2025
Kapërcimi i Pengesave ndaj Lutjes
Mars 2025


Kapërcimi i Pengesave ndaj Lutjes

Si ta pastrojmë udhën nga pengesat ndaj lutjes?

i ri duke kapërcyer pengesat dhe duke u lutur

Ilustrimet nga Andrew Bosley dhe Derek L. Smith

“Lutuni gjithmonë.” Shpëtimtari e jep këtë udhëzim 10 herë te Doktrina e Besëlidhje. E kuptojmë që është e figurshme, nuk mund të ulemi mirëfilli në gjunjë për t’u lutur në çdo moment që jemi duke ecur, por nganjëherë është e vështirë qoftë edhe të lutesh dy herë në ditë! Si i kapërcejmë pengesat?

Pengesa: Harresa

Jemi njerëz. Ndodh.

Një zgjidhje e mundshme:

Lidhe lutjen me diçka tjetër që bën çdo ditë, në mënyrë që kur të mendosh për njërën, të mendosh edhe për tjetrën. Nëse ndien se je shumë i/e përgjumur për të bërë lutje kuptimplota sa zgjohesh nga gjumi ose para se të biesh në gjumë, lidhi lutjet me një rutinë tjetër tënden gjatë ditës ose natës, për të cilën je më i/e vëmendshëm/me, si larja e dhëmbëve ose pirja e një ilaçi. Ose vendos zile për të të kujtuar në celular!

Pengesa: Asgjë për të raportuar

E çfarë ka për t’u thënë në mëngjes kur gjithçka që ke bërë deri nga lutja jote e fundit, është gjumi?

Një zgjidhje e mundshme:

Në mëngjes falënderoje Perëndinë për bekimet e tua, përfshirë individët që e bekojnë jetën tënde. Lutu për ata njerëz. Thuaji Perëndisë atë që ke planifikuar për sot dhe kërko udhërrëfimin e Tij. Në mbrëmje, raporto përsëri. Thuaja Atij gjithçka që ndodhi gjatë ditës për të cilën je mirënjohës/e, atë që mësove ose atë që t’u duk interesante.

Pengesa: Ndjenjat negative

Ndoshta ndihesh i/e padenjë nga diçka që ke bërë ose po mendon të bësh. Mbase je i/e zemëruar me Perëndinë për diçka. Mbase nuk je në gjendjen e duhur emocionale.

Zgjidhja: Lutu sidoqoftë

Cilatdo të jenë ndjenjat e tua, Perëndia mund të kujdeset për to. Askush nuk është kurrë, po kurrë “i/e padenjë” për t’u lutur dhe është djalli që dëshiron ta mendosh këtë (shih te 2 Nefi 32:8). Ati yt më mirë dëgjon lutjen tënde të papërkryer, të paplotë, atë lutje ku e tregon qartë se nuk ndihesh ende gati ta përmendësh atë Gjënë e Madhe, sesa mos të dëgjojë fare prej teje.