2025
Ndihmë dhe Udhërrëfim për të Ardhmen Tënde
Për Forcën e Rinisë, Korrik 2025


Ndihmë dhe Udhërrëfim për të Ardhmen Tënde

Jeta nuk shkon gjithmonë sipas planeve të tua, por mbështetja te Zoti do të ta ndryshojë jetën për mirë.

burrë me shenja pikëpyetjesh dhe tabela rrugore

Nganjëherë mund të duket sikur bota është plot me pasiguri. Mund të pyesësh veten se çfarë të pret në të ardhmen. Kështu ndihesha dhe unë.

Prindërit e mi dhe unë u bashkuam me Kishën kur isha 16 vjeç. Në atë kohë, isha shumë i turpshëm. Pas bashkimit me Kishën, fitova vetëbesim. Mësova se kush jam, nga erdha, përse jam këtu dhe ku do të shkoj pas kësaj jete.

Atëherë e kuptova se, edhe pse nuk e dija me hollësi se çfarë lloj gjërash do të bëja në jetën time, do të kishte ndihmë dhe udhërrëfim për të më udhëhequr drejt një të ardhmeje të shkëlqyer.

E njëjta gjë vlen edhe për ty!

Udhërrëfim nga Profeti

Isha 17 vjeç kur profeti, Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985), vizitoi Korenë e Jugut në vitin 1975. E pashë në një mbledhje ku rreth 400 të rinj e të reja nga Koreja u mblodhën për të dëgjuar zërin e tij.

Presidenti Kimball na tregoi se si i kishte studiuar shkrimet e shenjta dhe ishte lutur çdo ditë që kur ishte i ri në moshë. Ai foli për rëndësinë e vendosjes së përparësive. Tha se duhej të frekuentonim seminarin, të përgatiteshim për misione dhe martesë të përjetshme dhe të punonim drejt shpëtimit. Ai gjithashtu dha dëshminë e tij.

Fjalët e profetit ma ndriçuan të menduarit. Isha në shkollë të mesme, por nuk isha i interesuar që të bëja detyrat e shkollës. Më pëlqenin shumë sportet! Luaja futboll sa herë që kisha mundësi dhe shpesh luaja në vend që të studioja. Nuk isha nxënës i mirë. Pasi e dëgjova profetin, akoma më pëlqente futbolli, por vendosa të vija disa përparësi.

Do të bëja gjithçka mundja që të studioja. Do të shërbeja në mision, do të vulosesha në tempull dhe do të kisha një familje të lumtur. E dija se për ta pasur këtë të ardhme të shkëlqyer, do të më nevojitej të ndiqja profetin, pavarësisht se çfarë ndodhte.

Me gjithë mundësitë dhe sfidat që do të përballesh në jetë, do të jesh mirë kur e ndjek udhërrëfimin që japin profetët e gjallë.

Një Mision i Pasigurt

E kisha bërë zotimin që të shërbeja në një mision, por në Korenë e Jugut ka edhe shërbim të detyruar ushtarak. Pas shkollës së mesme, shumë të rinj futeshin në ushtri, përmbushnin shërbimin e detyruar ushtarak dhe menjëherë vazhdonin arsimimin dhe gjenin punë. Ishte e vështirë të bëja edhe dy vjet të tjera për shërbimin misionar. Në atë kohë kishte vetëm disa misionarë koreanë.

Kur mbusha 19 vjeç, e mbajta zotimin dhe u përgatita dhe dërgova dokumentet e mia për mision. Më thirrën për të shërbyer në Misionin e Koresë, Busan. Një vit më vonë më thirrën në ushtri. Sa u trishtova që m’u desh ta ndërprisja misionin.

Kur e përfundova shërbimin ushtarak tre vjet më vonë, e ndjeva se nuk e kisha përfunduar ende misionin tim. Të gjithë më thanë: “Ti tashmë shërbeve në mision. Zoti e kupton gjendjen tënde, prandaj shërbimi vetëm për një vit mjafton.”

Pyeta mikeshën time të mirë nga seminari se çfarë duhej të bëja. Ajo tha se e dinte që do të shërbeja edhe një vit tjetër në mision. Mirëbesimi i saj më dha vetëbesimin dhe pohimin për të shërbyer më shumë. Gjatë vitit të dytë të misionit, shërbeva në Misionin e Koresë, Seul. Në kohën kur mbarova, isha 25 vjeç. Më vonë u martova me po atë mikeshë dhe u vulosëm në Tempullin e Laies në Havai.

Kjo përvojë më mësoi se do të jesh mirë edhe kur gjërat nuk ndodhin sipas mënyrës si i planifikon. Kur planet e tua dhe synimi yt përputhen me vullnetin e Zotit për ty, Ai do të të ndihmojë për vendimet e jetës sate.

Një e Ardhme e Shkëlqyer Është e Mundur

Megjithëse kur isha i ri nuk isha i sigurt se çfarë lloj jete do të kisha, zbulova se vendosja e gjërave shpirtërore në vend të parë, është kyçi i suksesit, jo thjesht në këtë jetë, por edhe në jetën që vjen.

Kur u pagëzove, ti more dhuratën e Frymës së Shenjtë. Teksa përqendrohesh te nxitjet që merr, Fryma e Shenjtë do të të mbrojë dhe udhërrëfejë që të shkosh në udhën e drejtë. Gjithashtu do të ndjesh ngushëllim e paqe.

Teksa përgatitesh për të ardhmen tënde, mbaj mend:

  • Studioji shkrimet e shenjta.

  • Vazhdo të lutesh.

  • Ndiqe profetin.

  • Gjithmonë mbështetu te Zoti.

Kur isha në moshën tënde, mësova rreth karakteristikave dhe tipareve të Shpëtimtarit dhe se si mund të isha më shumë si Ai. Ai është i përkryer. Unë nuk mund të jem tërësisht si Ai në këtë jetë, por po bëj gjithçka mundem dhe jam bërë më i mirë në përpjekjen për t’u bërë si Ai.

E di se Jezu Krishti jeton. Për shkak të Tij, unë kam një shpresë të shkëlqyer për të ardhmen dhe ti mund të kesh gjithashtu.