2010–2019
Shihni te Jezu Krishti
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Shihni te Jezu Krishti

Nëse shohim te Jezu Krishti, Ai do të na ndihmojë t’i jetojmë besëlidhjet tona dhe t’i lartësojmë thirrjet tona si pleq në Izrael.

Kur Jezusi eci në një rrugë pranë Kapernaumit1 me një turmë të madhe njerëzish përreth Tij, një grua që vuante nga një sëmundje e rëndë prej 12 vjetësh, u afrua dhe preku cepin e rrobës së Tij. Ajo u shërua menjëherë.2

Shkrimet e shenjta shënojnë se Jezusi, duke e ndier “që një fuqi [kishte dalë] prej [Tij]”3, “u kthye midis turmës”4 dhe “vështroi … për të parë atë që [e] bëri këtë”5. “Gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar”6, “i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.”7

Jezusi i tha: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe”8.

Jezu Krishti e shpëtoi gruan. Ajo u shërua fizikisht, por kur Jezusi u kthye ta shihte, ajo e shpalli besimin e vet tek Ai dhe Ai e shëroi zemrën e saj.9 Ai i foli asaj me dashuri, i dha siguri për miratimin e Tij dhe e bekoi me paqen e Tij.10

Vëllezër, si mbajtës të priftërisë së shenjtë, ne jemi të përfshirë në punën e shpëtimit. Në vitin e fundit, Zoti e ka vendosur udhëheqjen e kësaj pune kryesisht mbi supet e pleqve në Izrael.11 Ne kemi një urdhër frymëzues nga Zoti – duke punuar me motrat tona, ne duhet të japim shërbesë në një mënyrë më të shenjtë, ta përshpejtojmë mbledhjen e Izraelit në të dy anët e velit, t’i ngremë shtëpitë tona si shenjtërore të besimit e të mësimit të ungjillit dhe ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.12

Si me të gjitha gjërat, Shpëtimtari na ka treguar udhën: ne kemi nevojë të shohim te Jezu Krishti dhe t’i shërbejmë Atij, po ashtu si Ai pa tek Ati i Tij dhe i shërbeu Atij.13 Shpëtimtari ia tha atë në këtë mënyrë Profetit Jozef:

“Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë.

Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit.”14

Në mbretërinë paratokësore Jezusi i premtoi Atit të Tij se do të bënte vullnetin e Atit të Tij dhe do të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Kur Ati i Tij pyeti: “Kë të dërgoj?”15 Jezusi u përgjigj:

“Ja ku jam, dërgomë mua”16.

“Vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë.”17

Gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri Jezusi jetoi sipas atij premtimi. Me përulësi, zemërbutësi dhe dashuri Ai dha mësim doktrinën e Atit të Tij dhe bëri punën e Atit të Tij me fuqinë dhe autoritetin që i kishte dhënë Ati.18

Jezusi ia dha zemrën Atit të Tij. Ai tha:

“Unë e dua Atin”19.

“Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.”20

“Unë kam zbritur … jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e [Atit] që më ka dërguar.”21

Në agoninë e Tij në Gjetseman Ai u lut: “Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti”22.

Kur Zoti u bën thirrje pleqve në Izrael “shihni tek unë në çdo mendim” dhe “vini re plagët” në trupin Tim të ringjallur, ajo është një thirrje që të largohen nga mëkati dhe bota, të kthehen tek Ai, ta duan Atë dhe t’i binden Atij. Është një thirrje për ta dhënë mësim doktrinën e Tij dhe për të bërë punën e Tij sipas mënyrës së Tij. Si rrjedhim, është një thirrje për t’i mirëbesuar Atij tërësisht, për t’ia dorëzuar vullnetin tonë e për t’ia dhënë zemrën tonë Atij dhe nëpërmjet fuqisë së Tij shëlbuese të bëhemi si Ai.23

Vëllezër, nëse shohim te Jezu Krishti, Ai do të na bekojë që të jemi pleqtë e Tij në Izrael – të përulur, zemërbutë, të bindur, plot me dashurinë e Tij.24 Dhe ne do t’ua sjellim gëzimin dhe bekimet e ungjillit të Tij dhe të Kishës së Tij familjeve tona dhe vëllezërve e motrave tona në të dyja anët e velit.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka bërë thirrje të shohim te Jezu Krishti pikërisht në këtë mënyrë: “Nuk ka asgjë të lehtë ose të vetvetishme në të bërit dishepuj të tillë të fuqishëm. Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen.”25

Ngulit është një fjalë fantastike. Do të thotë të fiksosh mirë, të tërheqësh dhe mbërthesh tërësisht.26 Ne e ngulitim përqendrimin tonë te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij duke i jetuar besëlidhjet tona.

Kur i jetojmë besëlidhjet tona, ato ndikojnë te çdo gjë që themi e bëjmë. Ne jetojmë një jetë besëlidhëse27 plot me veprime të thjeshta, të përditshme besimi, të cilat na përqendrojnë te Jezu Krishti: lutja nga zemra në emrin e Tij, ushqimi me bollëk me fjalën e Tij, kthimi tek Ai për t’u penduar për mëkatet tona, zbatimi i urdhërimeve të Tij, marrja e sakramentit dhe mbajtja e shenjtë e Shabatit të Tij, adhurimi në tempullin e Tij të shenjtë sa më shpesh që mundemi, dhe ushtrimi i priftërisë së Tij të shenjtë për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë.

Këto veprime të përkushtimit besëlidhës i hapin zemrën dhe mendjen tonë ndaj fuqisë shëlbuese të Shpëtimtarit dhe ndikimit shenjtërues të Frymës së Shenjtë. Rresht pas rreshti Shpëtimtari e ndryshon pikërisht natyrën tonë, ne kthehemi më thellësisht në besimin tek Ai dhe besëlidhjet tona bëhen të gjalla në zemrat tona.28

Premtimet që i bëjmë Atit tonë Qiellor, bëhen zotimet e patundura, dëshirat tona më të thella. Premtimet e Atit Qiellor për ne na mbushin me mirënjohje dhe gëzim.29 Besëlidhjet tona nuk janë më rregulla që i ndjekim dhe ato bëhen parime të dashura që na frymëzojnë e na udhërrëfejnë, dhe që na e ngulitin përqendrimin tonë te Jezu Krishti.30

Këto veprime përkushtimi janë në dispozicion për të gjithë, të rinj e të moshuar. Ju të rinj që mbani Priftërinë e shenjtë Aarone, gjithçka që kam thënë sonte, gjen zbatim për ju. E falënderoj Perëndinë për ju. Ju i bëni ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të vlefshme për miliona shenjtorë të ditëve të mëvonshme çdo javë. Kur e përgatitni, bekoni ose shpërndani sakramentin; kur jepni shërbesë; kur pagëzoheni në tempull; kur e ftoni një shok në një veprimtari; ose kur e shpëtoni një anëtar të kuorumit tuaj me anë të aktivizimit, ju po bëni punën e shpëtimit. Edhe ju mund të shihni te Jezu Krishti dhe t’i jetoni besëlidhjet tuaja çdo ditë. Ju premtoj që nëse shihni, ju do të jeni shërbëtorë të mirëbesuar të Zotit tani dhe, në një kohë të ardhshme, pleq të fuqishëm në Izrael.

Vëllezër, unë e di se e gjithë kjo mund të tingëllojë frikësuese. Por, ju lutem, mbajini mend këto fjalë të Shpëtimtarit: “Unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua”31. Kështu është edhe për ne. Nuk jemi vetëm. Zoti Jezu Krisht dhe Ati ynë Qiellor na duan dhe Ata janë me ne.32 Ngaqë Jezusi pa tek Ati i Tij dhe e përmbushi flijimin e madhërishëm shlyes, ne mund të shohim te Jezu Krishti me sigurinë se Ai do të na ndihmojë.

Askush prej nesh nuk është i përsosur. Nganjëherë ngelemi në vend. Shpërqendrohemi ose shkurajohemi. Pengohemi. Por nëse shohim te Jezu Krishti me një zemër të penduar, Ai do të na ngrejë moralisht, do të na pastrojë nga mëkati, do të na falë dhe do ta shërojë zemrën tonë. Ai është i duruar dhe plot mirësi; dashuria e Tij shëlbuese nuk mbaron kurrë dhe nuk dështon kurrë.33 Ai do të na ndihmojë t’i jetojmë besëlidhjet tona dhe t’i lartësojmë thirrjet tona si pleq në Izrael.

Dhe Ati do të na bekojë me të gjitha gjërat që na duhen për t’i përmbushur qëllimet e Tij: “Gjërat … si në qiell, edhe mbi tokë, jeta dhe drita, Shpirti dhe fuqia, të dërguara me anë të vullnetit të Atit nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të tij”34.

Kur drita dhe fuqia hyjnore rrjedhin në jetën tonë, ndodhin tri gjëra të mrekullueshme:

Së pari, ne mund të shohim! Nëpërmjet zbulesës ne fillojmë të shohim sikurse Jezusi e pa gruan: përtej sipërfaqësores dhe brenda zemrës.35 Kur shohim siç sheh Jezusi, Ai na bekon t’i duam ata të cilëve u shërbejmë me anë të dashurisë së Tij. Me anë të ndihmës së Tij, ata të cilëve u shërbejmë, do ta shohin Shpëtimtarin dhe do ta ndiejnë dashurinë e Tij.36

Së dyti, ne kemi fuqinë e priftërisë! Ne kemi autoritetin dhe fuqinë për të vepruar në emrin e Jezu Krishtit që “t’i bekoj[m]ë, udhërrëfej[m]ë, mbroj[m]ë, forcoj[m]ë dhe shëroj[m]ë të tjerët” dhe të sjellim mrekulli tek ata njerëz që i duam, dhe t’i mbajmë të sigurta martesën dhe familjen tonë”37.

Së treti, Jezu Krishti shkon me ne! Atje ku ne shkojmë, Ai shkon. Kur ne japim mësim, Ai jep mësim. Kur ne ngushëllojmë, Ai ngushëllon. Kur ne bekojmë, Ai bekon.38

Vëllezër, a nuk kemi shkak të gëzohemi? Kemi! Ne mbajmë priftërinë e shenjtë të Perëndisë. Kur shohim te Jezu Krishti, i jetojmë besëlidhjet tona dhe e ngulitim përqendrimin tonë tek Ai, ne vërtet do të bashkohemi me motrat tona dhe do të japim shërbesë në një mënyrë më të shenjtë, do ta mbledhim Izraelin e shpërndarë në të dyja anët e velit, do t’i forcojmë e vulosim familjet tona dhe do ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Zotit Jezu Krisht. Kjo do të ndodhë. Unë dëshmoj kështu.

E mbyll me këtë lutje nga zemra ime, që ne të gjithë, secili prej nesh, do të shohim te Jezu Krishti në çdo mendim. Mos dyshoni. Mos kini frikë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Xhejms E. Talmixh e vendos Jezusin “në afërsi të Kapernaumit” kur ky shërim ndodhi (shih Jesus the Christ [1916], f. 313).

  2. Shih Lluka 8:43–44; shih edhe Mateu 9:20–21; Marku 5:25–29.

  3. Lluka 8:46.

  4. Marku 5:30.

  5. Marku 5:32.

  6. Lluka 8:47.

  7. Marku 5:33.

  8. Lluka 8:48.

  9. Xhejms E. Talmixhi shkroi se me vlerë më të madhe për gruan sesa shërimi fizik ishte siguria që Shpëtimtari i kishte plotësuar dëshirën e zemrës së saj dhe që besimi i saj u pranua prej Tij (shih Jesus the Christ, f. 318). Jezusi e shëroi atë fizikisht e shpirtërisht dhe i hapi asaj udhën drejt shpëtimit.

  10. Është e dobishme të dihet se Jairi, një nga krerët e sinagogës, ishte me Jezusin kur ndodhi ky shërim. Jezusi ishte rrugës për në shtëpinë e Jairit ku Ai do të ngrinte së vdekuri bijën e Jairit. Gruaja që Jezusi e shëroi, ka të ngjarë që ishte nxjerrë jashtë sinagogës për shkak të sëmundjes së saj. Kur Jezusi e shëroi atë, Ai gjithashtu ua bëri të qartë të gjithëve që ishin atje, përfshirë Jairin, se ajo ishte një bijë e dashur, një grua besimtare dhe e shëruar në trup e shpirt.

  11. Shih D. Tod Kristoferson, “Kuorumi i Pleqve” (Liahona, maj 2018, f. 55–58) për një diskutim mbi përshtatjet për të krijuar një kuorum të Priftërisë Melkizedeke në lagje. Qëllimi i atij ndryshimi u përshkrua në këtë mënyrë në pjesën “Pyetje që Bëhen Rëndom” të faqes në internet për Dhënien e Shërbesës: “Pasja e një kuorumi të Priftërisë Melkizedeke në lagje krijon unitet te mbajtësit e priftërisë që të përmbushin të gjitha aspektet e punës së shpëtimit, përfshirë punën në tempull dhe punën e historisë familjare, që më parë bashkërendoheshin nga udhëheqësi i grupit të priftërinjve të lartë” (“Dhënia e Shërbesës: Pyetje që Bëhen Rëndom”, pyetja 8, ministering.ChurchofJesusChrist.org).

    Përshtatjet e mëpasshme e kanë vendosur udhëheqësin e misionit të lagjes dhe udhëheqësin e ri të tempullit dhe të historisë familjare në lagje nën drejtimin e presidencës së kuorumit të pleqve. Me dhënien e shërbesës familjeve tashmë nën drejtimin e presidencës, këto përshtatje e kanë vendosur udhëheqjen e punës së shpëtimit te kuorumet e pleqve, të ndihmuar nga Shoqatat e Ndihmës. Sigurisht, peshkopi mban çelësat e punës së shpëtimit në lagje, por ai i delegon përgjegjësi dhe autoritet për atë punë presidentit të kuorumit të pleqve me qëllim që peshkopi të mund të shpenzojë më shumë kohë duke i dhënë shërbesë familjes së vet, duke forcuar rininë dhe duke shërbyer si gjykatës në Izrael.

  12. Shih Rasëll M. Nelson, “Punës Le t’i Vihemi”, Liahona, maj 2018, f. 118–119; Rasëll M. Nelson, “Të Bërit Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113–114; Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Liahona, nëntor 2018, f. 8–12.

  13. Ati dërgoi Jezu Krishtin në botë (shih Gjoni 17:18).

  14. Doktrina e Besëlidhje 6:36–37.

  15. Abraham 3:27.

  16. Abraham 3:27.

  17. Moisiu 4:2.

  18. Ka referenca të shumta në shkrimet e shenjta që shënojnë thëniet që bëri Jezusi rreth kryerjes së punës së Atit të Tij dhe mësimdhënies së doktrinës së Atit të Tij. Shih, për shembull, Gjoni 5:19 (Jezusi bën atë që Ai e sheh Atin të bëjë); Gjoni 5:36 (Ati i dha Birit të Tij një vepër për të bërë); Gjoni 8:26 (Jezusi dha mësim atë që e kishte marrë nga Ati i Tij); Gjoni 14:28 (Jezusi shpalli: “Ati është më i madh se unë”); 3 Nefi 11:32 (doktrina e Tij është doktrina që Ati i Tij ia dha Atij).

  19. Gjoni 14:31.

  20. Gjoni 8:29.

  21. Gjoni 6:38; shih edhe Gjoni 5:30.

  22. Lluka 22:42.

  23. Fjala shihni në këtë fragment (shih Doktrina e Besëlidhje 6:36–37) ka kuptime që lidhen me thirrjen e Zotit: të përballesh (ose të kthehesh drejt); ta drejtosh vëmendjen e dikujt; të mbështetesh te; të kërkosh për; të presësh me shpresë; të kesh ndër mend si qëllim; të presësh ose të parashikosh (shih merriam-webster.com, “look” [“shikoj”]).

  24. Shih Doktrina e Besëlidhje 121:41–42. Cilësitë si të Krishtit, të përmendura në shkrimet e shenjta, janë dhurata të Shpirtit që vijnë nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit. Ato janë gjërat që i bëjnë pleqtë në Izrael pleqtë e Tij.

  25. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 41.

  26. Shih merriam-webster.com, “rivet” [“ngulit”].

  27. Për një diskutim mbi konceptin e një jete besëlidhëse, shih Donald L. Hallstrom, “Living a Covenant Life”, Ensign, qershor 2013, f. 46–49. Ky artikull u përshtat nga një bisedë më e gjatë e dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho në maj të vitit 2011. Për variantin më të gjatë, shih Donald L. Hallstrom, “A Covenant Life” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, 10 maj 2011), byui.edu.

  28. Shih Jeremia 31:31–33, ku Zoti shpalli se Ai do të vendosë një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit, të shkruar mbi zemrën e tyre. Ky përfytyrim i besëlidhjeve të shkruara mbi zemrën tonë ose besëlidhjeve që bëhen të gjalla në zemrën tonë gjendet edhe në shkrimet e Palit (shih 2 Korintasve 3:3; Hebrenjve 8:10). Për një diskutim të besëlidhjes dhe zemrës, shih Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 106–109.

  29. Lutja e sakramentit për bukën shpreh bukur natyrën e marrëdhënies sonë besëlidhëse me Atin tonë Qiellor. Në planin e Atit për shpëtimin, ne bëjmë besëlidhje me Atin tonë Qiellor, por qëllimet e besëlidhjeve përmbushen dhe ne kualifikohemi për bekimet e premtuara nëpërmjet Zotit Jezu Krisht; Ai është Ndërmjetësi. Në ordinancën e sakramentit ne i dëshmojmë Atit (në fakt, bëjmë një besëlidhje të ripërtërirë me Të) se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, që të mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij (Frymën e Shenjtë) me ne.

    Dhuratat në premtimet e Atit vijnë nëpërmjet fuqisë shëlbuese dhe forcuese të Jezu Krishtit. Për shembull, sikurse na ka mësuar Presidenti Rasëll M. Nelson, Jezu Krishti “është burimi i të gjithë gëzimit” (shih “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82). Prandaj ngulitja e përqendrimit tonë te Jezu Krishti na sjell gëzim në jetën tonë pavarësisht nga rrethanat tona.

  30. Presidenti Ezra Taft Benson e shprehu mirë ndikimin e këtij ndryshimi në sjellje dhe orientim kur tha: “Kur bindja nuk është më një ngucës dhe bëhet kërkimi ynë, në atë çast Perëndia do të na bekojë me fuqi” (në Donald L. Staheli, “Obedience—Life’s Great Challenge”, Ensign, maj 1998, f. 82).

  31. Gjoni 16:32.

  32. Për diskutim shtesë mbi faktin e shqetësimit, interesimit, dashurisë dhe përfshirjes së Atit dhe Birit në jetën tonë, shih Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 70–73; Henri B. Ajring, “Ec me Mua”, Liahona, maj 2017, f. 82–85. Shih edhe Mateu 18:20; 28:20; Doktrina e Besëlidhje 6:32; 29:5; 38:7; 61:36; 84:88.

  33. Shih Romakëve 8:35–39; 1 Korintasve 13:1–8; Moroni 7:46–47.

  34. Doktrina e Besëlidhje 50:27. Vini re që Zoti i jep çdo njeriu që shugurohet dhe e dërgon këtë premtim që lidhet me, dhe përfshihet nga, detyra e caktuar e dhënë atij:

    “Po ai caktohet të jetë më i madhi, pavarësisht se është më i vogli dhe shërbëtori i të gjithëve.

    Si rrjedhim, ai është zotërues i të gjitha gjërave; sepse të gjitha gjërat i nënshtrohen atij, si në qiell, edhe mbi tokë, jeta dhe drita, Shpirti dhe fuqia, të dërguara me anë të vullnetit të Atit nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të tij.

    Por askush nuk është zotërues i të gjitha gjërave, nëse ai nuk pastrohet dhe lahet nga gjithë mëkati.

    Dhe nëse pastroheni dhe laheni nga gjithë mëkati, ju duhet të kërkoni çfarëdo që dëshironi në emrin e Jezusit dhe do t’ju jepet” (Doktrina e Besëlidhje 50:26–29).

  35. Shih 1 Samuelit 16:7; 1 Korintasve 2:14. Për një shembull të këtij bekimi të shikimit siç sheh Jezusi, shihni tregimin nga Presidenti Henri B. Ajring mbi përvojën e tij si peshkopi i një të riu që kishte kryer një krim. Zoti i tha Peshkopit Ajring të asaj kohe: “Do të të lejoj ta shohësh atë ashtu sikurse Unë e shoh” (“Ec me Mua”, f. 84).

  36. Ky është premtimi si dhe detyra që u dha Shpëtimtari njerëzve tek tempulli në Begati. Ai i urdhëroi ata të jetonin në mënyrë të tillë që drita e Tij dhe shembulli i Tij të ishin me ta, që ata të mund ta ngrinin lart Atë si dritën e botës në jetën e tyre dhe në ftesat ndaj të tjerëve, që edhe ata të vinin tek Ai. Ndërkohë që pasuesit e Tij jetonin në këtë mënyrë dhe i ftonin në këtë mënyrë, të tjerët do ta ndienin Atë dhe do ta shihnin Atë te shërbëtorët e Zotit. (Shih 3 Nefi 18:24–25.)

  37. Rasëll M. Nelson, “Çmimi i Fuqisë së Priftërisë”, Liahona, maj 2016, f. 68.

  38. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:88.