2008
MIQTË
Tetor 2008


MIQTË

Mund të Kisha Qenë Unë

Zgjidhni miq që kanë standardet tuaja të larta. Trajtoni gjithkënd me mirësi dhe respekt. Ftoni miq të besimeve të tjera në aktivitetet e Kishës. Afrojuni të kthyerve të rinj dhe zgjidhni ata që janë më pak aktivë.

Kur isha shtatë vjeçe, erdhi një vajzë në mëhallën tonë dhe ne u bëmë shoqe. Na pëlqenin të dyjave të njëjtat gjëra dhe u bëmë një ndikim i mirë për njëra-tjetrën. Ne bëmë zgjedhje të mira, sepse prindërit tanë na kishin mësuar të zgjidhnim me urtësi.

Megjithatë, kur shkuam në klasën e gjashtë, bëmë zgjedhje të gabuara që të mund të përshtateshim me miqtë tanë që kishin standarde më të ulta. Vitin tjetër, vendosa se duhej të ndryshoja miqtë, kështu që fillova të bëj përsëri zgjedhje të drejta duke jetuar standarde më të larta. I vetmi problem ishte se unë dhe shoqja ime ishim ende shoqe dhe nuk doja të mos shoqërohesha më me të.

Qe e vështirë të bëja atë që duhej të bëja. Gjithë jetën më kishin thënë të zgjidhja miq të mirë dhe t’i mbaja lart standardet e mia. Por nuk kisha dëshmi se përse kjo ishte e rëndësishme, prandaj duhet të kisha besim se kjo ishte e saktë. Gjatë verës dhe gjatë klasës së tetë, ne filluam të mos shoqëroheshim aq shumë dhe zgjodhëm drejtime të veçuara.

I pashë bekimet e këtij vendimi më vonë në atë vit. Miqtë e mi të mëparshëm vendosën të sillnin alkool në shkollë. Ata i bindën edhe disa vajza të tjera që të pinin dhe të gjithë u futën në telashe. E kuptova se një nga ato vajza mund të kisha qenë unë. Nëse do të kisha qenë me ta, nuk e di nëse do të kisha patur forcën të mbroja besimet e mia.

Kur mendoj për pasojat që do të më duhej të përballoja, ndjehem e tronditur. Mund të luftoja me varësinë nga alkooli, të kisha telashe me ligjin, të humbja besimin e prindërve të mi, por mbi të gjitha, do të mund të kisha tradhëtuar besimin që Ati Qiellor ka tek unë.

E di se ajo që thotë profeti për të jetuar standarde të larta është për mbrojtjen tonë. Edhe pse mund të na duket e papërshtatshme, ajo na ndihmon shpirtërisht, fizikisht, mendërisht dhe në mënyra të tjera që as na shkojnë në mend.