2010–2019
Libri Juaj me Skema i Priftërisë
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Libri Juaj me Skema i Priftërisë

Krijojeni vetë librin tuaj me skema për mënyrën se si do ta vërtetoni veten si një dishepull i Krishtit.

Dhjetorin e kaluar, Presidenca e Parë nxori një deklaratë që shpallte se djemtë e moshës 11 vjeç do të “fillojnë të ndjekin … kuorumet e Priftërisë Aarone … që në fillim të janarit, në vitin kur mbushin 12 vjeç”1.

Si rrjedhojë, gjatë muajve të parë të këtij viti, pati disa djem të moshës 11 vjeç që u befasuan, se kishin menduar që do të qëndronin në Fillore derisa t’u vinte ditëlindja e radhës, por tani po shpërndajnë sakramentin të dielave, si dhjakët më të rinj të shuguruar të Kishës.

Vras mendjen se kush u habit më shumë nga ndryshimi – dhjakët apo prindërit e tyre. Nga këta pothuajse 80 000 dhjakë të rinj, shumë janë me ne sonte në këtë Qendër madhështore të Konferencave ose janë duke marrë pjesë nëpërmjet teknologjisë. Mirë se vini në vëllazërinë e madhe të priftërisë!

Ky ndryshim e bën këtë një mbledhje historike – ka të ngjarë të jetë grupi më i madh i mbajtësve të Priftërisë Aarone në histori që merr pjesë në një sesion të përgjithshëm të priftërisë, në konferencën e përgjithshme. Duke marrë shkas nga ky rast i veçantë, unë u shpreh falënderimet e mia veçanërisht të rinjve të Priftërisë Aarone.

Mësime që Merren nga Sporti

Si nxënës, shumë prej jush po zhvillojnë gjithashtu talentet, interesat dhe veprimtaritë e parapëlqyera të tyret, nëpërmjet veprimtarive jashtëshkollore në shkollë ose në mësime private, skuadra dhe grupe jashtë shkollës, duke përfshirë dhe sportet.

Duke qenë se më kanë pëlqyer shumë sportet gjatë gjithë jetës sime, gjithmonë i kam admiruar ata që i zhvillojnë aftësitë e tyre sportive deri në atë pikë sa [arrijnë] t’i ekzekutojnë në nivele të larta. Në mënyrë që dikush të jetë vërtet i mirë në çdo gjë, përveç talentit të lindur, kërkohet shumë disiplinë, sakrificë dhe orë të shumta stërvitore dhe ushtrimi. Sportistë të tillë shpesh dëgjojnë kritika ndonjëherë të ashpra nga trajnerët dhe me vetëdije e lënë mënjanë atë që dëshirojnë tani për diçka më të madhe në të ardhmen.

Ne njohim anëtarë të Kishës dhe mbajtës të priftërisë që kanë përjetuar sukses në nivelet më të larta të sportit profesionist. Ka shumë shembuj të mirë, por unë mund të rendit këtu vetëm disa për shkak të kohës. Ju mund t’i njihni disa nga këta sportistë: në bejzboll – Xheremi Gutrin dhe Brajs Harpërin; në basketboll, Xhabari Parkerin dhe Xhimër Fridetin; në futboll, Rikardo Rohasin; në ligën e regbisë, Uilliam Hopoaten dhe në futboll amerikan, Tajsëm Hillin dhe Daniel Sorensenin. Secili prej tyre ka dhënë kontribut të rëndësishëm në sportin e vet.

Ndërkohë që janë tejet të suksesshëm në sportet e tyre, këta sportistë do të ishin të parët që do ta pranonin se nuk janë sportistë të përkryer apo qenie njerëzore të përkryera. Ata punojnë fort që të jenë më të mirët në sportin e tyre – dhe që ta jetojnë ungjillin. Ata ngrihen nëse pengohen dhe përpiqen fort të durojnë deri në fund.

Studiojeni Librin me Skema

Në skuadrat e sportit, zhvillohen skema taktike për situata të caktuara të lojës dhe përpilohen si libër. Sportistët mësojnë detyrën e tyre të posaçme për secilën skemë taktike. Lojtarët e suksesshëm e studiojnë librin me skema aq imtësisht saqë, kur përzgjidhet një skemë taktike, ata e dinë saktësisht, thuajse instinktivisht, se ku të shkojnë dhe çfarë të bëjnë.

Pamja
Trajnohuni me librin me skema

Fotografia nga Dave Kaup/REUTERS/stock.adobe.com

Pamja
Libër me skema

Në mënyrë të ngjashme, edhe ne që jemi mbajtës të priftërisë e kemi një skuadër (një kuorum) dhe një libër me skema (shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve bashkëkohorë).

A i forconi shokët tuaj të skuadrës?

Sa mirë e keni studiuar librin tuaj me skema?

A e kuptoni plotësisht detyrën tuaj?

Pamja
Kuorumi i priftërisë

Ballafaqimi me Kundërshtimin

Për ta çuar edhe më tej analogjinë, trajnerët e mëdhenj i dinë pikat e forta dhe të dobëta të skuadrës së tyre si edhe ato të kundërshtarit. Ata krijojnë një plan loje që do t’u japë atyre mundësinë më të mirë për fitore. Po ju?

Ju e dini se ndaj cilave tundime jeni më të cenueshëm dhe mund ta parashikoni se si kundërshtari do të përpiqet që t’ju nxjerrë nga loja dhe t’ju shkurajojë. A keni krijuar një plan loje dhe libër vetjak me skema që të dini se si të reagoni kur të përballeni me kundërshtimin?

Ndërsa ballafaqoheni me tundime të shumta morale – qoftë në shoqërinë e të tjerëve ose kur jeni vetëm duke ia ngulur sytë ekranit – ju e dini planin e lojës suaj. Nëse një shok/shoqe sugjeron që të pini alkool ose të provoni droga, ju e dini skemën taktike. Ju jeni ushtruar dhe e dini paraprakisht se si të reagoni.

Me një plan loje, një libër me skema dhe një zotim të paepur për ta zbatuar rolin tuaj, ju do ta kuptoni se tundimet kanë më pak kontroll mbi ju. Ju do ta keni marrë tashmë vendimin se si do të reagoni dhe se çfarë do të bëni. Nuk do t’ju duhet të vendosni sa herë që ballafaqoheni me tundimin.

Një nga Të Dymbëdhjetët, kohët e fundit tregoi një histori që e ilustron këtë parim. Kur ishte prift [aaron] në shkollë të mesme, ai doli me miqtë e tij. Pasi morën diçka për të ngrënë, ata po silleshin vërdallë me makinë kur dikush sugjeroi se duhet të shkonin për të parë një film të caktuar. Problemi qëndronte që ai e dinte se ishte një film që nuk duhej ta shihte. Edhe pse u ndje menjëherë nën trysni dhe ankth nga situata, ai e kishte planifikuar [në mendje] këtë. Kjo ishte një faqe e planifikuar posaçërisht nga libri i tij me skema i priftërisë.

Pasi u mbush thellë me frymë dhe mori zemër, u shpreh: “Nuk më intereson ai film. Thjesht më lini në shtëpi”, dhe ashtu bënë. Një skemë taktike e thjeshtë që të çon drejt fitores! Vite më vonë, një nga miqtë që ishte me të atë mbrëmje, përshkroi mënyrën se si ky shembull rezultoi të ishte një forcë e madhe për të, që të përballej me guxim me rrethana të ngjashme në jetën e vet.

Faqe nga Libri me Skema

U kërkova disa Vëllezërve që të rekomandonin skema taktike, të cilat mund t’i përfshini në librin tuaj me skema. Ja tek janë disa prej sugjerimeve të tyre të frymëzuara:

  • Lutuni çdo ditë për ndriçim më të madh dhe një dëshmi për Jezu Krishtin.

  • Dëgjojini me vëmendje mësimet e prindërve tuaj, peshkopit tuaj dhe të udhëheqësve tuaj të Të Rinjve dhe të kuorumit.

  • Shmangeni pornografinë dhe përmbajtjen e pamoralshme në mediat shoqërore.

  • Mbajini mend premtimet që i keni bërë Perëndisë dhe punoni për t’i mbajtur ato.

  • Studiojini historitë e profetëve të mëdhenj në shkrimet e shenjta dhe përvetësojini cilësitë e tyre të mira.

  • Bekojini fëmijët e Atit Qiellor nëpërmjet shërbimit.

  • Kërkoni miq të mirë që t’ju ndihmojnë të bëheni njeriu që doni të jeni.

  • Bëhuni ekspert i programit FamilySearch dhe bëni kërkime për vetë historinë tuaj familjare.

  • Planifikoni vendstrehime ku mund t’ju largoheni ndikimeve të liga.

  • Duajini anëtarët e tjerë të kuorumit tuaj të priftërisë dhe ndihmoni për t’i forcuar ata.

Unë komunikova edhe me sportistët, të cilët i pamë në fotografi pak më parë. M’u duk interesante që ata nuk identifikohen vetëm me atë që bëjnë si sportistë profesionistë, por edhe me atë që janë, si bij të një Ati të dashur Qiellor dhe mbajtës të priftërisë të Perëndisë.

Tani le t’i dëgjojmë mendimet e tyre:

  • Xhimër Frideti, këtu si dhjak duke mësuar se si ta lidhë kollaren e tij, thotë: “Kam mësuar të mbështetem tërësisht në njohurinë dhe besimin tim për vërtetësinë e ungjillit. Kjo më ka udhërrëfyer që të jem … një mbajtës i denjë i priftërisë dhe mbi të gjitha – një shembull pozitiv.”

    Pamja
    Xhimër Frideti si dhjak
  • Brajs Harpëri, këtu si bashkëshort, shkruan: “Mendoja se fama, fati dhe çmimi si Lojtari më i Mirë i Vitit, do të më bënin të lumtur. Diçka mungonte. Kështu që, … u përgatita dhe [hyra] në tempull. Tani jam te shtegu për t’u [kthyer] tek Ati im Qiellor dhe kam një familje të përjetshme – e cila është gëzimi më i madh në botë!”

    Pamja
    Brajs Harpëri me bashkëshorten e tij
  • Daniel Sorenseni, këtu si misionar, thotë: “Një libër i mirë me skema është ai që ka planin e përdorimit të talenteve dhe pikave të forta të çdo pjesëtari të skuadrës. … Kur i studioj dhe i vë në praktikë mësimet e ungjillit të Jezu Krishtit, unë mund të di se si t’i përdor pikat e mia të forta për të shërbyer në priftëri.”

    Pamja
    Daniel Sorenseni si misionar
  • Xheremi Gutrija, këtu duke shërbyer aktualisht si president misioni, tregoi: “Kur isha dhjak në moshën 12 vjeçare … [ndjeva] që Shpirti më dëshmoi [se] ‘kjo jetë është koha … që të përgatite[m]i të takohe[m]i me Perëndinë’2. Plani i lojës është besimi në Perëndi që kthehet në veprim [dhe] pendim nëpërmjet Shpëtimtarit. … Libri me skema gjendet në shkrimet e shenjta dhe nëpërmjet profetëve të gjallë.”

    Pamja
    Xheremi Gutrija si president misioni
  • Xhabari Parkeri, këtu në shugurimin e tij në detyrën e plakut, thotë: “Nuk mund ta përfytyroja njeriun që do të isha bërë nëse nuk do ta kisha marrë vendimin për t’u pagëzuar. … Jam shumë mirënjohës që e kam Perëndinë në jetën time që të më udhërrëfejë çdo ditë.”

    Pamja
    Xhabari Parkeri gjatë shugurimit në priftëri
  • Rikardo Rohasi, këtu duke shërbyer aktualisht si president dege, tha: “Nëpërmjet priftërisë së [Perëndisë] [ne] mund të ndihmojmë në punën e Tij. Ne jemi thirrur të ‘[jemi të] fortë dhe trim[a]’3 për mbrojtjen e së vërtetës.” Kjo e ka ndihmuar atë që t’ia dalë mbanë si në fushën e lojës edhe si mbajtës i priftërisë.

    Pamja
    Rikardo Rohasi si president dege
  • Tajsëm Hilli, këtu si misionar, ndien se ungjilli i Jezu Krishtit ka shërbyer si një libër me skema për të në jetën e tij. Ai u shpreh: “Besimi në planin e [Perëndisë] dhe bërja e më të mirës nga ana ime për ta përmbushur rolin tim, më kanë dhënë një ndjenjë të papërshkrueshme paqeje dhe gëzimi në jetë, duke e ditur se Perëndia është i kënaqur nga përpjekjet e mia”.

    Pamja
    Tajsëm Hilli si misionar
  • Uilliam Hopoate, këtu në bekimin e birit të tij foshnjë me katër brezat, thotë se ungjilli e ndihmon atë që të “dallojë strategjitë e kundërshtimit dhe siguron efektshmërinë shpirtërore për t’u bërë ballë shigjetave të zjarrta dhe për t’u shërbyer më mirë të tjerëve”.

    Pamja
    Uilliam Hopoate në bekimin e foshnjës

Po ju? A e kuptoni identitetin tuaj të lartë e të shenjtë si bir i Perëndisë, si mbajtës i priftërisë së Tij të shenjtë? Me këtë identitet të përjetshëm në mendje, krijojeni planin e lojës suaj dhe librin tuaj me skema të priftërisë, që do t’ju udhërrëfejë gjatë kohëve të tundimeve dhe fatkeqësive. Merrni parasysh strategji si sulmuese, ashtu edhe mbrojtëse.

Strategjitë sulmuese ndihmojnë që t’ju forcohet dëshmia dhe t’ju shtohet vendosmëria për të qëndruar në shtegun e ngushtë e të ngushtuar. Shembujt përfshijnë lutjen e rregullt, studimin e shkrimeve të shenjta, pjesëmarrjen në Kishë dhe në tempull, pagimin e së dhjetës dhe zbatimin e këshillës që gjendet te broshura Për Forcën e Rinisë.

Strategjitë mbrojtëse përfshijnë planifikimin paraprak se si do të përballeni me tundimin. Kur të tundoheni që t’i ulni standardet tuaja vetjake, do ta dini që më parë se çfarë do të bëni.

Për këtë do t’ju nevojitet një libër me skema.

Nuk e ndieni që të luteni sot? Është koha që të zbatoni skemën taktike që keni planifikuar tashmë për lojën.

A ndieni sikur dëshmia juaj po zbehet? E keni një skemë taktike për këtë. E dini se ç’duhet të bëni.

Lojtarë Fenomenalë në Sytë e Perëndisë

Ju jeni mbajtës të priftërisë së shenjtë të Perëndisë. Zotimi juaj për t’u kapur fort pas shufrës së hekurt do t’ju shndërrojë në qenien e përjetshme që u krijuat të bëheni.

Perëndia ju njeh dhe ju do. Ai do t’ju bekojë e do t’ju udhërrëfejë në hapat tuaj.

Ju mund të mendoni se nuk jeni i veçantë, se nuk keni brumë për t’u bërë lojtar fenomenal. Por kjo nuk është e vërtetë. A nuk e dini se Perëndia ka shpallur: “Gjërat e dobëta të botës do të vijnë dhe do të dërrmojnë gjërat e fuqishme dhe të forta”?4

E pra a ndiheni të dobët? Të padobishëm? Përgëzime, sapo zutë vend në formacionin e ndeshjes!

A ndiheni të parëndësishëm? Jo në lartësinë e duhur? Mund të jeni pikërisht ai i cili i nevojitet Perëndisë.

Pamja
Davidi dhe Goliathi

Çfarë shembulli më të madh ka sesa Davidi që hyri në fushëbetejë kundër një kundërshtari frikësues, Goliathit? Duke u mbështetur te Zoti, me një plan, Davidi nuk shpëtoi vetëm veten por edhe ushtrinë e Izraelit!5 Dijeni se Zoti do të jetë me ju ndërsa merrni zemër për të qenë në anën e Tij. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?”6

Ai mund të hapë dyer dhe të na ndihmojë që të zbulojmë pikat e forta dhe aftësitë që as i dinim se i kishim7.

Vërjuani veshin trajnerëve tuaj të besuar – të tillë si; prindërve tuaj, peshkopit dhe udhëheqësve të Të Rinjve. Mësojeni librin me skema. Lexojini shkrimet e shenjta. Studiojini fjalët e profetëve të periudhës bashkëkohore. Krijojeni vetë planin tuaj të lojës për mënyrën se si [me vepra] do ta tregonit veten që jeni dishepull i Krishtit.

Dijini paraprakisht skemat taktike që do të përdorni për ta forcuar shpirtin tuaj dhe për t’i shmangur kurthet e kundërshtarit.

Bëjeni këtë dhe Perëndia me siguri që do t’ju vërë në punë.

Tani, mund të ketë disa që do ta shkëputin veten nga ungjilli dhe do të enden tutje. Të tjerë mund të ulen në ndenjëset e [stadiumit] dhe do ta shohin lojën nga larg. Disa mund të zgjedhin që të rrinë në stol, edhe pse trajneri është përpjekur që t’i futë në lojë. Unë ju ftoj që t’i shpëtoni, t’i mbështetni dhe t’i doni ata si bashkëpjesëtarë të skuadrës suaj!

Të tjerë duan të hyjnë në lojë – dhe luajnë. Ajo që ka më shumë rëndësi, nuk është se sa të talentuar janë, por gatishmëria e tyre për të dalë në fushë. Ata nuk presin që t’u thirret numri, sepse e dinë shkrimin e shenjtë që thotë: “Nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën”8.

Ju mund të futeni vetë në formacion.

Ju e bëni këtë ndërsa studioni dhe e zbatoni librin tuaj me skema të priftërisë.

Përgjatë udhës me shumë gjasa do të pengoheni e do të dështoni – ndoshta shumë, shumë herë. Nuk jeni të përkryer, rënia është pjesë e procesit të kualifikimit që ju lejon ta rafinoni karakterin tuaj e të shërbeni në një mënyrë më të dhembshur. Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij e pafundme sigurojnë mënyrën që t’i mposhtim gabimet tona nëpërmjet pendimit të sinqertë.

Sportistët e mëdhenj shpenzojnë qindra orë duke përsosur një aspekt të vogël të mënyrës se si luajnë. Si mbajtës të priftërisë, ju keni nevojë për këtë lloj mendësie. Nëse dështoni, pendohuni dhe mësoni nga kjo. Ushtrohuni që t’ia dilni më mirë herën tjetër. Si përfundim, kjo varet nga ju. A do ta mësoni librin tuaj me skema?

Unë ju nxit: Mirëbesoni te Zoti. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë9 dhe futuni në lojë.

Nuk ka shumë njerëz që luajnë sporte profesioniste në nivelet më të larta, por kur vjen puna te dishepullimi, ka shumë që zgjedhin ta ndjekin Krishtin.

Në fakt, ky është misioni juaj në këtë jetë – që t’i mësoni mënyrat e Zotit, të hyni në shtegun e dishepullimit dhe të përpiqeni fort që të jetoni sipas planit të Perëndisë. Perëndia do t’ju përkrahë dhe do t’ju bekojë ndërsa drejtoheni tek Ai. Ju mund ta bëni këtë sepse jeni lojtarë fenomenalë në sytë e Tij.

Unë lutem që ta bëni zotimin për të jetuar të denjë për priftërinë e shenjtë që mbani dhe të përpiqeni fort ta zbatoni rolin tuaj të shenjtë çdo ditë. Ju bekoj me aftësinë dhe dëshirën për ta bërë këtë. Unë shtoj dëshminë time për fuqinë e priftërisë që ju mbani, për profetët e gjallë dhe për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.