2008
Të Vërtetë ndaj Besimit: Ofrohen Kuptime të Thjeshta për Parimet e Ungjillit
Tetor 2008


Të Vërtetë ndaj Besimit: Ofrohen Kuptime të Thjeshta për Parimet e Ungjillit

Kur Robert Land, një peshkop në Kejsvill të Jutas, ShBA, ndesh me ndonjë pyetje ose çështje lidhur me ungjillin, një burim të cilit ai i drejtohet përherë, është Të Vërtetë ndaj Besimit.

“Nëse dikush vjen tek unë me një pyetje, unë i them: ‘Le të shohim se ç’thotë Të Vërtetë ndaj Besimit’”, thotë Peshkopi Land, duke përmendur referimin bashkëudhëtar në studimin e shkrimeve të shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme.

I botuar fillimisht në vitin 2004, Të Vërtetë ndaj Besimit bën një trajtim temë për temë në shpjegimet e tij të thjeshta për çështje të ungjillit. Ndonëse referimi u hartua veçanërisht në dobi të rinisë, të të rinjve beqarë të moshës madhore dhe të të kthyerve të rinj në besim, qëllimi themelor i librit Të Vërtetë ndaj Besimit është të ndihmojë të gjithë lexuesit të forcojnë përpjekjet e tyre “për t’iu afruar Shpëtimtarit pranë dhe për ta ndjekur shembullin e Tij”, shpall Presidencia e Parë në mesazhin e parathënies.

Peshkopi Land nuk është i vetëm në pikëpamjen e tij entuziaste për librin. Anëtarët nëpër botë po gjejnë mënyra ta përdorin librin Të Vërtetë ndaj Besimit për të ngritur nivelin e studimit vetjak të ungjillit, për të ndërtuar themele më të forta njohurie ungjillore, për të zbatuar parimet e ungjillit në jetën e tyre dhe për t’u përgatitur për përhapjen apo mësimdhënien e ungjillit.

Ngritja e Nivelit të Studimit të Ungjillit

Dona Hesling, nga Dega Mynster e Kunjit Dortmund, Gjermani, e përdor librin Të Vërtetë ndaj Besimit për të fituar një kuptim më të gjerë për Kishën e rivendosur dhe mësimet e saj.

“Pjesët janë të qarta e të gjalla dhe çdo tematikë ka shtuar dhe ka vërtetuar dëshminë time për vërtetësinë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonëshme”, tha Motra Hesling.

Të Vërtetë ndaj Besimit përmban afro 170 pjesë, në tematika të renditura alfabetikisht nga “Abort” deri në “Zbulesë Personale”. Përveç që mëson parimet e ungjillit në një mënyrë të thjeshtë, por frymëzuese, secila pjesë gjithashtu përmban referenca të shkrimeve të shenjta për një studim të mëtejshëm të çdo tematike.

Mark Ellison dhe familja e tij, nga Saratoga Springs në Juta të ShBA-së, e përdor shpesh librin Të Vërtetë ndaj Besimit për t’u përqendruar mbi një temë kur studion ungjillin në shtëpi.

“Kur fëmijët tanë marrin pjesë në mbrëmjen shtëpiake të familjes nëpërmjet një mësimi, ata do të zgjedhin një temë dhe do të përdorin Të Vërtetë ndaj Besimit për të bërë një përmbledhje të mirë”, tha Vëllai Ellison. “Ndonjëherë kemi zgjedhur një temë dhe i kemi kërkuar secilit pjesëtar të familjes sonë të thotë një gjë që di për të. Pastaj ne i drejtohemi librit Të Vërtetë ndaj Besimit dhe shohim çfarë thuhet në të dhe çfarë mund të kemi lënë pa përmendur.”

Mosha e fëmijëve të tij shkon nga 7 deri në 18 vjeç, por Vëllai Ellison tha se libri Të Vërtetë ndaj Besimit jep informacion që i përgjigjet interesit dhe nivelit të njohurisë ungjillore për secilin pjesëtar të familjes së tij.

“Ai është i thjeshtë, por përmban informacionin më thelbësor”, tha Vëllai Ellison. “Mendoj se familja ime e kupton vërtet që ai është një burim i ungjillit ku ata mund të shkojnë, nëse u dalin pyetje ose duhet të përgatiten për të dhënë mësim apo mendime mbi ndonjë tematikë.”

Ndërtimi i Themeleve të Njohurisë

Gjatë gjithë 2007-ës, 17-vjeçari Xhek Mek-Kell në Lagjen e 21-të të Grendvju, Kunji Grendvju i Provos, Juta (ShBA), së bashku me bashkëmoshatarët dhe udhëheqësit e tij, morën pjesë në një ftesë gare të dhënë nga peshkopi i tyre për të lexuar gjatë vitit librin Të Vërtetë ndaj Besimit nga faqja e parë tek e fundit. Dejvid Tuller, presidenti i Të Rinjve të lagjes, thotë se dega njohu një përgjigje pozitive ndaj librit Të Vërtetë ndaj Besimit.

“Ishte një bekim i mrekullueshëm të lexoje doktrinën që mësohet tek ai libër në një mënyrë aq të hapur, të pastër dhe lehtësisht të kuptueshme”, tha Vëllai Tuller. “Në mbarë lagjen ka një ndërgjegjësim për fuqinë dhe përdorimin e atij libri për biseda, studim vetjak të shkrimeve të shenjta dhe ndihmë për të përhapur ungjillin tek të tjerët.”

Në Degën Ellentaun të Kunjit Riding Pensilvania (ShBA), Trejsi Norton, presidentja e Të Rejave dhe të rejat në lagjen e saj e përdorën librin Të Vërtetë ndaj Besimit ndërsa studionin Nenet e Besimit, një projekt për të cilin ata shpresonin që do t’u jepte bindje për të përhapur ungjillin duke kuptuar më në plotësi pikat bazë të besimeve të Kishës.

“Përpiqem ta përdor librin Të Vërtetë ndaj Besimit sa të jetë e mundur për mësimet e mia dhe të nxis të rejat ta përdorin në pyetjet e tyre”, tha Motra Norton. “Të Vërtetë ndaj Besimit trajton shumë tematika që lidhen me mundimet që has rinia dhe ofron pozicionin e Kishës mbi to dhe mbi tematika të tjera të rëndësishme. Besoj që është e rëndësishme të paraqesësh një burim të cilit ata mund t’i drejtohen për përgjigje.”

Motra Norton beson që, meqenëse ishin në gjendje ta përqendronin vëmendjen mbi tematika të veçanta, të rejat që ajo mëson ishin më të afta për të kuptuar çdo parim.

“Përdorimi i librit Të Vërtetë ndaj Besimit ndihmoi të rritet kuptimi im për ungjillin dhe më ndihmoi të kem një dëshmi më të fortë”, tha 14-vjeçarja Xhénesis Filiks, anëtare e Degës Ellentaun. “Tani e mbaj librin bashkë me shkrimet e shenja dhe shpesh e përdor për të kërkuar tematika që nuk i kuptoj plotësisht.”

Zbatimi i Parimeve të Ungjillit

Leximi, të mësuarit dhe më pas të jetuarit e ungjillit, është bërë një proces i njohur për Daniel Xhoslin, i Lagjes Prateln të Kunjit Bern, Zvicër, i cili tha se Të Vërtetë ndaj Besimit është një nga librat e tij të parapëlqyer.

“Kam parë se ky libër është mjaft i dobishëm”, tha Vëllai Xhoslin. “Ju e lexoni, fitoni ose forconi dëshminë për atë që thotë dhe nxirrni diçka prej tij. Ky është me të vërtetë një udhëheqje se si të jetohet ungjilli.”

Për një shembull, Vëllai Xhoslin përmendi seksionin mbi shkrimet e shenjta dhe këshillën për t’i studiuar ato në mënyrë vetjake dhe me pjesëtarët e familjes.

“E di që leximi i shkrimeve të shenjta çdo ditë mund të jetë i rreptë për shumë anëtarë nëpër botë, por … Të Vërtetë ndaj Besimit na tregon se na nevojitet ta bëjmë këtë përditë, se na nevojitet të bëjmë një plan leximi dhe na nevojitet të vazhdojmë të gjejmë kuptim në atë që lexojmë”, tha ai.

Lëgrand Laing, një mësues i seminarit në Springvill të Jutas, ShBA, tha se ai ka parë që libri Të Vërtetë ndaj Besimit luan një rol të çmuar në ndihmë të individëve për të mësuar dhe më pas zbatuar ungjillin në jetën e tyre.

Të Vërtetë ndaj Besimit ofron mendime dhe nxitje për të zbatuar në realitetin e jetës doktrinat dhe parimet e mësuara prej tij”, tha Vëllai Laing. “Sigurisht që kjo mund të gjendet në shumë burime të tjera të siguruara nga Kisha dhe, natyrisht, në vetë shkrimet e shenjta, por Të Vërtetë ndaj Besimit i jep këto gjëra në mënyrë të gatshme, të lehtë dhe të qartë – të gjitha në një vend.”

Përgatitja për të Përhapur

Në vitin 2004 libri Të Vërtetë ndaj Besimit u bë një pjesë zyrtare e bibliotekës së misionarit, së bashku me librin Predikoni Ungjillin Tim.

“Gjatë përpunimit të librit Predikoni Ungjillin Tim, u vendos që biblioteka e misionarit duhej thjeshtuar dhe përditësuar”, tha Greg Drobei i Departamentit të Misionarëve të Kishës. “Të Vërtetë ndaj Besimit u zgjodh si një referim i thjeshtë, i shkurtër, i lehtë në përdorim, i cili do ta ndihmonte misionarin në studimin vetjak të ungjillit.”

Ndonëse libri Të Vërtetë ndaj Besimit nënvizohet si një burim dytësor kundrejt shkrimeve të shenjta dhe librit Predikoni Ungjillin Tim, misionarët nëpër botë kanë parë se është i dobishëm në studimin dhe përhapjen e ungjillit.

“Në misionin tim shpesh përdorja librin Të Vërtetë ndaj Besimit për të studiuar për biseda ose mësime”, tha Pol Epërson nga Udbrixh i Virxhinias, ShBA, i cili shërbeu në misionin Belgjikë Bruksel/Holandë. “Libri Predikoni Ungjillin Tim siguronte një fillim të shkëlqyer në studimin e tematikave, por unë gjithashtu shihja tek libri Të Vërtetë ndaj Besimit për shpjegime më të detajuara, por ende të thjeshta, për fjalë dhe ide të ndryshme.”

Të Vërtetë ndaj Besimit gjithashtu ka gjetur vendin e tij në manualet e studentit të përdorura për klasa të institutit dhe të fesë.

“Ne vazhdimisht po i përditësojmë manualet e institutit dhe të seminarit dhe besojmë se libri Të Vërtetë ndaj Besimit është një burim i shkëlqyer, ngaqë jo vetëm është miratuar, por është edhe i rekomanduar dhe gjendet lehtësisht”, tha Brajan Garner, përgjegjës i programit të kolegjit për Kishën.

Vëllai Garner tha se, kur hartohen manualet që përdoren për klasat e institutit dhe të fesë, një gjë ndaj së cilës punojnë autorët, është qendër vëmendjeje mbarëbotërore – të krijohet diçka që kushdo të mund ta gjejë e ta përdorë.

“Pothuaj kushdo e gjen librin Të Vërtetë ndaj Besimit”, tha ai. “Njerëzit mund të shohin referencën, hapin librin dhe lexojnë informacionin. Ai gjendet lehtë dhe është i sigurt në atë që ofron.”

Libri Të Vërtetë ndaj Besimit është botuar në 46 gjuhë, duke u shkuar anëtarëve nga Spanja deri në Finlandë dhe deri në Kamboxhia. Kopje të librit mundësohen përmes shërbimit shpërndarës të Kishës tek faqja e internetit ldscatalog.com ose nëpërmjet udhëheqësve lokalë të priftërisë. Një variant i tij në anglisht mund të shkarkohet nga faqja e internetit lds.org, duke zgjedhur Gospel Library, pastaj Media Formats dhe PDF e më pas True to the Faith.

Duke Qëndruar Të Vërtetë Ndaj Besimit

Megjithëse Peshkopi Land po bënte shaka kur tha se dëshironte që libri Të Vërtetë ndaj Besimit t’u ngjitej nga prapa veprave standarde, ai është i bindur se ai burim mund të përdoret në një larmi mënyrash dhe ofron diçka për pyetjet ose shqetësimet e cilitdo.

“Pagëzimi, marrja e priftërisë, thjeshtësia, falja, pendimi – janë të gjitha aty”, tha Peshkopi Land, duke renditur disa nga tematikat që përmbahen në librin Të Vërtetë ndaj Besimit.

Ashtu siç thuhet në hyrje, Presidencia e Parë shpreson që, kur anëtarët i studiojnë dhe i zbatojnë parimet e ungjillit, ata do ta përdorin këtë burim dhe do të vazhdojnë të gjejnë forcë.

“Ndërsa mësoni të vërtetat e ungjillit, ju do të rrisni kuptimin për planin e përjetshëm të Atit Qiellor”, thanë ata. “Duke pasur këtë kuptim si një themel për jetën tuaj, ju do të aftësoheni për të bërë zgjedhje të urta, për të jetuar në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe për të gjetur gëzim jete. Dëshmia juaj do të bëhet më e fortë. Do të mbeteni të vërtetë ndaj besimit.”