2010–2019
Fjala e Mbylljes
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Fjala e Mbylljes

Ia përkushtofshim dhe ripërkushtofshim jetën tonë shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij – në të dyja anët e velit!

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërsa vijmë në fundin e kësaj konference historike, ne e falënderojmë Zotin për frymëzimin dhe mbrojtjen e Tij. Mesazhet na kanë udhëzuar dhe lartësuar.

Temat nuk u ishin caktuar folësve. Secili prej tyre u lut për zbulesë vetjake gjatë përgatitjes së mesazheve të tyre. Për mua, është e mrekullueshme se si ato tema duken se përputhen kaq mirë me njëra‑tjetrën. Ndërsa i studioni ato, kërkoni të mësoni atë që Zoti po përpiqet t’ju mësojë juve nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.

Muzika ka qenë e lavdishme. Ne u jemi thellësisht mirënjohës muzikantëve të shumtë që i kanë ndërthurur talentet e tyre për të sjellë Shpirtin e Zotit në çdo sesion. Dhe Ai i ka bekuar lutjet dhe bashkësitë në çdo sesion. Me të vërtetë, konferenca ka qenë sërish një gosti shpirtërore për ne të gjithë.

Ne shpresojmë dhe lutemi që shtëpia e çdo anëtari të bëhet një shenjtërore e vërtetë besimi, ku Shpirti i Zotit të mund të banojë. Pavarësisht nga grindja kudo përreth nesh, shtëpia e një individi mund të bëhet një vend qiellor, ku studimi, lutja dhe besimi të mund të shkrihen me dashuri. Ne mund të bëhemi me të vërtetë dishepuj të Zotit, duke u ngritur e folur me zë për Të kudo që jemi.

Qëllimi i Perëndisë duhet të jetë qëllimi ynë. Ai do që fëmijët e Tij të zgjedhin të kthehen tek Ai të përgatitur, të kualifikuar, me dhurimin [indaumentin], të vulosur dhe besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempujt e shenjtë.

Tani ne kemi 162 tempuj të përkushtuar. Ata që janë më të hershëm, qëndrojnë si monumente të besimit dhe largpamësisë së pionierëve tanë të dashur. Çdo tempull i ndërtuar nga ata erdhi si pasojë e sakrificës dhe përpjekjeve të tyre të mëdha vetjake. Secili prej tyre qëndron si një gur i çmuar mahnitës në kurorën e arritjeve të pionierëve.

Përgjegjësia jonë është një përgjegjësi e shenjtë për t’u kujdesur për ta. Si rrjedhim, këta tempuj pionierë shpejt do t’i nënshtrohen një periudhe rinovimi dhe ripërtëritjeje dhe, për disa, do të ketë një restaurim madhor. Do të bëhen përpjekje për ta ruajtur historikun e pashoq të secilit tempull kudo ku është e mundur, duke e ruajtur bukurinë frymëzuese dhe mjeshtërinë e pashoqe të brezave që kanë kaluar prej kohësh.

Janë njoftuar tashmë hollësitë për Tempullin e Seint-Xhorxhit në Jutë. Të premten, më 19 prill 2019, do të njoftohen planet për rinovimin e Tempullit të Solt‑Lejkut, Sheshit të Tempullit dhe sheshit fqinj pranë Godinës së Zyrave të Kishës.

Tempujt e Mantit dhe Loganit në Jutë do të rinovohen gjithashtu në vitet në vijim. Kur të përgatiten këto plane, ato do të njoftohen gjithashtu.

Kjo punë do të kërkojë që çdo tempull të mbyllet për një periudhë kohe. Anëtarët e Kishës mund të vazhdojnë ta shijojnë adhurimin në tempull dhe shërbimin në tempuj të tjerë fqinj. Kur çdo projekt të jetë përfunduar, secili tempull historik do të ripërkushtohet.

Vëllezër e motra, ne e shikojmë tempullin si strukturën më të shenjtë në Kishë. Kur njoftojmë planet për të ndërtuar një tempull të ri, ai bëhet pjesë e historisë sonë të shenjtë. Tani, ju lutemi dëgjoni me vëmendje dhe nderim. Nëse lajmëroj për një tempull në një vend që është i veçantë për ju, më lejoni të sugjeroj që ju thjesht ta ulni kokën me një lutje të heshtur mirënjohjeje në zemrën tuaj. Ne nuk duam që asnjë shpërthim verbal ta heqë vëmendjen nga natyra e shenjtë e kësaj konference dhe e tempujve të shenjtë të Zotit.

Sot ne jemi të kënaqur të njoftojmë plane për të ndërtuar më shumë tempuj, që do të ngrihen në vendndodhjet vijuese:

Pago‑Pago, Samoa Amerikane; Okinaua‑Sity, Okinaua, [Japoni]; Neiefu, Tonga; Tuëlla Vallej, Jutë; Mozes Leik, Uashington; San‑Pedro‑Sula, Honduras; Antofagasta, Kili; Budapest, Hungari.

Ju faleminderit, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura.

Ndërsa flasim për tempujt tanë, të vjetër e të rinj, e tregoftë secili prej nesh me anë të veprimeve të veta se ne jemi dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht! E ripërtërifshim jetën tonë nëpërmjet besimit dhe mirëbesimit tonë në Të! Paçim qasje ndaj fuqisë së Shlyerjes së Tij nëpërmjet pendimit tonë çdo ditë! Dhe ia përkushtofshim dhe ripërkushtofshim jetën tonë shërbimit ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij – në të dyja anët e velit!

E lë dashurinë dhe bekimin tim me ju, duke ju siguruar që zbulesa vazhdon në këtë, Kishën e Zotit. Ajo do të vazhdojë derisa “qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”1.

Kështu ju bekoj dhe jap dëshminë time se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi populli i Tij. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.