Eja, Më Ndiq
Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë


“Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
i riu viziton gjyshen e tij

Kthimi në Besim Është Qëllimi Ynë

Qëllimi i tërë mësimit dhe mësimdhënies së ungjillit është që ta forcojnë kthimin tonë në besim dhe të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. Për këtë arsye, kur e studiojmë ungjillin, ne thjesht nuk po kërkojmë informacion të ri; ne dëshirojmë të bëhemi një “krijesë e re” (shih 2 Korintasve 5:17). Kjo do të thotë të mbështetemi te Krishti për t’i ndryshuar zemrën tonë, pikëpamjet tona, veprimet tona dhe pikërisht natyrën tonë.

Por lloji i mësimit të ungjillit që e forcon besimin tonë dhe na çon drejt ndryshimit të mrekullueshëm të kthimit në besim, nuk ndodh i tëri njëherësh. Ai shtrihet përtej një mjedisi të klasës deri brenda zemrës dhe shtëpisë së një individi. Ai kërkon përpjekje të vazhdueshme, të përditshme për ta kuptuar dhe jetuar ungjillin. Kthimi i vërtetë në besim kërkon ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Fryma e Shenjtë na prin drejt së vërtetës dhe na jep dëshmi për atë të vërtetë (shih Gjoni 16:13). Ai i ndriçon mendjet tona, e përshpejton të kuptuarin tonë dhe i prek zemrat tona me zbulesë nga Perëndia, burimi i gjithë së vërtetës. Fryma e Shenjtë i dëlirëson zemrat tona. Ai frymëzon brenda nesh një dëshirë për të jetuar sipas së vërtetës dhe Ai na pëshpërit mënyra se si ta bëjmë këtë. Vërtet, “Fryma e Shenjtë … do [të na] mësojë çdo gjë” (Gjoni 14:26).

Për këto arsye, në përpjekjet tona për ta jetuar, mësuar e dhënë mësim ungjillin, para së gjithash ne duhet të kërkojmë shoqërimin e Shpirtit. Ky synim duhet t’i drejtojë zgjedhjet tona dhe t’i udhërrëfejë mendimet e veprimet tona. Ne duhet të kërkojmë për çfarëdo gjëje që e fton ndikimin e Shpirtit, dhe ta mohojmë çfarëdo gjëje që e largon atë ndikim – sepse ne e dimë që, në qoftë se mund të jemi të denjë për praninë e Frymës së Shenjtë, ne mund të jemi gjithashtu të denjë që të jetojmë në praninë e Atit Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.