2010–2019
Ushtrimi i Muskujve Tanë Shpirtërorë
Konferenca e Përgjithshme e Prillit 2019


Ushtrimi i Muskujve Tanë Shpirtërorë

Pikërisht sikurse leximi dhe mësimi rreth muskujve nuk është i mjaftueshëm për të formuar muskuj, leximi dhe mësimi rreth besimit pa shtuar veprim janë të pamjaftueshëm për të ndërtuar besim.

Unë jam mirënjohës për bekimin e pasjes së një trupi fizik, që është një dhuratë mahnitëse nga Ati ynë Qiellor. Trupi ynë ka mbi 600 muskuj.1 Shumë muskuj kërkojnë ushtrim që të jenë në gjendje të kryejnë veprimtaritë tona të përditshme. Ne mund të shpenzojmë shumë përpjekje mendore duke lexuar dhe mësuar rreth muskujve tanë, por, nëse mendojmë se kjo do t’i bëjë ata më të fortë, ne do të mbetemi shumë të zhgënjyer. Muskujt tanë rriten vetëm kur ne i përdorim.

Unë kam arritur të kuptoj se dhuratat shpirtërore sillen po kështu. Ato gjithashtu kanë nevojë të ushtrohen që të rriten. Dhurata shpirtërore e besimit, për shembull, nuk është thjesht një ndjenjë apo gjendje shpirtërore; ajo është një parim veprimi që shpesh shfaqet në shkrimet e shenjta e lidhur me foljen ushtroj.2 Pikërisht sikurse leximi dhe mësimi rreth muskujve nuk është i mjaftueshëm për të formuar muskuj, leximi dhe mësimi rreth besimit pa shtuar veprim janë të pamjaftueshëm për të ndërtuar besim.

Kur isha 16 vjeç, vëllai im më i madh, Ivani, që ishte 22 vjeç në atë kohë, erdhi në shtëpi një ditë dhe i dha një lajm familjes. Ai kishte vendosur të pagëzohej në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Prindërit tanë e vështruan disi me mosbesim dhe mbaj mend se nuk po e kuptoja tërësisht se çfarë po ndodhte. Pak a shumë një vit më vonë, ai na dha një lajm më befasues: kishte vendosur të shërbente si misionar i Kishës, që do të thoshte se për dy vjet ne nuk do ta shihnim. Prindërit e mi nuk u gëzuan nga ky lajm; gjithsesi, unë pashë tek ai një vendosmëri të qartë që e shtoi admirimin tim për të dhe për vendimin që kishte marrë.

Muaj më vonë, ndërsa Ivani po shërbente në misionin e tij, unë pata rastin të planifikoja pushime me disa shokë e shoqe të shkollës. Ne donim të festonim fundin e viteve të shkollës sonë të mesme dhe të kalonim disa ditë në plazh.

I shkrova një letër vëllait tim misionar duke i përmendur planet e mia për pushimet e verës. Ai u përgjigj se qyteti ku po shërbente, ishte rrugës për në vendmbërritjen time. Vendosa që do të ishte ide e mirë të ndaloja dhe t’i bëja një vizitë. Vetëm më vonë mësova se misionarët nuk duhej të vizitoheshin nga familja.

Unë i bëra të gjitha rregullimet. Mbaj mend kur isha ulur në autobus duke menduar se sa shumë do argëtoheshim unë dhe Ivani së bashku në këtë ditë të mrekullueshme me diell. Ne do të hanim mëngjes, do të bisedonim, do të luanim në rërë, do të bënim banjë dielli – sa bukur do t’ia kalonim!

Ndërsa autobusi arriti në stacionin e fundit, e pashë Ivanin në këmbë pranë një të riu tjetër, të dy me këmishë të bardhë dhe kollare. Zbrita nga autobusi, u përqafuam së bashku dhe ai më njohu me shokun e tij të misionit. Pa humbur asnjë minutë, i tregova vëllait tim planet e mia për ditën, duke mos e ditur se çfarë kishte programuar Ivani. Ai më vështroi, buzëqeshi dhe tha: “Sigurisht! Sidoqoftë, neve na duhet së pari të kryejmë disa porosi. A do të vish me ne?” Unë rashë dakord, duke menduar se do të kishim mjaft kohë për ta shijuar plazhin më pas.

Atë ditë, për më shumë se 10 orë, eca nëpër rrugët e atij qyteti të vogël me vëllanë tim dhe shokun e tij. U buzëqesha njerëzve gjithë ditën. Përshëndeta njerëz që nuk i pata parë kurrë në jetën time. Ne i folëm gjithkujt, trokitëm në dyer të huajsh dhe vizituam njerëz të cilëve vëllai im dhe shoku i tij po u jepnin mësim.

Gjatë një vizite të tillë, vëllai im dhe shoqëruesi i tij po jepnin mësim rreth Jezu Krishtit dhe planit të shpëtimit. Befas, Ivani u ndal dhe më vështroi. Për habinë time, ai me mirësjellje më kërkoi të jepja mendimin tim rreth asaj që po jepej mësim. Në dhomë ra heshtja dhe të gjithë i kishin sytë nga unë. Me pak vështirësi, unë më në fund i gjeta fjalët dhe shpreha ndjenjat e mia rreth Shpëtimtarit. Nuk e dija ishte e drejtë apo e gabuar ajo që thashë. Vëllai im kurrë nuk më korrigjoi; përkundrazi, ai më falënderoi që u tregova mendimet dhe ndjenjat e mia.

Gjatë atyre orëve së bashku, vëllai im dhe shoku i tij nuk shpenzuan asnjë minutë të vetme për të më dhënë mësim vetëm mua, prapëseprapë unë fitova më shumë njohuri sesa nga gjithë bisedat e mia të mëparshme me të. Unë dëshmova se si u ndryshonte njerëzve shprehja e fytyrës kur ata merrnin dritë shpirtërore në jetën e tyre. Pashë se disa prej tyre gjetën shpresë te mesazhet dhe mësova se si t’u shërbej të tjerëve dhe të harroj veten dhe vetë dëshirat e mia. Unë po bëja atë që Shpëtimtari dha mësim: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten”3.

Duke hedhur vështrimin pas, kuptova se besimi im u rrit atë ditë ngaqë vëllai im më dha mundësinë ta vija atë në veprim. E ushtrova atë ndërsa ne lexonim nga shkrimet e shenjta, kërkonim njerëz që t’u jepnim mësim, jepnim dëshmi, u shërbenim të tjerëve e kështu me radhë. Ne nuk patëm kohë fare për banjë dielli atë ditë, por zemra ime bëri banjë në dritën e qiellit. Unë madje nuk pashë asnjë kokrrizë rëre në plazh, por ndjeva besimin tim të rritej si një kokërr fare sinapi.4 Nuk e kalova ditën me diell si turist, por fitova përvoja të mrekullueshme dhe, pa e kuptuar, isha një misionar – madje pa qenë anëtar i Kishës!

Mundësi për t’i Forcuar Muskujt Shpirtërorë

Falë Rivendosjes së ungjillit, ne mund të arrijmë ta kuptojmë se si na ndihmon Ati ynë Qiellor për të zhvilluar dhurata shpirtërore. Ka më shumë gjasa që Ai të na japë mundësi për t’i zhvilluar ato dhurata sesa thjesht të na i falë pa përpjekje shpirtërore dhe fizike. Nëse jemi në harmoni me Shpirtin e Tij, ne do të mësojmë t’i dallojmë ato mundësi dhe mandej të veprojmë sipas tyre.

Nëse kërkojmë më shumë durim, mund ta gjejmë veten në nevojë për ta ushtruar atë ndërsa presim për një përgjigje. Nëse duam të kemi më shumë dashuri për të afërmin tonë, ne mund ta ushqejmë dashurinë duke u ulur në kishë pranë dikujt që nuk e njohim. Me besimin është njësoj: kur na vijnë në mendje dyshime, do të na duhet mirëbesim te premtimet e Zotit për të ecur përpara. Në këtë mënyrë ne po ushtrojmë muskuj shpirtërorë dhe po i zhvillojmë si burime force në jetën tonë.

Do të jetë ndoshta jo e lehtë në fillim dhe mundet madje të bëhet një sfidë e madhe. Fjalët e Zotit, nëpërmjet profetit Moroni, vlejnë për ne sot: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.”5

I jam mirënjohës vëllait tim, Ivanit, i cili jo vetëm e solli ungjillin tek unë, por edhe më ftoi tërthorazi që ta jetoj atë dhe t’i njoh dobësitë e mia. Ai më ndihmoi ta pranoj ftesën e Mësuesit: “Eja e më ndiq”6 – të eci sikurse Shpëtimtari eci, të kërkoj sikurse Shpëtimtari kërkoi, të dua sikurse Shpëtimtari na do ne. Muaj më vonë, pas përvojës sime misionare, unë vendosa të pagëzohesha dhe të shërbeja në një mision timin.

Le ta pranojmë ftesën e Presidentit Rasëll M. Nelson dhe të vijmë me synim te Shpëtimtari7 duke gjetur ata muskuj që kanë nevojë për më shumë aktivitet shpirtëror, dhe të fillojmë t’i ushtrojmë. Kjo është më shumë një garë distancash të gjata, një maratonë, sesa një vrapim i shkurtër i shpejtë, ndaj mos i harroni ato veprimtari të vogla shpirtërore por të vazhdueshme, që do t’i forcojnë ata muskuj të rëndësishëm shpirtërorë. Nëse duam ta rritim besimin tonë, atëherë le të bëjmë gjëra që kërkojnë besim.

Unë jap dëshmi se ne jemi fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Biri i Tij, Jezu Krishti, na do. Ai erdhi në këtë botë për të na treguar udhën dhe mandej dha jetën e Tij vullnetarisht për të na dhënë shpresë neve. Shpëtimtari na fton ta ndjekim shembullin e Tij të përsosur, të ushtrojmë besimin tonë tek Ai dhe Shlyerja e Tij dhe t’i shtojmë të gjitha dhuratat shpirtërore me të cilat jemi bekuar. Ai është udha. Kjo është dëshmia ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.