2010–2019
Ndërtoni një Fortesë Shpirtshmërie dhe Mbrojtjeje
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Ndërtoni një Fortesë Shpirtshmërie dhe Mbrojtjeje

Kur e jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, kur mbështetemi te Shlyerja e Shpëtimtarit dhe ecim përpara me besim, ne fortifikohemi kundër kundërshtarit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërsa kjo konferencë i afrohet fundit, i jap falënderime Atit tonë në Qiell për këshillën, të vërtetat dhe zbulesën e dhënë në këtë foltore gjatë dy ditëve të fundit. Ne kemi marrë mësime nga shërbëtorë të Perëndisë të thirrur për të folur fjalët e Tij të shenjta. Zoti na ka kujtuar në zbulesën e ditëve të mëvonshme: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo … zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”1.

Duke parë këtë bashkësi të madhe shenjtorësh dhe duke përfytyruar anëtarët që po e shohin konferencën e përgjithshme anekënd botës, mendoj për mbledhjen që ndodhi në Librin e Mormonit kur Jezu Krishti iu shfaq nefitëve në vijim të Kryqëzimit të Tij. Ai u mësoi atyre ungjillin dhe më pas i nxiti: “Shkoni në shtëpitë tuaja dhe meditoni mbi gjërat që kam thënë dhe i kërkoni Atit, në emrin tim, që të mund të kuptoni”2.

“[Të] shkoni në shtëpitë tuaja dhe [të] meditoni” është hapi tjetër për rrënjosjen në zemër të fjalëve të profetëve dhe të udhëheqësve të Kishës të thëna në këtë mjedis të shenjtë. Shtëpitë e përqendruara te Krishti janë fortesa për mbretërinë e Perëndisë në tokë në kohën kur, siç u profetizua, djalli “tërbohet në zemrat e fëmijëve të njerëzve dhe … [i] nxit në zemërim kundër asaj që është e mirë”3.

Njerëzit kanë ndërtuar fortesa gjatë gjithë historisë për ta mbajtur armikun larg. Shpesh ato fortesa përfshinin një kullë vrojtimi ku rojat – ashtu si profetët – paralajmëronin për forca kërcënuese dhe sulme në afrim e sipër.

Pamja
Tomas Rasband

Në kohët e hershme pioniere të Jutës, stërgjyshi im, Tomas Rasbandi dhe familja e tij ishin disa prej të ardhurve të parë që hynë në luginën Hibër në malet e bukura Uasaç të Jutës.

Në vitin 1859, Tomasi ndihmoi për ndërtimin e fortesës Hibër, të ngritur për mbrojtjen e tyre. Ishte një strukturë e thjeshtë me trarë plepash të vendosur njëri pas tjetrit, që formonin perimetrin e fortesës. Shtëpiza prej trungjesh u ndërtuan brenda fortesës duke përdorur atë mur të përbashkët. Struktura siguronte si siguri edhe mbrojtje për ato familje pioniere ndërsa hidhnin rrënjë dhe e adhuronin Zotin.

Pamja
Fortesë pioniere

Po kështu është për ne. Shtëpitë tona janë fortesa kundër ligësive të botës. Në shtëpitë tona ne vijmë te Krishti duke mësuar t’i ndjekim urdhërimet e Tij, duke i studiuar shkrimet e shenjta e duke u lutur së bashku dhe duke e ndihmuar njëri‑tjetrin të qëndrojë në shtegun e besëlidhjes. Theksimi i ri mbi studimin vetjak dhe familjar në shtëpi nëpërmjet programit mësimor Eja, Më Ndiq ka qëllim që ta “forcoj[ë] kthimin tonë në besim dhe të na ndihmoj[ë] të bëhemi më shumë si Jezu Krishti”4. Duke e bërë atë, ne do të bëhemi siç tha Pali “një krijesë e re”5 me zemrën dhe shpirtin tonë në harmoni me Perëndinë. Neve na nevojitet ajo forcë për t’i përballuar dhe shmangur mësymjet e kundërshtarit.

Kur jetojmë me përkushtimin e lindur nga besimi në Jezu Krishtin, ne do ta ndiejmë praninë e qetë të Frymës së Shenjtë, që na udhërrëfen për tek e vërteta, na frymëzon të jetojmë të denjë për bekimet e Zotit dhe jep dëshmi që Perëndia jeton dhe na do. E gjitha kjo brenda fortesave të vetë shtëpive tona. Por kujtoni, shtëpitë tona janë vetëm aq të fuqishme sa forca shpirtërore e secilit prej nesh brenda atyre mureve.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”6. Si profeti, shikuesi e zbuluesi i gjallë i Zotit në këtë kohë, roja në kullën e fortesës sonë, Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ai i sheh manovrat e armikut.

Vëllezër dhe motra, ne jemi në luftë me Satanin për shpirtrat e njerëzve. Rreshtat në fushëbetejë u përcaktuan në jetën tonë paratokësore. Satani dhe një e treta e fëmijëve të Atit tonë në Qiell nuk i pranuan premtimet e Tij për ekzaltim. Që nga ajo kohë, puthadorët e kundërshtarit i kanë luftuar besnikët që zgjedhin planin e Atit.

Satani e di se ditët e tij janë të numëruara dhe se nuk i mbetet dhe shumë kohë. Sado dinak e djallëzor që është, ai nuk do të fitojë. Sidoqoftë, beteja e tij zien për secilin nga shpirtrat tanë.

Për sigurinë tonë, ne duhet të ndërtojmë një fortesë shpirtshmërie dhe mbrojtjeje për vetë shpirtin tonë, një fortesë që nuk do të depërtohet nga i ligu.

Satani është një gjarpër dredharak, që hyn vjedhurazi në mendjen dhe zemrën tonë kur pushojmë së bëri roje, kur përballemi me zhgënjimin apo e humbasim shpresën. Ai na josh me lajka, një premtim lehtësimi, ngushëllimi apo euforie të përkohshme kur ndihemi të brengosur. Ai e justifikon krenarinë, vrazhdësinë, pandershmërinë, pakënaqësinë dhe pamoralshmërinë dhe me kohë ne mund të arrijmë ta “humb[asim] ndjesinë”7. Shpirti mund të largohet nga ne. “Dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr.”8

Në dallim, ne shpesh e ndiejmë Shpirtin kaq fuqishëm kur i këndojmë lavde Perëndisë me fjalë si këto:

Kështjell’ e fort’ Per’ndia yn’,

Kull’ e fort’ që kurr’ nuk bie.

Ndihm’ plot fuqi Per’ndia yn’,

Mbi dallg’t e jetës fiton.9

Kur ndërtojmë një fortesë force shpirtërore, ne mund t’u shmangemi manovrave të kundërshtarit, t’ia kthejmë shpinën atij dhe ta ndiejmë paqen e Shpirtit. Ne mund ta ndjekim shembullin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, i cili, kur u tundua në shkretëtirë, tha: “Largohu prej meje, Satana”10. Secili prej nesh duhet të mësojë nga përvojat e jetës se si ta bëjë atë.

Një qëllim i tillë i drejtë përshkruhet mirë në Librin e Mormonit kur Kapiten Moroni i përgatiti nefitët që të përballeshin me sulmet nga një Amalikia mashtrues, gjakatar, pushtetdashës. Moroni ndërtoi fortesa për t’i mbrojtur nefitët “që ata të mund të jetonin për Zotin, Perëndinë e tyre dhe që të mund të mbanin atë që quhej nga armiqtë e tyre, çështja e të Krishterëve”11. Moroni “ishte … i vendosur në besimin e Krishtit”12 dhe ishte besnik “duke [i] zbatuar urdhërimet e Perëndisë … dhe duke i bërë ballë paudhësisë”13.

Kur lamanitët erdhën për betejë, ata u habitën nga përgatitja e nefitëve dhe u mposhtën. Nefitët e falënderuan “Zotin, Perëndinë e tyre, për shkak të fuqisë së pashembullt të tij, duke i çliruar ata nga duart e armiqve të tyre”14. Ata kishin ndërtuar fortesa për mbrojtje së jashtmi dhe ata kishin ndërtuar besim në Zotin Jezu Krisht së brendshmi – thellë në shpirtin e tyre.

Cilat janë disa mënyra se si ne mund ta fortifikojmë veten në kohë të trazuara që të mund të jemi “mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe”15? Le të kërkojmë në shkrimet e shenjta.

Ne jemi të bindur. Zoti e urdhëroi atin Lehi që t’i dërgonte bijtë e tij përsëri në Jerusalem që “të kërkoni[n] analet dhe t’i sillni[n] këtu në vendin e shkretë”16. Lehi nuk ngriti dyshime; ai nuk pyeti përse apo në ç’mënyrë. As Nefi, i cili u përgjigj: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar”17.

A veprojmë ne me bindjen e vullnetshme të Nefit? Apo mos jemi ne më të prirur që t’i vëmë në dyshim urdhrat e Perëndisë siç bënë vëllezërit e Nefit, mungesa e besimit të të cilëve përfundimisht i largoi nga Zoti? Bindja, e ushtruar me “shenjtërinë e zemrës”18, është ajo çfarë Zoti kërkon prej nesh.

Ne i mirëbesojmë Zotit, i cili i tha Jozueut, ndërsa ai përgatitej t’i udhëhiqte izraelitët drejt tokës së premtuar: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh”19. Jozueu u mirëbesoi atyre fjalëve dhe e këshilloi popullin: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti ka për të bërë mrekulli midis jush”20. Zoti ndau ujërat e Jordanit dhe endja 40‑vjeçare e izraelitëve në shkretëtirë përfundoi.

Ne e mbrojmë të vërtetën, ashtu siç bëri profeti Abinadi në Librin e Mormonit. I arrestuar, i sjellë përpara mbretit Noe dhe priftërinjve të tij të ligj, Abinadi dha mësim Dhjetë Urdhërimet dhe predikoi me fuqi që Krishti do të “zbr[iste] mes fëmijëve të njerëzve dhe do të shëlbe[nte] popullin e tij”21. Ai më pas, me besim të thellë brenda vetes, shpalli: “O Perëndi, merre shpirtin tim”22 dhe Abinadi “vuajt[i] vdekje nga zjarri”23.

Pamja
Tempulli i Romës, Itali

Ne i bëjmë dhe i përtërijmë besëlidhjet tona duke marrë sakramentin dhe duke adhuruar në tempull. Sakramenti është thelbi i adhurimit tonë të dielën, ku marrim premtimin që “të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”24. Me atë ordinancë të shenjtë, ne zotohemi që të marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ta ndjekim Atë dhe t’u vëmë shpatullat përgjegjësive tona në këtë punë të shenjtë ashtu siç bëri Ai. Në tempull ne mund t’i “lë[më] mënjanë gjërat e kësaj bote”25 dhe ta ndiejmë praninë e Zotit dhe paqen e Tij të jashtëzakonshme. Ne mund të përqendrohemi te paraardhësit tanë, familjet tona dhe jeta e përjetshme në praninë e Atit. Nuk është çudi që Presidenti Nelson tha së fundmi në Romë: “E mira që do të burojë nga ky tempull, është pamasë e madhërishme”26.

Ne duhet të kemi integritet moral në gjithçka që bëjmë. Ne duhet të zhvillojmë mprehtësi dhe disiplinë që të mos na duhet që vazhdimisht të përcaktojmë atë që është e drejtë dhe atë që është e gabuar. Ne duhet t’i rrënjosim në zemër fjalët e Pjetrit, apostullit të hershëm të Kishës, i cili paralajmëroi: “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”27.

Ndërsa i forcojmë me zell fortifikatat tona, ne bëhemi si Jezu Krishti, si dishepujt e Tij të vërtetë, me vetë shpirtin tonë në mbrojtje të Tij.

Dëshmia juaj për Jezu Krishtin është fortesa juaj vetjake, siguria e shpirtit tuaj. Kur stërgjyshi im dhe pionierët e tij miq ndërtuan fortesën Hibër, ata i vunë trungjet një e nga një derisa fortesa ishte “e lidhur mirë”28 dhe ata ishin të mbrojtur. Po kështu është me dëshminë. Si individë, një e nga një, ne fitojmë një dëshmi nga Shpirti i Shenjtë kur Ai i flet vetë shpirtit tonë, duke na mësuar të “vërtet[ën] që qëndron në thelb”29. Kur e jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, kur mbështetemi te Shlyerja e Shpëtimtarit dhe ecim përpara me besim, pa frikë, ne fortifikohemi kundër kurtheve të kundërshtarit. Dëshmitë tona na lidhin me qiejt dhe ne bekohemi me “të vërtetën e të gjitha gjërave”30. Dhe, ashtu si pionierët që mbroheshin nga një fortesë, ne rrethohemi të sigurt në krahët e dashurisë së Shpëtimtarit.

Profeti Ethëri dha mësim: “Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë, po, madje për një vend në krahun e djathtë të Perëndisë, shpresë e cila vjen nga besimi dhe shërben si një spirancë për shpirtrat e njerëzve, që do t’i bëjë ata të sigurt dhe të vendosur, gjithmonë plot me vepra të mira, duke qenë të udhëhequr për të lavdëruar Perëndinë”31.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lë bekimin tim që të shkoni përpara me mirëbesim në Zotin dhe në ungjillin e Tij. Rrethojini me krahët tuaj ata që pengohen, dhe, me forcën e Shpirtit brenda jush, udhëhiqini me dashuri përsëri për në fortesën e shpirtshmërisë dhe mbrojtjes. Përpiquni që “t’je[ni] si Jezusi”32 në gjithçka që bëni; flakini të ligën dhe tundimet; pendohuni, siç u këshilluam dje nga profeti ynë i dashur; jini të ndershëm në zemër; jini të drejtë dhe të dëlirë; tregoni dhembshuri dhe dashuri hyjnore; dhe duajeni Zotin Perëndinë tuaj me zellin e një dishepulli të vërtetë.

Dëshmitë tona për ungjillin e Jezu Krishtit, shtëpitë tona, familjet tona dhe anëtarësia jonë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të jenë fortesat tona vetjake të mbrojtjes që na rrethojnë dhe na mbrojnë nga fuqia e të ligut. Për këtë jap dëshminë time solemne, në emrin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, madje Jezu Krishtit, amen.