Kur Sprovat Duken Shumë të Mëdha
Sfidat janë pjesë e jetës. Por me ndihmë, ne mund t’i shohim ato nga këndvështrimi i Perëndisë.
Mali Timpanogos është një mal në Jutë, SHBA, që është 3353 metra i lartë dhe i mbushur plot me ujëvara, mure shkëmbore, livadhe dhe faunë të egër. Qëndrimi në rrëzë të një mali si ky, mund të të bëjë të ndihesh i/e vogël. Nuk mund të shohësh mbi të ose përreth tij. Mund të duket tepër i madh dhe i pakapërcyeshëm.
Gjithsesi, një udhëtim me makinë për 10 minuta larg nga mali Timpanogos të lejon ta shohësh atë ndryshe. Nga ky këndvështrim, mund të vësh re shtigjet dhe rrugët që janë hapur përmes malit. Këto tregojnë se njerëz të tjerë kanë qenë atje më parë dhe se ka një udhë të sigurt për të kaluar mbi dhe përreth malit.
Sprovat që ke në jetë, tani mund të të duken njësoj. Përballja me sfida vërtet të vështira, mund të të duket sikur po hedh vështrimin lart në male aq të mëdha sa nuk mund të shohësh mbi ose madje përreth tyre. Mund të duken shumë të mëdha dhe mbase të pamundura për t’u kapërcyer. Ato sprova madje mund të të bëjnë të ndihesh i/e vogël, i/e pezmatuar, i/e frikësuar ose i/e vetmuar.
Por ja çfarë mund të provosh tjetër. Bëj një hap prapa dhe përpiqu t’i shohësh sprovat e tua nga një këndvështrim tjetër – këndvështrimi i Perëndisë.
Nga ky këndvështrim gjithashtu mund të kuptosh se nuk të kanë lënë t’i zgjidhësh problemet e tua vetëm. Ti ke një Atë në Qiell, i cili të do dhe do të të ndihmojë. Të tjerë, veçanërisht Shpëtimtari, gjithashtu ia kanë dalë mbanë përgjatë vështirësive. Ata duan të të japin udhërrëfimin që të nevojitet për t’i kapërcyer sprovat e tua, madje dhe ato vërtet të mëdha.
Si Mund ta Ndryshojmë Këndvështrimin Tonë?
1 Ndiq planin e Atit Qiellor.
Jezu Krishti është shembulli ynë i përkryer. Parimet që Ai dha mësim, janë të thjeshta, të fuqishme dhe të lehta për t’u kuptuar. A do të thotë kjo që ato janë gjithmonë të lehta për t’u ndjekur? Epo, jo. Jo gjithmonë. Por çdo herë që vërtet e ndjekim Atë me besim, këndvështrimi ynë fillon të ndryshojë. Fillojmë t’i shohim sfidat si mundësi për t’iu drejtuar Shpëtimtarit, në vend që t’i shohim si ndëshkime, gracka ose pengesa që na mbajnë larg prej Tij.
2 Kërkoji ndihmë Perëndisë.
Perëndia është Ati yt Qiellor. Ai të njeh, të do dhe është gati të të ndihmojë çdo herë që ia kërkon. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “Zoti e kupton dobësinë tonë njerëzore. Përgjigjja e Tij ndaj lutjeve tuaja mund t’ju befasojë dhe do t’ju ndihmojë të mendoni çelestialisht.”
Kur lutesh, Perëndia mund të të ndihmojë të shohësh gjëra që nuk mund t’i shohësh pikërisht tani. Ai mund të të udhërrëfejë përgjatë sprovave të tua dhe madje të të japë paqe dhe forcë kur e ndjek Atë.
3 Kërkoju ndihmë të tjerëve.
Ati Qiellor ka vendosur njerëz të mirë në jetën tënde, të cilët mund të të ndihmojnë. Kur po has vështirësi me sfidat që duken se janë duke t’u kanosur, merre parasysh që të flasësh me një pjesëtar të mirëbesuar të familjes, një shok ose shoqe, një udhëheqës të Kishës apo peshkopin tënd.
T’i kërkosh një mbajtësi të denjë të priftërisë një bekim ngushëllimi dhe udhërrëfimi, është një mënyrë tjetër e mrekullueshme për ta parë veten dhe jetën tënde nëpërmjet këndvështrimit të Perëndisë.
Të Shikuarit me Qartësi
Si një mal gjigant që qëndron pikërisht në udhën tënde, nganjëherë sprovat e tua mund të ndihen shumë të mëdha. Por teksa e jeton planin e Perëndisë dhe e lejon Atë dhe njerëz të tjerë të të ndihmojnë, ti mund t’i shohësh ndryshe sfidat e tua.
Mund të bësh një hap prapa dhe të shohësh se ka një mënyrë për t’i kapërcyer sprovat e tua. Jezu Krishti siguron një shteg që mund ta ndërmarrësh. Pavarësisht se sa të mëdha mund të duken sprovat e tua, Perëndia është më i fortë.