull dhe të lëvdojnë të tjerët (shih Nenet e Besimit 1:13).

Ismael S., 18 vjeç, San Paulo, Brazil

Mendo Këto Gjëra

Për të shmangur përgojimin mund të mësojmë përmendësh një shkrim të shenjtë si Levitiku 19:18, që na mëson të duam të afërmit tanë, dhe ta themi me mend sa herë që jemi pranë veprimit të përgojimit. Mundet edhe të mësojmë përmen-dësh një këngë si “I’m Trying to Be like Jesus [Po Përpiqem të Jem si Jezusi]” (Children’s Songbook, f. 78–79) dhe ta këndojmë me mend. Një ide tjetër është të themi dy gjëra të mira rreth personit. Në atë mënyrë do të harrosh të metat e tij ose të saj dhe, në vend të tyre, do të vëresh mirësinë e personit.

Rodora M., 19 vjeçe, Luzon, Filipine

Kërko të Mirën tek të Tjerët

Përgojimi mund të jetë i vështirë të mposhtet. Por mendoj që, nëse kujtohesh ta duash të afërmin tënd, mund të mendohesh dy herë, para se të thuash një koment që shkakton keqardhje. Nuk jemi ne ata që duhet të gjykojnë të tjerët. Mendoj se, të kërkosh tek njerëzit gjërat e mira, mund të ndih-mojë, më mirë se të vëzhgosh ato negativet.

Hejli B., 15 vjeçe, Juta, ShBA

Kërkon Kurajë

Disa thonë që “me gojën tonë ne ndërtojmë mure mes nesh dhe njerëzve tanë të dashur”. Unë besoj se, në mënyrë që kjo të ndalet, na nevojitet mjaft kurajë vetjake dhe shpirtërore. Nëse vërtet e kuptojmë ungjillin, si anëtarë të Kishës ne nuk duhet të përgojojmë, sepse Perëndia na ka mësuar të hapim gojën për t’i shpallur ungjillin botës mbarë, jo për të kritikuar apo përgojuar të tjerët.

Vanesa P., 19 vjeçe, Tahiti, Polinezia Franceze

Lutu për Udhëheqje

Kujto që përgojimi mund të ketë një ndikim të thellë e të gjatë tek të tjerët. Përpiqu të vihesh në vendin e tyre dhe mendo se si do ndiheshe nëse të tjerët do të thonin gjëra të ashpra për ty. Është dëshirë e drejtë të ndryshosh këtë zakon. Zoti do të të bekojë me forcë dhe me ndryshim të zemrës, ndërsa kërkon sinqerisht udhëheqjen e Tij nëpërmjet lutjes.

Britni H., 12 vjeçe, Jutah, ShBA