2025
Le të Flasim për Paratë!
Për Forcën e Rinisë, Korrik 2025


Le të Flasim për Paratë!

Më veçanërisht, le të lexojmë rreth rasteve kur Jezusi dha mësim rreth parave.

e re dhe i ri

Ilustrimet nga Alyssa Petersen

Jezusi flet rreth parave disa herë në shkrimet e shenjta.

A të duken të njohura shprehjet “thesare në qiell” (Mateu 6:20), shëmbëlltyra e talentave (Mateu 25:14–30) ose “sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit” (Malakia 3:10)? Le ta shqyrtojmë!

Nevojat kundrejt Dëshirave

Jezusi e di se ka shumë gjëra që të nevojiten (për shembull, ushqim) dhe që i dëshiron (për shembull, lojërat). Ai jep mësim: “Mblidhni thesare për veten tuaj në qiell, ku as tenja, as ndryshku nuk i prishin dhe ku vjedhësit as nuk futen dot, as vjedhin” (Mateu 6:19–21). Shumica e gjërave që blihen me para zhduken, prandaj ji i/e ndërgjegjshëm/me për gjërat që blen.

Mund të jesh i/e ndërgjegjshëm/me me paratë kur i veçon nevojat e tua nga dëshirat e tua. Mendo me vete: “A po e blej këtë gjë sepse më nevojitet apo sepse e dëshiroj atë?” Nëse nuk je i/e sigurt, përpiqu të presësh një muaj; pasi të kalojë ajo kohë, bëji ato pyetje sërish. Duke e bërë këtë gjë mund të shmangësh blerjen e gjërave nga shtytja e çastit dhe përpjekjen për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Përkundrazi, do të marrësh vendime të mençura rreth kohës kur të kursesh dhe kur të shpenzosh para.

para duke dalë nga një derrkuc kursimesh

Përdorimi i Parave për të Bekuar të Tjerët

Në shëmbëlltyrën e talentave, Jezusi përshkruan një zotëri i cili u jep sasi të ndryshme parash (të quajtura “talenta”) tre shërbëtorëve. Dy shërbëtorë i dyfishuan paratë që iu dhanë dhe një shërbëtor e groposi paranë e tij. Kur zotëria kthehet, ai është i kënaqur me dy shërbëtorët që i shtuan talentat e tyre dhe i pakënaqur me shërbëtorin që nuk e bëri këtë gjë (shih te Mateu 25:14–30).

Ashtu sikurse zotëria në shëmbëlltyrë u dha talenta shërbëtorëve të tij, kur Perëndia të bekon me para, Ai pret që t’i përdorësh të ardhurat e tua për të bekuar veten dhe njerëz të tjerë. Kur kujdesesh për të tjerët, ti po përmbush urdhërimin e Jezusit që ta “dua[sh] të afërmin tënd porsi vetveten” (Marku 12:31).

Është mirë të blesh gjëra të këndshme, por duhet të marrësh parasysh nevojat e vetes dhe të njerëzve të tjerë përpara se ta bësh një blerje. Kur mendon për nevojat e të tjerëve, Perëndia do të të ndihmojë të dish se si t’i përdorësh paratë për të bekuar njerëzit në jetën tënde.

i ri mbi një pirg monedhash

Bekimet për të Dhjetën

Nëse shqetësohesh se nuk do të kesh mjaft para ngaqë paguan të dhjetën, lexoji këto fjalë qetësuese nga Perëndia: “Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit … dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë … në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini” (Malakia 3:10). Nëse e paguan të dhjetën, Perëndia do të të bekojë më shumë nga sa mund ta përfytyrosh.

Mund të mos bekohesh në mënyra materiale; mund të mos i kesh paratë që dëshiron për të blerë një këmishë të shtrenjtë që të pëlqen, prandaj mund të të duhet ta vonosh kënaqësinë e çastit. Por Zoti do të të bekojë. Me kalimin e kohës do të zbulosh se është më e lehtë ta paguash të dhjetën dhe shpirti yt do të jetë më i ripërtërirë kundrejt shqetësimeve financiare që ke.

Perëndia do të të Ndihmojë

Rasëll M. Nelson

Mirëbeso në fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson: “Aftësia e Shpëtimtarit për t’ju ardhur në ndihmë, nuk ka kufij” (konferenca e përgjithshme e tetorit 2024 [Liahona, nëntor 2024, f. 122]). Duke i përdorur me vetëdije paratë e tua për të përmbushur nevojat, për t’u kujdesur për të tjerët dhe për të paguar të dhjetën, ti do të zbulosh një dashuri më të thellë për Perëndinë dhe njerëzit e tjerë dhe një vlerësim për gjërat që ke.