2008
Gjetja e Besimit Tim
Tetor 2008


Gjetja e Besimit Tim

Përgjatë disa muajve misionarët më ftuan disa herë të pagëzohem, por gjithnjë i kundërshtova.

Një natë gjatë vitit tim të parë në kolegj në vitin 1989–90, një mik i mirë imi dhe unë qëndronim deri vonë duke studjuar për provimet.

Befas, Mati më bëri një pyetje që do të ishte një nga momentet përcaktuese të jetës time. “Si e mendon kisha juaj pamjen e Perëndisë? E kam fjalën si ngjan Ai sipas jush?”

Unë nuk kisha ndonjë përgjigje për të. Duke qenë i ndieshëm ndaj gjendjes time, ai e anashkaloi fisnikërisht temën. Por unë nuk mund ta harroja atë. Unë isha në një pozitë të jashtëzakonshme: Unë isha një protestant që studjoja në Universitetin Brigam Jang dhe megjithëse kisha dyshime mbi besimin tim dhe fenë në tërësi, nuk kisha ndonjë synim për të ndryshuar besim. Përkundrazi, për një vit të tërë unë e kisha rrethuar veten kujdesshëm me barrikada shpirtërore duke shmangur bisedat fetare. Me këtë pyetje të thjeshtë miku im kishte arritur më në fund të hapte një portëz të vogël hyrje në zemrën time.

Kërkimi për Besim

Gjatë disa muajve më pas, unë pyesja veten herë pas here: “Çfarë besoj unë? Më e rëndësishmja, a besoj unë? A ka vërtet një Perëndi dhe, nëse është kështu, si është Ai? A mund ta njoh Atë? A do t’u përgjigjej Ai lutjeve të mia? A mund të kem besim ashtu siç kanë miqtë e mi shenjtorë të ditëve të mëvonshme?”

Nuk ishte se nuk kisha patur raste të shqyrtoj të tilla pyetje prove më parë; për vite disa nga miqtë e mi më të mirë ishin shdm. Këto miqësi më kishin çuar të regjistrohem në UBJ. Por thuajse gjithnjë unë i kisha shmangur tentativat e tyre për biseda mbi ungjillin. Ato pak herë që isha takuar me misionarë, unë nuk i dëgjoja me mendje të hapur.

Unë ishta tepër i frikësuar nga ndryshimet që do të kër-koheshin, ndryshime që mund të më izolonin shoqërisht dhe emocionalisht nga familja ime. Unë nuk doja të besoja se e kisha gabim ose se traditat e mia nuk ishin të sakta. Unë nuk besoja se mund të merrja zbulesë nga Perëndia ose që edhe të tjerët mund ta merrin atë. Dukej absurde, pa logjikë dhe madje e çuditshme që Perëndia t’i shfaqej djalit Jozef Smith, që Ai do të zbulonte një shkrim të shenjtë të ri dhe që vetëm një fe kishte marrë drejtimin e shenjtë për krijimin e saj si Kishë e vërtetë.

Për ironi, unë dyshoja mbi vërtetësinë e të gjithë feve, përfshi fenë time. Ndërsa kisha një zemër të mbushur me dashuri për familjen dhe miqtë, një zemër që donte aq shumë të merrte përgjigje, kur vinte puna tek pëshpëritjet e Shpirtit, unë bëhesha me një zemër prej guri.

Pas vitit tim të parë u ktheva në shtëpi në Kentaki për të vazhduar arsimimin tim. Miqtë e mi shenjtorë të ditëve të mëvonshme shpejt u larguan për të shërbyer në misione dhe unë ndjeva një vetmi të thellë nga mungesa e tyre. Unë doja të kisha disa nga bindjet që i kishin frymëzuar ata të ofronin dy vite të jetës së tyre. Në të njëjtën kohë, unë isha gjithnjë i shqetësuar që nuk kisha përgjigje për pyetjen e Matit. Unë doja të dija të vërtetat për vete. Më në fund, pas shumë letrave nga miqtë e mi që më nxisnin të takohesha me misionarë, unë e mposhta ankthin dhe pranova.

Shqyrtimi i Kthimit në Besim

Sidoqoftë, unë kisha rezerva lidhur me idenë se parime të ndryshme të ungjillit ishin të kombinuara në një të tërë unike. Misionarët besonin se gjersa mesazhi i tyre, në tërësinë e tij, ishte ose i gjithë i vërtetë ose i gjithë i gënjeshtërt, pasi të kisha fituar dëshmi për një parim, unë do të pranoja natyrshëm gjithë mësimet e tyre.

Unë nuk u besoja. Unë mendoja se ishte e pranueshme të merrja e të zgjidhja çka unë doja të besoj nga një lloj liste doktrinore dhe shpirtërore1. Në të njëjtën kohë, logjika ime kërkonte si provë të dhëna praktike, jo kthim të bazuar në besim.

Fatkeqësisht, logjika më linte gjithashtu të palumtur dhe të pakënaqur. Të gjitha argumentet filozofike që shqyrtova ishin postulate konkurruese pesimizmi që nuk jepnin përgjigje realiste. Unë dëshiroja diçka më shumë, diçka që do të komunikonte ngrohtësisht me zemrën time në mënyrën si miqtë e mi dhe misionarët përshkruanin komunikimin me Frymën e Shenjtë. Unë mora pjesë në diskutime misionare me shpresën se mund të dija nëse ajo që thoshin ishte e vërtetë apo jo, apo në fund të fundit të kisha njëfarë kënaqësie duke mësuar se nuk ishte e vërtetë.

Misionarët ishin të durueshëm por prapë të palëkundur. Përgjatë disa muajve, ata më mësuan shumë diskutime dhe më ftuan disa herë të pagëzohem, por gjithnjë i kundërshtova. Unë prisja për ndonjë ngjarje të dukshme dhe të mrekullueshme që do të më siguronte një dëshmi para se të isha i gatshëm të pranoja ftesën e tyre. Unë nuk e mora këtë lloj dëshmie, kështu që vijova kundërshtimin e ftesave të tyre.

Një ditë misionarët lexuan një pasazh nga Libri i Mormonit: “Mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6). Pastaj ata thanë: “Xhosh, sa herë që ne të ftojmë të pagëzohesh, ti thua jo. Ajo që duhet të thuash është po dhe pastaj Shpirti do ta konfirmojë atë tek ty.”

Me fjalë të tjera, unë nuk kisha marrë ende një dëshmi sepse akoma nuk e kisha provuar besimin tim. Unë nuk e kisha vrarë mendjen veç të pyesja, duke besuar se do të merrja pa u përpjekur (shih DeB 9:7). Unë praktikisht e kisha bllokuar Shpirtin nga mundësia që të më dëshmonte, sepse unë nuk doja të hidhja hapin tjetër. Ajo që unë kisha nevojë ishte të hidhja hapin e besimit në errësirë përpara se drita të shkëlqente. Dëshmia vërtetuese do të vinte pasi unë të provoja besimin tim, jo përpara2.

Mendimi im i parë ishte që misionarët po më manipulonin që të më bënin të pagëzohesha. Pastaj më ndodhi që pikërisht në momentin kur unë iu përgjigja jo ftesës për pagëzim, diçka gati e pandjeshme u shkëput nga zemra ime. Ishte një ndjenjë e qetë, e butë, delikate paqeje që më nxiste të ndiqja këshillën e misionarëve, por unë nuk e kisha njohur praninë e saj para se ajo të largohej, duke më lënë të turbulluar, të brengosur dhe të pikëlluar.

Unë vrisja mendjen nëse kjo ndjenjë gati e padallueshme mund të ishte Shpirti që më linte dhe nëse shkaku i turbullirës time ishte zemra ime e ngurtësuar që e shtynte Atë tutje. Pa asnjë mëdyshje tjetër, unë vendosa të provoj sfidën e misionarëve. Unë do t’i thoshja po ftesës së paevitueshme dhe pastaj nëse e ndieja Shpirtin siç më kishin premtuar, unë do të shkoja në pagëzim. Nga ana tjetër, nëse nuk ndieja Shpirtin, isha i përgatitur plotësisht t’u thoshja misionarëve se thjesht po bëja shaka.

Prova e Farës

Në mbrëmjen e takimit tjetër ne pamë një video të re të Kishës, Biri Plangprishës. Pati një ndjesi të veçantë në dhomë; misionarët dukej që ishin të prekur, lotët mbulonin faqet e tyre.

Pasi mbaroi filmi, ne lexuam disa pjesë nga shkrimet e shenjta. Në fund Plaku Kriçfild u kthye nga unë dhe pyeti: “Xhosh, a do të pagëzohesh të shtunën, më 10 nëntor, në orën 4:00 pasdite?”

Unë ngurrova dhe pastaj u përgjigja: “Po.”

Shpirti më goditi me një prani të tillë elektrizuese saqë m’u rënqeth lëkura e krahëve dhe gati bërtita. Nuk mund të kishte dyshim se kjo dritë kishte shkëlqyer në errësirë. Unë kisha testuar besimin tim dhe e dija pa asnjë dyshim se unë duhet të pagëzohesha.

Unë mora një dëshmi të mirësisë së një fare besimi, por unë duhej akoma ta shihja atë të rritej deri në dhënien e frutave (shih Alma 32:35–36) dhe unë nuk kisha marrë akoma dëshminë vërtetuese të parimeve të tjera të ungjillit. Sprova ime e besimit akoma nuk kishte përfunduar.

Jo shumë vonë pasi u pagëzova dhe u konfirmova, dyshimet po më ngacmonin mendjen. Unë ndieva kundërshti midis përvojës time krejt vetiake që kisha kur vendosa të pagëzohem dhe logjikës time të vjetër, që nuk pranonte njohuri të bazuar në besim.

Shpejt fillova përsëri të kem ndjesitë e bezdisshme të turbullirës e pikëllimit dhe nuk dija çfarë të besoja. Sidoqoftë, unë kisha marrë një zotim dhe unë vendosa të qëndroj aktiv në Kishë e të zbatoj parimet që më kishin mësuar deri sa sprova e besimit tim të zgjidhte konfliktin tim në një mënyrë apo një tjetër.

Gjetja e Besimit Tim

Zoti nuk më la të endem i vetmuar. Më dhanë një thirrje për të shërbyer me misionarët dhe kur ne shkonim për kthime në besim çdo javë, misionarët vijonin të kujdeseshin për mua. Mësuesit e mi të shtëpisë ishin besnikë. Shoku im i mësimit të shtëpisë ishte i gatshëm dhe i qëndrueshëm. Shumë anëtarë të lagjes u bënë miq me mua duke më përfshirë në jetën e tyre, duke më ftuar në shtëpitë e tyre për drekë dhe për mbrëmje familjare në shtëpi. Ata u lutën me mua dhe për mua. Peshkopi dhe familja e tij u kujdesën dhe më nxitën. Unë mund të ndieja synimet e ndershme në zemrat e tyre dhe kjo forcoi vendosmërinë time.

Një ditë, disa muaj më vonë, unë kuptova se sa herë që lexoja Librin e Mormonit, unë kisha një ndiesi delikate, familjare paqeje, shumë të ngjashme me atë që kisha ndier gjatë diskutimeve dhe ftesave për t’u pagëzuar. Unë pata një moment të beftë qartësie: ky ishte Shpirti. Ndërsa unë mendoja fjalët — “Nëse ky është Shpirti, atëhere ky libër duhet të jetë i vërtetë” — kjo ndiesi delikate u rrit në zemrën time dhe besimi im u kthye në njohje shpirtërore të këtij parimi.

Ndërsa zemra ime vijonte të bëhej më e “thyer” dhe shpirti im më i “penduar” (shih Ethëri 4:15), përvoja të tjera vërtetuese pasuan. Me kohë dyshimet e mia u zëvendësuan nga bindje. Unë e dija se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti, se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë, jo nëpërmjet zgjuarësisë time apo i bindur nga të tjerët, por nga prania e pamohueshme e Shpirtit që i fliste shpirtit tim. Rresht pas rreshti u futën në mendjen time (shih 2 Nefi 28:30). Ndërsa këto përvoja vërtetuese ngriheshin mbi njëra-tjetrën, perceptimet e mia mbi ungjillin zgjeroheshin dhe kuptimi shpirtëror erdhi më shpejt. Çdo përvojë kërkonte zell, një vullnet për të dëgjuar e për të ndjekur dhe një dëshirë për t’u dhënë ndaj thirrjeve të Shpirtit (shih Mosia 3:19).

Unë mund të them sot se ungjilli është i vërtetë, sepse unë e kam mësuar atë vetë. Dikur ungjilli dukej i huaj dhe jo logjik; tani ai është familjar dhe i mrekullueshëm për mua. Parimet e ungjillit janë vërtet të gjitha të ndërlidhura në një të tërë të madhe. Edhe me një njohje doktrinore relativisht të kufizuar, si misionar unë mund të dëshmoj për këto të vërteta. Ndërsa njohja ime e doktrinës zgjerohet, ndodh e njëjta me dëshminë time.

Dëshmia ime e përmbledhur punon si mburojë e punuar me kujdes dhe e mirëmbajtur vazhdimisht kundra fatkeqësisë. Ajo më mbështet nëpër sfidat që ndesh, veçanërisht kundra përpjekjes së të keqes që të mbjellë dyshime lidhur me gjërat mbi të cilat tashmë kam marrë përgjigje (shih DeB 6:22–23). Kur ndihem i dobët, kur dyshimet vijnë, kur dhimbja zgjatet, unë zbatoj të njëjtin model që ka dhënë fryte qysh nga dita e parë kur pata dëshmi: Unë mendoj mbi çdo përvojë timen që më ka dhënë dëshmi, unë përforcoj praktikën e parimeve që kam mësuar dhe unë i kushtoj vëmendje riafirmimit të besimit tim nga Shpirti.

Ungjilli është i vërtetë, gjithçka në të, dhe ai është i hapur për të gjithë ata që, në përulësinë e zemrave, do të provojnë besimin e tyre duke hedhur hapin në errësirë. Drita e Shpëtimtarit është atje, e fshehur vetëm nga mungesa e vullnetit tonë për ta gjetur atë. Mund të ketë shumë kohëra të errëta në jetën tonë ose raste kur dëshmitë tona sfidohen. Unë zbulova që ndriçimi i Shpëtimtarit na pret kur ne e kërkojmë me dëshirë Atë dhe ai ndriçim, nëse e kër-kojmë vazhdimisht, na udhëheq ne në kthim.

SHËNIME

  1. Shih Glenn L. Pace, “Follow the Prophet,” Ensign, maj 1989, 26.

  2. Shih Boyd K. Packer, “The Book of Mormon: Another Testament of Jesus Christ—Plain and Precious Things,” Liahona, maj 2005, 8.