Pas Kësaj Jete
Përgjigje ndaj Disa Pyetjeve
Plani i Atit Qiellor mund të na japë këndvështrim dhe paqe rreth jetës pas vdekjes.
Ilustrimi nga Thomas Arnaud
Çfarë ndodh pasi vdesim?
Kjo ndoshta është pyetja në të gjitha besimet fetare. Përgjigjet që i kemi nëpërmjet Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, janë të fuqishme. Kjo jetë nuk është mbarimi. Ngaqë Jezu Krishti u ringjall, shpirtrat tanë do të ribashkohen me trupat tanë dhe ne të gjithë do të ringjallemi një ditë.
Sigurisht që ka hollësi të tjera rreth jetës pas vdekjes të cilat na kanë ardhur nëpërmjet zbulesës bashkëkohore, që mund t’u japin përgjigje pyetjeve të tjera që mund t’i kemi. Ja tek janë disa pyetje të tilla, së bashku me disa përgjigje të shkurtra.
Si janë trupat shpirtërorë?
Shpirti është një lloj materieje, vetëm se “më i pastër e më i përpunuar” (Doktrina e Besëlidhje 131:7). Trupat shpirtërorë duken si trupat e njerëzve të rritur.
Ku ndodhet bota e shpirtrave?
Çfarë ndodh në botën e shpirtrave?
Mes të tjerash, shpirtrat që e kanë pranuar ungjillin, organizohen për t’ua predikuar ungjillin shpirtrave që nuk e kanë pranuar ungjillin. Ata shpirtra mund të zgjedhin ta pranojnë ose ta mohojnë atë.
Si janë trupat e ringjallur?
Trupat e ringjallur nuk mund të vdesin, janë prej mishi e kockash dhe janë të përsosur. Janë të lavdishëm dhe të bukur. “Nuk ka asgjë më të bukur për t’u parë sesa një burrë apo grua e ringjallur.”
Çfarë ndodh në mbretërinë çelestiale?
Ata në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale bëhen si Ati ynë Qiellor dhe përjetojnë një plotësi të gëzimit. Ata marrin gjithçka që ka Ati. Ata marrin pjesë në veprën dhe lavdinë e Tij. Ata u vulosën në martesë për përjetësinë dhe tani jetojnë në familje të përjetshme, duke pasur edhe vetë fëmijë të përjetshëm shpirtërorë.
Po njerëzit që nuk martohen kurrë në këtë jetë?
Ati Qiellor është i drejtë dhe i mëshirshëm në mënyrë të përsosur. “Zoti ka premtuar se, në përjetësi, asnjë bekim nuk do t’u mohohet bijve dhe bijave të Tij që i mbajnë urdhërimet, që janë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre dhe që dëshirojnë atë që është e drejtë.”
Prindërit e mi u vulosën në tempull, por tani janë shkurorëzuar. Me cilin jam unë i/e vulosur?
Ti mund të jesh “lindur në besëlidhje” (që do të thotë, i/e lindur pasi prindërit e tu u vulosën në tempull), ose mund të jesh vulosur me prindërit e tu në tempull pasi ata u vulosën me njëri‑tjetrin. Cilido qoftë rasti, bekimet e tua qëndrojnë në fuqi edhe nëse prindërit e tu zgjedhin të shkurorëzohen dhe e kanë anuluar vulosjen e tyre.
Zgjedhjet e prindërve të tu nuk ndikojnë te bekimet e tua. Gjëja e rëndësishme është që ti të mbetesh besnik/e dhe të kërkosh bekimet e tempullit për veten tënde. Pavarësisht nga marrëdhëniet e familjes sate, ti duhet të “mirëbeso[sh] te Zoti dhe të kërko[sh] ngushëllimin e Tij”, duke e ditur se “Ati Qiellor do të sigurohet që ne të marrim çdo bekim që na e lejojnë dëshirat dhe zgjedhjet tona”.
Çfarë u ndodh njerëzve që vdesin nga vetëvrasja?
Ne nuk e dimë se çfarë u ndodh njerëzve që vdesin nga vetëvrasja dhe nuk mund t’i gjykojmë ata (si me të gjithë njerëzit, në fund të fundit). “Pavarësisht nga përpjekjet më të mira të njerëzve të dashur, udhëheqësve dhe profesionistëve, vetëvrasja nuk është gjithmonë e parandalueshme. …
Nuk është e drejtë që një person t’i japë fund jetës së vet. Megjithatë, vetëm Perëndia është në gjendje t’i gjykojë mendimet, veprimet dhe nivelin e përgjegjshmërisë së personit (shihni te 1 Samuelit 16:7; Doktrina e Besëlidhje 137:9). …
Ata që kanë humbur një njeri të dashur për shkak të vetëvrasjes, mund të gjejnë shpresë dhe shërim te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.”