2008
Gjithçka Do të Jetë Mirë
Tetor 2008


Gjithçka Do të Jetë Mirë

Një njoftim rishtas: Kontrolli më i fundit i Motrës Koston, tetë vjet pas diagnostikimit, nuk tregoi ndonjë shenjë kanceri.

Sytë m’u mbushën me lot ndër-sa po i jepja makinës drejt spitalit për analiza të tjera. Më kishin diagnostikuar kancer pas lindjes së vajzës time, dy vjet më parë. Kisha bërë operacion e kisha marrë trajtime mjekësore dhe tani do të zbuloja nëse trajtimet kishin funksionuar. “Ati Qiellor, kam mësuar shumë nga kjo përvojë. Të lutem largoje këtë sprovë nga unë. Dua të rris bijën time dhe një ditë të shërbej një mision bashkë me burrin tim. Të lutem më shëro.”

Lotët më shkanë në fytyrë. Befas lutja ime u shndërrua në fjalët e këngës “A Child’s Prayer [Lutja e Një Fëmije]”1. Diçka më detyroi të flas me zë të lartë.

Lutu, ai është aty;

Fol, ai po dëgjon.

Ti je fëmija i tij;

Dashuria e tij tani të rrethon.

Lutjen tënde e dëgjon Ai.

Më pushtoi një ndjenjë tronditëse dashurie. E ndjeva se Ati Qiellor më njihte, se ishte i shqetësuar për mua dhe se po më dëgjonte. E ndjeva se gjithçka do të shkonte mirë.

I mora rezultatet e analizave ditën tjetër. Analizat nuk tregonin shenja kanceri. Ndjeva të më hiqej një barrë e stërmadhe. Por, një ditë më pas, doktori më telefonoi dhe më shpjegoi se, ndonëse rezultatet e përparshme ishin të pastra, analiza e gjakut tregoi se kisha ende një aktivitet kanceroz të rëndësishëm. “Si është e mundur kjo?” pyeta unë. Nëse kjo po ndodhte vërtet, pse e kisha ndier se Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes time?

U përpoqa të lija dyshimet mënjanë, ndërsa u ktheva për analiza të tjera. Rezultatet treguan se jo vetëm kisha ende kancer, por edhe se kanceri ishte përhapur. Nuk mund të mos çuditesha për atë që përjetova në makinë. Nuk mund ta mohoja atë që kisha ndier, por fillova të dyshoj në interpretimin tim.

Informacioni i ri ishte trullosës dhe më bëri të mendohesha seriozisht. E ndjeva se duhet ende të mësoja diçka nga kjo sprovë. Ndërsa meditoja, e kuptova se kisha kryer pa menduar të gjitha veprimet e një shenjtoreje aktive të ditëve të mëvonshme, por shpesh i kisha bërë gjërat për zakon dhe jo sinqerisht. Nuk isha në nivelin shpirtëror ku doja të isha. Më duhej të kthehesha tek parimet themelore, prandaj fillova të përqendrohem në fusha që do të më sillnin më pranë Jezu Krishtit. Më duhej forca e Tij që të mund t’ia dilja sprovave të mia.

Ndërsa bëja më shumë përpjekje për çështjet shpirtërore, u rrit besimi im tek Jezu Krishti dhe plani i Tij për mua. E kuptova se përvoja ime, ndërsa po ecja me makinë drejt spitalit, ishte një përgjigje ndaj lutjes. Kur e njoha dhe e pranova atë përgjigje (se gjithçka do të shkonte mirë), e kuptova se Ati Qiellor nuk e saktëson gjithmonë se kur do të zgjidhet gjithçka. Ndoshta unë nuk do të shërohem asnjëherë plotësisht nga ana fizike, por po mësoj të pranoj vullnetin e Tij. Jeta ime është vërtet në duart e Tij.

Kanë kaluar shtatë vjet që kur mua më diagnostikuan kancer. Kam patur operacione dhe trajtime të shumta, por ende kam kancer. Megjithatë, jeta vazhdon dhe unë jam mirënjohëse për këtë. Bashkë me sprovat e mia kanë ardhur bekime, përfshirë një bijë të dytë. Më e rëndësishmja, përgjigja e Zotit se “gjithçka do të shkojë mirë”, ende më ngushëllon.

SHËNIM

  1. Children’s Songbook, f. 12–13.