2010–2019
Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë

Nëse ndieni se feneri i dëshmisë suaj po shuhet dhe errësira po zë vend, merrni zemër. Mbajini premtimet që i keni bërë Perëndisë.

Zyra ime në Ndërtesën e Shoqatës së Ndihmës ka një pamje të shkëlqyer të Tempullit të Solt‑Lejkut. Çdo mbrëmje, me aq përpikëri sa ora me zile, dritat e jashtme të tempullit ndizen sa bie muzgu. Tempulli është një fener i pashuar sigurie, pikërisht jashtë dritares time.

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut në muzg

Një natë, shkurtin që sapo kaloi, si kurrë më parë, zyra ime u errësua shumë kur perëndoi dielli. Kur hodha vështrimin nga dritarja, tempulli ishte pa drita. Dritat nuk qenë ndezur. Papritur u ngrysa. Nuk munda t’i shihja majat e tempullit, të cilat i kisha parë çdo mbrëmje, për vite me radhë.

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut me majat pa dritë

Kur shihja errësirën ndërsa prisja të shihja dritën, më erdhi ndërmend se një nga nevojat thelbësore që kemi, me qëllim që të rritemi, është që të qëndrojmë të lidhur me burimin tonë të dritës – Jezu Krishtin. Ai është burimi i energjisë sonë, Drita dhe Jeta e Botës. Pa një lidhje të fortë me Të, ne fillojmë që të vdesim shpirtërisht. Duke e ditur këtë gjë, Satani përpiqet që t’i shfrytëzojë trysnitë e botës që has gjithsecili prej nesh. Ai përpiqet që ta zbehë dritën tonë, ta shkëputë lidhjen, ta ndërpresë furnizimin e energjisë, duke na lënë të vetëm në errësirë. Këto trysni janë rrethana të zakonshme në jetën në vdekshmëri, por Satani përpiqet fort që të na izolojë dhe të na tregojë se vetëm ne po i përjetojmë ato.

Disa prej Nesh Janë të Mpirë nga Brengat

Kur na ndodhin tragjedi, kur jeta na lëndon aq sa na zë frymën, kur jemi rrahur keq e lënë gati për vdekje si burri rrugës për në Jeriko, vjen Jezusi dhe na i lan plagët me vaj, na ngre me ngadalë, na çon në një han, kujdeset për ne1. Atyre nga ne që janë të brengosur, Ai u thotë: “Unë do t’ju lehtësoj … barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, … që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre”.2 Krishti shëron plagët.

Disa prej Nesh Janë Tepër të Lodhur

Plaku Xhefri R. Holland tha: “Nga ne nuk pritet që të vrapojmë më shpejt sesa kemi fuqi. … Por [pavarësisht] kësaj, unë e di … shumë prej jush vrapojnë [shumë], shumë shpejt dhe se energjia dhe furnizimi shpirtëror nganjëherë duket sikur është gati në shterim.”3 Kur pritshmëritë na rëndojnë, ne mund të tërhiqemi dhe ta pyetim Atin Qiellor se nga çfarë duhet të heqim dorë. Pjesë e përvojës së jetës sonë është të mësojmë se çfarë të mos bëjmë. Por edhe kur e bëjmë këtë, jeta nganjëherë mund të jetë stërmunduese. Jezusi na premton: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”4.

Krishti, me qëllim që të na i lehtësojë barrët, është i gatshëm që të na bashkohet dhe ta tërheqë zgjedhën me ne. Krishti është çlodhje.

Disa nga Ne Ndiejnë se nuk Janë sikurse Anëtarët Tipikë

Për arsye të ndryshme, nuk ndihemi të pranuar apo të mirëpritur. Dhiata e Re tregon përpjekjet e mëdha që bëri Jezusi për t’i ndihmuar të gjithë llojet e njerëzve: lebrozët, tagrambledhësit, fëmijët, galileasit, prostitutat, gratë, farisenjtë, mëkatarët, samaritanët, të vejat, ushtarët romakë, shkelësit e kurorës, njerëzit e papastër sipas ligjit. Thuajse në çdo tregim, Ai ndihmonte dikë që nuk pranohej në shoqëri sipas traditës.

Lluka 19 dëfton tregimin e kryetarit të tagrambledhësve në Jeriko, që quhej Zake. Ai u ngjit në një pemë që të shihte Jezusin kur të kalonte aty. Zakeu ishte i punësuar nga qeveria romake dhe shihej si i korruptuar dhe mëkatar. Jezusi e pa në pemë dhe i thirri duke i thënë: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde”5. Dhe kur Jezusi pa mirësinë e zemrës së Zakeut dhe gjërat që bënte për të tjerët, Ai e pranoi ofertën e tij, duke i thënë: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit”6.

Krishti u tha nefitëve me butësi: “Kam urdhëruar që askush prej jush nuk duhet të largohet”7. Pjetri e mori atë njohuri të fuqishme te Veprat e Apostujve 10, kur shpalli: “Perëndia më dëftoi që të mos e quaj asnjë njeri të papastër a të ndotur”8. Ajo është një kërkesë e pandryshueshme e dishepujve të krishterë dhe e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, që t’ia tregojnë dashurinë e vërtetë njëri‑tjetrit9. Jezusi na bën të njëjtën ftesë që Ai i bëri edhe Zakeut: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse [ti] dëgjon zërin tim dhe [e] hap… derën, unë do të hyj tek [ti] dhe do të ha darkë me [ty] dhe [ti] me mua”.10 Krishti na sheh te pema që kemi hipur.

Disa prej Nesh i Mundojnë Pyetjet

Jo shumë vite më parë, isha e rënë moralisht dhe e pezmatuar nga pyetjet, të cilave nuk u jepja dot përgjigje. Herët një të shtunë në mëngjes, pashë një ëndërr të shkurtër. Në ëndërr mund të shihja një qoshk të mbyllur dhe kuptova se duhej të shkoja të qëndroja atje. Ai përbëhej nga pesë harqe që e rrethonin, por dritaret ishin prej guri. Në ëndërr shfaqa pakënaqësi, duke mos dashur të hyja brenda, sepse të shkaktonte një ndjesi mbytëse. Pastaj më erdhi mendimi se vëllai i Jaredit me durim kishte shkrirë gurë për t’i kthyer në xhama të tejdukshëm. Xhami është gur që ka kaluar nëpër një proces shndërrimi. Kur Zoti i preku gurët për vëllanë e Jaredit, ata bënë dritë brenda anijeve të errësuara11. Befas u mbusha me një dëshirë për të hyrë në atë qoshk më shumë se në çdo vend tjetër. Pikërisht ai ishte vendi – i vetmi vend – që unë të “shihja” vërtet. Pyetjet që po më shqetësonin nuk u zhdukën, por pasi u zgjova, më qartësisht më erdhi në mendje pyetja: Si do ta rritësh besimin tënd, si vëllai i Jaredit, në mënyrë që gurët e tu të mund të bëjnë dritë12?

Truri ynë tokësor është krijuar për të kërkuar kuptueshmëri dhe domethënie pak e nga pak. Unë nuk i di të gjitha arsyet se përse veli mbi jetën në vdekshmëri është kaq i trashë. Nuk është kjo faza në zhvillimin tonë të përjetshëm ku i marrim të gjitha përgjigjet. Është faza ku ne e zhvillojmë bindjen tonë (ose nganjëherë shpresën tonë) për një tregim të gjërave që nuk i kemi parë. Siguria vjen në mënyra që nuk janë gjithmonë të lehta për t’u analizuar, por ka dritë në errësirën tonë. Jezusi tha: “Unë jam drita dhe jeta, dhe e vërteta e botës”13. Për ata që po kërkojnë të vërtetën, në fillim mund të duket si një ndjesi e kotë mbytëse nga dritaret prej guri. Por me durim dhe me pyetje plot besim, Jezusi mund t’i shndërrojë dritaret tona prej guri në dritare xhami dhe të ndriçuara. Krishti është drita që duhet të shohim.

Disa nga Ne Ndiejnë se Kurrë nuk Mund të Jenë të Mirë Mjaftueshëm

Ngjyra e kuqe flakë në Dhiatën e Vjetër nuk ishte vetëm ngjyrë e fortë, por edhe jetëgjatë, që do të thotë se ngjyra e saj e ndezur mbetej te leshi dhe nuk zbehej pavarësisht se sa herë lahej14. Satani e përdor këtë metaforë si një kopaçe: materiali i leshtë i bardhë i ngjyer me të kuqe flakë nuk mund të bëhet më kurrë i bardhë. Por Jezu Krishti shpall: “Rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja”15, dhe mrekullia e hirit të Tij është se kur ne pendohemi për mëkatet tona, gjaku i Tij i kuq flakë, na kthen pastërtinë. Nuk duket e arsyeshme, por sidoqoftë është e vërtetë.

Pamja
Lesh i ngjyer me të kuqe flakë

Fotografia nga iStock.com/iinwibisono

“Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”16 Zoti thotë shumë qartë: Ai ose ajo “që është penduar për mëkatet … po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”17. E thënë ndryshe: Ejani, le të diskutojmë bashkë18. Ju bëtë gabime; të gjithë u privuat19. Ejani tek unë dhe pendohuni20. Unë nuk do ta kujtoj më mëkatin21. Ju mund të shëroheni përsëri22. Unë kam një punë për ty.23 Krishti e kthen sërish bardhësinë.

Por cilat janë hapat për t’u hedhur? Cili është kyçi për t’u lidhur sërish me energjinë e Jezu Krishtit kur jemi duke regëtuar? Presidenti Rasëll M. Nelson e tha atë shumë thjeshtë: “Kyçi është të bëjmë dhe të mbajmë besëlidhje të shenjta. … Ajo nuk është një udhë e ndërlikuar.”24 Bëjeni Krishtin qendrën e jetës suaj25.

Nëse ndieni se feneri i dëshmisë suaj po shuhet dhe errësira po zë vend, merrni zemër. Mbajini premtimet që i keni bërë Perëndisë. Bëjini pyetjet tuaja. Me durim shkrijini gurët për t’i shndërruar në xhama. Kthehuni te Jezu Krishti, i cili ju do gjithsesi.

Jezusi tha: “Unë jam drita që shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kupton atë”26. Ajo do të thotë se sado të përpiqet, errësira nuk mund ta largojë atë dritë. Kurrë. Ju mund të mirëbesoni se drita e Tij do të jetë me ju.

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut me drita të rindezura

Njerëzit që i duam ose ne vetë, mund të jemi përkohësisht në errësirë. Në rastin e Tempullit të Solt‑Lejkut, administratori i ndërtesave, vëllai Val Uajti, mori thuajse menjëherë një telefonatë. Njerëzit e kishin vënë re. Çfarë nuk shkonte me dritat e tempullit? Fillimisht, personeli shkoi vetë të shihte secilin prej paneleve elektrike në tempull dhe i ndezi dritat në mënyrë manuale. Më pas ata i zëvendësuan bateritë brenda pajisjes automatike furnizuese dhe bënë prova për të zbuluar se përse nuk kishin funksionuar.

Është e vështirë t’i ndezësh sërish dritat vetë. Ne kemi nevojë për miq. Kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Ashtu si personeli i ndërtesave të tempullit, ne mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin duke shkuar vetë atje, për t’i rimbushur bateritë tona shpirtërore, për të riparuar atë që u prish.

Pamja
Tempulli i Solt-Lejkut në periudhën e Krishtlindjes

Drita jonë individuale mund të jetë veçse si një poç drite në pemë. Por, prapëseprapë, e japim dritën tonë të vogël dhe të gjithë së bashku, sikurse Sheshi i Tempullit në periudhën e Krishtlindjes, ne tërheqim miliona njerëz pranë shtëpisë së Zotit. Mbi të gjitha, siç na ka nxitur Presidenti Nelson, ne mund t’ia sjellim dritën e Shpëtimtarit vetes dhe njerëzve të rëndësishëm për ne, me anë të veprës së thjeshtë të mbajtjes së besëlidhjeve tona. Në mënyra të ndryshme, Zoti e shpërblen atë vepër besimi me fuqi dhe me gëzim27.

Unë dëshmoj se ju jeni shumë të dashur [për Të]. Zoti e di se sa shumë po përpiqeni. Ju po përparoni. Mos u ndalni! Ai i sheh të gjitha sakrificat tuaja të patreguara dhe i llogarit ato për dobinë tuaj e për dobinë e atyre që ju i doni. Puna juaj nuk është e pavlerë. Ju nuk jeni vetëm. Vetë emri i Tij, Emanuel, do të thotë “Zoti me ne”28. Sigurisht që Ai është me ju.

Hidhni edhe disa hapa më shumë në shtegun e besëlidhjeve, edhe pse është shumë errësirë për ta hedhur vështrimin tepër larg. Dritat do të ndizen sërish. Unë dëshmoj për vërtetësinë e fjalëve të Jezusit dhe ato janë të mbushura me dritë: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”29. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.