Eja, Më Ndiq
Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël


“Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël

Nëse keni fëmijë të vegjël në familjen tuaj, këtu janë disa veprimtari që mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë:

  • Dëgjoni ose luani me role një histori. Fëmijët e vegjël i pëlqejnë shumë historitë – nga shkrimet e shenjta, nga jeta juaj, nga historia e Kishës ose nga revistat e Kishës. Kërkoni mënyra që t’i përfshini ata në tregimin e historive. Ata mund të mbajnë figura ose objekte, të vizatojnë piktura të asaj që po dëgjojnë, ta luajnë me role historinë ose madje të ndihmojnë për ta treguar historinë. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i dallojnë të vërtetat e ungjillit në historitë që tregoni.

  • Lexoni një shkrim të shenjtë. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë shumë, por ju ende mund t’i përfshini në leximin nga shkrimet e shenjta. Mund të keni nevojë të përqendroheni te një varg, një frazë kyçe ose një fjalë e vetme. Ata madje mund të jenë në gjendje të mësojnë përmendsh fraza të shkurtra nga shkrimet e shenjta nëse i përsëritin ato disa herë. Kur e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, ata do ta ndiejnë Shpirtin.

  • Shikoni një figurë ose shihni një material filmik. Kur u tregoni fëmijëve një figurë ose një material filmik që lidhet me një parim të ungjillit ose një histori të shkrimit të shenjtë, bëjuni pyetje që do t’i ndihmojnë të mësojnë nga ajo që po shohin. Për shembull, mund të pyetni: “Çfarë po ndodh në këtë figurë ose material filmik? Si të bën të ndihesh?” Programi kompjuterik Biblioteka e Ungjillit, Biblevideos.lds.org, medialibrary.lds.org dhe children.lds.org janë vende të mira për të kërkuar figura dhe materiale filmike.

  • Këndoni. Himne dhe këngë nga Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] na e japin mësim doktrinën në mënyrë të fuqishme. Përdorni topics index [treguesin tematik] në fund të Children’s Songbook [Librit të Këngëve të Fëmijëve] që të gjeni këngë që lidhen me parimet e ungjillit që po i jepni mësim. Ndihmojini fëmijët tuaj ta lidhin mesazhin e këngëve me jetën e tyre. Për shembull, mund të bëni pyetje rreth fjalëve ose frazave në tekstet e këngëve. Përveç të kënduarit, fëmijët tuaj mund të kryejnë veprime që lidhen me këngët ose t’i dëgjojnë këngët si sfond muzikor ndërkohë që po bëjnë veprimtari të tjera.

  • Krijoni. Fëmijët mund të ndërtojnë, vizatojnë ose ngjyrosin diçka që lidhet me historinë ose parimin që po mësojnë.

  • Merrni pjesë në mësime me objekte. Një mësim i thjeshtë me objekte mund t’i ndihmojë fëmijët për ta kuptuar një parim të ungjillit që është i vështirë për t’u kuptuar. Kur përdorni mësime me objekte, gjeni mënyra që t’i lejoni fëmijët tuaj të marrin pjesë. Ata do të mësojnë më shumë nga një përvojë ndërvepruese sesa thjesht nga vështrimi i një demonstrimi.

  • Interpretoni me role. Kur fëmijët e luajnë me role një situatë të cilën ka të ngjarë ta hasin në jetën reale, ata janë më në gjendje të kuptojnë se si zbatohet një parim i ungjillit në jetën e tyre.

  • Përsëritini veprimtaritë. Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë t’i dëgjojnë konceptet shumë herë që t’i kuptojnë ato. Mos kini frikë t’i përsëritni shpesh historitë ose veprimtaritë. Për shembull, ju mund ta tregoni një histori nga shkrimet e shenjta disa herë në mënyra të ndryshme – duke e lexuar nga shkrimet e shenjta, duke e përmbledhur me fjalët tuaja, duke shfaqur një material filmik, duke i lejuar fëmijët tuaj që t’ju ndihmojnë ta tregoni historinë, duke i ftuar ta luajnë me role historinë e kështu me radhë.

    Pamja
    prindër duke u dhënë mësim fëmijëve të vegjël