2010–2019
Ku do të na Çojë Kjo?
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Ku do të na Çojë Kjo?

Ne bëjmë zgjedhje më të mira dhe marrim vendime më të mira nëse i shohim alternativat dhe përsiatim se ku do të na çojnë ato.

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit na nxit të mendojmë për të ardhmen. Ai shpjegon qëllimin e jetës në vdekshmëri dhe realitetin e jetës që do të vijë. Ai na mëson ide të mrekullueshme për të ardhmen që t’i udhërrëfejnë veprimet tona sot.

Nga ana tjetër, ne të gjithë njohim njerëz që shqetësohen vetëm për të tashmen: harxho sot, gëzohu sot dhe as mos e vrit mendjen për të ardhmen.

E tashmja jonë dhe e ardhmja jonë do të jenë më të lumtura në qoftë se jemi gjithmonë të vetëdijshëm për të ardhmen. Kur marrim vendime tani, gjithmonë duhet të pyetim: “Ku do të na çojë kjo?”

I.

Disa vendime janë zgjedhje midis bërjes së diçkaje ose mosbërjes së asnjë lloj gjëje. Dëgjova një shembull të kësaj lloj zgjedhjeje në një konferencë kunji në Shtetet e Bashkuara shumë vjet më parë.

Mjedisi ishte një kompleks i bukur i një kolegji. Një grumbull studentësh të rinj në moshë ishin ulur në bar. Folësi që e përshkroi këtë rrethanë tha se ata po shihnin një ketër të lezetshëm me bisht të gjatë e plot qime që lëvizte përreth rrëzës së një peme të bukur plot me gjethe. Ndonjëherë ishte në tokë, ndonjëherë lart e poshtë dhe përreth trungut të pemës. Por përse ajo pamje e zakonshme do ta tërhiqte një grumbull studentësh?

I shtrirë përmbys në barin aty pranë ishte një qen i racës irlandeze. Qeni ishte objekti i interesit të studentëve dhe ketri ishte objekti i qenit. Sa herë që ketri për një çast të humbiste nga sytë duke u vërtitur përreth pemës, qeni me qetësi do të zvarritej pak përpara dhe pastaj do të rimerrte qëndrimin e tij në dukje mospërfillës. Kjo ishte ajo që tërhoqi vëmendjen e studentëve. Të heshtur dhe pa lëvizur, sytë e tyre u ngulitën te ngjarja, përfundimi i së cilës ishte gjithnjë e më shumë i dukshëm.

Përfundimisht, qeni ishte aq afër sa të kërcente drejt ketrit dhe ta kapte me dhëmbë. Një gulçim llahtari u dëgjua dhe grumbulli i studentëve lëvizi me shpejtësi dhe e rrëmbeu kafshën e vogël nga qeni, por ishte tepër vonë. Ketri kishte ngordhur.

Kushdo në atë grumbull mund ta kishte paralajmëruar ketrin në çfarëdo kohe duke tundur duart ose duke bërtitur, por askush nuk e bëri. Ata thjesht vështruan derisa përfundimi i pashmangshëm u afrua gjithnjë e më shumë. Askush nuk pyeti: “Ku do të çojë kjo?” Kur ndodhi ajo që pritej, të gjithë nxituan për ta parandaluar përfundimin, por ishte tepër vonë. Keqardhje e mbytur në lot ishte gjithçka që mund të jepnin.

Kjo histori e vërtetë është një lloj shëmbëlltyre. Ajo gjen zbatim për gjërat që na ndodhin në vetë jetën tonë dhe në jetën e rrethanat [e njerëzve] rreth nesh. Kur shohim që kërcënimet u afrohen ngadalë njerëzve që i duam ose gjërave që na pëlqejnë shumë, ne kemi zgjedhjen për të folur ose vepruar, apo për të qëndruar të heshtur. Është mirë t’i bëjmë vetes pyetjen: “Ku do të na çojë kjo?” Atje ku pasojat janë të menjëhershme dhe të rënda, nuk mund të rrimë pa bërë gjë. Ne duhet të japim paralajmërimet e duhura ose t’i përkrahim përpjekjet e duhura parandaluese ndërsa ka ende kohë.

Vendimet që sapo i kam përshkruar, përfshijnë zgjedhjet midis ndërmarrjes së disa veprimeve ose mosndërmarrjes së asnjë lloj veprimi. Më të zakonshme janë ato zgjedhje ndërmjet një veprimi apo një tjetri. Këto përfshijnë zgjedhjet midis të mirës ose të ligës, por më shpesh ato janë zgjedhjet midis dy të mirave. Edhe këtu është e dëshirueshme të pyetim se ku do të na çojë kjo. Ne bëjmë shumë zgjedhje midis dy të mirave, që shpesh përfshijnë mënyrën se si do ta kalojmë kohën tonë. Nuk ka asnjë të keqe të luash videolojëra ose të çosh mesazhe me celular, apo të shohësh televizor ose të flasësh në celular. Por secila nga këto përfshin atë që quhet “kostoja e mundësive”, që do të thotë se, në qoftë se e kalojmë kohën duke bërë një gjë, ne humbasim mundësinë për të bërë një gjë tjetër. Jam i sigurt që ju mund ta kuptoni se na nevojitet ta matim plot mendim se çfarë po humbasim nga koha që kalojmë në një veprimtari, edhe nëse në vetvete është përsosurisht e mirë.

Disa kohë më parë dhashë një bisedë që titullohej “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”. Në atë bisedë unë thashë që “thjesht se diçka është e mirë, nuk është një arsye e mjaftueshme për ta bërë. Numri i gjërave të mira që mund të bëjmë, e tejkalon shumë kohën në dispozicion për t’i kryer ato. Disa gjëra janë më të mira se vetëm mirë dhe këto janë gjërat që duhet të marrin vëmendje me përparësi në jetën tonë. … Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat.”1

Shiheni në një këndvështrim të gjerë. Cila është pasoja në të ardhmen tonë e vendimeve që marrim në të tashmen? Kujtoni rëndësinë e arsimimit, studimit të ungjillit, përtëritjes së besëlidhjeve tona duke marrë sakramentin dhe marrjes pjesë në tempull.

II.

Pyetja “Ku do të na çojë kjo?” është gjithashtu e rëndësishme kur zgjedhim se çfarë etikete t’i vëmë vetes ose si të mendojmë për veten. Më e rëndësishmja, secili prej nesh është fëmijë i Perëndisë me një fat të mundshëm për jetë të përjetshme. Çdo etiketë tjetër, përfshirë madje profesionin, racën, tiparet fizike apo titujt e nderit, është e përkohshme ose e parëndësishme në aspektin e përjetshëm. Mos zgjidhni që ta etiketoni veten ose të mendoni për veten me terma që i vendosin kufi një qëllimi për të cilin ju mund të përpiqeni fort.

Vëllezërit e mi dhe motrat e mia që mund ta shihni ose lexoni atë që them këtu, shpresoj që ta dini arsyen përse udhëheqësit tuaj ju japim mësimet dhe këshillat që ne ju japim. Ne ju duam dhe Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, ju duan. Plani i tyre për ne është “plani [i] madh [i] lumturisë” (Alma 42:8). Ai plan dhe urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e Tyre na çojnë drejt lumturisë dhe gëzimit më të madh në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. Si shërbëtorë të Atit dhe të Birit, ne japim mësim dhe këshillojmë siç na kanë udhëzuar Ata nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ne nuk kemi asnjë dëshirë tjetër përveçse të themi atë që është e vërtetë dhe t’ju nxitim të bëni atë që Ata e kanë përvijuar si shtegun drejt jetës së përjetshme, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).

III.

Ja një shembull tjetër i pasojës në të ardhmen të vendimeve që u morën në të tashmen. Ky shembull ka të bëjë me zgjedhjen për të bërë një sakrificë në të tashmen për të arritur një qëllim të rëndësishëm në të ardhmen.

Në një konferencë kunji në Kali, Kolumbi, një motër tregoi se si ajo dhe i fejuari i saj dëshironin të martoheshin në tempull por në atë kohë tempulli më i afërt ishte ai në Perunë e largët. Për një kohë të gjatë, ata kursyen para për biletat e autobusit. Përfundimisht hipën në autobus për në Bogota, por kur arritën atje, morën vesh se të gjitha vendet në autobusin për në Limë, Peru, ishin të zëna. Ata mund të shkonin në shtëpi pa u martuar ose mund të martoheshin jashtë tempullit. Fatmirësisht, pati një alternativë tjetër. Ata mund të shkonin me autobus në Limë nëse do të ishin të gatshëm të uleshin në dyshemenë e autobusit për një udhëtim prej pesë ditësh dhe pesë netësh. Ata vendosën ta bënin këtë. Ajo tha se ishte e vështirë, edhe pse disa udhëtarë nganjëherë i lejuan të uleshin në ndenjëset e tyre që ata të mund të shtriheshin në dysheme.

Ajo që më la mbresë nga biseda e saj, ishte deklarata e kësaj motre se ishte mirënjohëse që ajo dhe bashkëshorti i saj kishin qenë në gjendje të shkonin në tempull në këtë mënyrë, sepse ajo e ndryshoi mënyrën se si ata u ndien për ungjillin dhe mënyrën se si u ndien për martesën në tempull. Zoti i kishte shpërblyer ata me rritjen që vjen nga sakrifica. Ajo gjithashtu vërejti se udhëtimi i tyre pesëditor për në tempull bëri të mundur shumë më tepër për ndërtimin e tyre nga ana shpirtërore sesa vizitat e shumta në tempull që ishin pa sakrifica.

Gjatë viteve që kur e dëgjova atë dëshmi, kam pyetur veten se sa ndryshe do të kishte qenë jeta e atij çifti të ri, në qoftë se do të kishin bërë një zgjedhje tjetër – duke hequr dorë nga sakrifica e nevojshme për t’u martuar në tempull.

Vëllezër, ne bëjmë zgjedhje të panumërta në jetë, disa të mëdha dhe disa në dukje të vogla. Duke e hedhur vështrimin pas, ne mund të shohim se çfarë ndryshimi të madh sollën në jetën tonë disa nga zgjedhjet tona. Ne bëjmë zgjedhje më të mira dhe marrim vendime më të mira nëse i shohim alternativat dhe përsiatim se ku do të na çojnë ato. Ndërsa i bëjmë këto, ne do të jemi duke ndjekur këshillën e Presidentit Rasëll M. Nelson që të fillojmë duke pasur përfundimin në mendje.2 Për ne fundi është gjithmonë në shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet tempullit për te jeta e përjetshme, dhurata më e madhe nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.

Unë dëshmoj për Jezu Krishtin dhe pasojat e Shlyerjes së Tij dhe për të vërtetat e tjera të ungjillit të Tij të përjetshëm, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 104, 107.

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.