2008
Aborti: Një Sulm ndaj të Pambrojturit
Tetor 2008


Aborti: Një Sulm ndaj të Pambrojturit

Pamja
Elder Russell M. Nelson

Ndërsa filloj, më lejoni t’u kërkoj falje lexuesve për përdorimin e termave jo të këndshme. Natyra e luftës së cilës i referohem e kërkon një qartësi të tillë komunikimi.

Si bij dhe bija të Perëndisë, ne e duam jetën si një dhuratë prej Tij. Plani i Tij i përjetshëm jep mundësira për fëmijët e Tij për të patur trupa fizikë, për të fituar përvoja tokësore dhe për të realizuar qëllimin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme1.

Numri i Vdekjeve nga Luftrat

Me këtë kuptim dhe nderim për jetën, ne vajtojmë për humbjen e jetës që sjell lufta. Të dhënat janë tronditëse. Në Luftën e Parë Botërore, pati mëse 8 milionë vdekje ushtarësh. Në Luftën e Dytë Botërore, mëse 22 milionë gra dhe burra në shërbim vdiqën2. Së bashku, këto dy luftra, që zgjatën për 14 vite, patën koston e jetës së të paktën 30 milionë ushtarëve në të gjithë botën. Kjo shifër nuk përfshin milionat e civilëve të goditur.

Këto të dhëna, sidoqoftë, duken të rrëgjuara para taksës së një lufte tjetër që kërkon më shumë dëme vjetore se sa Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore së bashku. Raporte nga e gjithë bota tregojnë se kryhen mëse 40 milionë aborte çdo vit3.

Kjo luftë që quhet abort, është një luftë kundër atyre që janë pa mbrojtje dhe pa zë. Ajo është një luftë kundër të palindurve. Kjo luftë po kryhet në mënyrë globale. Ironikisht, shoqëritë e qytetëruara që kanë vendosur në përgjithësi roje sigurie për jetën e njeriut, kanë miratuar tani ligje që e sanksionojnë këtë praktikë.

Doktrinë e Shenjtë

Kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse Zoti ka deklaruar në mënyrë të përsëritur këtë urdhër të shenjtë: “Nuk do të vrasësh”4. Pastaj Ai shtoi: “As mos bëj diçka të ngjashme”5. Edhe përpara se plotësia e ungjillit të vendosej, individë të ditur e kuptuan shenjtërinë e jetës njerëzore. Xhon Kalvin, një reformator i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, shkroi: “Nëse duket më e tmerrshme të vrasësh një njeri në shtëpinë e tij se sa në fushë, … me siguri do të dukej më mizore të shkatërrosh një fetus në mitër përpara se ai të ketë dalë në dritë.”6

Rregullat e bëra nga njeriu tani kanë legalizuar atë që ka qenë e ndaluar nga Perëndia qysh në ag të kohrave! Arsyeja njerëzore ka lëkundur dhe transformuar të vërtetën absolute në parrulla agresive, që nxitin një praktikë tërësisht të gabuar.

Shqetësime të Veçanta

Shqetësimi për shëndetin e nënës është jetik. Por rrethanat në të cilat ndërprerja e shtatëzanisë është e nevojshme për të shpëtuar jetën e nënës janë shumë të rralla, veçanërisht atje ku kujdesi shëndetësor modern është i pranishëm. Një shqetësim tjetër lidhet me shtatëzanitë që vijnë nga përdhunimi apo marrëdhëniet e një gjaku. “Kjo tragjedi ndodh sepse liria e zgjedhjes e një gruaje të pafajshme mohohet. Në këto rrethana, aborti ndonjëherë kon-siderohet i këshillueshëm për të ruajtur shëndetin fizik dhe mendor të nënës. Abortet për këto arsye janë gjithashtu të rralla.

Disa argumentojnë për abortin sepse tremben se mos fëmija do të ketë keqformime të lindura. Sigurisht efektet e dëmshme të disa elementëve infektues ose toksikë në tremujorin e parë të shtatëzanisë janë reale, por kërkohet kujdes në shqyrtimin e ndërprerjes së shtatëzanisë. Jeta ka një vlerë të madhe për të gjithë, përfshi ata që lindin me paaftësi. Për më tepër, rezultati mund të mos jetë aq serioz sa mendohet.

Unë mbaj mend mirë një çift që përballi një përvojë të tillë. Gruaja ishte vetëm 21 vjeç në atë kohë — një bashkëshorte e mrekullueshme dhe e devotshme. Në tremujorin e saj të parë, ajo u sëmur nga rubeola. Aborti ishte i këshillueshëm sepse foshnja që po zhvillohej thuajse me siguri do të dëmtohej. Disa anëtarë të familjes së saj, nga shqetësimi plot dashuri, kërkuan të bëhej më shumë presion për abort. Me devocion, çifti u këshillua me peshkopin e vet. Ai u rekomandoi atyre të takonin presidentin e kunjit, i cili, pasi dëgjoi shqetësimin që kishin, u këshilloi të mos e ndërprisnin jetën e kësaj fëmije, madje edhe sikur fëmija të mund të kishte ndonjë problem. Ai citoi këtë shkrim të shenjtë:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”7

Ata zgjodhën të ndjekin këtë këshillë dhe lejuan fëmijën e tyre të lindë — një vajzë e vogël e mrekullueshme, normale në çdo drejtim, përveç mungesës së plotë të dëgjimit. Pas vlerësimit të vajzës së tyre në një shkollë për shurdhë, prindërve iu tha se ky fëmijë kishte intelektin e një gjeniu. Ajo ndoqi një universitet të madh me bursë. Tani rreth 40 vite më vonë, ajo gëzon një jetë të mrekullueshme.

T’i mohosh jetën një individi për shkak të një mangësie të mundëshme është një çështje shumë serioze. Një politikë sipas kësaj logjike do të diktonte që atyre që tashmë jetojnë me mangësi të tilla, duhet po ashtu t’u ndërpritet jeta. Një hap më shumë në këtë linjë tragjike mendimi do të çonte në përfundimin se ata që janë qoftë të pafuqishëm apo të papërshtatshëm, duhet gjithashtu të eleminohen. Një mospërfillje e tillë për jetën do të ishte tërësisht e pamendueshme!

Aborti me Kërkesë

Relativisht pak aborte kryhen për rrethana të veçanta të cilat i përmendëm8. Shumë aborte kryhen me kërkesë për të përballuar shtatzëni të padëshiruara. Këto aborte janë thjesht një formë e kontrollit të lindjes.

Aborti me zgjedhje është legalizuar në shumë vende mbi bazën e premisës se një grua është e lirë të zgjedhë çfarë të bëjë me trupin e saj. Në një farë shkalle kjo është e vërtetë për secilin prej nesh, burrë apo grua. Ne jemi të lirë të mendojmë. Ne jemi të lirë të planifikojmë. Dhe ne jemi të lirë të bëjmë. Por kur një veprim është ndërmarrë, ne nuk mund të çlirohemi kurrë nga rrjedhimet e tij.

Për të kuptuar më qartë këtë koncept, ne mund të mësojmë nga astronauti. Në çdo kohë gjatë zgjedhjes dhe përgatitjes, ai ose ajo është i lirë të tërhiqet nga programi. Por kur anija kozmike është shkëputur nga toka, astronauti është i lidhur nga pasoja e zgjedhjes së mëparshme për të kryer udhëtimin.

Kështu është me njerëzit që zgjedhin të fillojnë një udhëtim që i shndërron në prindër. Ata kanë lirinë e zgjedhjes — të fillojnë ose mos t’i futen kësaj rruge. Kur shtatzënia ka ndodhur, kjo zgjedhje tashmë është kryer.

Po, një grua është e lirë të zgjedhë çfarë të bëjë me trupin e saj. Kur zgjedhja e saj çon në një mision astronauti ose tek një fëmijë, zgjedhja e saj për ta filluar udhëtimin e lidh atë me rrjedhimin e asaj zgjedhjeje. Ajo nuk mund të bëjë “çzgjedhje”.

Kur debatohen kundërshtitë mbi abortin, “e drejta individuale e zgjedhjes” paraqitet sikur të ishte një veti supreme. Kjo mund të jetë e vërtetë, por vetëm nëse përfshihej vetëm një person. Të drejtat e cilitdo individ nuk lejojnë të abuzohet ndaj të drejtave të një individi tjetër. Brenda ose jashtë martese, aborti nuk është një çështje vetëm per-sonale. T’i japësh fund jetës së një fëmije në zhvillim përfshin dy individë me trupa, tru dhe zemra të veçanta. Zgjedhja e një gruaje për trupin e saj nuk përfshin të drejtën të privojë fëmijën e saj nga jeta — dhe nga një jetë e tërë zgjedhjesh që fëmija i saj do të bënte.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne duhet të ngrihemi për zgjedhjen — zgjedhjen e drejtë — jo thjesht për zgjedhjen si metodë9.

Gati gjithë legjislacioni lidhur me abortin shqyrton kohën e shtatzënisë. Mendja njerëzore ka provuar të përcaktojë se kur “jeta e kuptimtë” fillon. Gjatë studimeve të mia si doktor në mjekësi, kam mësuar se një jetë e re fillon kur dy qeliza të veçanta bashkohen në një qelizë, duke sjellë së bashku 23 kromozome nga babai dhe 23 nga nëna. Këto kromozome përmbajnë mijëra gene. Në një proces të mrekullueshëm, që përfshin kombinimin e kodimit gjenetik nga i cili formohen të gjitha karakteristikat bazë njerëzore të personit të palindur, një kompleks i ri ADN-je formohet. Një vijim i rritjes rezulton në një qenie të re njerëzore. Afërsisht 22 ditë pasi dy qelizat janë bashkuar, një zemër e vogël fillon të rrahë. Në 26 ditë fillon qarkullimi i gjakut10. Për të futur në kod juridik se kur konsiderohet një jetë në zhvillim si “e kuptimtë” është hamendësuese dhe plotësisht arbitrare, sipas mendimit tim.

Aborti ka qenë legalizuar nga institucione qeverisëse pa patur parasysh Perëndinë dhe urdhërimet e Tij. Shkrimet e shenjta deklarojnë duke përsëritur se njerëzit do të begatohen vetëm nëse ata u binden urdhërimeve të Perëndisë11. Individët do të begatohen vetëm nëse ecin me besim dhe bindje ndaj Perëndisë, që tha:

“Unë Zoti, … ndërtova tokën, pikërisht me punën e duarve të mia; dhe të gjithë gjërat në to janë të miat.

Dhe është qëllimi im për të siguruar …

Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime …

Sepse toka është plot dhe ka mjaft edhe për të kursyer.”12

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka kundërshtuar vazhdimisht praktikën e abortit. Mëse një shekull më parë, Presidencia e Parë shkruante: “Ne përsëri përfitojmë me këtë rast të paralajmërojmë shenjtorët e ditëve të mëvonshme kundër këtyre … praktikave të vrasjes së embrioneve dhe të fëmijëve.”13

Herët në presidencinë e tij Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) tha: “Ne kemi afirmuar në mënyrë të përsëritur pozitën e Kishës në kundërshtimin e vendosur të të gjitha aborteve përveç dy rasteve të rralla: Kur shtatzënia është rezultat i përdhunimit dhe kur këshilla kompetente mjekësore tregon se shëndeti i një nëne do të rrezikohej në rast të kundërt seriozisht.”14 Politika aktuale sot përfshin dy përjashtime të tjera — marrëdhëniet në gjak dhe nëse fëmija nuk mund të mbijetojë pas lindjes, sipas përcaktimit të këshillës kompetente mjekësore. Edhe këto përjashtime madje nuk e justifikojnë vetvetiu abortin. Kjo “duhet të shihet vetëm pasi personat përgjegjës janë këshilluar me peshkopët e tyre dhe kanë marrë konfirmim hyjnor nëpërmjet lutjes”15.

Birësimi

Përse të shkatërrohet një jetë që mund të sjellë gëzim të madh tek të tjerët? Ka rrugë më të mira për të përballur një shtatzëni të padëshiruar. Kur një jetë është krijuar nëpërmjet një sjelljeje mëkatare, mënyra më e mirë për të filluar pendimin vetiak është të ruajmë jetën e kësaj fëmije. T’i shtosh një tjetër mëkat serioz një mëkati serioz tashmë të kryer vetëm e rrit brengën. Birësimi është një alternativë e mrekullueshme ndaj abortit. Të dy, fëmija dhe prindërit birësues mund të bekohen shumë me birësimin e kësaj fëmije në një shtëpi ku fëmija do të rritet me dashuri dhe ku bekimet e ungjillit do të jenë të pranishme.

Pendesa Është e Mundshme

A ka ndonjë shpresë për personin që ka marrë pjesë në aktin e abortit? A ka ndonjë shpresë për ata që kanë mëkatuar kështu dhe që vuajnë tani një zemër të thyer? Përgjigja është po! “Për aq sa është zbuluar, një person mund të pendohet dhe të falet për mëkatin e abortit.”16 Ne e dime se Zoti do të ndihmojë të gjithë ata që vërtet pendohen17.

Jeta është e çmuar! Askush nuk mund të përqafojë një fëmijë të pafajshëm, të shohë në ato sy të mrekullueshëm, të ndiejë gishtat e vegjël dhe të puthë atë faqe të foshnjes pa një nderim të thellë për jetën dhe për Krijuesin tonë. Jeta vjen nga jeta. Ajo nuk është një rastësi. Ajo është një dhuratë nga Perëndia. Jeta e pafajshme nuk është dërguar nga Ai që të shkatërrohet. Ajo është dhënë nga Ai dhe merret natyrshëm vetëm nga Ai18. Unë dëshmoj se jeta është e përjetshme ashtu si Ai është i përjetshëm.

SHËNIME

  1. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës,” Liahona, tetor 2004, 49.

  2. Shih The New Encyclopedia Britannica, botimi i 15-të (1998), “World Wars, The.”

  3. Shih Maria Cheng, “Abortion Just as Common in Nations Where It’s Illegal,” Salt Lake Tribune, tetor 12, 2007, f. A7. Në Shtetet e Bashkuara, numri i lindjeve është në kufijtë tre deri në katër milionë. Numri i aborteve gjatë po të njëjtës periudhë kohe e kapërcen një milionin. Pra, në atë vend, një në çdo tre deri katër shtatzëni, përfundon në abort.

  4. Shih Eksodi 20:13; Ligji i Përtërirë 5:14; Mateu 5:21; Romakëve 13:9; Mosia 13:21; 3 Nefi 12:21; DeB 42:18–19.

  5. DeB 59:6.

  6. John Calvin, Commentaries on the Four Last Books of Moses Arranged in the Form of a Harmony, përkthyer nga Charles William Bingham, 22 volume. (1979), 3:42.

  7. Fjalët e Urta 3:5–6.

  8. Shih deklaratë nga Dr. Irvin M. Cushner, që i drejtohet United States Senate Committee on the Judiciary, Constitutional Amendments Relating to Abortion, Gazeta e Senatit 17–19, 110, Kongresi i 97të Cong., sesioni 1, 1981, 158.

  9. Shih Dallin H. Oaks, “Weightier Matters,” Liahona, mars 2000, 17–19.

  10. Shih J. Willis Hursts and others, eds., The Heart, botimi i 4-t (1978), 7.

  11. Shih Levitiku 26:3–13; Jozueu 1:7–8; 1 Mbretërve 2:3; 2 Mbretërve 18:5–7; 2 Kronikat 24:20; 26:5; 31:21; Jobi 36:11–12; 1 Nefi 2:20–21; 4:14; 2 Nefi 1:9, 20, 31; 4:4; 5:10–11; Jeremia 1:9; Omni 1:6; Mosia 1:7; 2:22, 31; Alma 9:13; 36:1, 30; 37:13; 38:1; 45:6–8; 48:15, 25; 50:20; Helamani 3:20; 3 Nefi 5:22; DeB 9:13.

  12. DeB 104:14–17.

  13. John Taylor and George Q. Cannon, “Epistle of the First Presidency,” prill 4, 1885; në James R. Clark, përmb., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 6 volume (1965–75), 3:11.

  14. Spencer W. Kimball, “A Report and a Challenge,” Ensign, nëntor 1976, 6; shih gjithashtu “The Time to Labor Is Now,” Ensign, nëntor 1975, 6.

  15. Church Handbook of Instructions, Book 1: Stake Presidencies and Bishoprics (2006), 185.

  16. Church Handbook of Instructions, Book 1, 185.

  17. Shih Jeremia 31:34; Hebrenjve 8:12; 10:17; DeB 58:42.

  18. Shih Ligji i Përtërirë: 30:20; Veprat e Apostujve 17:28; DeB 88:13; Mosia 6:32.