Për Rastet Kur do të Zhgënjehesh
Doktrina e Besëlidhje ofron ndihmë kur gjërat nuk shkojnë siç dëshiron.
Ilustrimi nga Luciana Abrão
A je zhgënjyer ndonjëherë? Unë po. Në fakt, u zhgënjeva pikërisht javën e kaluar. Të them të vërtetën, qava dhe u preka shumë.
Zoti i tha Jozef Smithit: “Ji i duruar në mundime, sepse do të kesh shumë”. Gulçim. Nuk më pëlqen se si tingëllon kjo.
Por, fatmirësisht, shkrimi i shenjtë vijon: “Por duroji ato, pasi, vër re, unë jam me ty, madje deri në mbarim të ditëve të tua” (Doktrina e Besëlidhje 24:8, theksimi i shtuar). Në rregull. Nxirre frymën thellë.
Kur mendoj për këtë, kuptoj se Zoti ka qenë pranë meje gjatë çdo zhgënjimi që kam kaluar. Ja disa shembuj:
Kur Nuk e Mora Rolin …
Kur isha 15 vjeçe, bëra provën përzgjedhëse për një pjesë teatrale në shkollë. Bëra provat për rolin kryesor, por në fund, nuk e mora rolin.
Si për t’i përkeqësuar gjërat, mësuesja i kishte përzgjedhur tashmë të gjitha rolet më të vogla, prandaj unë mbeta pa rol fare. Ajo më bëri regjisore dhe ngaqë u ndje keq, më dha gjithashtu një rol të ri; dola në skenë për rreth 30 sekonda si murgeshë e heshtur.
Po. Qava.
… Zoti më Forcoi
Kur shoh pas, kuptoj se Shpëtimtari më ndihmoi ta kaloja atë periudhë zhgënjimi. Më forcoi që të mbaja një qëndrim të mirë dhe të zhvilloja më shumë përulësi. Në fund, e shijova kohën time në shfaqjen e klasës së nëntë.
“Le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (Doktrina e Besëlidhje 123:17, theksimi i shtuar).
Kur Nuk Shkoi Siç Dëshiroja në Sport …
Në vitin e fundit të shkollës së mesme, doja të hyja në ekipin e tenisit të kategorisë së parë (ose të nivelit të përparuar). Më duhej të mundja vajzën e renditur menjëherë para meje për të hyrë në ekip. Por kur u ndesha me të, humba.
Megjithëse u zhgënjeva, luajta në ekipin e kategorisë së dytë. Në turneun e fundit të kategorisë së dytë, u rendita në vendin e parë. Por, a e dini çfarë? Humba në finale. Përsëri qava.
U zhgënjeva sërish më pas. Pasi mora një çmim për marrjen e notave të mira dhe pjesëmarrjen në sporte, ata vendosën të ma hiqnin çmimin, ngaqë, me ç’dukej, ishte vetëm për ata që luanin në kategorinë e parë.
… Ishte Veçse një “Çast i Shkurtër”
Në atë kohë, tenisi luante një rol të madh në jetën time dhe ato zhgënjime më dukeshin të mëdha. Ajo që nuk kuptova, ishte se Shpëtimtari qe gjithnjë pranë meje, duke më ndihmuar. Ato zhgënjime të mëdha nuk zgjatën përgjithmonë, edhe pse m’u duk se do të zgjatnin.
“Paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; [d]he atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 121:7–8, theksimi i shtuar).
Kur u Përpoqa ta Mundja Zhgënjimin …
Nganjëherë, përpiqesha ta shmangia plotësisht zhgënjimin. Kur isha 13 vjeçe dhe nuk arrita të hyja në këshillin e nxënësve, nuk e provova më asnjëherë, edhe pse ishte diçka që ndoshta do të më kishte pëlqyer. Hoqa dorë ngaqë kisha frikë se mos zhgënjehesha përsëri.
… Më Duhej të “Mos Ki[sha] Frikë”
Më duhej të kujtoja se Zoti është pranë nesh, edhe në zhgënjimet tona. Nganjëherë gjërat nuk do të shkojnë siç dëshirojmë, por Ai mund të na ndihmojë t’i përballojmë emocionet e parehatshme dhe të provojmë gjëra të reja.
“Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36–37, theksimi i shtuar).
Kur Shërbimi në një Mision Nuk Shkoi siç e Kisha Planifikuar …
Pas shkollës së mesme, vendosa të shërbeja në një mision. Mirëpo, pata disa probleme mjekësore të papritura që më penguan të nisesha kur e kisha në plan.
Më duhej të bëja durim, por si përfundim u thirra në Misionin e Guadalaharës, në Meksikën Lindore. Atje, u dhashë mësim shumë njerëzve të mrekullueshëm dhe madje i ndihmova disa prej tyre që të pagëzoheshin. Por edhe me besimin tim, bindjen dhe punën e palodhur, asnjëri prej tyre nuk qëndroi aktiv në Kishë.
… I Mirëbesova Vullnetit të Perëndisë
Shpesh, ngjarjet e jetës janë jashtë kontrollit tonë. Nuk munda t’i zgjidhja menjëherë problemet e mia mjekësore. As nuk mund t’i detyroj dot të tjerët ta jetojnë ungjillin. Por mund t’i mirëbesoj kohës dhe mënyrës së Zotit.
“Si rrjedhim, shenjtërojeni veten tuaj, që mendjet tuaja t’i përkushtohen tërësisht Perëndisë dhe ditët do të vijnë që ju do ta shihni atë; … dhe do të jetë në vetë kohën e tij dhe në vetë mënyrën e tij, dhe sipas vetë vullnetit të tij” (Doktrina e Besëlidhje 88:68, theksimi i shtuar).
Kur u Zhgënjeva Javën e Kaluar …
Tani jam në moshë madhore. Por prapë zhgënjehem. Në fakt, pikërisht javën e kaluar shkova në një konferencë për të shkruarit. Ndihesha shumë e sigurt për disa nga shkrimet e mia, mirëpo shkrues të tjerë më vlerësuan me përshtypje zhgënjyese.
… Ai Ishte Pranë Meje
Tani, po përpiqem t’i mirëbesoj Zotit pak më shumë. Zhgënjimet janë pjesë e jetës. Ato nuk tregojnë se po bën diçka gabim.
Kështu që, t’i kthehemi shkrimit të shenjtë në fillim. Po, mund të kemi “shumë” mundime dhe zhgënjime. Por e di se Zoti do të jetë pranë meje gjatë të gjitha atyre. Ai do të jetë edhe pranë teje.
“Ji i duruar në mundime, sepse do të kesh shumë; por duroji ato, pasi, vër re, unë jam me ty, madje deri në mbarim të ditëve të tua” (Doktrina e Besëlidhje 24:8, theksimi i shtuar).