2010–2019
Pikërisht siç Bëri Ai
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Pikërisht siç Bëri Ai

Ndërsa përpiqemi të japim shërbesë pikërisht siç bëri Ai, neve do të na jepen mundësi për ta harruar veten dhe për t’i ngritur të tjerët moralisht.

Gati 18 muaj më parë, në vjeshtën e vitit 2017, vëllai im 64‑vjeçar, Majku, më njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në pankreas. Gjithashtu më tha se kishte marrë një bekim priftërie nga mësuesi i tij i shtëpisë dhe se ishte takuar me peshkopin e vet. Ai më vonë më dërgoi me mesazh një fotografi të Tempullit të Oklandit në Kaliforni, e nxjerrë nga spitali ku po merrte kurimin, me fjalët: “Shih se çfarë mund të shoh nga dhoma ime e spitalit”1.

U habita nga komentet e tij rreth mësuesve të shtëpisë, bekimeve të priftërisë, peshkopëve e tempujve, po ashtu siç u habita për kancerin. Duhet të dini se Majku, një prift në Priftërinë Aarone, nuk e kishte frekuentuar rregullisht kishën për gati 50 vjet.

Si familje, ne ishim gati po aq të interesuar për përparimin e tij shpirtëror sa ç’ishim për përparimin e tij në luftën ndaj kancerit, kryesisht për shkak të pyetjeve të tij tashmë të shpeshta rreth Librit të Mormonit, fuqisë vulosëse dhe jetës pas vdekjes. Teksa muajt kaluan dhe kanceri u përhap, nevoja për trajtim shtesë dhe më të specializuar më së fundi e solli Majkun në Jutë dhe në Institutin Hantsman për Kancerin.

Pak kohë pas mbërritjes së tij, Majku pati një vizitë nga Xhon Hollbruku, udhëheqësi i misionit të lagjes që shërbente në godinën mjekësore ku ai po jetonte tani. Xhoni tha se “ishte e dukshme për mua që Majku ishte një bir i Perëndisë” dhe se ata shpejt krijuan një lidhje dhe një miqësi që çoi drejt bërjes së Xhonit vëllai shërbestar de fakto i Majkut. Atij iu bë një ftesë e menjëhershme për të ftuar misionarët që t’i vinin për vizitë, të cilën vëllai im e refuzoi me mirësjellje, por pas një muaji të miqësisë së tyre, Xhoni e pyeti sërish, duke i shpjeguar Majkut: “Mendoj se do të të pëlqejë ta dëgjosh mesazhin e ungjillit”2. Këtë radhë ftesa u pranua, gjë që çoi drejt takimeve me misionarët, si edhe vizitave me Peshkopin Xhon Sharp, bisedat e të cilëve bënë më së fundi që Majku të merrte bekimin e tij patriarkal, 57 vjet pas pagëzimit të tij.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, pas muaj kurimesh, Majku vendosi t’i ndalonte trajtimet për kancerin, që po i shkaktonin efekte të rënda dytësore, dhe e lejoi sëmundjen thjesht të vazhdonte rrugën e saj. U njoftuam nga mjeku i tij se Majku kishte përafërsisht tre muaj jetë. Ndërkohë, pyetjet për ungjillin vazhduan – sikurse vizitat dhe përkrahja nga udhëheqësit vendorë të priftërisë. Gjatë vizitave tona me Majkun, shpesh shihnim një kopje të hapur të Librit të Mormonit pranë shtratit, teksa diskutonim për Rivendosjen e ungjillit, çelësat e priftërisë, ordinancat e tempullit dhe natyrën e përjetshme të njeriut.

Nga mesi i dhjetorit, me bekimin e vet patriarkal në duar, Majku në fakt dukej se po fitonte forcë dhe prognoza e tij për të paktën tre muaj jetë më shumë dukej e mundshme. Madje bëmë plane që ai ta kalonte me ne Krishtlindjen, Vitin e Ri dhe kohën më pas. Më 16 dhjetor mora një telefonatë të papritur nga Peshkopi Sharp, i cili më informoi se ai dhe presidenti i kunjit e kishin intervistuar Majkun, e kishin gjetur të denjë për të marrë Priftërinë Melkizedeke dhe më pyetën se kur do të isha në gjendje të merrja pjesë. Ordinanca u caktua për atë të premte, më 21 dhjetor.

Kur dita mbërriti, gruaja ime, Karola, dhe unë arritëm te godina mjekësore dhe u takuam menjëherë me personelin në korridorin pranë dhomës së tij dhe u njoftuam se Majku nuk kishte puls. Hymë në dhomë ku gjetëm patriarkun, peshkopin e tij dhe presidentin e tij të kunjit tashmë duke pritur – dhe atëherë Majku i hapi sytë. Më njohu dhe tha se mund të më dëgjonte dhe ishte gati për të marrë priftërinë. Pesëdhjetë vjet pasi Majku ishte shuguruar prift në Priftërinë Aarone, unë pata privilegjin, me ndihmën e udhëheqësve të tij vendorë, që t’i jepja Priftërinë Melkizedeke dhe ta shuguroja vëllanë tim në detyrën e plakut. Pesë orë më vonë Majku ndërroi jetë, duke kaluar velin që të takohej me prindërit tanë si mbajtës i Priftërisë Melkizedeke.

Vetëm një vit më parë, një thirrje iu drejtua nga Presidenti Rasëll M. Nelson secilit prej nesh që të kujdesemi për vëllezërit dhe motrat tona në një “mënyrë më të lartë, më të shenjtë”3. Duke folur për Shpëtimtarin, Presidenti Nelson na mësoi se “ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”4

Si përgjigje ndaj asaj ftese nga një profet i Perëndisë, përpjekje mbresëlënëse për t’i dhënë shërbesë individit po ndodhin anembanë botës, si në përpjekje të bashkërenduara ndërkohë që anëtarët përmbushin detyrat e tyre për dhënien e shërbesës, ashtu edhe në atë që unë e quaj dhënie shërbese “të improvizuar”, kur kaq shumë njerëz tregojnë dashuri si e Krishtit si përgjigje ndaj mundësive të papritura. Në vetë familjen tonë ne e dëshmuam, nga afër, këtë lloj dhënieje të shërbesës.

Xhoni, i cili ishte miku i Majkut, vëllai shërbestar dhe një ish‑president misioni, u thoshte dikur misionarëve të tij që “nëse dikush është në një listë ku thuhet ‘i painteresuar’, mos hiqni dorë. Njerëzit ndryshojnë.” Më pas ai na tha: “Majku ndryshoi fuqishëm”5. Xhoni ishte fillimisht një mik, duke dhënë nxitjen dhe përkrahjen e vazhdueshme – por dhënia e shërbesës prej tij nuk u ndal te vizitat miqësore. Xhoni e dinte se një shërbestar është më shumë se një mik dhe se miqësia shtohet kur japim shërbesë.

Nuk është e nevojshme që dikush të jetë duke vuajtur, si vëllai im, nga një sëmundje vdekjeprurëse, që të ketë nevojë për shërbimin e dhënies së shërbesës. Ato nevoja vijnë në një larmi formash, madhësish dhe kushtesh. Një prind i vetëm, një çift më pak aktiv, një adoleshent që po has probleme, një nënë tepër e zënë me punë, një sprovë besimi, ose çështjet financiare, shëndetësore apo martesore – lista është thuajse e pafundme. Sidoqoftë, ashtu si Majku, askush nuk është endur aq larg dhe nuk është kurrë tepër vonë sa të mos arrihet nga ndihma plot dashuri e Shpëtimtarit.

Na mësohet nga faqja e Kishës në internet për dhënien e shërbesës se “ndërkohë që ka shumë qëllime për dhënien e shërbesës, përpjekjet tona për të dhënë shërbesë duhet të udhëhiqen nga dëshira për t’i ndihmuar të tjerët që të arrijnë një kthim më të thelluar në besim si individë dhe për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari”6. Plaku Nil A. Andersen e shprehu në këtë mënyrë:

“Një njeri me zemër të mirë mund ta ndihmojë dikë që të rregullojë një gomë makine, të çojë një shok dhome te mjeku, të hajë drekë me dikë që është i trishtuar, ose t’i buzëqeshë dhe ta përshëndetë për t’ia lumturuar ditën.

Por një ndjekës i urdhërimit të parë do t’u shtojë natyrshëm [veprime të tjera] këtyre veprimeve të rëndësishme të shërbimit.”7

Duke i dhënë formë dhënies së shërbesës sonë sipas mënyrës së Jezu Krishtit, është e rëndësishme të kujtojmë se përpjekjet e Tij për të dhënë dashuri, për të lartësuar, shërbyer dhe bekuar kishin një qëllim më të lartë sesa plotësimi i nevojave të ngutshme. Sigurisht që Ai i dinte nevojat e tyre të përditshme dhe pati dhembshuri për vuajtjen e tyre të asaj kohe, ndërkohë që Ai shëroi, ushqeu, fali dhe dha mësim. Por Ai donte të bënte më shumë sesa thjesht të kujdesej për të sotmen. Ai donte që njerëzit përreth Tij ta ndiqnin Atë, ta njihnin Atë dhe të arrinin potencialin e tyre hyjnor.8

Ndërsa përpiqemi të japim shërbesë pikërisht siç bëri Ai9, neve do të na jepen mundësi për ta harruar veten dhe për t’i ngritur të tjerët moralisht. Këto mundësi mund të jenë shpesh jo të lehta dhe e vënë në provë dëshirën tonë për t’u bërë më shumë si Mësuesi, shërbimi më i madh nga të gjitha shërbimet që Ai dha, Shlyerja e Tij e pafundme, në asnjë mënyrë nuk ishte e lehtë. Te Mateu kapitulli 25 na kujtohet se çfarë ndien Zoti për ne, kur, sikurse Ai, ne jemi të ndjeshëm ndaj vështirësive, sprovave dhe sfidave me të cilat përballen kaq shumë njerëz, por të cilat shpesh mund të anashkalohen:

“‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët. …

Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm?’ …

Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: ‘Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua’.”10

Qoftë kur shërbejmë si vëllezër ose motra shërbestare apo thjesht kur bëhemi të vetëdijshëm për një njeri nevojtar, ne nxitemi të kërkojmë udhërrëfim dhe drejtim nga Shpirti – dhe më pas të veprojmë. Mund të vrasim mendjen se si të shërbejmë sa më mirë, por Zoti e di dhe nëpërmjet Shpirtit të Tij ne do të drejtohemi gjatë përpjekjeve tona. Sikurse Nefi që u “udhëh[oq] nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që [ai] duhet të bë[nte]”11, edhe ne do të udhëhiqemi nga Shpirti ndërsa përpiqemi fort të bëhemi mjete në duart e Zotit për t’i bekuar fëmijët e Tij. Ndërsa kërkojmë udhërrëfimin e Shpirtit dhe i mirëbesojmë Zotit, ne do të vendosemi në situata dhe rrethana ku mund të veprojmë e bekojmë – me fjalë të tjera, të japim shërbesë.

Mund të ketë raste të tjera kur ne e shohim një nevojë, por ndihemi të papërshtatshëm për t’u përgjigjur, duke supozuar se ajo që kemi për të dhënë, është e pamjaftueshme. Të bëjmë “pikërisht siç bëri Ai”12, megjithatë, do të thotë të shërbejmë duke dhënë atë që jemi në gjendje të japim dhe të mirëbesojmë se Zoti do t’i lartësojë përpjekjet tona për t’i bekuar “bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim në vdekshmëri”13. Për disa mund të jetë dhënia e dhuratës së kohës dhe talenteve; për të tjerët, mund të jetë një fjalë e mirë ose dhënia e ndihmës fizike. Edhe pse mund të ndiejmë se përpjekjet tona janë të papërshtatshme, Presidenti Dallin H. Ouks tregoi një parim të rëndësishëm lidhur me gjërat “e vogla dhe të thjeshta”. Ai na mësoi se veprimet e vogla dhe të thjeshta janë të fuqishme pasi ato ftojnë “shoqërimin e Frymës së Shenjtë”14, një shoqërim që e bekon si dhënësin ashtu edhe marrësin.

Duke e ditur se shpejt do të vdiste, vëllai im, Majku, komentoi: “Është mahnitëse se si kanceri në pankreas mund të të bëjë të përqendrohesh tek ajo që ka më shumë rëndësi”15. Falë burrave dhe grave të mrekullueshme që e kuptuan nevojën, nuk gjykuan dhe dhanë shërbesë si Shpëtimtari, nuk ishte tepër vonë për Majkun. Për disa, ndryshimi mund të vijë më herët; për të tjerët ndoshta përtej velit. Megjithatë, ne duhet të mbajmë mend se nuk është kurrë tepër vonë dhe askush nuk është endur aq larg nga shtegu sa ai ose ajo të mos arrihet nga Shlyerja e pafundme e Jezu Krishtit, e cila është e pakufishme në kohëzgjatjen dhe qëllimin e saj.

Në konferencën e përgjithshme të tetorit të kaluar, Plaku Dejll G. Renland na mësoi që “pavarësisht se sa kohë kemi qenë larg shtegut … , në çastin kur vendosim të ndryshojmë, Perëndia na ndihmon të kthehemi”16. Ai vendim për të ndryshuar, sidoqoftë, është shpesh rrjedhojë e një ftese, e tillë si: “Mendoj se do të të pëlqejë ta dëgjosh mesazhin e ungjillit”. Ashtu siç nuk është kurrë tepër vonë për Shpëtimtarin, nuk është kurrë shumë shpejt për ne që të bëjmë një ftesë.

Kjo periudhë Pashke na siguron, edhe njëherë, një mundësi të mrekullueshme për të reflektuar mbi flijimin e madh shlyes të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit dhe asaj që Ai bëri për secilin prej nesh me një çmim kaq të jashtëzakonshëm – një çmim që Ai Vetë shpalli se e “bëri [Atë], më [të] madhi[n e] të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes”. “Megjithatë”, thotë Ai, “unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”17.

Unë dëshmoj se ngaqë Ai “mbaro[i]”, do të ketë gjithmonë shpresë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.