Perëndia Është Gjithnjë me Ty
Edhe kur nuk besoja te Perëndia, Ai prapëseprapë më donte dhe përkujdesej për mua.
Ilustrimi nga Uran Duo
Perëndia Më Njihte përpara se Unë ta Njihja Atë
Kur isha tetë vjeçe, misionarët u takuan në rrugë me gjyshen dhe tezen time. Pasi mësuam rreth ungjillit, ne të gjithë u pagëzuam. Në vitin 2020, gjithsesi, na u desh të mos shkonim në kishë për shkak të COVID‑it. Ne përfundimisht u bëmë jobesimtarë.
Para dy vjetësh, madje nuk besoja te Perëndia ose nuk e dija nëse Ai ishte real. Një ditë mbas shkollës, doja të kaloja në anën tjetër të rrugës për të blerë diçka për të ngrënë. Por një zë më tha të mos e kaloja rrugën. Ndalova dhe dy makina u përplasën pikërisht përpara meje. Po ta kisha kaluar rrugën, makinat do të më kishin goditur ose mund të më kishin vrarë. Atëherë e kuptova se Perëndia më njihte dhe më donte. Megjithëse nuk besoja tek Ai dhe nuk po e frekuentoja kishën në atë kohë, Ai prapëseprapë më donte dhe më mbronte.
Fillova të lexoja Librin e Mormonit përsëri dhe arrita të di se ai është fjala e Perëndisë. Fillova të shkoja përsëri në kishë. Kur shkoj në kishë, unë ndiej paqe, dashurinë e Perëndisë dhe ndihmën e Tij. Ndiej se Ai është gjithnjë me mua dhe kjo më bën të lumtur.
Himni im i parapëlqyer është “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, ngaqë më kujton se Ati Qiellor na do dhe na ndihmon. Gjithashtu më pëlqen shkrimi i shenjtë te 2 Nefi 2:27, që flet rreth mënyrës se si ne jemi të lirë të zgjedhim midis së drejtës dhe së gabuarës.
Perëndia Është me Mua në Sfidat e Mia
Shumë muaj më parë, vëllai im filloi të vinte në kishë me ne, por pas njëfarë kohe nuk erdhi më. Ai shqetësohej se ç’do të mendonin shokët dhe njerëzit e tjerë për të. Atij i vjen turp të vijë në kishën tonë, por i them se nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë shokët. Ka rëndësi se çfarë mendon Perëndia.
Familja ime nuk shkon në kishë. Unë shkoj e vetme. Ngaqë në rrugën time nuk kalon asnjë autobus për në godinën e Kishës, unë eci rreth 30 minuta për të shkuar atje. Familja ime shqetësohet se çfarë do të mendojnë njerëzit e tjerë për ta, por unë them se nuk ka rëndësi ngaqë e di se është e vërtetë.
Kur takohem me shoqet e mia, ato nganjëherë pinë kafe. Dhe kur e shoh atë gjë, nganjëherë edhe unë dua të pi kafe. Por më kujtohet se Perëndia është me mua. Ai më mban për dore dhe më ndihmon. Dëgjoj një zë që më thotë të mos e bëj atë gjë dhe e di se Perëndia po më ndihmon që t’i mposht këto sfida.
Është e vështirë të frekuentojë kishën pa familjen e saj, por Nara e di se Perëndia e do dhe e bekon atë. Ai madje e mbrojti nga një aksident automobilistik dikur.
Këshilla Ime për të Tjerë si Unë
Nëse do t’i jepja këshillë dikujt në gjendjen time, unë do t’i thosha: Je tejet i/e bekuar dhe ke shumë besim. Nuk je vetëm sepse anëtarët dhe misionarët e Kishës mund të të japin këshilla të mira. Perëndia të do. Ti je biri ose bija e Tij dhe Ai dëshiron të të ndihmojë.
Autorja jeton në Jerevan, Armeni.