Eja, Më Ndiq
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet


“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet

Për Kë Është Ky Burim?

Ky burim është për çdo individ dhe familje në Kishë. Ai është hartuar që t’ju ndihmojë ta mësoni ungjillin – qoftë më vete ose me familjen tuaj. Nëse nuk e keni studiuar rregullisht ungjillin në të shkuarën, ky burim mund t’ju ndihmojë të filloni. Nëse e keni tashmë një zakon të mirë të studimit të ungjillit, ky burim mund t’ju ndihmojë të keni përvoja më kuptimplote.

Si Duhet ta Përdor Këtë Burim?

Përdoreni këtë burim në çfarëdo mënyre që është e dobishme për ju. Ju mund ta shihni të dobishëm si udhëzues apo ndihmë për studimin vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta. Ju mund ta përdorni edhe për mbrëmjen familjare. Përvijimet e mësimeve theksojnë parime të rëndësishme që gjenden në Dhiatën e Re, sugjerojnë ide për studim dhe veprimtari për individë e familje dhe ju sigurojnë vende për t’i shënuar mbresat tuaja.

Ju dhe familja juaj mund të jeni duke e studiuar tashmë ungjillin rregullisht. Mbase ju keni qëllim të lexoni Librin e Mormonit. Ose ndoshta ju po lexoni një libër tjetër të shkrimit të shenjtë për një klasë seminari apo instituti. Eja, Më Ndiq nuk ka për qëllim t’i zëvendësojë gjërat e mira që po bëni apo të konkurrojë me to. Mund të ketë mënyra se si të mësoni rregullisht nga Dhiata e Re dhe ende t’i arrini synimet tuaja të tjera të studimit të shkrimeve të shenjta. Për shembull, ju mund të vazhdoni ta lexoni Librin e Mormonit si pjesë të studimit tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta dhe ta lexoni Dhiatën e Re me familjen tuaj (ose anasjelltas). Ose, ndërkohë që lexoni Dhiatën e Re, ju mund të kërkoni fragmente të Librit të Mormonit që e përforcojnë atë që po mësoni. Ndiqni udhërrëfimin e Shpirtit për të përcaktuar se si ta kryeni studimin tuaj vetjak të fjalës së Perëndisë.

Si Lidhet Ky Burim me Atë që Ndodh në Kishë?

Përvijimet e mësimeve në këtë burim organizohen në përputhje me një program leximi të përjavshëm. Mësimet që jepen në klasat e Fillores dhe të Shkollës të së Dielës ndjekin të njëjtin program. Në mbështetje të përpjekjeve tuaja për ta mësuar e jetuar ungjillin në shtëpi, mësuesit tuaj do t’ju japin mundësi për të treguar përvojat, mendimet tuaja dhe për të bërë pyetjet tuaja lidhur me fragmentet e shkrimeve të shenjta që i keni studiuar gjatë javës.

Eja, Më Ndiq – Për Filloren dhe Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës përfshijnë përvijime të mësimeve për çdo javë të vitit me përjashtim të dy të dielave kur mbahet konferenca e përgjithshme. Në rastin kur mbledhjet e zakonshme të Kishës nuk zhvillohen për shkak të konferencës së kunjit apo për ndonjë arsye tjetër, ju ftoheni që ta vazhdoni studimin e Dhiatës së Re në shtëpi. Orët tuaja mësimore në Kishë mund t’i kapërcejnë mësimet e programuara për ato data ose mund t’i ndërthurin dy mësime për t’iu përmbajtur programit.

A Kam Nevojë Unë që ta Ndjek Programin?

Programi do t’ju ndihmojë t’i përmbaheni materialit të përfshirë në orët mësimore të së dielës, por mos u ndieni të detyruar ndaj tij; programi është thjesht një udhëzues për t’ju ndihmuar të përcaktoni ritmin tuaj. Gjëja e rëndësishme është që ju po e mësoni ungjillin individualisht dhe si familje.

Pamja
familje duke lexuar shkrimet e shenjta